Kozma Gjergji: ALBERT VERRIA-PERSONALITET I SHQUAR I SKENËS DHE EKRANIT SHQIPTAR
- 2 hours ago
- 7 min read

-Këtë intervistë me Artistin e Popullit Albert Verria realizuar nga z.Kozma Gjergji më 1995 dhe botuar në gazetën e shoqatës kulturore-atdhetare Myzeqeja, kryeredaktor i së cilës asokohe ishte intervistuesi, e ripublikojmë në përkujtim e nderim të aktorit të madh.-
ALBERT VERRIA është një ndër figurat më të njohura e më origjinale të skenës dhe ekranit shqiptar. Ai radhitet plot dinjitet midis emrave më të shquar të atyre artistëve, që me talentin e madh dhanë ndihmesë të ndjeshme në zhvillimin e këtij arti.
Lindi në Fier më 1936, ku dhe mbaroi mësimet e para e ato të mesme zooteknike. Pastaj punoi për dy vjet në rrethin e Kukësit si zooteknik. Kulmin e karrierës në këtë profesion e pati kur e tërhoqën nga Kukësi në Tiranë si mësimdhënës në kurset për ndërzimin artificial, dhe më pas në Berat si inspektor për përmirësimin racor të blegtorisë.
Falë vlerësimit të punës e talentit regjimi e lejoi të ndryshonte profilin dhe ndiqte studimet për aktor në shkollën e lartë “A.Moisiu” pranë Teatrit Popullor. Në vitin 1963 përfundon studimet e larta. Që nga kjo kohë kur u emrua aktor e deri sa doli në pension punoi pranë teatrit të Vlorës.

Roli i parë që shënohet në teatrin profesionist për Albertin është ai i Vehipit të dramës “Familja e peshkatarit”, i cili në Festivalin Kombëtar të Teatrove u vlerësua me çmim. Gjatë jetës si artist ka qënë në angazhim total në teatër, estradë, koncerte variete, recitale televizive. Vetëm në teatër ka interpretuar mbi shtatëdhjetë role.
Për herë të parë në ekran doli me filmin: “Përse bien këto daulle”, xhiruar më 1967, vijon me: ”I tëri në bronx”, dhe pastaj me kryerolin e tij, Kapedani, me të cilin Alberti në një moshë fare të re lozi me shumë sukses plakun 70-vjeçar. Dhe fill pas këtij roli aktori do të jetë i angazhuar për çdo vit në një deri në dy role.
Duke e ndier për obligim kishja planifikuar një intervistë me këtë personalitet të madh të skenës e kinemasë, emri i të cilit nderon Myzeqenë dhe mbarë kulturën kombëtare. Dhe ndihem i kënaqur që e realizova në sajë të mirëkuptimit, dashurisë e respektit të artistit për njerëzit dhe artin.
Teksa bashkëbisedonim më kalonin para syve sa e sa personazhe që në interpretimin mjeshtëror të Albert Verrisë kanë fituar tipare tepër individualizuese. Përpiqem të kuptoj se si nga roli në rol u kristalizuan karakteristikat kryesore të tij si një artist i karaktereve dhe shumëplanësh skicuar ashtu me ca tone të serta dhe plot hove të stuhishme shpirtrore. Dhe arrij në përfundimin se kryesore në plazmimin e tyre padyshim kanë qënë ndjeshmëria e lartë dhe dimensionet e dhuntive artistike të aktorit të ushqyera me kulturën e gjërë të tij.
Besoj se këto i bëjnë krijesat artistike aq të besueshme e aq të mirëpritura edhe pas kaq vitesh.
PYETJE: -Po ç'bën z.Albert Verria si artist e qytetar sot?
PËRGJIGJE: -E rëndësishmja për mua është që nuk e ndiej veten të plakur. Për skenën dhe ekranin jam shumë i ri e me forca shumë të mëdha për të debutuar çdo rol. Tek artisti s'ka moshë. Sot natyrisht mundësitë janë mjaft të mëdha sepse edhe shpërblimi është i konsiderueshëm, mjafton të bësh art për të gjithë kategoritë e moshave.
PYETJE :-I keni mbajtur lidhjet me vendlindjen dhe këtu në Vlorë ndiheni më tepër myzeqr apo lab?
PËRGJIGJE: -Të harrosh vendlindjen është të mohosh gjithçka. Por jeta bën të sajën. Për mua sot janë të dashura si vendlindja ku mora shkëndinë e parë dhe labëria ku unë e konsolidova krijimtarinë time. Lidhjet janë të pazgjidhshme.
PYETJE: -Shumë ju marrin për lab dhe gati ju duket e pabesueshme që myzeqari të luaj labin aq më tepër kapedanin lab. Si ia dolët mbanë?
PËRGJIGJE: -Krijimtaria është një art më vehte. Por unë bëj pjesë në atë plejadë aktorësh të roleve të karaktereve.
PYETJE: -Me që erdhëm te i famshmi kapedani juaj, si ju duk tani pas kaq vitesh të rishfaqjes në TV? Ç'mbresa apo kujtime u zgjoi për atëhere kur luajtët?
PËRGJIGJE: -Përshtypje më bën qytetarët e ndryshmë, më uronin sikur të ishte premierë. Kjo natyrisht më gëzoj se filmi ka 25 vjet dhe i ruan vlerat aktuale sot.
PYETJE: -Eh, edhe kapedani juaj bëri ç'bëri më në fund iu përshtat prirjes të kohës së vetë, por sot si do të pozicionohej e i përjetonte dukuri të tilla si prostitucioni e trafikimi, pre e të cilëve kanë rënë dhe gra e vajza shqiptare, apo veprimet jo demokratike të disa prej kapedanëve të politikës, zaptimet e pronës, mosndëshkimet e abuzimet e tjera?
PËRGJIGJE: -Xha Sulua sot i kupton ndryshimet, sepse e ardhmja jonë është drejt Europës. Këtu sigurisht duhet patur vëmendje e shtuar që hapi të bëhet i kujdesshëm. Pushtetin e bëjnë njerëzit, njerëzit bëjnë ligjet, ne po i shkelëm do të kalojmë në ekstreme të padëshirueshme. Kjo është ngandonjëherë ta kuptosh demokracinë sipas interesave të tua e jo të ligjeve shtetërore. Por unë kam bindjen se kjo fazë do të kaloi dhe për ne artistët kjo është një perde e hapët ku mund t'i themi njerëzve mos kështu, bëhu i virtytshëm për demokracinë që fitove, se kështu shkon në Europë.
PYETJE: -Ç'mendojnë e sugjerojnë miqtë tuaj të ngushtë xha Bequa e shoku Ropi për t’i prerë rrugën e për ta ndëshkuar korrupsionin?
PËRGJIGJE: -Unë sot i kujtoj me shumë respekt xha Beqon , Qazon, Balerinën e shumë të tjerë që janë ndarë nga kjo jetë. Kujtimi i tyre do të mbetet i paharruar e kujtohet gjithmonë me respekt.
Ruaj konsideratë për dy regjisorët, Fehmi Oshafi e Muharrem Fejzo, të cilët me rolin e Kapedanit. më bën popullor. Fenomenet sporadike janë bashkëudhëtarë të shndërrimeve shoqërore. Detyra e artistit dhe e shoqërisë është t'i nxjerrin në pah e t'i godasin me mjete artistike e mos të konsiderohen si krijimtarira të gjetura spekulative të kohës.
Ndofta është idealiste po unë do të dëshiroja të kishim një shoqëri pa probleme. Unë nuk jam për art për art, por jam për artin ku çdo spektator të shikojë një copëz të jetës së tij, e atë ta reflekoi tek vetja, familja e shoqëria.
PYETJE: -Keni luajtur me mjeshtëri të lartë kaporal Pelegrinin, Solli Lilin, Galip beun, etj, etj., jeni vrarë e jeni prerë prej kohësh në luftën kundër komunizmit, deshëm të dimë: e keni sot dëshminë e të persekutorit dhe sa jeni shpërblyer?
PËRGJIGJE: -Siç thashë unë jam një aktor i roleve, karaktereve e tipave të veçantë e kjo natyrisht lë më gjurmë në spektatorë se sa rolet e zbardhura që bëjnë vetëm moral. Personazhet e mi kanë mbartur kontradiksione me ish sistemin në fuqi, e si të tillë ata kanë përfunduar në burg, internim ose janë vrarë.
Nga biografia e personazheve jam i persekutuar, kurse si artist jam i nderuar e respektuar. Dhënia e pensionit të posaçëm është vlerësim që i bëri Qeveria artistëve. Dhe këtë e them pa asnjë kompliment se kudo kam gjetur respekt e konsideratë të veçantë.
PYETJE: -Si e shpjegoni që nuk u është besuar të luani rolin e sekretarit apo të deleguarit të partisë, të kryetarit të kooperativës, etj.? Probleme biografike apo…
PËRGJIGJE: -Personazhet e mi nuk kanë asnjë lidhje me mua si Albert. Unë atyre i kam dhënë vetëm jetë brenda kulisave të skenës apo ekranit dhe e kam pushuar veprimtarinë e tyre aq sa u ka dhënë jetë autori. E thashë edhe në fillim se duke qenë një aktor karakteri me prirje paksa komike, nuk mund të më besoheshin role sekretari, sepse ai kishte rrezik të dilte qesharak e do të më hapeshin avaze të tjera. Për aq sa kam bërë e do të bëj predispozita ime do të jetë me kërkesat e kohës.
PYETJE: -Pak retrospektivë: Cila ka qenë shtysa fillestare që iu nxiti t'i futeshit rrugës së artit? Ështe e vështirë mjeshtëria e aktorit? Ndonjë këshillë të rinjve
PËRGJIGJE: -Njeriu nga vet natyra është si një vullkan që zien përbrenda e pret dikë që ta shpërthejë, është pikërisht ai njeri që e nxit për të shfaqur aftësitë. Unë e nisa jetën time si zooteknik në shkollë, aktivizimi ishte sporadik.
Në Kukës ky aktivizim mori formë të organizuar, kurse në Beratrifi karakterin e një përgatitjeje profesionale, sidomos me regjisorin Viktor Stratobërdha e mandej në përgatitjen në Tiranë me Hilmi Tukaj e partner Pëllumb Kullën mori rifiniturën e fundit sa në konkursin e 1959 unë fitova. Mirëpo atëhere kishte një ligj që nuk lejohej të ndërroje profil nga bujqësia në art. Vetëm ndërhyrja e Fatmir Belishovës tek Liri Belishova bëri të mundur që të ndërroj profilin.
Të gjithë këta që më ndihmuan u jam mirënjohës dhe besoj se mundin e tyre e kam përligjur. Unë kam një princip në jetë dhe këtë ia jap këshillë të gjithë të rinjve. Në profesionin tonë duhet të jepesh totalisht, të nuhatësh bërthamën e rolit e t'i qëndrosh konsekuent figurës që interpreton. Duhet të jesh racional edhe intuitiv. Të dëgjosh e të perceptosh me vërtetësi. T'i përshtatesh organikisht situatave që krijohen. Të jesh organik e simpatik në skenë.
PYETJE: -Ç'ju pëlqen më tepër nga arti? Diçka nga puna juaj krijuese. Jeni aktor edhe i kinemasë edhe i teatrit, cilin keni më për zemër e që ju mundëson të shpërfaqeni më të plotë?
PËRGJIGJE: -Secila ka avantazhet e veta. Në teatër atë që e bën gabim në një shfaqje e ndreq të nesërmen e roli sa vjen e shkon drejt përsosjes, ndërsa në film duhet t'i koncentrosh të gjitha energjitë mendore, emocionale, fizike, shpirtërore, sepse gjithçka që regjistrohet është e pa korregjueshme. Avantazhi i filmit është se ai shikohet nga një masë e madhe njerëzish e të bën popullor. Unë i preferoj të dyja, aq më tepër sot, që krijimtaria cilësore shpërblehet.
PYETJE: -Për cilin artist të vendit apo të huaj keni preferencë të veçantë?
PËRGJIGJE: -Ndodh ngandonjëherë sot që t'i nihilizojmë artistët tanë e të hymnizojmë artistët e huaj. Ne artistët e vjetër jetuam në një periudhë që dhamë një kontribut të një krijimtarie artistike brenda kornizave të kohës dhe i vetmi sadisfaksion i yni ishte ai moral. Duke qenë të mbyllur si gjithë të tjerët artistët tanë, të rinj atëhere e të mplakur sot hëngrën krijimtarinë e tyre brenda-përbrenda. Ju uroj të rinjve me avantazhet që kanë sot ta tregojnë veten se kush janë dhe jam i bindur se do të jenë përkrah artistëve më të dëgjuar të botës, por këtu duhet talent dhe shumë fat.
PYETJE: -Po nga rolet tuaj cili ka qënë më afër Albert Verrisë së vërtetë?
PËRGJIGJE: -Gjithçka është relative-roli ka vajtur tek Alberti-Alberti ka vajtur tek roli. Gjen zoti të zotin.
PYETJE: -Ç'është për ju e bukura dhe e shëmtuara, tragjikja dhe komikja, e ulëta dhe e madhërishmja?
PYETJE: -Pyetja është filozofike, po unë do ju përgjigjem thjeshtë: E shëmtuara, e ulta, tragjikja nuk janë në karakterin e shqiptarit. Ato janë futur nga ndikimet e të tjerëve, se ne historikisht kemi qenë e jemi për të bukurën, për të madhërishmen e pse jo edhe për komiken gazmore.
PYETJE: -Ç'dëshironi t'i thoni artdashësve e dashamirësve tuaj të shumtë brenda e jashtë vendit?
PËRGJIGJE: -Gazetës suaj i uroj suksese, të gjithëve ju uroj shëndet kudo që të ndodhen. Mirupafshim në skenë apo ekran, brenda apo jashtë shtetit, me dramaturgji kombëtare dhe pse jo nga jeta myzeqare.
INTERVISTUESI: -Në emër të të gjithë admiruesve tuaj dhe së bashku me personazhet-krijesat tuaja mjeshtërore ju urojmë shëndet e jetë të gjatë dhe punë të frutshme krijuese.








Comments