top of page

Kitara e dashurise


Sërish o mike telat, plogështuar

Të kitarës së vjetër, hedhur në skaj,

Ca tinguj të këngës sonë të harruar

I trokitën vjeshtës në thinjat e saj.

Vrapin pa e ndalur jeta cigane

Shpërfilli kitarën e dashurisë,

Sa gënjeshtare kjo botë shtrigane,

Na shtyti në lumin e pabesisë.

Mos, ju tela të mdryshkur, zvetënuar,

Kitarë mëkatare e rinisë!

Në vjeshtën thinjoshe pse i penduar

Të afroj kufirin e pleqërisë?

U përballëm mbrëmë valës bredhare,

Koha të kish pluhurosur edhe ty,

Veç, si atëher, nënqeshja lodrare,

Bukur të rrinte në buzë e në sy.

Për një çast u fshehën koha dhe jeta,

Anëdetit, në muzg vetëm ne të dy,

Vitet ndalën kalërimet e veta,

Po mbrëmja pragun kish zbritur aty.

U kthyen sërish koha edha jeta,

Lungomares të shëtisnin pakufi,

Hyri dhe muzgu në konturet e zbehta,

Tejmbrëmjes rrëshqitëm unë edhe ti.

Pa mëkati , i largët, i mërguar

Edhe gjumin ma pat nisur në mërgim,

Trokth' i ri me pendimin kalëruar,

Këngën e vjetër i zgjoi shpirtit tim.

Të dy të lirë, si fllad i qetuar,

Marrinë vite larg, e lamë atje,

Tejvjeshtës, si lirishtë e praruar,

Kitarën lëneshë ta bëjmë të re.

Pajtim Xhelo

77 views0 comments

ความคิดเห็น


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page