Kostandin Vogli: „Bunari“ i Fatmir Terziut legjendat rizgjohen nga skutat historike
- 1 day ago
- 11 min read

NJË ROMAN PËR NJË LEGJENDË - JAM PJESË E HISTORISË SË SKËNDERBEUT
PAK FJALË RRETH ROMANIT “BUNARI” TË SHKRIMTARIT FATMIR TERZIU
Me profesor Fatmir Terziun, prozatorin, poetin, studiuesin, publicistin dhe botuesin, jam takuar disa herë në festivalet poetike, i ftuar nga shoqata jonë e shkrimtarëve “JONIANË”. Jam miqësuar me të, sepse është shumë miqësor, dashamirës me ata që shkruajnë dhe shumë i gatshëm për të botuar në gazetën e tij materialet që i kam dërguar. Shkrimi për romanin e tij “BUNARI”, megjithëse i vonuar, sepse ai pas tij ka shkruar shumë tregime, romane, poezi e të tjera, mendoj se ia vlen, pasi në të flitet për një legjendë të cilën e sjell tragjikisht deri në ditët tona. Shkrimtari, me fantazinë e tij, fluturon nëpër re, male, fusha dhe lumenj, çan shekujt e mesjetës dhe aty zbulon një tragjedi, një betejë ndërmjet luftërave të shumta të osmanllinjve me Gjergj Kastriotin, SKËNDERBEUN. Dhe atë legjendë e zbërthen për ne, për të na treguar me mjeshtëri artistike, me filozofi, me psikologji, me metafora të shumta e krahasime shumë të besueshme sipas atmosferës së kohës.
Një luftë gjaksore që zgjati tre ditë e tre netë. Është një legjendë për të gjitha kohërat. Kjo legjendë nis aty. Aty ku të gjitha sa ndodhën i ka tretur dheu. Janë zhdukur. Por fjala e lënë në mes, mes pluhurimit dhe harresës, e gjen pjesën tjetër të fjalës dhe Fatmiri e lidhi. E lidhi duke e filluar me jetën e ujin. E fillon duke u bazuar në histori dhe e mendon, dhe përshkruan se ka ndodhur një ngjarje tragjike për tre ditë e tre netë, duke na çuar edhe në vendin ku është bërë ajo betejë, ku është derdhur shumë gjak dhe çdo gjë përreth është skuqur. Autori na çon si në film aty, në kalanë e Sfetigradit. Aty ku kanë luftuar arbëreshët, të udhëhequr nga i lavdishmi Gjergj Kastrioti. Lumi Ostrun ishte skuqur. Me siguri që do të jetë zhvilluar një luftë e madhe legjendare dhe e përgjakshme. Shkaqet e ngjarjes ishin kohët e Gjergj Kastriotit. Një legjendë ku, megjithëse ndoshta e pluhurosur në rrëfimin e saktë të kohës kur ka ndodhur, përsëri flet shumë për ato luftëra, për vuajtjet, torturat, vrasjet masive jo vetëm të ushtrive të dy palëve, por edhe të popullatës së pafajshme që po shuhej. Kjo legjendë flet shumë, sepse shkaku kryesor ishin luftërat e osmanllinjve për pushtime tokash, për pasuri dhe flori. Dhe një ndër vendet e lakmuara prej tyre ishin viset e Arbërisë të shekullit XV. Është Sfetigradi, një kala e lakmuar deri në kohën e sulltan Muratit II. Lufta e Sfetigradit dëshmon për një ngjarje të dhimbshme.

Me një metaforë të fuqishme, me një figuracion që të intrigon që në fillim me çfarë ka ndodhur: “Edhe malet qethin kokat?” Një legjendë historike e cila akoma nuk është harruar, por zverdhur, zhubrosur dhe gati në harresë. Dhe harresa do të thotë se merimangat kanë thurur rrjetat jo vetëm në vendet ku u zhvillua ajo betejë për ujin, drurët, gurët, por edhe në trurin e njerëzve. Rrjetat e padukshme janë harresat, që kujtesat të flenë dhe të fshihen ato beteja për liri. Ato luftëra pushtimesh, të cilat zhvilloheshin nga shkaku i fluturimit të mendjeve të disave, të veshur me perde të vizatuara në to me pasuri, shpata e heshta, ku prinin në pushtime njerëz me sy të kuq si gjaku. Por për popullin, duke kaluar shekuj, rrjeta e merimangës është bërë si me thurje telash çeliku. Harresë?! Por vjen një kohë dhe legjendat zgjohen. Dikush do t’i presë rrjetat prej çeliku të merimangës dhe para syve dolën trimëritë, luftërat, ushtritë e vendit, ato të huaja dhe sigurisht madhështia e fitoreve. U zgjuan gurët, foli uji. Foli vetë toka dikur e djegur dhe e përgjakur. Legjenda u zgjua dhe tregoi edhe për tradhtitë, mallkimet, ku shkrimtari Fatmir Terziu i nxjerr edhe nga nëndheu. Edhe lumin e skuqur e solli para syve tanë për të parafytyruar legjendën, e cila do të fliste tani vetë.
Gjëma e Bunarit tregon për një dashuri të zhdukur në natën e zezë, me njerëz të zinj dhe si shuhen jetë. Dhe ajo zonë foli pas një memecërie. Foli vetë uji tani i pastër. Bunari. Ajo kohë duhej zgjuar nga ai gjumë shekullor. Dhe shkrimtari flet duke treguar arsye pas arsyeje. Foli për krenarinë e saj. Flet për një tokë të pasur me njerëz të lashtë si vetë toka. Dhe ato ngjarje tragjike të lexohen dhe të mbahen mend edhe nesër. Gjithë kohërat. Ato që zhduku dushmani dhe i treti dheu. Fjala është prerë në mes dhe gjysmën e dogjën, gjysmën e mbyti Bunari i skuqur. Por pluhuri i harresës u fry dhe fjala e fjalës, edhe kur dhemb, sjell lumturi dhe buzëqeshje, sepse sjell fatin e jetës së shkuar që ta mësojmë vetë atë jetë të mëshiruar në një zonë jetëdhënëse të para disa shekujve, të kohës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.
Fatmiri këtë legjendë që udhëtoi gjatë, stinëve e viteve, kapërceu pengesat e gjerdheve, ligësive, politikave, natyrën e egër dhe e solli në një formë jetike. Bunari e kishte lidhur besën me malin ku e kishte edhe lindjen dhe trokiti në brendësinë e tokës që t’i lejonte rrjedhën e qetë. Dhe mali lidhi mirëkuptimin me Zotin. Dhe Bunari ishte mirëkuptuar edhe me fushën, luginat dhe ato e lejuan të udhëtonte i qetë deri në det. Dhe lumi ishte mirëkuptimi dhe dhurata e jetës. Njeriu edhe kënaqej, edhe hidhërohej dhe e nënshtronte pastaj natyra. Dhe njeriu, duke dëshmuar dhe deformuar forcën e tij nga arsyeja e mosarsyes. Por jeta gatuhet me brumra dhe lëndë të huaja dhe ato nuk i kupton. Dhe lënda e huaj vjen dhe bëhet prezente për shumë kohë, megjithëse nuk e do dhe nuk mirëkuptohesh. Debaton sepse kërkon arsyen e ekzistencës.
Por legjendat kanë gojën e tyre, na thotë autori. Ato nuk kanë faj pse janë fshirë nga kohëjeta. Por rrëfimet që vijnë ndërmjet filozofisë së jetës dhe lidhjes me natyrën, jetën. Fatet e njerëzve dhe kombeve lindin pavdekësinë e çdo gjëje dhe dëshmitë që kanë shkuar drejt harresës po ringjallen. Për ujin, tokën, gurët, drurët, malet, lumenjtë, luginat etj. Por me kalimin e kohës ato kaluan në tisin e zi të harresës. Portat e asaj legjende u mbyllën nga thurjet e merimangave. Dhe mbyllja e dyerve të kujtesës sjell harresën.
Por legjenda u zgjua dhe folën gurët, uji, drurët. Folën për trimëritë, luftërat, ushtritë. Foli për madhështinë e Skënderbeut, ku sulltan Murati II erdhi me 80.000 ushtarë, por u thye. Gjergji kishte vetëm 15.000, por korri fitore. Por luftërat kanë edhe tradhti, edhe mallkime për tradhtarët. Tradhtia e mbushi Bunarin me gjak. Dhe gjaku i grumbulluar në shkëmb, shpërtheu dhe u zgjua legjenda. Po zhdukej dashuria. Po shuhej jeta, po thahej Bunari. Shteroi. Megjithëse memoria e shekujve e kishte lënë në harresë. Flet sot ajo, sepse ka “njëmijë e një arsye më shumë në krenarinë e saj”, - thotë autori i romanit. Flet për sot e për nesër. Flet për të gjitha kohërat. Sado që të tret dheu, e sa ka zhdukur dushmani, fjalët e ikura kohërave mes pluhurit dhe harresës. Dhe do të flasë fjala e fjalës. Në fakt fjala sjell lumturi, buzëqeshje, por sjell edhe dhimbje. Dhe dhimbjet nga fjala janë të ndryshme. Fjala mund të ndryshojë fatin e vetë jetës. Fjala mund të ndryshojë edhe natyrën. Nga jetëdhënëse në shkretëtirë. Ashtu si e ktheu dushmani vetëm me një fjalë. Të zhduket uji. Por zhdukja e ujit do të thotë thatësirë, vdekje. Dorëzim. Dorëzim i kalave si ajo e Sfetigradit. Jo për shkak se arbërorët nuk ishin trima, por uji… Uji që mban gjallë shpirtrat. Dhe ata shpirtra mbajnë peshë trimërinë. Peshën e luftës, qoftë edhe në formën jo të barabartë të heshtave dhe shpatave.
Mungesa e informacionit të saktë për legjendën e detyron autorin të gërmojë thellë, të mbledhë gojëdhëna dhe nëpërmjet Nuhit, të cilit i kishin mbirë brirët. Si ata brirë që mbante Skënderbeu në përkrenaren e tij. Brirët e cjapit. Simbolet surrealiste të Gjergj Kastriotit, dy brirët e cjapit. Lidhje bidirekte. Simbolizohen nga dhitë, që u ngjiten shkëmbinjve si dashnore të jetës dhe lirisë. Bricjapi si simbol i njeriut që përpiqet për të arritur perëndinë nëpërmjet ndërtimit të tempujve të përfaqësuara nga malet. Vendet ku rrinin zotat. Del errësira e solsticit të dimrit dhe dielli, me shenjën e Bricjapit, nis ngjitjen drejt ekuinoksit pranveror. Është Dielli ai që simbolizon brirët me rrezet e tij. Dhe për Gjergjin ndoshta është dhe një arsye tjetër. Shenja e horoskopit astrologjik.
Fluturimi nëpër legjendë, ose për këtë radhë në zonën e kësaj legjende, e fantazon autorin të krijojë skena me derdhje gjaku, deri në përskuqjen e pemëve dhe të lumit. E bën këtë për ta pasqyruar sa më fantastike zhvillimin e ngjarjeve dhe mundohet të zgjojë nga mjegulla e shekujve dhe të zbërthejë rrjetën e merimangës me anën e Nuhi Karamuçës, i cili po përgjohet nga shkencëtarë të rizgjohet për të treguar se si ka ndodhur vërtet tragjedia. Nuhi kishte parë tmerr me sy. Nuhi i ardhur nga shekujt. Autori e vendos si dëshmitar mistik. Vetëm ai mund të flasë për atë tmerr të kaluar që nga ajo kohë e Gjergjit në kalanë e Sfetigradit. Por Nuhin fillimisht e paraqet të përhumbur. Ishte koha e hithrave. Domethënë pranverë. Kështu e fillon tregimin Nuhi. Koha kur ndërrohet gjaku. Kur ishte duke mbledhur hithra, pa se u ça shkëmbi dhe prej andej rrodhi shumë gjak. Po mjekohej dhe studiohej nga shumë mjekë të botës. Nuhit po i rriteshin dy brirë. Ishin si dy brirë cjapi. Dhe autori nuk i vendos kot ato brirë cjapi në kokën e Nuhit. Mjekët e lidhin me mutacionin e pashpjegueshëm. Domethënë përmes një rikombinimi gjenetik. Ishte një dublim i dyfishtë. Dhe kjo ndiqej me vëmendje.
Stefani, një tjetër bluzë e bardhë. Ai, midis bardhësisë, kishte një tis të zi ende të padukshëm, megjithëse kishte studiuar shumë nëpër akademitë e universiteteve të huaja. As profesorët e botës nuk shkoqën dot një kalli të dobishëm. Ai filloi të lexojë një mutacion të sekuencës së një gjeni. Çdo studim e çonte tek stema e Kastriotëve dhe përkrenarja e Skënderbeut. Brirët e cjapit. Përse e mbante atë simbol surrealist? Dhe pikërisht e mbante vetëm ai dhe asnjë fisnik tjetër. Dikush mendon meritat dhe jep tregime fantastike.
Këtu mendon autori se në mesjetë ekzistonte edhe misteri i mistikëve e të tjerë. Rreziku i osmanëve e detyron Gjergjin të mbronte me vetëdije këtë kulturë. Por, thotë shkrimtari, mund të ketë pasur dije mistike të alkimistëve. Në atë kohë Arbëria kishte drejtim perëndimor evropian dhe kishte dije në nivelin e kuptimit. Ishin në zinxhirin evropian të dijes. Atë e vuri re edhe Stefani. Kishte të mirëqenë filozofinë e asaj kohe. Mendoi se astrologët kishin vendosur shenjat astrologjike me anën e pozicionit të yjeve. Saturni ishte kalorësi i ditur dhe simboli i tij është Bricjapi. Dhe lejohej ta mbanin ata që kishin njohjen e kodeve të fshehta arkane dhe ermetiste, dhe që njihnin misterin e rimëshirimit.
Beteja e Sfetigradit ishte zhvilluar në muajin e hithrave. Në muajt që ndërrohet gjaku. Dhe hithra është një bimë e cila influencon fuqishëm në atë periudhë. Beteja e komanduar nga sulltan Murati II, së bashku me të birin e tij 21-vjeçar, Mehmetin II. Ushtria e madhe u vendos para Sfetigradit. Pra autori e lidh me ngjarjet historike të asaj kohe me emra konkretë dhe zhvillimin e ngjarjeve, betejë për betejë, derisa osmanët zbuluan furnizimin e ujit. Pra, uji. Dhe mungesa e tij dorëzon kështjellat. Osmanët e morën me marrëveshje. Ngjarje këto historike që lidhen me legjendën. Me mbytjen e një djaloshi, me tharjen e lumit të Trebishtit. Dhe doktor Stefani vazhdonte studimet. Koha që ikën nuk duhet humbur. Duhet bërë të flasë. Përndryshe ajo vdes. Dhe bashkë me të vdes edhe ardhja jonë. Humbet vetvetja. Dhe ajo është vdekja më e madhe. Deri në atë kohë i mbanin fort lidhjet në kulturat e kryqëzuara. Martesat me fshatra të largëta. Dhe ashtu gjaku ishte i përbashkët. Sulltani, me anën e informatorëve, mësoi për sekretet e ushqimit dhe burimin e ujit. Dhe ndodhën ato që nuk i prisnin. U dëgjuan klithma…
Logjika shkencore do të zgjidhte mjaft enigma. Hyjnia antropomorfe. Perëndia me këmbë dhie. Perëndia Pan. Lidhja bidirekte e mbrojtjes, por edhe e forcës gjenetike të jetës. Pra, Perëndia Pan kishte dy brirë dhish në kokën e tij. Brirët simbolizonin mbrojtjen e fertilitetit mashkullor. Dhia malore simbolizon malet, sepse më shumë në male rritet. Bricjapi i Skënderbeut. Fatmiri, si studiues i vëmendshëm i mitologjisë, i legjendave dhe shkencës, na zbulon një enigmë të paditur nga shumë për simbolin e Skënderbeut të brirëve të cjapit.
Autori i zhvendos nëpërmjet Nuhit ndodhitë. Dokumente në manastirin e Heladonit, Selanik. Brirët e dhive. Bunari, murgj, florinj. Përsëri histori reale. Ndodhi të vërteta të dokumentuara. Dyndje, shkretime, ndryshime të mëdha. Dhe këto autori i lidh me legjendën e Bunarit. Popullsitë autoktone pakësoheshin në gjithë Ballkanin. Autori bën një përshkrim të vendeve, fiseve, shteteve të Ballkanit Perëndimor. Karamuça tregonte të pathëna, të panjohura, labirinte. Fakte dhe jetë njerëzish. Të gjitha lidhje në një tru, me fate të shqyera si rrobat e vjetruara. Shkrimtari i lidh ngjarjet me kohën pak të kaluar komuniste. Kohë gënjeshtrash, mashtrimesh, fukarallëku, burgjesh. Tregon ngjarje reale, deri edhe në dënime të fëmijëve të pafajshëm.
Këtu autori jep edhe efektet e hithrës dhe qershive. Dhe jo më kot. I përmend që në kohë të para përdoreshin si ilaçe. Përdoreshin edhe nga ushtarët e Skënderbeut, sepse ato rritnin rezistencën e ushtarëve. Ato janë përdorur nga ushtria arbëreshe për ushqim dhe kurime. Këtu Fatmiri na fakton se e njeh shumë mirë historinë dhe kulturat e saj që nga kohët e vjetra. Kur ra Sfetigradi, të gjithë, me në krye Gjergjin, e ringritën Bunarin. Por përsëri tradhti, shesh beteje, dheu u skuq përsëri. Të vriste sytë e kuqja, thotë autori, dhe i ngeli emri “kodra e kuqe”, kodra e gjakut. Këtu shkrimtari përshkruan bukurinë e Ançës. Një djalë i dashuruar pas saj dhe fundi i Ançës dhe djalit të mbytur në Bunar. Legjenda flet përsëri për brirë. Edhe asaj i kishin mbirë brirë. Një tragjedi e rimëshiruar.
Të gjitha tragjeditë mblidhen nga historia në një grusht gërmash. Nga historitë e ngatërruara. Dhe fjalët bëjnë fjalitë. Dhe fjalitë historitë dhe tragjeditë. Dhe me ato fjalë duhet të kërkohet drejtësi. Të ndëshkohen ata që ndryshuan rrjedhën e historisë. Ato zona me kultura perëndimore u ngjyen në të zi, ku lanë gjurmë në histori e zakone të tjera. Duar të lidhura. Edhe Bunari i shteruar tani lotonte vetëm me pika. Por Bunari duhej rindërtuar nga e para. Kush punon i siguron të gjitha. Dhe Bunari solli jetë atyre anëve. Me Bunarin autori simbolizon një zonë të populluar, me zakone e trimëri, me kulturë evropiane. Simbolizon një vend heronjsh ku u sakrifikua dhe u shkatërrua nga barbarët osmanë. Me Bunarin autori përfaqëson Dibrën me Sfetigradin, me ujin e bollshëm. Bashkëjetesa e lumtur në një vend të lulëzuar dhe shumë pjellor. Kulturat e gërshetuara aty kishin nisur jetën, dashurinë. Natyra e bukur që shkrimtari e mendon si të gjallë. Ashtu si jeta e njeriut. Natyra ka dhënë bollëkun dhe, duke qenë një vend me bollëk, lakmohet nga dushmanët dhe lëshohen si kafshët e egra mbi bagëtitë. Por osmanët nuk erdhën ashtu kot me ushtri të mëdha për atë kohë dhe në krye të saj vetë sulltani me të birin. Ata lakmuan pasuritë, bukuritë, pozicionin e asaj kalaje, e cila ishte porta e hyrjes për në Arbëri, të cilën kishin shumë vjet që nuk e merrnin dot. Në Arbërinë e Arianitasve dhe Kastriotëve. Në vendin e Bricjapëve me përfaqësues Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Por Bunari u tradhtua. Dikush u ble me flori dhe sulltani, në portat e BUNARIT, i zbrazi, vetëm e vetëm të pushtonte atë kala. Dhe ja sa vlen uji. Gjetja e furnizimit solli dorëzimin e saj. Shteruan Bunarin dhe e mbytën në gjak.
Shkrimtari Fatmir Terziu fillimisht fluturoi nëpër re, në ditë të mira e në furtuna, nëpër fusha, lugina, male e lumenj deri në Sfetigrad dhe, mbasi zbërtheu legjendën edhe me ndihmën e Nuhit, mbasi shfletoi të gjitha historitë dhe arkivat, u kthye përsëri me shumë fletë në duar, të shkruara nga vetë ai, na i solli neve të përmbledhura në një libër të titulluar “BUNARI”. Ai zbuloi edhe varrezat masive të dy palë ushtrive, ku nga ana e osmanëve ishin më të shumtë. Zbuloi se edhe vendi i quajtur Koxhaxhik, i cili në turqisht përkthehet “betejë e madhe”, është vendi ku janë zhvilluar luftimet. Osmanët i trembnin malet. Dhe malet ishin më krenare se minaretë e osmanllinjve, përmend autori. Arianitët ishin si malet. Dhe nga malet “fluturonin” kur sulmonin.
Mendoj se Stefani, që mblodhi këto të dhëna dhe që përjetoi vërtetësinë e asaj lufte, është vetë Fatmiri. Ai flet me aq siguri, sikur të ketë qenë vetë në radhët e ushtrive që mbronin kalanë historike të Sfetigradit me komandant Pjetër Perlatin, ose midis kalorësve të Skënderbeut, të cilët tmerronin osmanët. Bunari ishte tradhtuar. Ishte tradhtuar vetë Skënderbeu. Por toka dukej sikur fliste me brirët e dhive, të cilat përfaqësonin pushtetin, forcën. Bunari u ringjall përsëri me natyrë të bukur, me djem dhe vajza të bukura si i kishte para pushtimit osman. Njerëzit janë të lidhur përjetësisht me ujin, gurin, tokën, me pasuritë e saj, me bukuritë e saj, me brirët e cjapit si simbol të tyre, të ngrohur nga rrezet e Diellit si brirë.








Unë mendoj se ky është një shkrim me peshë të veçantë historike, letrare dhe shpirtërore, ku Kostandin Vogli arrin të depërtojë thellë në universin artistik të “Bunarit” të Prf.Dr.Fatmir Terziut, duke nxjerrë në dritë jo vetëm vlerat e veprës, por edhe kujtesën kolektive të një kombi që ka jetuar mes sakrificash, luftërash dhe qëndrese heroike.
Nëpërmjet përshkrimeve të fuqishme dhe analizës plot ndjenjë, lexuesi transportohet drejt kalasë së Sfetigradit, aty ku historia dhe legjenda bashkohen në një të vetme. Çdo fjali duket sikur mban jehonën e përplasjes së shpatave, britmave të luftëtarëve arbërorë dhe dhimbjes së një populli që luftonte për tokën, lirinë dhe identitetin e vet.
Përmendja e Gjergj Kastriotit dhe trimërisë së arbëreshëve nuk vjen thjesht si rikujtim…
Unë mendoj se ky është një shkrim me peshë të veçantë historike, letrare dhe shpirtërore, ku Kostandin Vogli arrin të depërtojë thellë në universin artistik të “Bunarit” të Prf.Dr.Fatmir Terziut, duke nxjerrë në dritë jo vetëm vlerat e veprës, por edhe kujtesën kolektive të një kombi që ka jetuar mes sakrificash, luftërash dhe qëndrese heroike.
Nëpërmjet përshkrimeve të fuqishme dhe analizës plot ndjenjë, lexuesi transportohet drejt kalasë së Sfetigradit, aty ku historia dhe legjenda bashkohen në një të vetme. Çdo fjali duket sikur mban jehonën e përplasjes së shpatave, britmave të luftëtarëve arbërorë dhe dhimbjes së një populli që luftonte për tokën, lirinë dhe identitetin e vet.
Përmendja e Gjergj Kastriotit dhe trimërisë së arbëreshëve nuk vjen thjesht si rikujtim…