Kostandin Vogli dhe romani i tij ‘Treni i Jugut’


Mimoza Erebara

Kostandin Vogli lindi në Shën  Vasil- Sarandë më 1941. Kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve për Pikturë. Ka hapur mbi 40 ekspozita dhe është vlerësuar me çmime. Disa nga titujt e librave të botuara prej tij: “Ura e prishur”-tregime, 2004, “çudia e ujqëve”-roman, 2011, “Masakra”- novelë, 2012 etj. Është vlerësuar me dy cmime të para nga “Klubi I krijuesve Jonianë” dhe Fondacioni “Lidia”. Jeton në Sarandë.

KRITIKË MBI ROMANIN

Një botim i Shtëpisë Botuese “Toena”-2015, romani “Treni i Jugut” i autorit Kostandin Vogli, përmban  303 faqe në formatin standard. Thelbi i këtij romani është kalvari i Luftës se Dytë Botërore. Ngjarjet zhvillohen duke u zhvendosur në disa vende. Fillojnë me Shqipërinë, Greqinë dhe pastaj në kampet e punës në Gjermani.

Tema në fakt është e njohur- përndjekja e hebrejve dhe komunistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore prej nazizmit. Janë me dhjetra botime me këtë temë, për të mos thënë më shumë. Por secila vepër ka origjinalitetin e vet dhe qëndron më vete  duke përçuar mesazhet e saj.

Në fakt e “pozicionuar” për të na dhënë  mesazhe të mirëlexueshme, ajo i ka imponuar autorit edhe strukturën  e vet.

Kështu, nga kjo pikëpamje dallojmë këtë strukturë organike:

Linja e parë, shtjellohet lufta por kjo e zhvendosur në kampet e përqëndrimit.

Linja e dytë, përqëndrohet në evidentimin e qëndrimeve ndaj hebrejve dhe komunistëve.

Linja e tretë, dashuria e dy personazheve kryesorë që mbartin dhe gjithë peshën e këtyre mesazheve.

Linja e katërt dhe më e rëndësishmja-  popujt janë njëlloj, kudo qofshin, përkatësisht kombësisë, janë qenie humane ndaj përçojnë humanitet.

Le t’i marrim me rradhë:

Mbi fakte të njohura autori përqëndrohet vetëm në një aspekt. Jemi pothuaj pak më shumë se sa gjysma e kohës së zgjatjes së kësaj Lufte. Në Shqipëri ushtria naziste ka pushtuar vendin, ka djegur dhe ka masakruar kë ka gjetur përpara. Ka arrestuar komunstë e partizanë dhe i ka bërë gati për internime, ata që nuk i pushkatoi. Në Greqi po e njëjta situatë. Po atje edhe më tepër raprezalja përqëndrohet edhe mbi hebrejtë. Dihet që në Greqi ka shumë hebrenj, të vendosur atje prej shekujsh. Në Shqipëri situata ka qenë pak më ndryshe. Kishte hebrenj të cilët ka qenë të ardhur herët, por edhe gjatë Luftës erdhën shumë , sikur është fakt që Shqiptarët i fshehën nëpër shtëpitë e tyre, duke ua ndryshuar emrat, kështuqë zyrtarisht, për naziztët nuk kishte hebrenj të evidentuar. Posaçërisht ngjarja fokusohet në Janinë dhe në Bregdetin Jonian. Lufta është e shtrirë në të gjithë Europën por në fakt luftimet më të fuqishme bëhen në Lindje, me Ushtrinë e Kuqe të Bashkimit Sovjetik. Është momenti kur pikërisht kjo ushtri ka filluar të marrë revansh dhe të çlirojë territore pas territoresh, dhe nga ana tjetër ushtria naziste të mblidhet në vetvete dhe duke zbrazur të gjithë urrejtjen dhe zemërimin e humbësit. Kampet e famshme të përqëndrimit vazhdojnë të punojnë pa u ndalur. Fundi i vitit 1944 dhe muajt deri në 9 Maj të 1945 janë muajt ku egërsia naziste u zbraz  pa mëshirë. Mjafton përshkrimi i përditshmërisë në kampet e punës për të kuptuar këtë egërsi.

Narracioni është klasik – e gjithë historia tregohet përmes Martës dhe Gjergjit, dy personazheve kryesorë të romanit. Simbolika e trenit  kombinohet me simbolikën e dashurisë së dy të rinjve, njëri shqiptar e tjetra hebreje-greke.

“-Na iku gjumi, por na trego”- kjo është fjalia me të cilën fillon e gjithë ngjarja. Dhe më pas Marta fillon të tregojë me detaje se si u arrestua, ndjenjat e saj e përjetimet në birucë e në takim me Gerhardin, kapitenin nazist të dashuruar me të. Në këto faqe, megjithë ngjarjen në vetvete, ndoshta duhej të kishte më shumë “ngjeshje” të lëndës. Është e kuptueshme që veçoritë e stilit klasik realist të cilin ndjek autori ia kushtëzojnë  në vetvete këtë qëndrim e trajtim, por në raste të caktuara,  është pikërisht ky stil që bëhet pengesë për të shijuar më shumë këtë ngjarje dhe këta personazhe. Marta dhe Gjergji gjenden në këtë situatë kundër dëshirës së tyre. Marta dhe Gjergji duan lirinë dhe dashurinë njerëzore, të dy, po sidomos Marta gjenden përpara  egërsisë naziste lakuriq, me asnjë armë , pos fuqisë së shpirtit të tyre. Në asnjë rast ata nuk e dinë nëse do dalin gjallë, por kjo nuk i pengon të ruajnë dinjitetin e tyre. Epike është qëndrimi i Martës përballë shefit të Gestapos. Epik janë edhe qëndrimet e të gjithëve në trenin që po i çon drejt zhdukjes, ku edhe në rastet e humbjes së dinjitetit njerëzor të detyrueshëm, ata e ruajnë atë si gjënë më të shtrenjtë.

Sa i përket linjës së dytë, kjo pjesë  është e mbushur me ngjarje që ndodhnin në kamp, duke ritheksuar në çdo rast egërsinë e nazistëve dhe qëndresën  njerëzore.

“Njëri guxoi të prekte telat. E ngriti pak dhe nxorri të dy duart jashtë tyre. Këputi një tufë lakra bashkë me bar, po pa asnjë paralajmërim u dëgjua një breshëri e shkurtër automatiku. Të gjithë ngelën të ngrirë. Ishte Arseni ai që kishte ngritur telat. Arseni i uritur nga Nivica. E panë të shtrirë me duar jashtë telave, ku në to po shtrëngonte tufat e lakrave. Nuk pipëtiu asnjë. Ushtarët e tërhoqën nga këmbët, ashtu siç kishte rënë me fytyrë mbi lakra. Gjaku i parë u derdh sa shkelën në tokën gjermane. Shumë pak gjak kishte Arseni”. (fq.59)

Mjaft të kujtojmë edhe rastin e vajzës e cila vdiq nga hemorragjia, apo  kur një grup vajzash u identifikuan si hebre dhe u nisën menjëherë me kamionë në kampet e shfarosjes. Askush nuk guxonte të pyeste apo të kundërshtonte. Nga një ferr në tjetrin, nga udhëtimi me tren në kamp.

“Më mirë të na kishin vrarë ditën e masakrës se sa kështu- tha Shqevi dhe zuri kokën me dorë. Të gjithë e panë në  sytë e thelluar ku nuk dallohej as e bardha”. (fq.58)

Mjafton të evidentoheshin si komunistë apo hebrenj dhe menjëherë o vriteshin në vend, o niseshin nëpër kampet e shfarosjes. Ngjarja e grupit prej dhjetra hebrenjve të kërkuar nga nazistët e kampit dhe që u fshehën paq nga ndihma e pakyrsyer e Ballkanasve (nënkupto- shqiptarë e grekë) është një nga ngjarjet që mbetet në kujtesë.

“Kuraja qenka bukë. Ne ishim të aftë të rronim me mendje”. (fq.66) Një gjendje që i ndoqi deri në fund, sepse dëshira për jetën i tejkalonte të gjitha vuajtjet shpirtërore e fizike.

Faqe të tëra ku autori përmes rrëfimit të Martës e Gjergjit tregon pothuaj me detaje jetën në kamp dhe pas kampit në kthim. Sepse ka një kthim. Lufta është në të mbaruar. Forcat Aleate kanë marrë kontrollin dhe të dënuarit nëpër kampet e pu