Kristo Çipa: NË MES TË PARAJSËS POR…….
- 2 hours ago
- 1 min read

NË MES TË PARAJSËS POR…….
Qielli rëzon pështymë
Toka poshtë spërkat baltë
Ne njëri- tjetrin e grijmë
Urrejtjen e kthejmë në shpat.
Ç’ke njeri që kullon serrë?
Syrgjynose dashurinë
Mbi k’të dhe je veç një herë
Pastaj gjumë e errësirë.
Fjala pse ngjyhet në vrer!
Kur dhe gjethja kullon mjaltë?
Kur ka lule pse mbledh ferrë
Gazin e kthen në shamatë?
Pse ri si gjëmbi mbi shtrungë
Kur dhe mbi gur dalin lule?
Çdo mëngjez ti korr furtunë
Se erën mbolle sa munde!
Gjaku na ka marrë helmime
Ngre furtuna në damarë
Ju pyes me përgjërime
Jemi a s’jemi shqiptarë?
Lirisë, foshnjës syshkruar
Pse ja kthejmë greminë- djepin?
Mes parajsës të hutuar
Do te mbajmë amanetin?!








Comments