top of page

Krijimtarinë time ja dedikoj Petro Markos, profesorit tim të letërsisë

ree


Nga Sakip Cami


Hasan Miha është nga Qaf Murra e Dibrës dhe në shkollën e mesme teknike të Tiranës ka patur profesor letërsie Petro Markon.


“I kam ruajtur në kujtesë bisedat e tij në klasë për luftën e Spanjës, për internimin fashist në Palermo dhe Ustika të Italisë, të thotë Hasani, tani 80 vjeç.


Profesioni i vështirë i teknikut dhe inxhinjerit të ndërtimit e më pas i ushtarakut nuk e mundësuan të shkruante por mesazhet e Profesor Markos për lirinë, demokracinë, atdhedashurinë dhe vëllazërinë e kanë shoqëruar tërë jetën.


Pasi emigroi në Itali dhe doli në pension ai ka shkruar 5 libra me poezi, prozë dhe kujtime.

Librin e parë me titull :”Ankthi i pritjes së gjatë” H.Miha ja kushton djalit të tij, Saimirit, të plagosur e të gjymtuar gjatë trazirave të marsit 1997. Janë vargje të dhimbjes njerëzore e të revoltës qytetare që të tilla ngjarje të mos përsëriten.

Në librin e tij të dytë me titull :”Përpëlitje në stacionin e fundit” autori trajton temën e trajtimit të pensionistëve nga shteti, pensionet e ulta, mungesa e ilaçeve dhe kushtet e vështira të jetesës.

Në librin e tretë me titull :”Të jetosh me kujtimet” , autori Hasan Miha kujton miqtë dhe shokët realë të kantjereve të ndërtimit e të reparteve të ushtrisë.

Librin e katërt me titull:”Të mos e harrojmë kurrë nënën Shqipëri” , me tregime e rrëfenja për figurat historike të kombit, që nga periudha ilire e deri më sot, autori e ka shkruar posaçërisht për fëmijët e emigrantëve shqiptarë që të mësojnë për historinë e lavdishme të popullit shqiptar, që të jenë krenarë për të parët e tyre.

Të gjitha këto libra me poezi, prozë e kujtime, autori i ka përmbledhur në librin e pestë me titull:”Jetë e trazuar”.

Me këto libra e këtë krijimtari me temë historike e sociale, autori Hasan Miha nuk pretendon të konkurojë në letërsi, por të thotë me zë të fortë ato mesazhe aktuale atdhedashurie, që para 60 vjetëve ja nguliti fort në shpirt, profesori i tij i letërsisë, shkrimtari i madh Petro Marko.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page