Iliriana Sulkuqi: FALENDERIM DHE MIRËNJOHJE NGA LARG - PRANË
- 2 hours ago
- 3 min read

Me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe përulësie, dëshiroj të falënderoj përzemërsisht për Titullin e Nderit që më dhanë sëbashku drejtuesit e Këshillit të Qarkut dhe të Bashkisë së Qytetit tim OBELISK-ELBASAN.
Ky vlerësim, i bërë në një veprimtari kaq domethënëse si: KUJTESË PËR VAZHDIMËSI- “MARGARITARËT E FJALËS” (Edicioni i 8-të), në skenën e Teatrit SKAMPA, përbën për mua, jo vetëm një nder të madh, por edhe një thirrje përgjegjësie më të thellë ndaj FJALËS, ARTIT dhe KULTURËS SONË.
Dalja në skenë sëbashku e dy kryetarëve - të Qarkut dhe të Bashkisë, tregon mirëkuptim dhe bashkëpunim për një qëllim të përbashkët, në ruajtjen dhe trashëgiminë e vlerave historike, tradicionale, kulturore, artistike…, që ky qytet i ka pasur dhe i ka pasuri të veçanta mbarëkombëtare.
(Përmend vetëm disa prej tyre:- Shkolla Normale, Ndërtesa ku mbajt Kongresi i famshëm i Shkollave Shqipe, Muzeu etnografik…; DITA E VERẼS…; Festivali i orkestrave të harqeve; Ditët poetike; Festivali ndërkombëtar i teatrit…, etj..)
***
Falënderimi im me shumë respekt, shkon për organizatorët, veçanërisht Shoqata Ress-Egnatia, si dhe për të gjitha institucionet që mbështetën këtë nismë me mision të qartë kulturor dhe edukativ. Gjithashtu, shpreh mirënjohje për vlerësimin e bërë dhe pasqyrimin e këtij momenti nga Fatmir Terziu, Mjeshtër i Madh, Fatmir Popja, gazetar NEW24, Hasan Bulçari - ZEA tv, Bardhul Toda, Artur Guni , Fetah Biza, Emrije Krosi, për befasinë drithëruese (në bashkëpunim…), për botimin e një libri studimor mbi lirikat e autores…;
Antonio Lushi - më i vogli gazetar dhe vazhdimësia e një brezi të talentuar.
***

Me nderim dhe respekt, falenderoj shpirtërisht pjesëmarrjen e familiarëve të Margaritarëve të Fjalës- Ndriçim Xhepa, Altin dhe Desli Çal e shumë të tjerë….
Me shpirt e shumë mall falenderoj miket dhe miqtë e mi kolegë, të një bashkëudhëtimi misionar, Aleksandër ÇIPA, Frrok Çupi, si dhe miq, poetê, gazetarë të ardhur nga jashtë kufijve të Shqipërisë:-Flora Brovina ( Prishtinë), Agim Krasniqi ( Konsulli i Kosovës në Maqedoninë e Veriut), Shqipe Bytyqi ( Zvicër), Hasan Bulçari ( Asti, Itali ), Mimoza Leskaj( Itali), Kristiana Veliu ( Patra), Arjan Tollumi dhe Ardian Daullja ( Athinë)…, Migena Arllati ( Gjakovë)…, enkas për këtë event.
Mirënjohje, me një NDERIM të veçantë, dy shtëpive botuese: JOZEF dhe M&B, misionare të përhershme pranë MISIONIT- KUJTESË PËR VAZHDIMËSI, që i dhanë kuptim kësaj veprimtarie madhore me Panairin e Librit në hollin e teatrit Skampa dhe me promovime autorësh në bibliotekën e Qytetit “QEMAL BAHOLLI”.
Me emocion dhe dashuri sublime, falenderoj popullin dashamirës e mikpritës të Qytetit tim, që me virtytet dhe vlerat e tij, më ka dhënë mundësinë ta dua kaq shumë Elbasanin tonë DHASKAL- ian e MYZYR -ian.
***
Megjithatë, përtej çdo titulli apo nderimi, ajo që mbetet thelbësore për mua është lidhja shpirtërore me njerëzit e artit. Ata janë frymëzimi im i përhershëm – me përkushtimin, ndjeshmërinë dhe dritën që përcjellin në jetën kulturore të vendit tonë. Pikërisht kjo ndjesi më ka udhëhequr në rrugëtimin tim krijues dhe më ka shtyrë të përmbledh në librat e mi portrete, histori dhe përjetime të tyre, duke u përpjekur të sjell më pranë lexuesit jo vetëm veprën, por edhe shpirtin e artistit.
Besoj fort se kujtesa kulturore dhe vazhdimësia e saj ndër breza janë ndër misionet më të rëndësishme që kemi. Prandaj, çdo përpjekje për të ruajtur dhe përcjellë vlerat e artit dhe të gjuhës sonë amtare është një shërbim i çmuar për identitetin tonë kombëtar.
Ju falënderoj edhe një herë për këtë vlerësim të lartë. Ai më inkurajon të vazhdoj me përkushtim dhe dashuri, duke qëndruar besnike ndaj misionit tim, për të nderuar dhe promovuar botën e bukur dhe të pazëvendësueshme të artit që bën bashkë qytete, shtete, kombe nga e gjithë bota!
FALEMINDERIT, familja ime, familja e vajzës, e djalit, që më keni mbështetur shpirtërisht dhe materialisht, në çdo udhëtim drejt Vendit tim, Vendit tuaj!
Iliriana Sulkuqi - me përqafime falenderuese, SOT e PËRGJITHMONË
Brooklyn, NY Maj 2026




















Comments