Kristo Çipa: KU TË T’I ÇOJ LULET?
- 2 days ago
- 1 min read

KU TË T’I ÇOJ LULET?
Shenjtëria jote, petrail bekimi
Drita që ti mbolle u bë mëngjes zgjimi.
Vitet s’numurohen, kot pikojnë lotët
Shpirtrat përmallohen, nuk takohen botët.
Katër breza vajtën, frymë e shenjtëruar
Bijtë e tu u plakën, nipat lulëzuan
Ti vërtet nuk ike, mbete meteor
Ne kollonë drite, ti sinjal hyjnor.
Udhën që na shtrove, dielli e do hua
Ç’botë na dhurove?! Mençuritë e tua!
Virtytin e hekurt, përmendore ngrite
Ndaj ikonë ke mbetur, krahë perëndive.
Ku të t’i çoj lulet! Ti çdo ditë na bie
Lisat të përgjunjen, koha s’bën dot hije!
Kur ballin rudh halli, zë ngushtohet shpirti
Më çfaqet babai me dritë qiriri
Ike ditën e verës kur zë qeshet bota
O qemer i derës, çdo ditë hapet porta!
Ç’farë urtësi jete! Që nga ç’botë e solle?
Në parajsë vete, për atë punove.
O ti Zot të lutem, bëma një nder mua!
Në gjunjë ti ulem si kalamak dua!
N’atë gjoks të futem unë i vogli i derës
Në gjumë të këputem si lulet e shqerës.
Edhe gjysh me dega , syri prap do qajë
Le ta dijë jeta sa i shtrenjtë BABAI!








Comments