top of page

Instinkti dhe tendenca sokratiane



Instinkti dhe tendenca sokratiane

“Di një gjë, që s’di asgjë!”

Dr Fatmir Terziu



Këto kohëra, me syrin tek letrat shqipe, si syri tek pantallonat e disa djelmoshave, me njëfarë mode nëpër këmbë, e me të mbathme ndër kurrizi, kanë nxjerrë në skenë disa mbajtës të çelësave të kashtës kulturore letrare. Me emërtesa të tjetërzuara, me emërtesa të emëruara nga zyra të ndryshme aparatçike, kërkojnë të bëjnë instancën e letërsisë shqipe, me gjasë të ndërtojnë Kashtën Kulturore. Mbajtësit e këtyre çelësave padashje kanë rrokur atë që dikur Sokrati e pati kritikuar me forcë.

Dhe në thelb është kjo: “Di një gjë, që s’di asgjë!”

Pasiviteti i viteve të pasnëntëdhjetës, tani që duket qartë se ia ka lënë vendin aktivitetit, nuk duhet të shihet si një bullon i mishëruar në Kashtën Kulturore Letrare, pa ndonjë funksion, por thjesht si një bullon, pa dado, pa ndonjë arsye reale dhe konkrete, qoftë dhe për të krijuar, apo rikrijuar njeriun e letrave, sipas një modusi të kashtëzuar, pa thënë të kushtëzuar. Ajo që dikur mendimtari Eskil kishte ç’të thoshte, ajo që poeti Eskil na la të kuptojmë këtë simbolikë, na e la duke e bërë të qartë Gëtia në fjalët e tij për Prometeun:

“Rri këtu e njerëz krijoj,/njerëz krejt si vetja./Brezi që kam mëkuar/të vuajë e të vajtojë/të ngazëllehet me hare/dhe mua mos t’më çmojë,/atëherë ç’jam unë!”

Niçja që ngul penën e tij të mprehtë thellë në detaj na vjen në ndihmë të na rrëfejë se “njeriu i ngritur në lartësinë e titanit me bëmat e tij arrin t’i bëjë për vete perënditë, të bëhet aleat i tyre, sepse në urtësinë e fituar mban ndër duar ekzistencën dhe cakun e veprimeve të tyre.”

“Di një gjë, që s’di asgjë!” Në fakt ky ishte thelbi i tendencës sokratiane. Me këtë fjalë sokratizmi i bën pretencën artit, etikës së kohës, ngado që hedh sytë. Sheh gënjeshtrën e ëndërruar. Zhbiron pamjaftueshmërinë në mendje. Bën zbulime gjithëpërfshirëse për shprishjen dhe zvetënimin nga brenda të asaj bote. Sokrati, thotë Niçja, bënte thirrje për rregullimin e gjendjes. Veten e tregonte si përjashtim. Sokrati ishte dhe tipologjik, njihej si shprehës i përbuzjes. Njihej si demon i epërsisë. Diktohej si pararendës i një lloji krejt të ri të kulturës dhe moralit.

Dhe Niçja parashtron: “Të hynim në këtë botë të kapur pas një cepi të kësaj kulture, do ta quanim për lumturi parajse!” (Ibid). Sidoqoftë tek Sokrati instikti bëhej kritikuesi, ndërsa vetëdija bëhej krijuesi. Dhe kur e dënuan atë me vdekje dhe jo me internim, ai shkoi i qetë drejt vdekjes. Shkoi si gostiari që lë trapezën e shtruar për të pritur një ditë të re. ndërsa në stola, apo dysheme qëndronin të tjerët, duke fjetur apo duke vazhduar gostinë. Dhe thuhej, se ata do ta shohin në ëndërr Sokratin, këtë erotik të vërtetë. Sokrati i vdekur u bë një ideal i ri, i paparë për rininë fisnike helenase.

Po, ai ishte Sokrati! Këta, që tundin çelësat e Kashtës Kulturore, me dremitjet dhe dërdëllitjet ekranore në TV e gjetkë rrjeteve sociale, mos pretendojnë se janë sokratër?! Nga njëra anë shohim qëndrimin e kritikuar eskilian të “vetmitarit”, nga ana tjetër shohim nevojën e ngutshme, por mjaft të vonuar të rishikimit të mjaft gjërave kulturore në vite të mbledhura në një botë metafizike të vuajtjes, tek kjo e fundit ndoshta guximi mahnitës, me të cilin Eskili e vë botën e perëndive në të njëjtin kandar drejtësie me botën e njerëzve, shpjegohet me rrënjët e shëndosha që kishte hedhur tek grekët mendimi metafizik, në çaste të caktuara skepticizmi, ky fort mirë mund t’u hidhte barrën perëndive të Olimpit. Vajmedet, të ndodhë kjo në letrat shqipe. Cilët janë të destinuar të zbresin nga maja e “Olimpit letrar shqiptar”?!



9 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page