top of page

Kopshti i Begatë Njerëzor


Kopshti i Begatë Njerëzor


Fatmir Terziu


Një varg i vetëm i një poezi-kënge mund të kthejë një të lënguar gjatë në një njeri të plotëenergjishëm, ta bëj atë të gjallërishëm përsëri. E gjithë ajo që duhet është që dikush ta shtrydhë nga mendja e talenti i tij, ta shkruaj, ta kompozojë, ta luaj e ta këndojë, ta dojë atë dhe të kujdeset për atë …

Sepse, poezia dhe kënga janë sikurse dashuria e jetës. Sepse, kjo dashuri e jetës, është vetë drita. Sepse, drita është për të gjithë që të mbajnë njëri-tjetrin në zemër e në shpirt, sepse, drita është për të përqafuar, sepse, drita është e ngrohtë dhe e butë, sepse, vetë jeta rritet prej saj për t’u gëzuar. Ajo është vetë etja dhe vesa e mëngjesit mbi prekjen e jetësishme të jetës. Është prekja e mrekullueshme unike.

Duke parë vesën e hershme të mëngjesit, duket, se drita duket “mizore” dhe e ashpër, duke djegur në fshehtësi e në mënyrë intime pjesët e një Kopshti të Begatë Njerëzor, vetëm duke u përpjekur të bëjë atë që është e drejtë, atë që është Hyjnore!

Duke lënë pas një pjesë pothuajse të pajetë, ajo bëhet puthja e vdekjes, qoftë dhe mbi Lule, qoftë mbi Trëndafilat e Parajsës!

Në fund merret ajo që është duke u humbur, ajo që është duke verbuar shkëlqimin, merret ajo, e cila dikur ishte një dhuratë. Merret ajo që është dhuratë, dhe natën kur ajo mbulon me errësirën, atë parimin kryesor, kur kemi humbur të gjitha, pra nga frika, nga errësira e mendimit të gabuar njerëzor…

Ajo tashmë është bërë pjesë e asaj që jemi gjithësesi, e asaj që i përkasim edhe tani, kur kemi lënë tmerësisht të na konsumojë errësira edhe në këngë, edhe në poezi.

Megjithatë, duhet kuptuar se pamja e errët e netëve mban lavdinë e dritës kristalore, një lumë i panumërt vargor prej tyre formon rrugën e shuarjes së etjes, rrugën e lulëzimit. A jemi në gjendje të kapim pikat e momentit?

Ndoshta mjafton Dashuria e dritës, ajo që na duhet të mbajmë, por të mos e mbivendosim veten mbi të … edhe tej etjes dhe vesës së mëngjesit. Atëherë poezia do të mbetet e varfër dhe kënga si një e zgjuar herët e këndesit. Prandaj duhet të rishikojmë vesën tek vetja. Përndryshe, do të digjemi ende edhe nga “etja“. Tek etja, edhe nga vesa e mëngjesit” që do të na „djegë“ në formën më të hutuar, pa e kuptuar. Le të kuptojmë se kush duhet flakur para se të mbetemi të kalbur. Le të kuptojmë kush është e mira edhe nga drita, edhe nga errësira. Le të mos na zgjojë vetëm pyetja, kërshëria dhe habia: Ku është poezia? Le të mos na gërryejë zemërata nga brenda me thjesht: Ku mbeti kënga!?


Dualiteti perfeksionist i Kokës


Më në fund mësuam të veshim vetë çorapet. Dy duar të ekzistencës sonë pasuan ngritjen e tyre lart, sipas gjinisë, edhe lartësia e ngritjes në dhe mbi kofshë. I veshëm në të dyja këmbët. Kështu padashje braktisëm fëmijërinë dhe mësuam dualitetin tonë. Po, jetuam duke dualizuar perfeksionin si fëmijë të dirigjuar!

Dhe mes të tjerave mësuam Majakovskin. Na tha poetikisht: “Kur themi Partia, nënkuptojmë Lenini/Kur themi Lenini, nënkuptojmë Partia”. Dhe të dy veshët u bënë palë me dualizmin e importuar. “Perfeksionin” e tij!

Them kështu, pasi ndoshta që atëherë, nuk njohëm asnjë njeri jo-dual, madje dhe gjatë gjithë historisë së njerëzimit, mbetëm të (pa)aftë për t’i shpëtuar dualitetit të ekzistencës.

Atij të Shpirtit dhe Mishit; Ajrit dhe Baltës, Vetes dhe Tjetrit, Mikut dhe Armikut...

Ndoshta, përveç atyre personazheve realë, na mbetën dhe faturat e atyre imagjinarë, atyre Tipave të imagjinuar nga mendja e pijanecëve dhe shpirtrave të mjerë. Ndoshta përveç atyre që kanë lindur për të na “komanduar” dhe atyre që na erdhën për të na „korrigjuar“. Ndoshta! Njëshave dualë!

Kemi plot vite që jemi duke kërkuar mënyra për t’i shpëtuar kësaj çmendurie. Jo aq vetëm për të gjetur veten pas bllokadës së qenies së pashmangshme, por për të gërmuar thellë, thellë në vrimën e errësirës … larg idealeve të shkëlqyera të përsosjes.

Ende mbetëm të mjerë, të dehur, madje dhe buzët tona „duale“, mbetën palë të dualizmit, që mbetën … perfeksioni i dualizmit, mbetën që mbetën të errëta për ti bërë hije dualizmit perfeksionist të Kohës. Njëshave dualë që na sjellin faturën historike të Botës!

Mos vallë tashmë na ka pushtuar tërësisht Dualiteti perfeksionist i Kokës?!


Korrigjimi me “korrigjimin


Kjo vjen nga kohërat e lashta. Ndoshta më të lashta se koha kur Eva u tundua dhe feminiteti i saj i ndryshoi rrjedhën Adamit. Perëndia e bëri ndryshe. Erdhi në skenë një tjetër djalë. Dhe kështu u bënë tre gabime në rrjesht. Korrigjimi i tyre nisi me “korrigjimin”. Ky ishte njeriu që mendonte vetëm seksin. U lind nga një nënë e vetme që duke u martuar me X, një marangoz i suksesshëm, solli në jetë nipin e kushëririt Y. Ai s’ishte tridhjetë vjeç.

Njerëzit filluan ta besojnë. Veçanërisht gratë!

Më pas dhe disa nga miqtë e kushëririt të tij. Të gjitha gratë kishin një kurreshtje.

Djali vazhdimisht mbetej i hutuar nga zërat. Disa njerëz kishin gabuar, kishin gabim fjalët në lidhje me Z, tashmë një zemër plot zemërim e Patrikut Herodit.

Të tjerë thanë se ishte Elija, legjendar! Thanë se ishte profet dhe super hero. Por djali ishte vetëm një poet në llojin e vet, i cili shkonte dhe pinte shumë verë e raki dhe i pshurrte njerëzit e thjeshtë. Atij i kishin humbur kopsat dhe allatet i mbante në mejdan. Ishte i gjithi shesh… Ai flinte me prostitutat. Bënte jetë nate me një bandë që flinin me thika tek kokat. Banda bënte zhurmë. Zhurma ngriti nga varri „të vdekurit“ e gjallë! „Të vdekurrit“ e gjallë nuk të falnin më për kopsat e gjetura, fundja nuk u duheshin më atyre! Dheu trumbetua me zë e figurë pastaj… Një kopsë e rënë nuk njihet kurrë në vendin e saj!


… në admirim


Pedant. Tepër i përpiktë … dhe i vërtetë. Mendimet janë kaq të kujdesshme. Mjaft i kualifikuar. Me mençuri dhe me një lëvizje të shpejtë dhe të sigurt, prodhon dhe artikulon fjalët …

Oh fjalët, ata rrjedhin si një kunalle në zabel. Ai në zabel, e njeh atë. Një kunalle atje, … atje larg është melosi i strukur në thellësi të drurit. Në thellësinë e drurit, mbi rrënjë, nën kulm.

Përmes degëve ku duket ajo e vërtetë, ajo bëhet akoma më e vështirë, më e sertë.

Dhe pjesa e vështirë nuk dihet fare. Nuk dihet se çfarë kërkon.

Dhe pastaj atje, pas një përjetësie dhe në një çast enigmatik, ajo është aty e rishfaqur, por sërrish sikurse s’dihet, sikurse s’njihet, sikurse s’shihet. Është para jush.

Çfarë keni kërkuar?

Nga syri deri tek zgjimi. Një çlirim admirues. Një zgjim real. Një pastrim i madh. Mbi kapakët e syve, mbi të ndera, me fjalë të tjera: dhe të hapura dhe të gjera. Të gjitha fjalë dhe mendime që nuk dëgjohen, që nuk fliten, por që vijnë shpejt e ikin ngadalë… e ngadalë mes rrezeve të diellit. Dielli kalon nëpër çatinë e gjetheve të kripura nga lotët dhe të pjekura nga admirimi.

Ajo zvarritet dhe shtrihet dhe me lehtësi përqas çdo gjë që ngjit sytë tuaj mbi të.

Madje edhe shkëmbinjtë e thatë mbi mjegull, duket se shkëlqejnë.

Ju shikoni poshtë dhe ajo ju përkëdhel. I butë dhe i ngrohtë përqafimi i saj, që nuk mund të shihet. Mjafton të zgjasësh gishtin në të.

Vendndodhja?!

Origjina?!

Është kudo! Ju rrethon. Mbylli sytë. Përqafo diellin që të ndjek nga pas. Mos e hap pakuptimin e rrjedhës. Rrjedha? Rrjedh, poshtë, rreth e rrotull, përmes … një ujëvare të thjeshtë. Ujëvarë jete. Nuk ka të ndalur ujin. Ajo është e pamëshirshme, ajo është e vendosur të shkoj në destinacionin e saj.

Nuk mund t’ia ndryshosh mendjen.

Është e palëvizshme.

Kjo është ajo që është. Është bukuria.

Gjërat e tjera, … asnjëra prej tyre nuk mund të krahasohet. Nuk ka bukuri në të gjitha gjërat e bukura. Por, mirësia, ndjenjat që thirren kur lexojmë poezitë e të tjerëve, e bukura e leximit të tyre, bukuria e leximit na shpie drejt e me durim, me mallëngjim …, me dashuri leximi në admirim përkor, kohor, pra tek Kopshti i Begatë Njerëzor. A e kuptojmë këtë në vend, hapësirë dhe kohë?!

29 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page