top of page

KOHEZIONI I FILOZOFISË SË SHTIRJES



1.

Sot, për t’i kuptuar fenomenet drejtë e mbarë, duhet të kërkohen një varg metodash profesionale e shkencore në shqyrtimin e tyre të saktë. Ka fenomene pozitive dhe negative që e tundojnë njerëzimin. Ne për shqyrtim i kemi fenomenet negative që pengojnë zhvillimin normal të shoqërisë. Tanimë, në mesin tonë anomalitë janë probleme të shumëzuara dhe shqetësuese, që na e kthejnë vëmendjen e përqendruar kah fenomenet më tipike. Ato e mbajnë peng qytetarin e sotëm me individë që u kanë shërbyer dhe i shërbejnë mugëtirës kulturore e politike një kohë të gjatë këtu te ne. Si majtas, si djathtas së orientimit politik niveli zhvillimor i shëmtisë ka çmimin e vet të ekzistencës së saj të rëndë dhe të hidhur nëpër vite, prandaj e vërteta zhvillimore, njerëzore, kërkon rrugëdalje të mirëfilltë nga kjo agoni e ndrydhur e të jetuarit rrejshëm dhe me defekte të shumta. Sot është rëndë dhe rezik t’i përballosh mediokritetit uzurpues, aktual, ngase ai ka marrë përmasa të mëdha veprimi në shoqëri. Ai dominon në të gjitha poret e jetës, duke krijuar mekanizma manipuluese dhe forcë të shërbimit të keq në sistem. Krijonë politikë të trurit monist apo të njëmendësisë së konvecionit të skaduar. Mjafton ta emnosh dikent si udhëheqës të ndonjë ndërmarrjeje apo asociacioni, qeveritar dhe jo qeveritar, i sukseshëm apo i pa suksesshëm, kërkon tërë jetën të jetë udhëheqës i saj dhe të mos jap llogari fare për veprimet që ka bërë dhe që bën. Këta individë të përzgjedhur mirë apo keq, parasëgjithash, duhet të çlirohen nga ky mentalitet uzurpues i lodhshëm dhe i fiksuar në mendjet e tyre, të cilët, pa dyshim, duhet të ndërgjegjësohen dhe kuptojnë se edhe të tjerë ka që dinë t’i çojnë punët mbarë e mirë. Ata nuk janë dhe nuk mund të jenë të vetmit në këtë angazhim shoqëror veprues. Çdo njeri ka kreativitet dhe ide për të bërë diçka të mirë apo diçka të dallueshme nga të tjerët, por duhet t’i jepet shansë, vullnet dhe tolerancë të shëndoshë në punën e ndërmarrë.

2.

Kohezioni i së keqes plandoset dhe përplaset rëndë në kryen e trungut të njomë shoqëror dhe pikërisht ajo shëmti e dukshme shndërrohet në metil të rrezikshëm që ta thanë edhe rrënjën dhe bërthamën e lindjes. Mbanë në vete peng leverdije despotizmin veprues të kohës, bashkë me ngathtësitë e shumta kulturore, të përqendruara keq në humbje perspektivash shpresëdhënse shoqërore. Kësaj situate të prapambetur i ndihmon edhe gjendja sociale e trashëguar e shoqërisë, e cila tanimë nga ky përfytyrim i veçantë, i nënshtrimit të sajuar keq, ka marrë përmasa të mëdha të varfërisë dhe keqpërdorimeve të shumta. Kështu, kur të shihet çdo gjë nga retrospektiva e kohës, në veprim e sipër të gjendjes së rënduar, përfshihet një karvan i gjatë defektesh sistemore. Neve, si shoqëri, na është mishëruar apo tatuazhuar në vetëdije ideja hegjemoniste e njëmendësisë dhe tani shumë rëndë e kemi të çlirohemi nga ky veprim i tejkaluar, i prapambetur, sistemor apo personal që dëmton prespektivën dhe ndikon keq te të tjerët. Megjithatë, në këtë skenë të koklavitur, dalin vepra të mira dhe vepra të dobëta, ndaj, gjithënjë, sipas këtyre niveleve dhe prurjeve të dukshme, vazhdimisht do të bëhen edhe vlerësimet që do të mbahen mend. Ato, madje nga distanca e kohës shndërrohen në fenomene frymëzimesh për të gjithë ata individë që merren me këtë kreativitet gjykues dhe vlerësues. Kritika nuk na shërben neve vetëm për ta lëçitur, anashkaluar tjetrin, por ajo shëmbëllen si ndonjë formë mase e drejtë, vlerësuese, me kriter dhe njohje profesionale të veçantë, që bazohet në standarde bindëse të dijes dhe korrektësisë së mundshme, për t’ia gjetur vendin një vepre të bërë, me të mirat dhe të këqijat e saja poseduese që ngërthen ajo në vete si e tillë. Çdo gjë që lidhet jashtë këtij kodeksi e standardi vlerësues të drejtë, merret si tendencë e keqe, jo profesionale. Duhet të veprohet me shumë kujdes e vëmendje, kur lëvdohet ose përbuzet një vepër e cilitdo autori qoftë ajo. Tani jemi të rrëmbyer shumë keq nga vlerësimet e njëanshme, pozitive, jo profesionale, duke ia bërë qejfin njëri-tjetrit për të arriturat tona modeste; prandaj sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë të madhe për autokritikë të shëndoshë dhe profesionale. Këtu vjen në pah kultivimi i konkurrencës, llojllojshmërisë së qasjes shkrimore, që do të duhej të kishte ngritje e nivel adekuat shkencor, madje ku do të vërehej edhe saktësia e balancuar e standardit, midis shijes së kultivuar dhe miqësisë që ka krijuar perceptuesi vlerësues ndaj tjetrit. Ky standard për të qenë në nivel të kënaqshëm, duhet të ushqehet mirë me mallra efikase shkencore dhe precize studimi, që do të formonte pastaj peshë kriteri estetik të nivelizuar në qasje. Shkenca nuk ka anim, ajo ka gjetje, zbulim dhe përpikëri shkencore, prandaj them se ajo duhet të veprojë e vërtetojë drejtë veprën e dikujt, pa ndikime e improvizime interesi, ashtu siç e kërkon norma e vërtetë studimore.

3.

Shoqëria jonë sot është e ngarkuar me veprimtarë të shumtë dhe në tregun konkurrues, bashkëkohor, ka llojllojshmëri çmimesh të pa standardizuara, të shitjes së mallit të tyre kreativ. Renditen llojllojshmëri të komplikuara materialesh e çmimesh vlerësuese nëpër hapësirën tonë kulturore. Ato vështrime dhe prurje të derdhura vend e pa vend, duken qartë gjithandej shtegtimit tonë imagjinativ, kërkimor, nëpër fenomene frenkfentuese. Kiçi, shundi dhe arti, tanimë, janë bërë të përdorshëm dhe bashkjetojnë me ne, si mallra të shumta kreative dhe ndikuese, që, tanimë, derdhen keq dhe pa kriter gjithandej hapësirës sonë ekzistuese. Ato mbeten si këmbime arti më të preferuara të kohës, që bashkëveprojnë në kreativitet të përhershëm dhe të gjatë. Por këto dallueshmëri të shumta "mallrash artistike", që ne i gëlltitim, si art, për çdo ditë nga "tezgat" e plasimit tonë shoqëror, duhet të dimë një herit se si t’i veçojmë e dallojmë ato, njëkohësisht, drejtë dhe saktë, midis vetes.

4.

Krijimtaria nuk është një tush adekuat, apo poligon i hapur, për t’i larë e tharë "mëkatet tona të përditshme" dhe komplekset individuale të lëshuara pa kriter nëpër fushat e ndryshme të kreativitetit të derdhur estetik. Disa individë të dalldisur nga kjo lakmi afirmuese, i futin hundët edhe nëpër ato lëmi e shkenca, që si kanë profesione të veta dhe adekuate. Kështu veprojnë pahiri dhe në mënyrë stihike, për t’u treguar të tjerëve se edhe ata ditkan të bëjnë diçka të dobishme, njerëzore, nga kjo lëmi e ndritur, që është e hapur për të gjithë, kryesisht, duke vepruar me qasjet e tyre sa për sy e faqe, nëpër këtë rrugëtim gjoja të "lehtë" artistik. Prandaj nga kjo stihi, nuhatja e tyre del në skenë e brishtë, improvizuese apo e vjedhur tërësisht. Ai që merret, sot, me letërsi dhe gazetari e humb o njërën o tjetrën prej këtyre të dyjave, ose në realitet i humbë që të dyja. Mbase improvizimi është gjëja më e shëmtuar e shkencës së sotme që e zbeh kulturën dhe e ndalon interesin e leximit në shoqëri.

5.

Kreativiteti është një punë permanente dhe e rëndë stilistike, që kërkon njohuri dhe mësim të përditshëm, si dhe kondicion të përhershëm leximi e veprimi. Pa i mbushur mirë bateritë e ndriçimit mendor e kohor, me informacion e dije shkencore solide, do të dilnim të mangët në stil dhe në vlerësim të vërtetë të gjërave, nëpër këtë konkurrencë rrugëtimi artistik të gjatë, pastaj do të shfaqen edhe pengesa tjera të vezullimit të mirëfilltë imagjinar, në kërkim të së vërtetës. Do të vonoheshim shumë në kohë, për ndriçim të duhur të gjërave ekzistuese, të cilat gjithësesi se do të kishin ndikim artistik te pjesëmarrësit e kësaj lëmie, që pretendojnë stil të veçantë në krijimtari. Por stili si i tillë në vete, që është me përmasa të caktuara dhe finesa arti të nivelizuar, e që parasheh në thellësinë e vetes kursimin e shprehjeve kreative, të definuara dhe të veçanta, kërkon përherë përkufizim dhe njohje të qartë veprimi estetik, pikërisht, mu në atë brendi të formës dhe përmbajtjes së dhënë. Ngandonjëherë stili dinë të na bëhet edhe "tabut" i ngushtë i përqasjes sonë, me peshë të rëndë në letër të shkruar. Sepse, në këtë rast, kur kemi parasysh rëndësinë dhe fuqinë e stilit shkrimor, nga dëshira dhe nevoja sqaruese, do të parafrazoja mendimet e Emil Shteigerit se stili nuk është vetëm forma dhe përmbajtja, madje nuk është as vetëm fjala dhe gjuha, por janë edhe shumë mundësi tjera stilistikore të kapshme, bashkë me shumë shenja tjera të mundshme shprehëse e strukturore, të gërshetuara në një mjeshtëri dhe kodim të rrallë në vepër, kryesisht të qëndisur me kujdes e përkushtim, në mendim e shkrim të shfaqur për publikë. Atëherë po të dihet mirë ky akt i vështirë nëpër punëtoritë tona kreative, besoj se do të kishim shumë kujdes në publikimin dhe plasimin e gjërave, që të mos na dalin ato shkel e shko në opinion. Kështu shtrohet pyetja: Si do ta kultivojmë e ndërtojmë këtë jetë nxitëse, motivuese, atraktive dhe sensibilizuese? Me çfarë përmbajtje e forme do ta ngjeshim brumin e kreativitetit tonë artistik që e kemi në vëmendje, ashtu do ta kemi edhe vlerësimin për veprat e bëra nga të tjerët që do të merren me ne në të ardhmen. Ndaj në këtë nyje punishteje shkrimi të rëndë e të gjatë, hyjnë kuptime e vlerësime të shumta nga të gjitha anët e veprimit kulturor. Kjo na jep një shkas të veçantë e të ndijshëm për të dalluar të mirën nga e keqja, të bukurën nga e shëmtuara, të madhërishmen nga vogëlsirat, errësirën nga drita, vrullin nga plogështia, të vërtetën nga jo e vërteta etj.

6.

Të gjitha ndryshimet strukturore e sistemore janë nxitje reale për ta njohur të vërtetën dhe rrethin ku jetojmë. Sepse pa të vërtetë nuk ka drejtësi, nuk ka dritë dhe mirëqenie ndërnjerëzore. Ajo e vërteta e bindshme është një dhe e vetme, e cila vjenë nga shumë anë, në fokus të trurit të ndritur. Dy të vërteta të njëjta nuk ekzistojnë si të realta edhe pse vijnë nga kënde të ndryshme konkurruese për të na bindur neve si kureshtarë që jemi. Për t’u ndriçuar mirë kjo e vërtetë bindëse dhe reale, duhet të ketë liri të mirëfilltë njerëzore dhe shoqërore. Dhe liri të shëndosh kemi atëherë kur ka barazi dhe demokraci të vërtetë në shoqëri. Kjo arrihet vetëm atëherë kur jemi të përkushtuar me devotshmëri dhe me gjithë mend për një qëllim të mirë e të drejtë sistemor në kohë. Sepse shkathtësia kreative për të vërtetën ekzistuese gjendet diku në vete, në lagje, në qytet, në fushë, kodrinë; madje këtu, atje, lartë, poshtë, në kozmos, por duhet gjetur këtë "mister ngacmues", se ai është diku i fshehur në mesin tonë misterioz. A kemi ne energji shprese maratonike për ta zbuluar këtë bukuri "të fshehur" artistike, ekzistuese? Kjo është për ne një pikëpyetje e dëshirueshme nxitëse dhe provokative, që na futë në kërkim të gjatë dhe të përhershëm. Rruga e artit të mirëfilltë është e rëndë dhe kush nuk i ka parasysh këto vështirësi e sakrifica e humb kahen apo drejtimin e vet kreativ në hapësirë dhe kohë. Dija ka shteg, mosdija ka barriera dhe konfuzion qasjesh. Brenda këtij rrethi të dijes e mosdijes dalin fenomene të shumta dhe kompleksive, që veprojnë me dështime dhe me ngritje profesionale të dukshme gjithandej shoqërisë sonë. Çdo individ nuk ka thellësi të përsosur virtuoze dhe magji imagjinative solide, por ai vepron spontanisht me përmasat e dijes së tij, të caktuara dhe kufizuara në jetë. Jashtë dhe brenda funksionimit të këtij standardi përligjen mendime të shumta dhe nga palët vëzhguese, këto gjëra merren si fenomene tipike, që japin shkas për t’u shqyrtuar të arriturat e përgjithshme shoqërore. Sot, ju dashamirë të artit, mos na tregoni se çka shkruani, se ato i shohim dhe i lexojmë për çdo ditë nëpër rrjetet e ndryshme sociale, por na tregoni ju çka lexoni, që t’ua themi vendin e diturisë, ku e keni nesër, o njerëz të ndritur! Por këtu kam respekt të posaçëm për të gjithë ata krijues të shkathtë që e thonë të vërtetën e kohës pa frikë, tendencë e ndikime, qoftë ajo e vërtetë të jetë e hidhur apo dobiprurëse për veten dhe të tjerët. Pa guxim nuk ka krijim.

7.

Jemi dëshmitarë të kthesave të ndryshimeve, organizimeve, ngufatjeve, dështimeve, si dhe të adaptimeve të vrazhda politike e kulturore që ndodhin përreth nesh. Shoqëria jonë është e ngarkuar me probleme të shumta. Ato janë tipike dhe atipike. Sepse erdhi koha e shtirjes dhe demagogjisë së madhe vepruese. I kemi përzier punët shumë keq. Merremi me të tjerët pa u marrë me vetë veten. Pa e pastruar e ndryshuar veten nga dobësitë e shumta që kemi, pa u larguar nga lakmitë imponuese, nuk do të kishte sukses asgjë në jetë. Ironia dhe satira, në këtë segment jete të vrazhdë zhvillimi, do të na ndihmonin dhe për mua këto mjete e figurash artistike janë armët më të preferuara e të sofistikuara të provokimit kreativ të përhershëm, që veprojnë si "bomba të fshehura në ne" e të kurdisura në stil, që i përjetojmë për çdo ditë ndezjet e tyre të mundshme, me detonim të ashpër në shoqëri, për t'i ndryshuar gjërat e mundshme shoqërore. Në këtë segment kulture, janë evidente shenja, simbole dhe dëshmi të gjalla për ta korrigjuar veten nga shëmtitë e shumta që na rrethojnë e bllokojnë në këtë botë. Këto figura e shenja dalluese, simbolike e që janë shpërthyese nëpër kohë të ndryshme, trazojnë kudo e kurdoherë ndjenjat e individit në shoqëri. Koha i tatuazhon në vete të gjitha gjërat artistike që ndodhin përreth nesh. Ato janë dëshmitare dhe kallëzuese më tipike, të shumë fenomeneve jetësore, që i bartin njerëzit me vete dhe në këtë shoqëri tranzitore. Prandaj këto figura simbolike i përdorim sot për t’u korrigjuar e mësuar që të mos na përsëriten të këqijat e trashëguara nga e kaluara. E keqja duhet të ndërpritet, e jo të shërohet e arsyetohet, sepse ajo është e sëmura e kohës, që na mban peng agonie të rëndë në kulturë e politikë.

8.

Nepotizmi, si fenomen ekzistues në shoqëri, krijon avancimin e intolerancës dhe karrierizmin e rrejshëm. Ai jep shenja të rënda dhe muskuj mendor impotent në shoqëri. Stimulon veti ngufaste për të tjerët, madje edhe lejon të keqen të jetë imazh normal i qytetarit, ngase, si i tillë që është, me veprimet e veta të ngathta, bart peshë të rëndë mbi supe pasojash të vrazhda me vite të tëra. Ato veti morale dhe kulturore të ulëta, kanë hyrë thellë në sistem për fluturim, avansim e karrierë të shpejtë fisnore. Prandaj ka çrregullime të mëdha dhe defekte ndërnjerëzore të rënda, në funksionimin e vlerave të tyre të mirëfillta në shoqëri. Pastaj në këtë turbullirë kohe rrugëton pa kriter papërgjegjësia njerëzore dhe akademia e madhe e veprimit utopik në sistem të vrazhdë. Kush nuk mëson nga gabimet e bëra, e keqja do t’u përsëritet edhe më tej, si vërshimë e madhe dhe si fenomen shkatërues në shoqëri. Nga ky standard i dukshëm, tanimë, po na del në sfond qartë kriteriumi i "frymëmarrjes së rëndë kolektive". Ajo, tanimë, është përmbytëse dhe neveritëse në përditshmëri, mbase ne sot shtiremi si të tipizuar fortë, me "stil" dhe pa përgjegjësi të madhe në jetë. Kryesisht, shtiremi si filozofë, shtiremi si shkrimtarë, shtiremi si politikanë, shtiremi si ekonomistë, shtiremi si analistë, shtiremi si sportistë, shtiremi si patriotë, shtiremi si tregtarë, shtiremi si profesorë, shtiremi si predikues të fesë, shtiremi si idiotë, shtiremi dhe vetëm shtiremi! Nga kjo shtirje e madhe, më në fund adaptohemi lehtë për të keq në shoqëri, me vardisjen tonë mendore të kultivuar rrejshëm dhe me nivelimin e vlerave të brishta që kemi adaptuar në kohë, gjoja se kemi bërë punë të mëdha shoqërore, se qytetari avancohet mirë dhe me drejtësi. Por e vërteta dhe realiteti ynë është krejtësisht ndryshe. Ai rrugëton pa animin tonë nëpër kriteriumin e dëshmive të shumta ekzistuese, reale. E shëmtuara për çdo ditë na e zë shtegun të tejkalimit. Shoqëria e humb standardin e duhur të marshimit pozitiv të mëtejmë. Kriza troket në çdo derë të shtëpisë. Qytetari i sotëm gjendet në zgrip të varfërisë. Shtohet kriminaliteti, të rinjtë marrin rrugën e arratisë. Vendi zbrazet nga popullata. Vrasjet nuk zbulohen. Pasiguria e qytetarit thurr imazhin e frikës. Komplekset politike dhe kulturore vazhdojnë të qarkullojnë e veprojnë lehtë e përshtatshëm midis nesh, si telenovela monotone në ekran, që nuk na e shërojnë fare nivelin jetësor me dekada të tëra. Ne atakojmë njëri-tjetrin për dështimet e shumta, disa prej tyre, madje, mendojnë se kanë ardhur në skenë politike e kulturore nga qielli. Ata harrojnë se ne njihemi midis vetes dhe se të gjithë janë njerëz të zakonshëm të shoqërisë sonë. Ka të tillë që me imazhin tyre reflektues japin kuptimin e forcës, se qytetari duhet t’u shërbej atyre, dhe jo ato t’i shërbejnë qytetarit që i ka përzgjedhur me meritokracinë e kulturës së merituar apo të pamerituar. Mediokriteti i sotëm lakmon dhe mbanë pushtetin, vetëm e vetëm, që bijtë e tyre të bëjnë çka të duan në jetë dhe ta kalojnë pa u dënuar sinjalin e kuq në semafor. Kjo gjë e lakmueshme dhe e pahijshme është pasojë e tmerrshme edukative. E keqpërdorin postin e nominimit të tyre. Sherrin e vënë para dijes. Çdo gjë vihet nën kuben e interesit personal. Krijohet mundësia e hapësirës së plutokracisë së brishtë. Prandaj sot gjendjen tonë të vështirë e përshkon mosdurimi dhe kaosi i interesit të vështirë kulturor. Mbetemi ende të varfër në këtë vend të pasur e të mrekullueshëm që na e dhuroi Perëndia. Dhe me këtë shtirje të madhe që kemi tatuazhuar ne të gjithë, si sistem praktik dhe si shërbyes të këqij të kësaj kohe, në punën tonë të përditshme, tjetërsohemi, tjetërsohemi, deri në skajshmëri tmerruese dhe neveritëse. Turma çorientohet, me trurin e anuar njëanshëm në përzgjedhjen e vet të rrugëtimit. Vlera qytetare e humb kuptimin e vet të realët. Shtigjet e jetës bëhen të kufizuara dhe të ngushta. Pakënaqësia njerëzore merr tatëpjetën e saj. Dhe nuk dihet sot ende se kush është më keq në këtë formë jete të trazuar nga ngufatja e despotizmi ekzistues politik. E keqja nuk ka brirë, por ajo na vret e shpon për çdo ditë nga pak. A thua o Zot, tanimë, në këto tendosje e çaste kohore të hidhura, socio-kulturore, kur shumë gjëra abuzohen për të keq në shoqëri, se edhe këto rreshta, revoltuese, të shkruara enkas për këto fenomene të hidhura, janë të tepërta!? Por, padyshim se këto të arritura jo bindëse, na lejonë të mendojmë e të reagojmë kështu ashpër dhe thumbueshëm për këto "pëllumbat", "korbat" dhe "sorrat" grabitqarë, të këtij nënqielli të mugët, që tanimë skenën kulturore e kanë shndërruar në errësirë të padëshirueshme, ose e kanë projektuar keq e manipulueshlm çerdhen e sofistikuar të sistemit demokratik, nën çatinë e brishtë kulturore ekzistuese, ku shihen qartë me veprimet e tyre, duke hyrë e dalë këndej pari kohës sonë, me kitsch të adaptuar në skenë sundimi dhe me veprat e tyre të pa vlerta! Mendoj se këto fenomene gjatë kohë kanë zënë vend në laboratorin kreativ të qasjes sime preventive, pasi që janë probleme dhe një shtrirje reale apo jo reale e momenteve të imponuara nga koha jonë tronditëse e trazicionit. Këto ngarkesa dhe ide diverzitetesh e fenomenesh të shumta, ku shihet e keqja dhe e mira ashiqare, kanë dalë shumë herët në veprim të mbrapsht, si prapështi vërshuese shoqërore, dhe tani mund të na duken të kthjellta dhe të dobishme midis nesh, në këtë kohë lakmish e avancimesh jo të realta, me kortezh të gjatë improvizimesh e gradash të shumta dekorimi të keq dhe të improvizuar me shund, e shpërblime krejtësisht të pranuara e të njëanshëme, nga një grup i caktuar vlerësuesish të adaptuar dhe jo profesional, por që reflektojnë me një tundim sherri e interesi të grishur në shoqëri naive dhe të ngjeshur me kuptim të vrazhdë dedikues në opinion, sipas nevojës së dalë nga këto çaste kërkimi përhumbës.

9.

Vlerësimet e drejta duhet të kenë bazë reale dhe të dalin në skenë ndikuese me përmasë kriteri e fërkimi bashkëkohor e novator, që tanimë si të tilla dhe me nivel të duhur, do të frekuentonin bindshëm nga situata në situatë, për mbarësi kolektive, bashkë me ato përplasjet e ideve vringëlluese e racionale të mendjeve të ndryshme vepruese e konkuruese. Apo ndoshta do të ishte më mirë që këto vegime të strallta motivesh ndriçuese që më shqetësojnë mua, të shpërthejnë spontanisht në vetëdije të përgjithshme shoqërore dhe në hulumtim real kohor, të cilat pa dyshim, si të tilla dalin nga thellësia e shpellës së ndjenjës sublime, të përforcuara gradualisht në bindje, me dromca frymëzimesh të rralla në mendje, gjoja se i paskam goditur këto tema të preferuara të kësaj stine të ardhur keq, kështu siç është ajo në formë përmbytëse me kitsch, shund dhe art bashkëkohor të dukshëm. Këtë sprovë, të drejtë apo të padrejtë, të bindjes sime, do ta vërtetojnë të tjerët, ose do ta vlerësojë koha e ardhme, si dhe njerëzit që janë të çliruar nga "status quo"-ja e vlerësimeve tendencioze. Jam me shpresë se këto dromca dhe pikëpamje mendimesh modeste nuk do të keqkuptohen nga lexuesit, por do të pranohen ashtu qartë, si kërkesë e drejtë e kohës, për ndryshim kulturor e politik, që kërkon çlirim të mirëfilltë, nga agonia kulturore. Këto gjëra do të vlerësohen kryesisht nga ata individë seriozë që lexojnë vëmendshëm midis rreshtave dhe me ndërgjegjen e tyre të pastër e kritike. Gjithsesi se këtë gjendje kohe të acartë kulturore e politike, do ta kuptojnë edhe ata njerëz modest, të pranishëm të këtij vendi, që bashkëjetojnë me këto probleme shoqërore të rënda dhe rrethana të çuditshme të mbijetesës, nëpër këtë lëndinë të ngushtuar jete, për ngjarjet e ndodhura, për fenomenet dhe kulturën e kohës sonë, të rëndur me kitsch e shund përmbytës në shoqëri.

23 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page