top of page

KOMPOZITORI I HARRUAR REXHO MULLIQI




Prof Dr Akil Koci

KOMPOZITORI I HARRUAR REXHO MULLIQI


Prof Dr Akil Koci


Rexho Mulliqi bëri një muzikë që ishte dhe mbeti thellësisht shqiptare, në të gjithç përbërësit e saj.

Ai thoshte:” Muzika të cilën e krijoj, është rrëfimi im, por edhe i popullit tim, është apoteozë e nënqiellit të këtij vendi dhe e njerëzve të tij, këngë e maleve hijerëndë, e luginave të gjelbra, e lumenjve me zhurmë, rrëfim i legjendës së të kaluarës dhe këngë e agimit të diellit…”.

Në fillim e thërrisnin Rexhep Mullaj, Rexho Mulliq, Rexhep Mulliqi, kurse ai vetë, në të shumtën e rasteve, ka nënshkruar si Rexhep Mullaj. Megjithatë, ai mbeti i njohur te ne si Rexho Mulliqi, kompozitor, i cili, në njerën anë çmohej dhe respektohej për punën që bënte, kurse në anën tjetër (jo rrallë) u anatemua dhe mbeti në harresë, për arsye që dikur nuk thuheshin, por që tani mund të thuhen dhe të shpjegohen më qartë. Anatemimi i tij i parë ishte politik, sepse në vitin 1948, në kohën Informbyrosë, u burgos dhe vuajti një dënim të rëndë në Goli Otokun famëkeq.

Por anatemimi më i rëndë erdhi më pas, kur individë të caktuar të mjediseve kulturore të Prishtinës, të nxitur nga motive të ulëta smire profesionale, por edhe nga ndonjë arsye tjetër, ia mohonin përkatësinë kombëtare shqiptare. Dhe kjo ndodhte në një kohë që ai vetë, pra Rexho Mulliqi, kompozoi një muzikë që ishte dhe mbeti thellësisht shqiptare, në të gjithë komponentët e saj.

Jeta dhe krijimtaria

Rexho Mulliqi u lind me 18 mars të vitit 1923 në Guci, në këtë trevë shqiptare në Mal të Zi, dhe vdiq më 10 shkurt të vitit 1982 në Prishtinë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje për të vazhduar Medresenë e Shkupit, deri në vitin 1941. Paskëtaj u vendos në Prishtinë, ku qëndroi tre vjet (1941-1943). Më pas u regjistrua në Akademinë e Muzikës në Beograd (1946), por nuk i përfundoi dot studimet, sepse, për shkaqe politike, u përndoq dhe u burgos, duke vuajtur dënimin, sikurse e përmendëm më lart, në Goli Otok.

Pas vitit 1953 u kthye në Kosovë, ku fillimisht dha mësim në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren (harmoninë dhe kontrapunktin). Në vitin 1956 shkoi në Prishtinë, pranë Radio Prishtinës së atëhershme dhe drejtoi veprimtarinë muzikore të këtij institucioni. Së bashku me Lorenc Antonin, Rexhep Mulliqi është njëri ndër krijuesit e traditës muzikore profesioniste në Kosovë. Ai është ndër të parët krijues të këngës korale, si autor i simfonisë së parë shqiptare në Kosovë, i së dytës në muzikën e gjithëmbarshme shqiptare,përfshirë edhe Shqipërinë.

Vepra e tij e gjerë dhe e larmishme perfshin pothuaj të gjitha gjinitë muzikore (përjashtuar operën) dhe është ekzekutuar në veprimtari kryesore të jetës muzikore të Kosovës dhe të ish-Jugosllavisë. Për punë të palodhur, Rexho Mulliqi është nderuar me shumë dekorata dhe mirënjohje.


Veprat e tija skenike janë: “Nita” (1975), balet (i pambaruar) dhe (Legjenda mbi ngadhënjimin),balet;kurse pjesët “Vjeshta” (1958),për kor mikst (bot.LKSHM),dhe në Colegium Cantorum,Prishtinë 1973); “Nji lule”përpunim për kor mikst (bot. në Collegium cantorum,Prishtinë,1987), Vendi im, këngë masash, (bot, në Collegium Cantorum, Prishtinë, 1971 dhe në “Kënga Korale”,SHKK Prishtinë 1984 pastaj: “Poema për ata”,kantatë për solist,recitues,kor e orkestër me teskt të Fahredin Gungës,”Lulëzoi fusha,lulëzoi mali,për soprano,kor e orkestër, “Një lule që m ka çelë tash”,për soprano,kor e orkestër,Suita e vogël,për soprano,kor e orkestër,”Baresha”, për soprano e orkestër,si dhe më së 150 harmonizime dhe përpunime këngësh popullore.Më pastaj,këngët korale:”Marsh ii diviyionit VI shqiptar”,”Demostrat”,Mbajmë flamurin e liri;”,”Këngë për lirin;”,”Marsh i brigadës së parë sulmuese” dhe ”Vjeshta”. Muzikë kamertale:Suitë,për piano dhe orkestër,Elegji,për violinë dhe piano,(1955),”Legjendë”, për violinë dhe piano (1956), veprat simfonike: “Fantazi”, për orkestër (1954), Simfonia nr.1 (1955), ”Pastorale dhe loja”, për orkestër (1956), “Akuarelet e Prizrenit”, suitë për orkestër harqesh (1958), “Simfonia kosovare nr.2” (1962), Suita simfonike. Muzikë për filma artistikË: ”Uka i Bjeshkëvet të Namuna” (1968), ”Era dhe lisi” (1979), ”Kapiten Lleshi”, ”Qërim hesapesh”.Muzikë për filmin dokumentar: ”Kokë më kokë”, ”Floriri i Kosovës”I,II,III , ”Tuneli 117”. Muzikë për teatër: ”Omeri e Merima”, ”Tri motrat”, “Tregimi i Irkutskut”, “Martesa”, ”Pelinova, ”Erveheja”, etj[1].

Veprat e modeleve klasike

Sikundër shihet, veprimtaria e Rexho Mulliqit ka qënë mjaft e gjerë. Gjithsesi, vepra e tij më e rëndësishme, për të cilën do të bëjmë fjalë me këtë rast, është “Simfonia e dytë kosovare”. Është theksuar tashmë dhe siç është pohuar edhe nga vetë Rexho Mulliqi, opusi krijues i tij është i lidhur ngushtë me nënqiellin e Kosovës, me folklorin muzikor shqiptar, tek i cili e ka mbështetur shumicën veprave të tij. Nga ana tjetër,krijimtaria e tij ka qënë e bazuar në modelet klasike,si për nga forma, ashtu edhe për nga shprehja, mirëpo më vonë gjuha e tij muzikore bëhët gjithnjë më e pasur dhe më domethënëse, si në melodi e në harmoni, ashtu edhe në formë, orkestrime etj.

Vende-vende, në kompozimet e tij hasim edhe në elemente të reja, të cilat në raport me kohën kanë qënë shumë larg, jo vetëm nga “ radikalët”, por edhe nga ata krijues që janë konisderuar si më “të përmbajtur”.

Pra, Mulliqi nuk ka shfaqur ndonjë interesim që në kompozimët e veta të futë sadopak elemente të shprehjes më të avancuar. Nuk bëhet fjalë këtu për mosnjohje të trendeve të reja, as për jetën e varfër muzikore të rrethit ku jetonte, por thjesht ishte mosinteresimi i tij për të bërë hapat e parë drejt një muzike të re, më të avancuar për kohën kur ai jetoi.

Ndër veprat e shumta që la ky krijues, pa dyshim se simfonia e dytë e quajtur “Kosovare” është vepra më madhore e tij. Këtë e themi sepse nuk takojmë në krijimtarinë e tij ndonjë vepër tjetër kaq serioze dhe të kompozuar me kaq përkushtim. Ajo është krijuar më 1972 dhe është incizuar nga Orkestra Simfonike e Radio Ljubljanës, por nuk dimë nëse është ekzekutuar “live” ndonjëherë. Titulli i saj “Kosovare” na e kumton qartë se nga cili burim rrjedhin frymëzimet e veprës së tij muzikore, sepse në tërë tematikën përjetohet fuqia e muzikës shqiptare, edhe pse ngandonjëherë nxjerr kokë, madje mbizotëron, melosi i muzikës orientale.

Vend nderi në muzikën tonë

Rexho Mulliqi thoshte se zanafillën e kësaj vepre e kishte menduar si koncert për piano dhe orkestër. Ky orientim ndihet edhe në vetë funksionin e pianos, i cili dominon gjatë tërë kohës dhe ngjyra e tij është ngushtësisht i lidhur me ngjyrën e melodisë folklorike, duke përkujtuar në njëfarë mase tingullin e çiftelisë dhe duke arritur kësisoj koloritin e ngjyrimin arkaik burimor, zanafillor të kësaj treve. Koha e parë ka një hyrje të pianos, në formë të sonatës, jo edhe aq qartë, bazuar në dy tema kontraste me elemente heroike, ndërsa e dyta është lirike. Më vonë, me zgjerimin e përmbajtjes e të frymëmarrjes muzikore, fiton tingullin melodik të melosit malësor. Në fund të kohës së parë trumbeta dhe trombonët i rimarrin e i përsërisin në unison fragmentet e temës së parë.

Koha e dytë veçorizohet nga një konstruksion më i lirë. Baza e saj pjesërisht është programore, e ndërtuar në frymën e melosit të këngës popullore “Kënga e Rexhës”. Zhvillimi i melodisë, në sekondat vazhduese, na sjell ndërmend ngjyrën impresioniste, sidoqë është veshur me të kënduaritn arkaik, që na paraqitet nga tingujt lirikë të violinës. Finalja, në formë të rondos, le përshtypjen se ngjarjet e errëta dhe tragjike janë zhdukur, duke paralajmëruar agimin e ngadhnjimit të jetës.

Motivi i tij i parë tematik shquhet nga ritmi vallëzim-dialog i pianos me orkestrën, i dyti me shprehje pastorale-flauti solo, ndërsa motivi i tretë-fuga e shkurtër, është e lidhur me motivin e parë tematik. Në këtë vepër autori shpalos tërë atë bagazhin e njohurive profesionale, në shumë aspekte, si në instrumentim, ashtu edhe në kulturë të tingullit e në harmoni,ku gjen shprehje zotërimi i duhur i pianos, si instrument solistik. Me këtë vepër Rexho Mulliqi vihet në mesin e krijuesve dhe të krijimtarisë së kohës, në të cilën jetoi dhe veproi.

Dhe, në fund, duhet të shtojmë se, meqë vitin e ardhshëm mbushen plot 25 vjet nga vdekja e Rexho Mulliqit, do të ishte e udhës që udhëheqja e Filarmonisë së Kosovës të përgatisë një koncert me dy veprat e tij madhore, pra me simfoninë e parë dhe të dytë. Do të ishte ky një homazh për këtë krijues, edhe ashtu të harruar, veçmas nga institucionet tona. Në shënjë respekti dhe kujtimi për një kompozitor, i cili, me veprimtarinë e tij krijuese, la gjurmë të thella në mbarë jetën muzikore shqiptare.

#Akil #Koci

488 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page