top of page

IRMA KURTI – POEZI NGA HIRAM LAREW (USA)



 

 

HIRAM LAREW jeton në Maryland, SHBA. Poezitë e tij kanë marrë Çmimin e Letërsisë në Luiziana, Shiritin blu për Washington review poetry dhe janë nominuar katër herë për çmimin Pushcart. Krijimet e tij janë botuar gjithashtu në numrat e fundit të revistave Poetry South, The Brown Critique, Contemporary American Voices, Honest Ulsterman, Amsterdam Quarterly dhe Best Poetry Online. Ai ka marrë fonde si poet nga Këshilli i Arteve si dhe nga Kombet e Bashkuara për iniciativën e tij Poetry X Hunger, (Poezia kundër urisë) e cila inkurajon poetët të kontribuojnë në përpjekjet kombëtare dhe botërore kundër urisë. Ka krijuar gjithashtu Voices of Woodlawn, (Zërat e Woodlawn) një program me poezi, muzikë dhe art që hulumton historinë tragjike të skllavërisë në Amerikë. Hiram Larew bashkëpunon me Radion Klasike në Baltimore (91.5 FM) për të identifikuar poetë që prezantohen në programet e transmetuara gjerësisht prej saj.

Dr. Larew është profesor i lirë në pesë universitete të SHBA-së. Stili i poezive të tij është padyshim familjar, por jo vulgar. Ato tregojnë përvojën e gjerë të jetës së poetit. Vargjet shpalosin një konkretësi pasionante të përfytyrimit dhe aluzione të pasura. Atje gjen cilësitë poetike që prekin zemrën e njeriut. Gjallëria është cilësia më karakteristike e poezive të tij, që shpërfaqin emocione të forta dhe imagjinatë.

 



I LAGUR

 

Fama duhet të jetë sikur të ngasësh makinën

         në shi

         ose si të pulitësh sytë --

         duke u përpjekur të shohësh

         çfarë ke përpara në errësirë

         të flasësh me zë të lartë

         pa askënd tjetër perreth.

 

Ose ndoshta të jesh i njohur në fakt do të thotë

        këmishat e lagura më në fund t’i ndiesh si normale.

Apo nëse papritur të vijnë të dridhurat

         nga të gjithë titujt e gazetave

         atëherë ato drithma do t'ju bëjnë

         të thoni thjesht Mirë faleminderit.

 

Të thuash të vërtetën, brohoritjet mund të jenë

si përrenjtë që vërshojnë në tokën tënde të ulët

         dhe pemët dhe qentë veçse qeshin

         teksa ndodhen në një vend të thatë, lart

         ndërsa ti lundron pranë tyre

         duke i përshëndetur.

 

Po, popullariteti duhet të jetë si era e bodrumit --

        e veçantë dhe që kurrë nuk resht, jo --

         shumë kohë pasi gjyshja ka dorëzuar letrën e saj

         përgjithmonë.

 

EJA MË PRANË

 

E pranoj, më pëlqen kadifeja,

      ai stof i butë

Po, më pëlqen çdo gjë e mbyllur dhe

      paksa e konsumuar ose

      një dru me ngjyrë mjalti

Diçka që s’është perfekte, por tërheqëse

 

 

Më pëlqejnë fermat gjithashtu

      sidomos nëse ngrihen në mjegull

      dhe duken si një dëshirë e largët

Sepse me siguri dikur kam qenë një kullotë

Po, duhet të kem qenë një shpirt lokal që

      pinte nga përrenjtë shumë kohë më parë

 

 

Në të vërtetë, nga të gjitha gjërat që pëlqej më shumë

      janë flokët e mbledhur mbrapa, praruar me shkëlqim

      i ngjashëm me një kalë ngjyrë gështenjë

 

 

Më pëlqen gjithmonë ardhja e vjeshtës

      me batanije mbështjellë

 

 

Por le të kthehemi sërish në tokë…

Ajo që më pëlqen gjithmonë

      janë dritaret e ndriçuara nga ngrica që i afrohen

      biskut të hollë

 

GËZIMET E MËDHA

 

Ka shumë pak vende në botë

ku pemët harkohen mbi rrugë.

Akoma më pak ato që prehen

në dritën e purpurt të vjeshtës.

Dhe akoma më pak janë ato

Që mblidhen rreth teje

Si hyrje sekrete

Apo bizhuteritë në magazinë.

Po,

të rralla janë gëzimet e mëdha

që zërat brenda vetes i humbasin.

 

KOHË VERE

 

Palose tavolinën

          dhe karriget

Paketo gjërat për të ikur larg

Është koha tamam

Turma po rrallohet shpejt

          dhe fusha e parkimit po zbrazet

 

Pra, hiq çdo gjë nga priza

Ule flamurin

Mbylli me zinxhir ushqimet në çantë

Dhe sigurohu që gjithçka tjetër të vendoset në kuti

 

Thuaj mirupafshim

Ndalo të përshëndetësh, javën tjetër të përmendësh

Fillo të largohesh dhe më pas

Shiko pas për të kontrolluar për të dytën herë

          se nuk ke harruar asgjë

HIRAM LAREW

PËRKTHEU NGA ANGLISHTJA: IRMA KURTI

27 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page