top of page

KALËRON DRINI I ZI



(Poemë)

Ahmet Prençi


Tel sharkie Drini i Zi

Temperohet buzë Strugës,

Mbi nëntë male, me nëntë krushq

Si një zanë zbret në Kukës.


Herë si zanë, herë si gjyshe

Lidh e zgjidh shaminë si shkronjë,

Pranverë, vjeshtë grua shtatzënë

Dimër, verë si një lehonë.


Dibër e Madhe, Luzni e Muhurr,

Fushë Alie, Dardh e Reç;

Kalëron në fushë e male! -

“Plast si krypa Syri i Keq!”


Kalëron si një dori

Si doriu kuq e zi,

Që mbledh zalle e përrenj,

Siç mbledh flaka prush dhe hi.


Çelet porta në Miresh,

Një dritare në Skavicë,

Vala jote magjiplotë

Edhe terrin e bën dritë.


Vala jote si një ninullë

Si një gjeth’ e si një fjalë,

Tungjatjeta është në udhë

Besë e nder e faqebardhë!


Zall-Sopot, Murrë e Mallë,

Bicaj, Luma, Veleshicë,

Zbresin si qingjat manar,

Në gjunjë ulen e pijnë sisë.


Velivar, Korab, Gjallicë

Runjë, Kurorë, Lajthizë e Dhoks

Roje rrinë nëpër bedena

Ndaj dhe nata s’të terr dot.


Jetë e dritë magjiplotë

Vala jote krejt flori,

Lum si ti nuk paskam parë,

Kaq bujar, i lumi ti!


Ngrihet’ ulet vala jote

Kurmi yt një simfoni!

Herë si ninullë përkund djepa,

Herë ciklopi me një sy!


Në kanata vizatimi

Pikturoj Drinin e Zi

Valë ëndrrash mbledh në grushta

Kodra, male ngjyrë gri.


Ja një prehër, dorë nëne

Dhe një ëndërr e një vajzë,

Ja një fjalë mirësie

E në gjoks çelur një plagë!


Ja një re, një shkreptimë,

Një shi vjeshte, një rrasë varri,

E një letër krejt e zverdhur

Zverdhur, djegur nga nizami.


Ja pëllumbi, pëllumbesha

Nduken, puthen gjithë zjarrmi!

E në brigje pikon streha,

Streha ime veç për ty!


Kur në valle dredh shaminë

Dhe qeleshen hedh mbi sy,

Dhëndërr shik dhe i qeshur

Nur e gaz ky Drini i Zi!


Dhëndërr, nuse për konak

Ngjeshur mes dy vargmalesh,

Si jaran nuk ka të dytë

Sarahoshi në mes valësh!


Vjen si ëndërr, shtojzovalle,

Erë puhizë e fllad lëndine,

Thur çorape e sargi,

Si një mall për nënën time!


Për mua jelek dhënduri,

Për motrën vello ari,

Për të mbjellat ujë si qumësht

E për gjyshin një plis varri!


E për shokë, shtegtarë dhe miq

Derdhesh, shkrihesh si sheqeri

Nëpër male, nëpër fusha

Me shtatë ngjyra si ylberi.


Që kur linda e u rrita

U përkunda bashkë me ty,

Nëpër shtigje, nëpër zalle

Gjith’ me afsh e dashuri.


Ngrihem, eci, ulem shkruaj,

Të dy bashkë si dy sozi,

Jam i bëri, jam i tëri,

Hem djalosh, hem Drin i Zi.


Kulla ime shelg përkulet

Udha ime në pasqyrë,

Mbyllet qielli si qepalla,

Si qepalla që fsheh synë.


E kur shkruaj dy gisht letër

Për një brengë e për një mall,

Nis rrëfehem për mëkatet

Dhe pse lindur mysliman.


Djep kreshnikësh Drini i Zi

Djep e shpatë e Skënderbeut,

Me një hir të zjarrtë si dielli

Këndej, andej e matanë dheut.


169 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page