top of page

Ju kështu na sulmoni të gjithëve ...


Unë jam këtu ... për Gjuhën e Bukur Shqipe.. .


Fatmir Terziu


Unë jam këtu ... për Gjuhën e bukur shqipe.. .

Unë nuk jam këtu për politikanët. Nuk jam për veten. Nuk jam për problemet me ne. Jam këtu për Gjuhën Shqipe. Jam për të, pasi e kam parë të sakatuar në fjalime, shkrime e recit-paraqitje. E kam ndjerë të njësuar me hieroglifet moderne të “emoji”. Dhe standardi i saj i sforcuar, anon e anon më shumë me gjuhën e rrugës ...

Unë jam këtu ... për Gjuhën e bukur Shqipe.. .

Problemet?

Mirë ... ata janë probleme dhe gjithmonë do të mbeten. Nuk i lanë e nuk i shpëlanë, as ankesa, as … as protesta.

Nuk i lanë as Vlora, as Saranda, as Durrësi, as Shëngjini… as të dy detet e marra së bashku, as të gjitha lumenjtë e burimet e tjera ujore.

Ata do të shtohen?

Ndoshta?! Nuk e di.

Do të kenë atë, që gjithnjë kishin, do të jenë gjithnjë me atë që ata gjithmonë ishin ...

Problemet?

Shumëkëndëshe!

Shumëdimensionëshe!

Produkte organike të nënprodukteve inorganike.

Thjesht probleme asimetrike, ... nuk mund të flas për produktin organik të tyre, as të them që një nënprodukt inorganik i dikton vetë problemet ...

Atëherë, pse do të kishte arsye që gjithnjë një dialektikë hegeliane për të filluar?

Në zgjidhje, se sa në heshtje?

Në bashkim, se sa në ndarje?

Nuk ishte Kanti, ai që hodhi apriori (tezën) dhe (antitezën) dinamizëm?

Jo?

Pastaj mendojmë se jemi analfabetë!

Duhet të jetë shkruar që të jemi të tillë!?

Ndryshe, pse është kështu?

Unë nuk mund të jap tamam një mendim nga larg. Një mendim si paçavure, aq sa për „servilizëm“. Qoftë për hatër. Qoftë për ndonjë teatër.

Por mund të debatoj me një “zëdhënës të mrekullueshëm” të individit global!

Kjo do të quhej, me fjalët në tym, Frankenshtajniane, do të sillje si të ishte urbane!

Ndoshta gjuhët 'mish-mash' mund ta bëjnë këtë, pa e kuptuar se bëjnë krim.

Unë pse duhet ti shqisja fjalët e mia në tym?

Kur dëgjoj tym, tym fjalësh kudo?

Gjuha e bukur shqipe nuk mund ta bëj këtë!

Nuk më lejojnë rrënjët e saj.

Nuk më lejojnë udhët e saj të pasura!

Gjuhët e tjera mund të ...

…por unë nuk mund të ...

… nuk mund dhe nuk lejoj, që vetvetiu të shkohet tek rritja e numrave të paragjykimeve të përulësisë gramatikore ...

Është pothuajse një turp, që intelektualët mbyllen ..., që gjuhëtarët struken…, që akademikët heshtin.

Heshtin! Heshtin dhe aty ku ndodhet është një dhomë „e zbutur“ nga kremërat, e modeluar nga shkenca. Heshtin në Akademinë e Madhe të Shkencave, ku flenë Fjalorët e Gjuhës Shqipe?

Oh ... e drejtë ...

Kush ka kohë për ti kapur? Jo më të gjejë kohë për ti hapur?!

Fjala edhe për rastet ekuivalente me shkrimet dhe fjalimet qeveritare ..., tashmë është thjesht përsëritje praktike. Qeveritarë ju keni sulmuar Gramatikën Historike?!

Ju kështu na sulmoni të gjithëve ...

Nuk ka standarde të kërkuara ... me shenjën e “X”-it.

Por ka detyrime ligjore për gojën, dorën, edhe për penën e Kryeministrit!

Jo të gjithë ne duhet të kemi statusin si mësues të Gjuhës Shqipe ... disa prej nesh, kanë shkuar ndoshta më tutje?

Kjo është praktike. Kjo është logjike!

Këto fjalë nuk i lashë në tym prej kësaj frike, por e pashë se janë vetëm të "cfilitura" nga kjo dhimbje e gjithëanshme gjenerike!

Qeveritarë ju keni sulmuar Gramatikën Historike?!

Ju kështu na sulmoni të gjithëve ...

36 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page