top of page

KLLOGJER DËSHMI E EGËRSISË SË ORTODKSISË BIZANTINE GREKE



Në Kllogjer më 6 TETOR 2019.

Nga Fahri Dahri

Sigurisht më kujtohet ky vend, ose të jem më i qartë, më kujtohet se në fëmijërinë time kisha kaluar në këtë pllajë, por nuk e dija që quhesh edhe Kllogjer, deri vonë e njihja me emrin Xarrë.

Në parantesë: Kllogjeri është një pllajë ose më saktë një kullotë e gjërë në Bashkinë e Konispolit. Nga biseda me djalin tim, i cili na e bëri “dhuratë” këtë rrugëtim aq të dëshiruar, nga që unë e përmendja shpesh, sidomos kohët e fundit, u përqëndruam edhe në kuptimin e emrit “Kllogjer”, nga ku djali bëri një zbërthim gjuhësisht të pranueshëm. Ky diskutim lindi mbasi në takimin tonë me një konispolat, i cili në bisedë e sipër kur ne i treguam se kaluam andej nga Kllogjeri, tha se nuk e dinte kuptimin e emrit- Kllogjer. Ne qeshëm dhe në mes shakave i thamë se emri Kllogjer, nënkupton “kullotë e gjerë”: Spjeguam gjithashtu se në dialektin thesprot-çam, fjala kullotë, shqiptohet kllotë, pa zanoren “u”, pjesa tjetër është fjala gjer, pra: Kllo-gjer= kullotë e gjerë. Këtë të shprehur e ndeshim edhe në rastet kur themi: kullon gjak = “kllon gjak”; apo kullon djersë = “kllon djersë”, etj.

Afro 75 vite më parë, të gjithë banorët e Çamërisë së sipërme, gjatë 15 - 25 gushtit 1944, të ligështuar, të uritur, të sëmurë me plagët e pleqërisë dhe plagët e shkaktuara nga dhuna e ushtruar prej zervistave kanë kaluar, shumica e tyre në këtë rrugë. Pjesë e asaj turme isha edhe unë 6 vjeç e gjysëm bashkë me tre prinderit, katër motrat dhe vëllain. Familja jonë në kapërcimin e kufirit përbëhej nga 9 veta. Më pas nga kalimi i kufirit, pikërisht në këtë zonë na vdiq motra e vogël 11 muajshe nga uria. Siç dihet tashmë, në këtë pllajë ishin të shumtë njerëzit që nuk arritën të vazhdonin rrugëtimin për ti shpëtuar “kanibalëve të ortodosisë greke”.

Ky vend është vendi simbol, i mbi 2,770 banorëve çamë, nga të gjitha moshat, të cilët lëshuan frymën e fundit të jetës së tyre, u mbuluan me dheun e Kllogjerit, i cili ka mbi 10 vjet që është kthyer në pelegrinazh për të gjallët që shpëtuan dhe vazhduan rrugëtimin, por dhe për pasardhësit e farë-fisit çam, që nderojnë me respekt të parët e tyre dhe mban të gjallë trashëgiminë e fisit më të vjetër të Gadishullit të Ballkanit.

Le të kthehemi tek qëllimi i udhëtimit tonë Tiranë, Sarandë, Kllogjer, Qafë Botë, Konispol dhe kthim.

I lindur në Çamëri, para vitit 1944-1945, dëshmitar okular i masakrave ç’njerëzore dhe dëbimit të dhunshëm i të gjithë banorëve myslimanë të prefekturës së sotme greke të Thesprotisë, duke u bazuar në dy shkaqe dashakeqe të palës greke:

- të qenurit myslimanë dhe jo ortodoksë, sipas strategjisë së “MegalloIdesë” për të bërë të mundshme helenizimin e territorit të Çamërisë, e cila asnjë herë dhe në as një kohë nuk ka qenë territor grek, dhe as e helenizuar deri para vitit 1913 dhe,

- qenia e territorit të Çamërisë, vahzdimësi e territorit të Shqipërisë etnike, ishte dhe mbetet një ankth i përhërshëm i qeverive dhe kishës Greke, fakt i cili ka trazuar dhe trazon keqas mbarështimin e helinizmit në Epirin e kaonëve, thesprotëve dhe mollosëve.

Ngarkesat e ndryshme historike të cilat ndodhin në jetën e çdo njeriu, sigurisht të ndryshme, jo të njëjta dhe as të plota (sepse jo të gjithë arrijnë të kapërcejnë të tetëdhjetat apo të nëntëdhjetat), sepse jo gjatë gjithë jetës kanë intensitet kujtues, por intensiteti kujtues, shpeshtohet pikërisht kur moshat “thyhen”. Është ky fenomen që më shtyu për të kryer një rrugëtim, i cili sillte në kujtesë udhëtimin e para 75 viteve, ku turmat e njerëzve shpresë humbur ecnin drejt të panjohurave.

Natën e të shtunës e kaluam tek nipi, djali i motrës në Sarandë. Në mëgjes morëm udhën për të plotësuar qëllimin tonë. Me ne erdhi edhe nipi, por në një lokal, pa dalë nga Saranda ku pimë kafen, na u afrua një person, ai përshëndeti italisht. E takuam dhe e ftuam të ulej me ne. U prezantuam. Djali i tregoi për udhëtimin që do bënim si dhe shkurtimisht arësyen. Ai u ndje i qetë dhe shfaqi dëshirën të ishte pjesë e udhëtimit. Kështu ekipi ynë prej 4 vetash nisi rrugën e qëllimtë. Mbasi dolëm nga Saranda, zbritëm në Gjashtë, vazhduam rrugën e drejtë dhe mbas 20 minutash u ngjitëm kodrave në drejtim të Konispolit.

Bisedat në makinë ishin të përqëndruara rreth ngjarjeve të viteve 1944. Djalit i duhej ta njihte shoqëruesin italian me ngjarjet e viteve 1944-1945, për të cilat mua nuk më “pushonte” goja. Damiano, kështu quhej italiani, jo vetëm që habitej, por nuk arrinte të kuptonte që shteti Grek të kishte kryer një gjenocid fetar dhe etnik, akoma më keq vazhdon të mos pranojë ta njohë, të pendohet, të kërkojë falje duke rikuperuar sa më shumë të jetë e mundur. Ai shprehu keqardhje edhe për BE-në e cila qendron indiferente ndaj një masakre makabre dhe që nuk ndërhyn për zgjidhje, brenda të gjitha të drejtave ndërkombëtare.

Makina ecte në rrugën me kthesa, sipër fshatit Xarrë dhe më pas ndaloi. Zbritëm nga makina. Djali, i cili kishte qenë edhe herë të tjera në këtë vend bashkë me shumë vizitorë në përkujtim të datës simbol të 27 qershorit 1944, na tha se arritëm tek përmendorja e “Gjenocidit ortodoks grek ndaj banorëve autoktonë të shqiptarëve të besimit mysliman të Rajonit të Çamërisë”.

Ja, erdhi kjo ditë që unë, dikur një fëmijë i trembur, i tromaksur, i hutuar, që nuk kuptoja se ç’farë po ndodhte, të rikthehem në këtë vend, por tashmë një i moshuar, ku kanë kaluar 82 vite jete, me ngarkesa pozitive dhe negative, i kompletuar me ndodhira të shumta, të ndryshme dhe me horizonte të mjaftueshme për dijet lidhur me historinë, gjeografinë, etninë dhe identitetin tim dhe të farë e fisit thesprot-çam.

Jo vetëm i paisur me informacion pothuaj të plotë për trevën e Thesproti-Çamërisë dhe trashëgimisë së prejardhur nga lashtësia e hershme e deri në ditët tona, por dhe me ndjenjën e një kënaqësie të brendshme për arritjen e të shkruajturit në disa libra gjithçka që kam përjetuar dhe për gjithçka që kam arritur të informohem. Nëpërmjet hulumtimeve dhe gjurmimeve të shumta në shkrimet e autorëve të ndryshëm, dhe dokumenteve të kancelarive ndëreuropiane etj, ku janë trajtuar ngjarjet e shumta tepër agresive, të vazhdueshme dhe prej disa lloje pushtuesit të egër, të pamëshirshëm gjatë gjithë dymijëvjeçatit të erës sonë, sidomos dhe kryesisht ndaj” FARËS” së fisit thesprot-çam. Mbasi zbritëm, me hapa të ngadalta dhe me kërshërinë e ligjshme për ta parë dhe ballafaquar me këtë vend, simbol i shëmtisë dhe marrëzisë njerëzore të etur për ekspansion pa kufi të helenizmit, nëpërmjet shfarosjes së popujve që nuk janë të besimit ortodoks grek dhe as që e flasin ndonjë fjalë greqisht, u përfshimë nga një heshtje, ashtu sikur po ecnim nëpër varrezat e sapo ndërtuara, ku nën këtë dhé të Kllogjerit dergjeshin prindër, motra, vllezër, fëmijë, lindur në dhéun mat’anë kufirit “Shqipëri-Shqipëri” të para vitit 1913.

Pasi u futëm brenda terriorit të simbol varrezave (po e quaj kështu) të atyre njerëzve (me mosha dhe gjini të ndryshme) të cilëve ju shua jeta si shkak i torturave, sëmundjeve lënguese, urisë dhe marazeve, u afrova tek faqja e “mermertë” ku ishin shkruar emrat e disa prej atyre 2,770 frymëve, që kanë 75 vjet që prehen në nëndhéun e kësaj zone. Zonë e cila do mbetet e përjetshme në kujtesën njerëzore si strehë e mbi 10 % të banorëve të rajonit të Çamërisë, të cilët u viktimizuan nga agresorët grekë të besimit ortodoks. Një nga këta, që fryma e jetës u ndal në këtë rajon, është edhe motra ime 11 muajshe e quajtur Habibe, halla e djalit dhe tezja e nipit që më shoqërojnë!

Sigurisht, pa asnjë mëdyshje, kjo permendore apo memorial është në vendin e duhur, është një tregues tepër kuptimplotë i cili i shërben dhe do ti shërbejë si një histori tepër e dhimshme, shoqërive njerëzore; gjithashtu si kujtesë e ligësive dhe e egërsive të atyre popujve që shpirti i tyre është inspiruar për të vrarë, masakruar dhe dëbuar nga shtëpitë e tyre popujt e tjerë të racave, etnive dhe të besimeve fetare që nuk i nënështrohen dhunës për tu bërë si ata.

Të katër sa ishim, në mënyra të ndryshme përjetuam dhimbje, keqardhje dhe habitje se si mund të quhet e pranueshme dhe e njerëzishme një kasaphanë, një masakër e përmasave të tilla, ku mbi 30% e banorëve autoktonë të vritet, të theret, të vdesin nga torturat, uria dhe të ftohtit. Po ashtu dhe pjesa tjetër 70% e këtyre banorëve autoktonë të një rajoni të tërë të dëbohet dhunshëm nga vendi i tij, brenda një kohe të shkurtër vetëm e vetëm sepse nuk u nënështrua të pranonte besimin ortodoks. Si rrjedhojë të këmbenin në tregun e ndërrimit, kombin e tyre shqiptar me atë të kombit ortodoks grek, për të përbaltur identitetin dhe trashëgiminë e tyre të hershme aq sa dhe vetë të parët e tyre pellazgjikë. Jo. Kjo nuk mund të ndodhte dhe as nuk ka për të ndodhur!.

Të ulur në bordurat e këtij memoriali, na tërhoqi vemendjen një element fare i thjeshtë, i cili i mungonte këtij investimi të madh, që siç është lexuar në shtypin e kohës, arriti vlerën e rreth 7 milionë euro. As në portën hyrëse, as në “ballin” e fasadës së mermertë, ku janë shkruar emrat e shumë njerëzve për të cilët është ndërtuar ky memorial, nuk është cilësuar dhe as shprehur me shkrim se për ç’farë është ndërtuar memoriali, kujt i dedikohet, ç’farë përfaqësojnë këta emra e mbiemra njerëzish, ku kanë lindur, pse janë “groposur” në këtë vend?!.

Po ashtu na u duk një e gjetur jo e duhur edhe vendosja e një pllakade me mbishkrimin “Çamëria”. Kjo pllakë ishte vendosur bashkë me disa gurë, sigurisht të përpunuar, që mesa duket simbolizojnë varrgropat e gushtit 1944 brenda një rrethi, në të djathtë të memorialit. Pllakada me mbishkrimin “Çamëria” nuk mund të qendrojë e vendosur në atë pozicion, me arësyetimin dhe të vërtetën e pamohushme se Çamëria nuk është varrosur, ajo është një rajon gjeografik me histori më të parë se të parat dhe me banorë që vargduarlidhur ata shtrihen deri tek banorët më të parë të Gadishullit Ilirik (sot Gadishullit të Ballkanit).

Të habitur vështronim njëri-tjetrin dhe bashkëbisedonim, se si është e mundur që kjo vepër artistike, me vlera tepër të mëdha historike dhe humane, treguese e një gjenocidi të pa shoq, të mos ketë as “emër dhe as mbiemër”?.Të jetë harresë, nuk mund të pranohet! Të jetë pakujdesi, nuk justifikohet, sepse këtu çdo vit vijnë të organizuar mijëra njerës, pasardhës të këtyre emrave të renditur në këto pllaka të mermerta dhe patjetër dikush do ta kishte këkuar këtë kryefjalë, këtë mbishkrim, sepse edhe në çdo varr, qoftë dhe i thjeshtë e ka një mbishkrim!. Atëhere ç’të ketë ndodhur vallë?!.

Frikë?, Trysni? Kanosje apo Kusht?. Le të mos paragjykojmë, por kryesia e SHPAÇ të marrë masa urgjente dhe të shkruajë epitafin (mbishkrim përkushtues në ato pllaka mermeri): “Këtu dergjen burrat, gratë, vajzat, djemtë dhe fëmijët, të cilët vdiqën si rrjedhojë e gjenocidit grek ndjaj banorëve autoktonë të Rajonit të Çamërisë gjatë vitit 1944-1945”. Ndërsa pllakadën me mbishkrimin “Çamëria”, ta heqë nga “varrgropa” dhe ta vendosi në hyrjen e memorialit, atje sipër, ku shikimi e kapërcen “Qafë-Botën” dhe pamja arrin deri në malin e Dulgës ku vazhdon që nga prehistoria derdhjen lumi Thyamis (Kalama) në detin Jon.

Mbasi shetitëm këtë vend përkujtimor, morëm rrugën drejt “Qafë-Botës”, sot pikë kufitare mes shtetit Grek dhe shtetit Shqiptar. Qëllimi i shkuarjes sonë, nuk ishte pika e kufirit, por sepse plot 75 vite me parë, konkretisht më 15 gusht të vitit 1944, pjesa më e madhe e banorëve çamë të dëbuar dhunshëm nga vendlindja e tyre, ku bënte pjesë dhe familja ime kanë kaluar këtu, në këtë vend dhe u shpërndanë sipas familjeve nën hijet e ullinjëve të fushës së Vasilikoit. Të lodhur, të raskapitur, të mërzitur deri në palcë, fuqipakët, të uritur, të etur dhe mendje “çorap”, familjet zunë vende nëpër hijet e ullinjëve.Të gjithë më të mëdhenjtë “vrisnin” mendjet; ndërsa pyetja dithëruese: “Po tani ç’farë do të bëjmë?”, ndiqte ritmin e pulsit, nervit që dukej tek tëmthtat e kokës. Hë!. Ç’farë do bënin në mes të tokës dhe qiellit, kur të sëmurët lëngonin, fëmijët qanin për ujë e bukë. Vërtet në tokën e Shqipërisë, jashtë rrezikut vrastar ortodoks grek, por ata, prindërit dhe të gjithë ne ishim përpara kanosjes vdekjeprurëse.

Nejse, e lëmë përshkrimin e asaj situate dramatike. Duke treguar gjendjen e familjeve çame të asaj periudhe, vendosa t’ju rrëfenj treshes që më shoqëronte një të vërtetë, të cilën për 75 vite e kam në kujtesë të plotë, por të pa kuptueshme.

Pikërisht nga ky vend që është bërë kjo foto, u tregova se mbasi familjet çame ishin shpërndarë nëpër hijet e ullinjve të Vasilikoit, që siç u tha ishin në pikë të hallit, nga sipër fshatit të Konispolit, lart nga mali i Likojanit, dukej vargu i partizanëve të cilët ecnin nga jugu drejt veriperëndimit dhe hera herës dëgjonim krisma pushkësh. Një plumb arriti deri tek tepsia e gjyshes time, e cila e kishte vënë për mbrojtje. Plumbi goditi tepsinë dhe ra përdhe, forca çpuese ishte e dobët; ndërsa një tjetër plumb qëlloi festen që mbante në kokë vëllai im, e çpoi atë tej për tej, por fatmirësisht vllai nuk pati asnjë dëmtim. Në kodrat nga perëndimi, më poshtë nesh, rreth 4 -5 km dhe gjatë bregdetit po kalonin kollonat me ushtarë gjermanë të cilët iknin dhe iknin.

Familjet tona, kuptohet ishin në mes të hapësirës, larg pozicioneve të të dyja forcave, asaj partizane dhe gjermane. Megjithatë hera-herës plumbat e ftohtë që vinin nga mali në verilindje të Konispolit, na shoqëronin me nobete (ndërprerje) nën hijen e ullinjëve.

Më pyetën pse ndodhte ky veprim, por unë atëhere isha i vogël dhe nuk kuptoja asgjë, por edhe sot që po u a tregoja atyre, përsëri nuk arrita t’ u a spjegojë këtë “pse” me “sepse-në”?!.E lamë edhe Qafë-Botën dhe u nisëm drejt Bashkisë së Konispolit, bashki e cila përfaqëson një pjesë të së tërës Çamëri.

Të shkuarit në Bashkinë e Konispolit, ishte e planifikuar dhe, me atë vend përfundonte udhëtimi ynë nga ku do të fillonte kthimi drejt nisjes. Qellimi i shkuarjes në Konispol, nuk ishte thjeshtë i rastësishëm. Konispoli dhe 7 fshtrat (Janjari, Ninati, Markati, Vërva, Shalësi, Pandalejmoni,Dishati) sikundër u përmend, kanë qenë dhe mbeten pjesë e pandarë e rajonit të Çamërisë dhe dikur (para 1912 dhe edhe deri në vitin 1942) nëpërmjet kësaj qyteze mbaheshin lidhjet vllazërore, kulturore dhe shpirtërore mes banorëve të të dy anëve të kufirit. Kështu duke vizituar Konispolin, tashmë i mirëfilltë si qytet, personalisht ndjeja aromën e vendlindjes time, e cila siç thashë, vështrohej me lehtësi nga këndej.

Megjithatë e shoh të arësyeshme të jem transparent me lexuesit. Shpesh në këto raste disa njerëz shprehen për nostalgji, apo për “obobooo-ç’na ka gjetur”, apo “oh kujtimet tona”, “oh të shkretat pasuri” e tjerë, etj. Jo. Nuk ishte ky qëllimi im i vizitës në atë qytet.

Gjithë njerëzit janë të “mbërthyer” nga një shumës vesesh, ndërgjegje në masa të ndryshme, po ashtu përgjegjshmëri të plota ose jo dhe së fundi të gjitha këto veprojnë brenda ekzistencës së çdo njeriu, me përmasa ku më shumë e ku më pak.

Unë, le ta themi haptas përfshihem tek ata njerëz që priren më tepër drejt përgjegjshmërisë dhe ndërgjegjshmërisë ndaj së vërtetave, të ndërlidhura këto në vartësi të kohës dhe mundësive, pa harruar asnjë herë kujtesën për çka ka ikur, jo për dje apo për pardje, por për ikjet historike.

Me qënë se shkrimi erdhi në këtë çështje, që njihet si: "Çështja Çame", personalisht më duhet të bëj një sqarim apo spjegim, gjithmonë në konceptimin tim të kësaj Çështjeje. Çështja e shumëdiskutuar në vazhdimësi gjatë këtyre 75 viteve, herë e ndezur, herë e shuar, herë e ngritur si çështje dhe shumë herë e heshtur; nuk duhet kuptuar thjeshtë si një ngjarje ku një shtet i tërë, i cili vuri në lëvizje të gjitha strukturat apo hallkat e tij, për shkatërrimin e plotë të një komuniteti i njohur historikisht si një etnitet unik dhe i shtrirë në një hapsirë territoriale fort mirë të përcaktuar. 

Jo. Kjo nuk ka shumë rëndësi për tu ndalur dhe komentur, mbasi forca ushtarake, forca e diktatit ligjor shtetëror, teknikat luftarake dhe administrative të një shumice absolute, mbi 350 herë më e shumtë se një grup i vogël komunitar dhe pa asnjë mbrojtje dhe miq, nuk mund të vihen në ballancë, apo të bëhet karshillëk. Dihet fiton më i forti, më i ligu, më çnjerëzori, më ekspansionisti i cili mbrohet dhe ndihmohet edhe nga shtetet e tjera, kjo është e qartë dhe qenia përpara këtij fakti nuk mund të sigurojë përballje me 'të dhe akoma më shumë për të pretenduar për fitore. Jo. Do ishte një mendim donkishotist, pra jashtë realitetit. 

Gjenocidi grek ndaj shqiptarëve myslimanë të Çamërisë nuk ishte rrjedhojë e dy luftimit mes tyre, jo nuk ishte e tillë. Ajo ndodhí, me masakra të pa dëgjuara, ishte e njëjtë me rastet kur një kope ujqërish futen brenda vathës së deleve. Dihen rezultatet, kopeja e ujqërve nuk lufton me delet, por i shqyen ato!.

Në të vërtetë shqetësimi dhe shpresa se një ditë, ajo që sot njihet si "Çështja Çame" do të fitojë, nuk argumentohet tek forca e çdo llojshme, por tek vetëdija e shoqërisë greke dhe ajo ndërkombëtare, të cilët mbasi të bëhen të ndërgjegjshëm se krijimi i "Çështjes Çame" erdhi si shkak i përndjekjeve të një populli si rrjedhojë e një etnie dhe besimi fetar ndryshe nga ajo e shtetit ortodoks grek, do të realizohet ndreqja nëpërmjet pendimit, faljes dhe shpagimit. Veprime këto që do të nivelohen dhe do të pranohen në një kohë të caktuar, në një civilizimi të një shkalle të lartë humanitare të shoqërive njerëzore, që do detyrojnë shtetet të heqin dorë nga zinxhirët e racizmave etno-fetare.

Shënjat për mposhtjen e antikrishtit nga shoqëria mbarë njërëzore kanë filluar të jenë të dukshme. Rezultatet e vrasjes së antikrishtit do të arrihen nëpërmjet “VETINGUT”, ku do të gjykohen qendrimet e çdo shteti ndaj plotësimit ose jo të zbatimit të të Drejtave Universale të Njeriut.

Kështu e shoh ecurinë e zgjidhjes së pengesave absurde, pra, nëpërmjet ç’prangosjes së  pandërgjegjshmërisë dhe papërgjegjsjmërisë të popujve që ende vazhdojnë të jenë pré e strategjive ogurzeza të perandorive të shkuara.

Arritëm në Bashkinë e Konispolit. Përpara u ndeshëm me sheshin e rindërtuar, i cili i jepte vërtet një pamje të këndshme qytetit. Nuk thonë kot, nëse do të zbulosh me cilin ke të bësh, shikoji punën dhe jo gunën.

“Mirëse vini-Welcome”.

Kjo ishte tabela e vendosur në mes të sheshit kryesor.

Tiranë, më 23 tetor 2019.- Fahri Dahri



37 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page