Ilmi Dervishi: SINORET
- 6 hours ago
- 2 min read

Ilmi Dervishi
SINORET
Vështrimi yt më thotë diçka,
E kuptoj. Vetes i jap durim.
Mike më të mirë se ti nuk ka,
Hesht se s’kam guxim.
E kuptove? Të thashë një sekret,
Askush tjetër nuk e di,
Se ty të kam dashur vërtet,
Më shumë se një dashuri...
I kuptoj ndjenjat me dhe pa dashuri,
Secili me sinoret e veta në jetë,
Është hyjnore dhe një miqësi,
Kur është dhe mbetet e sinqertë.
DIKUR
E bukur lulja sipas syrit,
Syri im të shikon vetëm ty,
Unë jam nga "Qyteti i blirit",
Ti detin e mban në sy...
Te Pista, në rërën e lagur,
Vala shtyn valën te këmbët tona,
Mendonim s’kemi me u plakur,
E askush s’hyn në dashuritë tona.
Po ja, s’jemi bashkë në pleqëri,
Ti te deti kërkoni gjurmët e mia,
Dhe te unë, po, gjithsesi,
Në hone shpirti flen dashuria.
TRANDAFILI
Ka ca gjëra që nuk tregohen,
Dhe nga ata që s’thuhen me fjalë...
Çastet e lumtura kur ndjehen,
Ndodh të bëhen si trëndafil në valë.
Në uji i nxehtë trëndafili s’ka ngjyra,
Aroma shpërndahet, e degdisi era,
Pa shikoje, a e njeh nga fytyra?
Vet trëndafili kalbet nga brenda.
ÇAST
Kur mendoj se jam pa ty,
Atë çast e tremb veten...
Si ta qetësoj nuk e di...
Si të më vijë, jetoj jetën.
Brenda shpirtit diçka digjet,
Sa më shumë shtohen vitet,
Dritë e flakës ndriçon shtigjet,
Po tymi i zi diku dhe mbetet.
Lulet si pak herët i këputa,
Ndoshta dhe pa u pjekur...
Kam njohur vajza e gra të bukura,
Po prej tyre dhe jam djegur...
Ç të bëj? Herë-herë me vete,
Gjithë secilit i kërkoi ndjesë,
Dashuria matet me oqean e dete,
Po dhe dallga të bëhet pjesë...







