Kockat


Kockat


…për të dashurit tanë që ikën në kohëra metaforash dhimbëse


Nga Fatmir Terziu


„Mishi tretet, kocka mbetet“ vjen mes grimit filmik. „I yti mishin ta ha, por kockën ta lë“, tirret në një larushi kuptimesh. Të dyja vijnë nga popullorja. Të dyja vijnë nga urtia. Dhe të dyja kanë të bëjnë me kockën. Kockën e Njeriut, atë që e mban në këmbë…., edhe kur ai bëhet „kockë e lëkurë“, edhe kur atij i ka shkuar „thika deri në kockë“. Sa fjalë të urta dhe kockë-forta kemi ne!(!) Sa të tilla me kockë kemi përdorur me vend e pavend, sa herë që kemi dashur ta lakojmë kockën. Ja përshembull, njëra që ndoshta ka më shumë kuptim nga kohërat me pandemi dhe që shkojnë edhe me këtë pandemi sot: „Ne jemi kockë e fortë në brigjet e Adriatikut!?“ Sigurisht!? Ne jemi kockë e fortë. Ne jemi edhe kockë e pagjetur. Ne jemi dhe kockë e patretur.

Me të parën kam qenë dëshmitar i disa zhvarrimeve të vrasjeve mizore prej Diktaturës, teksa gishtat e ish të burgosurit politik, Kristo Mema, rrëmonin të nxirrnin nga dhera të shkelura e të ngjeshura në këmbim të ëndrrave, dhe premtimeve të vrara. Kocka me tela me gjemba, kocka me hekura të ndryshkura.

„Do të doja që t'i përqafoja fort!“- ishte dëshira e fundit e tetëdhjetëvjeçares, që ia hoqën unazën e fejesës nga dora me çekiç në hetuesi.

„Do të doja që…“ Dhe lotët vinin çurk në hollin e Bashkisë së Elbasanit nga i ndjeri Emin Haxhiademi, Sazan Xhomaqi e dhjetra të tjerë… Dhe thuhej se me këto kocka do të ndërtohej një varrezë e merituar përkujtimore për të vrarët e pushkatuarit të mendimit ndryshe… Do të ngrihej?! Nuk jam i sigurt se sa metaforike është kjo sepse nga një plagë e lehtë sigurisht që do të mendoja më shumë e më thellë për gjakun e dalë nga këto kocka. Për gjithçka më të thellë, deri tek Përmendorja! Unë do të lejoja të rritej i plotë kujtimi i tyre, trupi i tyre, ringritja e tyre, si mëlçia e Prometeut, pa trauma, apo kujtesë. E megjithatë, në kyçin e dorës, mushkonja rritet e kuqe, por nuk mund ta arrijë substancën time. Megjithëse askush nuk mund të thotë se është e pamundur të ringrini në jetë me të vërtetë dikë, edhe mes kësaj mundësie të mbetur tek kocka!


II


Dhe kocka vazhdon të prodhojë të tjera dhimbje. Diku ka shënuar tjetër metaforë edhe në kërkimet e tilla që u shuan. Nuk dihen adresa. Nuk dihen emra. Dihet vetëm ikja… dihej se Ai/Ajo ka vdekur. Oh, e varfëra, Marie! Ajo ishte kocka! Kocka! Kocka! Kocka! Kocka! Ata, varrosësit, po aq dhe zhvarrosësit thoshin se toka po rrezatonte ndryshe atje, duke u dridhur nën këmbët tona. Trupa të lavdishëm. Skeletet e shndritshme po notojnë në tokën që shkëlqen. Mistere! Amanete! Flasin, dhe thonë se e dashuronte jetën.... Dhe jeta, i mbeti mënyra se si ata e lidhën në një zinxhir të tillë pa domethënie. dhe e kërkuan nga kocka. Dhe e kërkojnë ende tek kocka. Kush është? A je Ti? Por nëse nuk je më ti atëherë kush është? Kush i lidh ende të gjitha këto? Ata thonë se skeleti i Abélard hapi krahët për të përqafuar kufomën e Héloïse dhe do të kishte grushtuar ndonjë tjetër… Do të kishte grushtuar! Dhe grushti është dhe duhet të jetë Kombëtar!


III


Kockat janë gjithmonë kombëtare, trupi një fetish atdheu, tha një herë poeti i kafshuar për vdekje nga rregjimi, 'Nëse do të vdisja, mendo vetëm këtë për mua - se ka një cep të një fushe të shkelur me këmbë të tilla, që është përgjithmonë në Shqipëri. 'Hej, Njeri! Njeri, hajde dhe më shih dhimbjen e kockave në sy! Shikoje rivarosjen…, timen, tënden… të të gjithëve.


IV


Po pyes pse emri i Panjohur i Kockës nuk mjaftonte për të rivarrosur vetveten e saj kockore. Ia vura emrin Marie. Marie është një emër i bukur. Është vetë Hyjnore, si zonjat e veshura nga vullnetarizmat dhe taksat tona në vite e vite. Po, kur shoh emrin tënd të kapur ashtu, të kufizuar në një listë, shoh mishin që fillon të rritet mbi të, damarët, dhembjet, gjakun, emri i saj ka kthesa dhe kocka të gjera, pothuajse mund ta shumëfishosh në Parajsë. Pothuajse Gjaku rritet në rend të numrit përkatës, që sheh dhe qesh edhe me Remarkun e numrat e tij. Aty u ngul një Flamur…


V


… një flamur po shpaloset, flladit, trupi i lavdishëm ngrihet! Aty nuk bekohet vetëm një kockë. Një kalë i kuq ecën nëpër mish, brinja rritet dhe forcohet.

27 views2 comments

Shkrimet e fundit