top of page

Karakaftja



Tregim nga Fatmir Terziu


Poshtë fare poshtë në një lëndinë. Në zhurritjen e rrënjëve paqtore të drurit shekullor kanë ngritur kryet mes luleve të tjera (të harruara nga ujitja, po aq nga Natyra, nga shiu e lagështira) disa trupshpërthyes, trupndryshëm, inatçorë, mëkëmbës, të patërheqshëm, të pandreqshëm. Kryeneçen bojallesha, ngjyrëqesëndie dhe më syjnë në hapësirën e lirë. Një skenë filmi horror. Sytë depërtojnë, aq sa mund të bëjnë një detyrë kureshtare. Një detyrë të tillë, thjesht si detyrim sysh në dritë të endrrës. Dhe ndjejnë se si një heroinë shpëton mes errësirës tipike. Dhe pastaj sytë sikurse ndodh me sytë teksa hapen dhe dalin nga ëndrra në dritë. Lotojnë! Lotojnë ... për një lule tipike ngjyrë të kafte, me emrin e ngjizur Karakafte?!

Gjithçka është akoma atje, përveç frymës së saj të përtëritjes dhe erës së largët, që e ndiqte. Përveç asaj që e quanin dhe quhej lëvizje. Nuk lëviznin më flokët. Nuk lëviznin më minifundet e saj që i ndërronte përditë. Por nuk e besonin më sytë. Sytë si sytë, nuk e besonin as atë ditë...

Karakafte!

Asnjë zhurmë nuk dëgjohej, përveç rënies së lehonisë së Shkurtit shtatëmendësh, që herë derdhte ndonjë pikël të harruar dimërake, e herë zbraste me simfoninë e tij dështake, ndonjë flokëz si qasje imitimi të asaj që shkonte tutje. Quhej ende bardhësi. Nuk ndihej asnjë frymë dhe spontanisht edhe fryma e tjetrit i ngjizej shgulatjes së drithërimës frikanake të drurit të thuprës në dritë të hënës.

Trupi i saj depërtonte dhe ftohej në atë depërtim në mbrojtjen e një derdhjeje të vetme që afshohej në aromën e barit të prerë. Nga balli i tensionuar, dukej se nga momenti në moment po lehtësoheshin vijëzat e bardhësisë, që kalonin në ngjyrim tjetër dhe sytë e lodhur shkonin e pikëtakonin më afër qetësinë. Qetësinë! Të vetmen, ndoshta si mirënjohëse të pashprehura për të marrë një moment paqeje.

Një goditje e pamenduar e ktheu paqen aq të kujdesshme në atë fund me kërcitjen e përthyer të degëzave që yshtnin ullishten tashmë nën batanijen e tij të fraqtë. Shtresa e braktisur nisi të pranonte vetvetiu habinë, pasi sytë e egërsuar nisën të hidhen hamendësisht drejt një barrikade të errët.

E errët sikurse janë të gjitha drudendjet, e që dikush i quanin ullishte të fryra. Edhe pse ai quhej me vite Kopësht. Kopësht me të gjitha arsyet si i tillë. Me lule, me zogj, me qenër e buba të vegjël, që shkundnin veglat e tyre herë pas here në ftesat e paftesat e natyrshme të privacisë. Aty ishin edhe pjesët e justifikuara të shtesës përrallorë ndanë Ullishtes, që përbën atë vend të mbushur me drunj gjithëfarësoj, pra të Kopshtit. Bustet, natyrisht ishin midis të gjithave të zjarrtave, erotizmave, nudizmave dhe mes atyre që kishin mish të ftohtë. Të tjerat pjesë, ishin të pajustifikuarat.

Pjesët e pajustifikuara të mbushjeve të Kopshtit, pikërisht në atë rast, zinxhirën një xhaketë të turbullt, ndërsa ajo përpiqej të qëndrojë në një kënd të vetin, në atë kënd që ndoshta e rrokte vetëm syri.

U dëgjua një grindje, një trung i zhveshur. Pastaj trungje.., trungje... shushurrima e përpëlitje.

Për të dështuar se e gjitha ndodhte në një dru të brishtë, u vu në shërbim hapësira e syrit teksa sfidonte trupthat që në raste të tilla kërcejnë, trembë-trembë, ose skelet-dorë-këmbë me një piskamë që shpërthen nëpër muret e zhurmshme të derdhura me material të ftohtë, të vendosur për të deklaruar atë dihamë të dalë, si një piskamë e përshpirtjes së fundit të një shpirti të lodhur si të saj.

Era kapte dhe godiste çdo vrimë që mund të gjente ajo dhe syri në atë mori trungjesh përcjellës.

Filloi të fërshëllejë rreth pamjes së zbehtë, si një tornadë e gëzuar që kishte tashmë një mision të pashkruar për të kërcënuar edhe nga pas mureve të asaj Kalaje, që vite e vite më parë kishte pritur e përcjellë kuajt e kalorësit e Egnatias.

Lëkura e pishave, nisi të ulet, tani ishte koha që syri të harpallej. Harpallej syri i lodhur dhe lutej në padashjen e atij shikimi, në pasnajën e asaj skene. Dukej si një kampionat lutjesh. Lutesh e gjithë ndjesia, e gjithë hapësira, madje dhe e pandjeshmja.

Ndjen se nuk ka pushim për një kampionat të tillë lutjesh. E ata shkojnë përtej kambanave të Kishës së Kristoforidhit. Kamera ngadalë tërhiqet nga vrima e copëtuar, dhe shtyhet të zëjë vend siluetë mbi pamjen që zbret si në një pyll për t’u përballur me hënën në rënie të qetë mbi Shkumbin.

Heroi hedh tutje siparin e shpatës, i fundit dhe dorëzohet me britmat e zhurmshme në një gropë shumë më poshtë dhe akoma më poshtë se ajo që ndodh nga jashtë kornizës. Është tashmë „Kara“. Dhe lulja i qëndron në krah. Ai tashmë i ka plotësuar të dymbëdhjetë kushtet për të qenë lider ushtrie. Ai është Kara Mahumd Pasha dhe aty pranë i qëndron ajo, pikërisht lulja, e ai e quan tashmë Karakaftja. Udhës nga Martaneshi i thanë se ishte lule “sy zeza”, por ai e sheh me syrin e tij. Kaftja ishte shtysa e ngjyrës në sytë e tij, e kadiftë ishte mbulesa e vajzës që e bëri të çmendet në Elbasan. Ai e kishte lexuar udhës së tij të gjatë ushtarake mitologjinë greke dhe Hermesin si mesazhier të hyjnive donte gjithnjë ta imitonte. Lulja „sy zeza“ që rritej poshtë hijes së ullinjve dhe në ballë të diellit, ishte lajmëtarja e hyjnive te pranverës. E ai tashmë ia kishte vënë syrin. E syri i dorëzuar mbi të po i mbyllej…

Mbyllja e syrit është dhe s’është e vetme. Një ekran me grimim të zi shpërpërit. Miska pafund në hapësirë, me perde të bardha të ndritshme. Janë ngadalë duke u ngjitur lart, ku shkruhen lutjet. Zgjimi është tashmë një përrallë. Një përrallë që pret të ritregohet më 14 shkurt të vitit ... me dy buzë palë binjakërisht dhe një shpërngulje e gjallë në të bardhë. Mbi të thuhet se shkruhen dhe lexohen fate. Mbi të … Emrin e ka thjesht Karakafte. Është lule që të përhumb. Të shkund. Të shkund … është Karakafte, lule e bukur elbasanase. Lule që të përhumb… Dhe ti nuk nuk kërkon të zgjohesh. Nuk mund të zgjohesh… por ja që është ajo që ndodh në raste të tilla gjithkund: Fund?!

53 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page