Elegji për një mik që as hasmi si zë pritë...
Ike Haki Kola, ike...
Nuk e besova shkronjën e nipit tënd, as edhe shkronjën nga Kanadaja që ma përcillte dhimbjen e tij për ta bashkuar me timen. Nuk u besova... Ishe i ri Haki Kola, i ri për tu ndarë nga jeta, nga njerëzit që të duan si dritën e diellit, nga gjelbërimi i pyjeve, lulet shumëngjyrëshe, nga pemëtaria që ti e deshe kaq shumë sa fidanët e tu mbushën kodrat dhe malet e Dibrës... Ishe i ri Haki Kola. Kurrë nuk kam menduar të vë në rresht shkronja me dhimbjen time për ty, kurrë. Të kundërtën mendoja... Ti të shkruaje për mua... Nekrologjinë të ma bëje... Ti njeriu me zemër të madhe sa lugina e Drinit dhe Nëntë Malet e Dibrës nuk e nxë. Oh sa më dhemb ikja jote miku im! Oh sa të doja që në këtë kohë të çmendur të natyrës të isha aty. Me ty për tu bindur se me të vërtetë i ke mbyllë sytë... Për tu bindur që lotët e njerëzve të tu të dashur, vëllezërve, motrave, fëmijëve, nipërve e mbesave, bashkëshortes tënde të dashur, janë të vërtetë, rrjedhin faqeve për tu mbledhur në një rrjedhë gurre mali. Atëherë, dhe vetëm atëherë, do ta besoja se ti shpirtërisht nuk je banorë e kësaj bote. Vetëm atëherë... Do ditë më parë, kur po shkruaja për një mik të madh tëndin dhe timin, Miçurinin e Dibrës, Xhavit Hysën, të kërkova në adresën tënde për një fjalë nga ato të artat e gojës dhe penës tënde, fjalë që vetëm ti din ta gjesh e ta vesh në shpirtin e njerëzve. Nuk mu përgjigje... E si të përgjigjeshe kur ti luftoje me jetën, me sëmundjen që as shkencëtarët gjermanë nuk e nxorën dot nga trupi jot? Kisha një thënie-përkushtim tënden diku në xhepat e kompjuterit. E mora dhe e futa midis radhëve... “Mrekullia e Xhavitit qëndron në faktin se asnjëherë nuk është shtirur si aktor që bën të jashtëzakonshmen. Së bashku me bashkëpunëtorët ai dha një model që tashmë Shqipërisë i mungon, të merret prodhim i qëndrueshëm nga kulturat drusore. Gjenerata e Xhavitit, me iniciator Xhavitin dhe kontribute juve personalisht, krijoi një model që sot bota po e kërkon. Ai funksionoi për disa dhjetëvjeçarë dhe në vitet ’90 u shkatërrua në mënyrën më barbare...” Edhe mrekullia jote Haki Kola qëndron në faktin se asnjëherë nuk je shtirur si aktor që bën të jashtëzakonshmen... Edhe ti Haki Kola je një model që tashmë Shqipërisë i mungon... Edhe ti Haki Kola me punën tënde në Shqipëri, Kosovë e më gjerë, krijove një model që bota e kërkon... Ai funksionon, ani se tash disa dhjetëvjeçarë u shkatërrua në mënyrën më barbare... Më dhëmbi shumë ikja jote mik, shumë... Në Dibër ka një fjalë... Dhimbjen ia vunë drurit, e thau. Dhimbjen ia vunë gurit, e çau. Dhimbjen ia vunë njeriut, e mbajti... Unë po e mbaj miku im, e rëndë për shpatullat e mija... Je në kujtesën time, je në shpirtin tim, sa të rroj, sa jetë të kem... Lamtumirë HAKI KOLA, Dibrani me germa kapitale... Një ndër BURRAT e mëdhenj të saj...
Abdurahim Ashiku
Athinë, 8 maj 2020
Comments