Kadri Tarelli: Një përmendore e ngritur në libër

Brezat e rinj, për t’u ngjitur më lart, nuk i shkallmojnë apo djegin shkallët që vunë të parët, por shtrojnë e shtojnë edhe shkallët e tyre.
Autori
VIVRA, KUVEND KUJTESE ME SHKRIMTARËT DURRSAK
Para pak ditësh, më, 29, të vjeshtës së dytë, 2026, në mjediset e shkollës 9-vjeçare “14 Nëntori” në Durrës, u mblodhëm bashkë një grup shkrimtarësh e poetësh nga Durrësi, që kanë njohur dhe shkruar për zonjën e madhe, shkrimtaren vlonjate, Vilhelme Vranari Haxhiraj. Mes këtij mjedisi krijuesish erdhën miq, shokë e të njohur, jo vetëm durrsakë, por edhe nga Tirana, Kavaja, Devolli dhe natyrisht edhe nga Vlora, Fitim Haxhiraj, Ladi (Vladimiri) i biri dhe mbesa, Lina Muka me të shoqin. Na munguan Prof. Dr. Fatmir Terziu, Londër, njëkohësisht edhe veprimtari, gazetari, përkthyes dhe shkrimtari Sokol Demaku, Suedi, Dr. Mujo Buçpapaj, (Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sot edhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Dardanisë dhe Shqipërisë), Tiranë, dhe Berat Batiu, botues nga Prizreni. I mirëkuptojmë.
Më erdhi mirë se në këtë mjedis intelektualësh e krijuesish, të pranishëm ishin edhe personalitete të Durrësit: u. Tasim Besho, miku im i fëmijërisë, matematicien, shkencëtar, ish pedagog në Universitetin e Barit në Itali. Bashkë me ne edhe çifti simpatik durrsak, Hava e Sali Hidri, Doktorë shkencash në arkeologji dhe histori.
I gjithë kuvendi i kushtohej jetës dhe veprimtarisë së “Princeshës së Kaninës”, Vilhelme Vrana Haxhiraj, me rastin e gjashtë-mujorit të ndarjes nga kjo botë, vetëm fizikisht. Jetë e përshkruar aq bukur në librin e saj, “Kush jam unë.......!? Libër që unë e quaj “Testament për në Parajsë”.



Organizatorët ishim: znj. Merita Kuçi Thartori, poete dhe drejtore e shkollës, njëkohësish edhe unë Kadri Tarelli, njohës i një pjese të madhe të jetës dhe veprës së autores Vivra. Detyrat u ndanë thjesht: Merita të përgatiste një lloj spektakli artistik me mësueset dhe nxënësit e shkollës, ndërsa unë mblodha shkrimet e 16 autorëve durrsak dhe hartova librin: “ Vilhelme Vranari Haxhiraj, në penën e shkrimtarëve të Durrësit”. Libër që u botua në prag të këtij takimi.
Përshkrimin e kësaj feste, ”Fjalë Kujtese”, do ta gjeni në shkrimin përmbledhës ta znj. Merita, paraqitur në portalin “Facebook” dhe “Fjala e lirë”, Londër. Autorja ka hequr qëllimisht fjalën “Homazh”, si (Fjalë të jashtme i quaj unë fjalët e huaja). “Fjalë kujtese” ka brenda kumtin e pa mbarimit të jetës, për shkrimtarët dhe artistët që lenë emrin në veprat e tyre, si testament përjetësie. E veçanta e spektaklit ishte kënga e kompozuar mbi vargjet e petës Merita Kuçi Thartori.
Në këtë kuvend letrar edhe unë u kujdesa të them pak fjalë, pasi spektakli i organizuar aq bukur dhe i ngjeshur me informacion, më shtyu të jem i kursyer për të mos rënë në përsëritje të panevojshme.
Fjalën time e titulloj:
VILHELME VRANA HAXHIRAJ, PYETET, PYET.... RRËFEN...!
“Kush jam unë.......!?”
Libri “Kush jam unë.......!?”, të autores vlonjate Vilhelme Vrana Haxhiraj, ose Vivra, siç i thërrasim shkurt në pseudonim. Lindur, në Kaninën e lashtë, me prejardhje nga familja princërore e Gjergj Arianitit. Ndaj ne e thërrasim “Princesha e Kaninës”. Shkolluar e diplomuar në shkencat sociale, Histori-gjeografi. Një monografi interesante në ndërthurje, po ashtu edhe në shtrydhje e shtrirje të kujtesës, që ngjan si rrjedha e një burimi plot ujë, pa zhurmë e bujë.

Që në fillim, titulli tërheq si magnet çdo këndonjës, që do të mësojë: “Kush jam unë.....!?”. Ndërkohë Vivra shprehet në mënyrë dëftore: - Po ju rrëfej se kush jam unë......! Në vazhdim të mendimit, po i rendis disa nën-ndarje të përmbajtjes, sipas analizës dhe gjykimit tim:
- Rrënjët e fisnikërisë së lashtë, si medaljon i artë, për ta pasur dhe mbajtur në qafë dhe për t’u mburrur çdo njëri nga ne që e quajmë veten Shqiptar.
- Fëmijëria, dhe rinia, si mallkim për ta mallkuar: Kush e solli dhe kush e mbolli farën e komunizmit në truallin shqiptar.....!? Mjerë ata që u futën në nofullat e luftës së klasave.
– Ringritja, si feniksi nga hiri. Mitologji e kohëve moderne, për t’i rrëfyer botës atë të vërtetë të hidhur, që për gjysmë shekulli u fsheh, me qëllim të harrohet, të mbulohet, të shuhet, mos kujtohet.
Në fund vlerësimet, me të cilat mbushen disa faqe libri. Pa lënë pas dore diku-diku edhe zhgënjimet të vjetra dhe të reja, të cilat hapin plagë që dhembin më shumë se të parat, pasi nuk i mbulon dot dhe nuk mbyllen lehtë. Plagët e vjetra deri diku edhe përligjen, ftohen, veniten por nuk roniten, duke akuzuar kohë e mbrapsht. Ndërsa plagët e rejat godasin në shpirt, të cilat nuk i zbut as koha dhe as pluhuri i saj.
Duke kënduar librin, kam përshtypjen se krijohet një lloj bashkëbisedimi dhe ndarje punësh, pse jo, edhe përgjegjësie: gazetari Gëzim Marku, pyet duke qenë brenda në livadhet e veta, ndërsa Vivra rrëfen në vetën e parë, ka mundësi të përgjigjet lirshëm brenda bindjeve dhe ndjesive të saj.
Të them të drejtën, është e para herë që ndeshem me një formë të tillë “Monografie”. Uroj mos jetë kështu.....! Gjatë leximit, duke u bërë pjesë e përjetimit të librit, unë e vlerësoj si një “testament” i firmosur nga koha dhe ligjet e saj të egra. Një formë tejet e veçantë, besoj shumë e pëlqyer nga autorja, sepse shoh se si Vivra shtyhet të shtrydhë të gjithë kujtesën e saj, të grisë koren e plagëve të vjetra, të rindjejë dhimbje dhe forcë, duke qenë e sinqertë me veten, se e vërteta duhet thënë. Koha nuk të përkëdhel, nuk të fton, por të ndëshkon, nëse nuk e përfill vrapin e saj.
Nuk di sa i saktë jam, por nuk kam parë ndonjë libër apo studim mbi familjet e mëdha, familjet të hershme fisnike që i mbijetuan kohëve të historisë së trazuar shqiptare, duke lënë edhe trashëgimtarë deri në ditët tona. Uroj që mos të jetë kështu, por Vivra është trashëgimtare dhe dëshmitare e rrënjëve të saj fisnike, prej disa shekujsh. Dhe, jo një emër dokudo, por një shkrimtare dhe studiuese që i kalon kufijtë e vendit, duk u bërë e njohur në mbarë botën me veprat e saj, të denja për t’u futur në enciklopedi. Ndaj ajo me krenari shkruan dhe firmos Vilhelme Vrana Haxhiraj. Dhe ka të drejtë.....!
Pyetja dhe përgjigja mblidhen lak në fyt, kur mendon se si është e mundur, të heshtet.....!? Në vend që të lartohet emri dhe prejardhja e saj që nderon historinë tonë të hershme dhe të tashmen.....!? Ndërkohë ne heshtim, si murgu në qeli.... Pse.......? - Kush nga ne nuk do të lëvdohej e mburrej me një prejardhje të tillë fisnikësh, që i mbijetuan shekujve? - Ndërkohë, kush nuk do të lëndohej me atë që pësuan familjet fisnike gjatë regjimit komunist, që u ndëshkuan pa asnjë faj, vetëm se ishin të fisme....., siç ndodhi me familjen Vrana, në zemër të Kaninës!? Vështirë të gjesh një shembull të dytë......!
Vetë Vivra pohon se u ngrit si heronjtë e mitologjisë. – “Më pëlqen ta zhbiroj deri në embrion jetën time të mohuar, e cila rilindi nga hiri i saj si Feniksi. Këtë kam bërë dhe do ta bëja për cilindo që ngjall interes në një vepër letrare, studimore apo analitike. Qoftë kjo edhe një jetëshkrim. - Eh, sikur jeta të rilindte përsëri nga zanafilla......!” -Shkruan që në faqet e para të këtij libri, me peshë të rëndë. Shpalosja e mendimit të lirë, bëri që Vivra të gjejë vetveten. Ëndrra e hershme për të botuar, u rizgjua. Libri “Loti nuk ka faj”, ishte prova e parë. – “Kjo ka qenë kënaqësia ime, sepse gjeta vetveten në brazdat e kohës së egër”, - shkruan autorja. Faqe 42.
Ndoshta gaboj, por Vivra nuk mbeti skllave e vuajtjeve që i shkaktoi diktatura. Ajo nuk e theu pasqyrën ku shikonte vetveten, portretin e saj plot dhimbje, ashtu siç bëri Pikaso, modernisti në artet pamore dhe pasuesi i fundit, shqiptari ynë Ibrahim Kodra. Nuk e theu pasqyrën nga zemërimi e pastaj duke vajtuar të mblidhte copat për t’i vendosur mbi tavolinë apo mbi telajo. Ajo bisedonte me portretin, duke i dhënë vetes durim e guxim, për tu ngritur mbi vuajtjet fizike e shpirtërore. Dhe ia doli të jetë në ballë të letrave shqipe. Ndaj nuk po më rrihet pa bërë ca pyetje:
- Cila grua u ngrit mbi heshtjen....? - Cila tjetër grua, ka një prodhimtari kaq të gjerë letrare, me kaq vlerësime e nderime nga vendi dhe bota? - Cila shkrimtare do të mund t’i afrohet për stilin, cilësinë e mendimit dhe artin e shkrimit? - Cila krijuese përmbysi hierarkinë e shkrimtarëve të Realizmit Socialist, duke i thënë botës: - Jam edhe unë, që u ngrita nga thëngjilli mbetur nën hi....!.
Në vazhdim dua të shtoj pak fjalë për z. Fitim Haxhiraj, bashkëshorti i saj, i cili njihet mirë në mjedisin vlonjat, pasi ka qenë artist me aftësi të rralla si koreograf, artist i skenës dhe i artit gojor. Ai si “modest vlonjat”, besoj se nuk e çmon ndihmën e madhe në mbështetje të Vivras. Jo duke shkruar, por duke gjetur shtigjet e përurimit të veprës së saj. Nuk është pak, dua të them është shumë....... Ç’ mund të bënte Vivra pa shoqëruesin energjik, fitimin e kudondodhur.....? Jam i bindur se shumë pak, për të mos thënë, asgjë.
I nderuar z. Fitim! Pranoji edhe falënderimet tona, në emër të gjithë shkrimtarëve të Durrësit. Pa ndihmën tuaj, Vivra dhe vepra e saj do mbetej një qiri që do të ndriçonte vetëm dhomën, shtëpinë, lagjen dhe qytetin e saj. Bota çmon të diturit dhe të guximshmit.
Në fund dua të shtoj vetëm dy fjalë të veçanta:
- Çuditërisht, si vjen koha, kur i përputh datat dhe ngjarjet. Disa i bën të shenjta, siç është “8 dhjetori”, “Dita e Rinisë”, por edhe ditëlindja e saj, po më, 08 dhjetor......!!!!. Kështu festa dhe ditëlindja do festohen në përjetësi, sepse shpirti i saj si mësuese, “Misionare e dijes dhe edukimit”, mbetet përherë i ri, me porosinë e saj të vyer për brezat, që koha nuk do ta shuajë kurrë: “Kombi më dhuroi vendlindjen, racën, gjuhën dhe emrin e madh Shqiptare. Po unë ç’ bëra për të.....!?”.
Në fund unë paraqita edhe librin tim, “Vilhelme Vranari Haxhiraj në penën e shkrimtarëve të Durrësit”. Një përmbledhje shkrimesh të 16 autorëve durrsak, poezi, elegji, reportazhe, analizë e vlerësim librash, kushtuar shkrimtares së madhe, të vlerësuar e nderuar me shumë çmime nga vendi dhe bota.
I përjetshëm kujtimi i saj...!
Ajo ngriti piedestalin, Durrësi i dha një libër monument, për t’u vendosur në hambarin e kujtesës, duke ndriçuar mendjet, duke stolisur tavolinat e punës, bibliotekat personale dhe ato publike.
Miqësisht...!
Kadri Tarelli
Durrës, më, 29, të vjeshtës së dytë, 2026.








Mirënjohje Fjala e lirë dhe drejtuesi Faelmrtmir Terziu. Publikimi këtij shkrimi i bën nder shkrimtares Vlonjate Vilhelme Vranari Haxhiraj, njëkohësisht edhe shkrimtarëve durrsak që shkr2 uan dhe kënduan për të: elegji, poezi, kujtime dhe shkrime vlerësimi, për veprën e saj në 72 libra.
Miqësisht.
Kadri Tarelli
Durrës.