Pesë poezi nga Kristo Çipa, Mjeshtër i Madh
Ismail Qemal liria
Buzëqeshur midis lotit
Vinte shekull i stuhive
Natën po gremiste kombi
Hiqte mjegullën prej syve
Ca burra të perëndishëm
Lëvizën boshtin e dheut
Trimat me gjak e qëndisën
Mëngjezin e mëmëdheut
Të rënët ngriti shqiponja
Botë e vdekjes si pengonte
Nga Çamëri e Kosova
Drejt flamurit kombi shkonte
Në dyert e kësaj bote
Kishim zë por s’na dëgjonin
Ndaj në portat qiellore
Kërkuam takim me zotin
Dhe nga Zoti vjen profeti
Plaku me flamur në gji
Brenda kombit më të vjetër
Shpalli shtetin më të ri
Ismail Qemal liria
Fati i kombit që s’u shua
Viteve që historia
Mendjen tënde kërkon hua
Shekujve me psherëtime
Për ne liria qe zjarri
Si Prometeut melçinë
Kufijtë na ndukte Ballkani
Dhe kur luhej egzistenca
Na deshi kombi i lirive
Mirënjohje sa të jet jeta
I fal Shqipëria ime
Midis kombeve të botës
Për paqen punojmë ne
Se ky flamur i shqiponjës
Veç lirinë ka për atdhe
Ju burrat e këtij kombi
Dëgjoni zërin e zemres
Nëse Shqipërinë bashkoni
Hallall qumështin e Nënës!
O ju trima gjak-flamuri
Sot në ditën e lirisë
Do vete të hap lëndinat
Dheun do ta marr mbi shpinë
Nga gjumi do zgjuaj trimat
Çohuni margaritarë!
Me shpirtin liberator
Djemtë e Nënave, luanë
Një nga një zgjedhur me dorë
Sa me shumë balta thinjet
Përmendorja juaj ngrihet
Në lumin e gjakut derdhur
Fati i kombit është pagëzuar
Kemi korrë e kemi mbjellur
Herë të qartë, herë të hutuar
Nëpër natën e dilemës
Brigjeve ku keni rënë
Qirin e shpirtit e ndezët
Të shihje udhën moj Nënë
Sa më shumë balta thinjet
Përmendorja juaj ngrihet
O ju trima gjak- flamuri
Një grusht dhe morrët për vete
Amanet në vend shkon guri
U bëmë kombi me dy shtete
Përmbi dheun e Atdheut
Sa herë që dielli del
Merr nga gjaku juaj derdhur
Lirinë me dritë e mbështjell
Ju dëshmore jeni zgjimi
Historia dhe vazhdimi
Koha prapë po ju thiri
Ngriheni si Kostandini
Damjani i Himarës
Hapu vetëtimë se shkova
Pritmëni malet e flakës
Si zogu nga deti dola
Unë jam Damjani i Himarës
Ku je sulltan i oborrit
Gremis male e shteron dete
Kthehu prapë prej Anadollit
Himarën e kam per vete
Kjo është Himara që thonë
Dielli përmbi shqiponjë
Unë e kam lulen e shpirtit
Zanën e Akroqeranës
Ti lakminë falja syrit
Paqe me bijtë e Himarës
Në këto vendet e mia
Ku dhe Zoti vjen i ftuar
Mbretëron vetëm liria
Flamur tjetër s’ka pranuar
Mos e prekni zemrën tonë
Lulen që ka çelë zambaku
Për flamurin me shqiponjë
Kemi derdhur një lumë gjaku.
Kosova
N’atë kupën fushë Kosove
Derdhen luftë civilizimet
Vijne ushtri, ikin taborre
Shkulin dritë, mbjellin mallkimet
Pastaj vijnë perënditë
Shpresë ta mpiksin dëshpërimin
Yjet ikin se mbëtdhijnë
Nga mesnata e takimit
Krushqit ngrijnë në orë kurore
Altaristet i tret puthja
Grinden për Bajrak Kosove
Përjetësia dhe zhdukja
Me urinë e trimërisë
Ngrihen kreshnikët e vendit
Shkojnë me kalin e marrëzisë
Në urtësinë e kuvendit
Stinët çelin veç terror
Aq sa gurë vinin barbarë
Dheu yt laborator
Gjakun tënd e kthen në ar
Moj e bardha fushë Kosove
Ti nuk trembesh nga gjëmimet
Brenda zjarr, përsipër borë
I qëndis me gjak agimet
Veç në skaj kudo kufiri
Për ne është në mes të gjoksit
Çohuni, piramidat fshini
Fatin tja lëvizim boshtin
Hapni shtigje, prishni prita
Pse dy shtete për një popull?
Nga guximi ndizet drita
Rreth e rreth shqiptarë rrotull
Ne s’kemi ëndër të madhe
Aq sa ka folenë shqiponja
Shqipëria natyrale
Katër vilajetet tona
Kemi ty o Skënderbe!
Për midis perandorive
Mbretëritë qiellore
I dhanë fuqitë e lirive
Një shpate të Kastrioteve
Si Jeruzalemi Kruja
U ringjall nga trimëria
Preu shkëmb e ngjizi burra
Që si bën më historia
U gatua kryetrimi
E nxorri dheu nga gjiri
Dy emra koha i thiri
Një lindja, një perëndimi
Dy emra dy kontinente
Dy kultura vijnë rrotull
Ne një kult kemi për vete
Paqen ka dashur ky popull
Sa një grusht mbledhur Evropa
Orë e ligë ja tret kufijtë
Po shqiponja ka dy koka
Një për vete një për miqtë
Fati i kohës në një shpate
Shpata dorë e Skënderbeut
Mbi bashkim ngriti kalat
U bë shpëtimtar i dheut
Shqiponja ktheu draguan
Qytetrimin e shpëtuam
Për betejat që fituam
Pesëqind vjet u kryqëzuam
S’na ka ngrohur dielli kurrë
Sa lavdi e këtij burri
Emri i tij ju çfaq në ëndër
Kombit tonë, kur gjumi e zuri
Në botën e madhështisë
Je planet që se njeh natën
Ne të bijtë e Shqipërisë
Krenar që gjak nga ty patëm
Anembanë ku rojmë ne
Je bashkim për këtë dhe
Gjthë shqiptarët komb e fe
Kemi ty o Skënderbe
Sa herë jeta frymë të marrë
Dhe kombit ti rahë zemra
Besoni o shqipëtarë
Ne pa Gjergj nuk na lë Nëna.
Comments