top of page

Idris Dermyshi: Një libër i vogël për ngërçet e mëdha të njeriut

15 hours ago
6 min read


   Nuk e di nëse shkrimi im mund t’i shtojë ndonjë grimcë njohjeje a vlerësimi madhështisë së Vivrës, si: intelektuale,poete,shkrimtare, veprimtare…, me 63 libra të botuar e 33 çmime të fituara , brenda e jashtë vendit.

  Jeta e Vilhelme Vrana Haxhiraj qe një udhëtim i gjatë mes dhimbjes së pandërprerë. Dhimbjen ajo nuk e la të bëhej plagë;e shndërroi në fjalë, në poezi, në kujtesë dhe në dritë. Si njeri, poete, shkrimtare e veprimtare,ajo u bë një urë mes kujtesës dhe së ardhmes, mes territ dhe dritës, mes provincës dhe qytetërimit.Ajo u bë e madhe jo se nuk pati dhimbje, por se pati forcën ta ngrejë dhimbjen deri në lartësinë e artit.

    “Ngërç hakmarrës” nuk është një novelë e zakonshme, tradicionale.Tematika, personazhet, detajet e mesazhet gjejnë rrugë të reja për të ardhur këndshëm tek lexuesi. Libri është strukturuar në bazë të kujtimeve të Agronit, personazhit kryesor. Ankthi e ngërçi e shoqëroi atë pa iu ndarë tërë jetën; në fëmijëri e maturi, në shkollë e në punë, në familje e shoqëri, brenda e jashtë Shqipërisë. Agroni, viktimë e sistemit, merr përmasat e një heroi, bëhet simbol i diturisë, i shkencës, i mirësisë e qytetarisë. Rreth tij rrotullohen si hije shumë ditëzinj pa emra, pa identitet, pa portret e personalitet.                                     

  Novela nuk përmend emrat e njerëzve të sistemit të kohës, që ia nxinë jetën asaj dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm. I quan ai, ajo,njëri, tjetra, të tjerët. Zgjedhje e bukur estetike e filozofike; duke zhvendosur vëmendjen nga portreti i një individi, te tipologjia e një epoke. Emri i jep njeriut një identitet, një prani,një lloj peshe në kujtesë. Autorja zgjedh mënyrën për të mos ua dhënë këtë kënaqësi, këtë privilegj. Ajo nuk merret me fajtorin si individ; merret me fajësinë si dukuri.Nuk ndërton listë armiqsh, nuk e kthen dhimbjen në katalog hakmarrjeje. I lë figurat të kalojnë në tekst si hije, ndërsa në qendër vendos përvojën, plagën, kujtesën dhe të vërtetën e saj. Nuk e përdor penën për hakmarrje ndaj individit; e përdor për ta kthyer përvojën në dëshmi, dëshminë në art dhe artin në kujtesë.

     Novela “Ngërç hakmarrës” mban një titull të rëndë, metaforik, të ngjeshur. Titulli me dy fjalë krijon një tension të fuqishëm;”ngërç” është heshtje,ndërsa “hakmarrës”është lëvizje; njëra mban të ngrirë dhimbjen,tjetra i jep nxitje pakënaqësisë. Mbi këtë përplasje lind atmosfera e kësaj vepre letrare; e veçantë dhe cilësore në llojin e vet.

  “Ngërç hakmarrës” nuk është vetëm emri i një libri; është emri i një plage që koha nuk e ka mbyllur, pasi disa plagë nuk kërkojnë harresë, kërkojnë të vërtetën. Ka plagë që nuk bërtasin; ato heshtin. Por heshtja e tyre nuk është paqe. Është ngërç. “Ngërç hakmarrës” është metafora e një plage që nuk pranon të vdesë. Plagët e historisë letërsia e Vivrës përpiqet t’i  zgjidh jo me forcën e hakmarrjes, por me fuqinë e fjalës. Sa më shumë faqe novele shfleton,sheh se ngërçet nuk zgjidhen,por shtohen: ka ngërçe në pronë, në fat, në dashuri, në kujtesë, në kohë. Pengesa që nuk duken gjithmonë, por që e rëndojnë dhe e pengojnë jetën. Sa shumë ngërçe ka ky libër ! Ato vazhdojnë ta ndjekin lexuesin pa u zgjidhur, por duke u zbutur nga koha,nga toleranca, nga kultura …

  Novela nuk është një vështrim prapa në kohë, por një thirrje zgjimi për të sotmen; një alarm letrar që na kujton se pa kuptuar e dënuar skëterrën e izolimit të djeshëm, një shoqëri nuk mund të shërojë plotësisht ngërçin e saj moral.

     Faqet e para endin kujtimet e fëmijërisë, ku shihte botën e vogël me sytë e mëdhenj të kërshërisë. Fëmijëria ishte atdheu i parë i shpirtit, ku bota prekej me duar të vogla dhe besohej me një zemër të madhe. Vivra fëmijë u end bukurive të vendlindjes ,duke marrë nga Kanina qëndrueshmërinë e malit,nga deti hapësirën e ëndrrës, nga Shushica shpirtin e mosharresës.

  Vlerë e shtuar e novelës mbetet begatia e sentencave, e fjalëve të shkurtëra që marrin peshën e një mendimi të pjekur, të një fjale të urtë apo të një mësimi me vlerë universale. Është ky shpirti i autores që bëhet fjali, përvoja urtësi dhe dhimbja mësim. “ E sotmja tronditëse s’më lë të harroj të djeshmen e hidhur dhe të pres të nesërmen dilemë”,- shprehet Vivra. Vetëm në një fjali tretet një dramë e tërë;njeriu është i dënuar të kujtojë dhe i detyruar të presë. Kujtesa e tërheq prapa,shpresa e shtyn përpara, e tashmja duket e pamjaftueshme për të pajtuar dy skajet.

       Kolektivizimi e shpronësimi shihen si tragjedi tmerri për njeriun e lirë. Toka ishte një testament i shkruar mbi baltë, një lidhje e padukshme, por e fortë mes brezave. Ajo i jepte njeriut gravitetin moral, dinjitetin dhe lirinë. T’i marrësh tokën, bagëtinë e shtëpinë do të thotë t’i shkulësh njeriut rrënjët nga dheu dhe ta lësh të fluturojë si një gjethe e tharë në stuhinë e diktatit shtetëror. Zoti i vatrës u shndërrua në hije pa gojë, në një argat të huaj mbi arën që dikur mbante emrin e tij. Buka e fituar nuk mbante më erë shtëpije e bekimi, por erë zyre e nënshtrimi. Toka nuk ishte thjesht dheu ku mbillnin; ishte kufiri ku mbaronte nënshtrimi dhe ku fillonte dinjiteti.

    Komunistët i quan bij të djallit. Komunizmi qe një flakë që premtoi të ndriçonte botën, por dogji pronën, lirinë dhe dinjitetin e njeriut. Pronën e quajti faj, kundërshtimin tradhti,fjalën e lirë rrezik dhe njeriun që nuk përkulej armik. Pastaj erdhën internimet, burgosjet, pushkatimet, heshtja… Njeriu fliste me sy, se fjala kishte çmim. Vivra i njohu në trup e shpirt shkelmat e atij sistemi, ndaj duhet besuar.

   Dashuria mes Agronit e Florës lindi e njomë, si një dritë e fshehtë në fundin e një dite të zymtë, por koha nuk e lejoi të bëhej agim. Ajo u tret shpejt, jo se zemrat e tyre ishin të varfëra, por se koha ishte e pamëshirshme. Dashuria mes tyre nuk u shua;ajo mbeti pezull,si një pyetje pa përgjigje. Ajo mbeti në ngërç. Sa shumë ngërçe ka ky libër i vogël në volum, por i madh në detaje e mesazhe !

  Agroni kishte dalë nga universiteti me shkëlqim, por diploma e tij është më e vogël se një vulë partie. Shefat nuk e ngrinin njeriun në detyra sipas meritës, e ulnin sipas bindjes. Këtu qëndron një nga damarët më therës të novelës; regjimi nuk i thyente njerëzit vetëm me dhunë,   i gërryente edhe me burokraci, transferime, poshtërime…

   E mençura Vivra, e shndërron kohën në një trekëndsh; në njerin kulm qëndron kujtesa, në tjetrin tronditja, në të tretin dilema.Në qendër të këtij trekëndshi qëndron njeriu, i brishtë dhe krenar, i plagosur dhe shpresues, duke kërkuar një kuptim që koha nuk ia fal lehtë.

  Novela nuk përmend emrat e njerëzve të sistemit të kohës, që ia nxinë jetën asaj dhe gjithë shqiptarëve të ndershëm. I quan ai, ajo,njëri, tjetra, të tjerët. Zgjedhje e bukur estetike e filozofike; duke zhvendosur vëmendjen nga portreti i një individi, te tipologjia e një epoke. Emri i jep njeriut një identitet, një prani,një lloj peshe në kujtesë. Autorja zgjedh mënyrën për të mos ua dhënë këtë kënaqësi, këtë privilegj. Ajo nuk merret me fajtorin si individ; merret me fajësinë si dukuri.Nuk ndërton listë armiqsh, nuk e kthen dhimbjen në katalog hakmarrjeje. I lë figurat të kalojnë në tekst si hije, ndërsa në qendër vendos përvojën, plagën, kujtesën dhe të vërtetën e saj. Nuk e përdor penën për hakmarrje ndaj individit; e përdor për ta kthyer përvojën në dëshmi, dëshminë në art dhe artin në kujtesë.

    Sistemi nuk kërkonte njerëz të drejtë me shtyllë kurrizore,por hije të përkulura që e matnin vlerën me thellësinë e përkuljes. Autorja zbërthen me saktësi kirurgjikale mënyrën se si ideologjia devijoi nga arti e profesionalizmi, duke shndërruar dinjitetin njerëzor në një monedhë të zhvlerësuar që shkëmbehej me mbijetesën.

     E kaluara nuk është hi; është flakë. Nuk është një kujtim i ftohtë i arkivuar në ndërgjegje, por një zjarr që vazhdon të digjet. Paradoks interesant me Vivrën; ajo largohet nga vendlindja, por Shqipëria nuk largohet prej saj. Ajo nuk shkruan për të kujtuar atë që ka ndodhur; shkruan që ajo që ka ndodhur të mos humbasë në mjegullën e kohës. Autorja përkundet mes tragjikes dhe madhështisë: ndërsa dheu i huaj i afron qetësinë, dheu i saj i kërkon dëshminë. Ndaj ajo erdhi shpesh në Vlorë, punoi për të dhe Shqipërinë. I mbaroi ditët këtu,u mbulua me dheun amtar, duke u bërë një rrënjë e gjallë që do çelë sythe të blertë në përjetësi.

  Njerëzit e mëdhenj ikin si trupa, por mbeten si dritë. Dhe drita nuk pyet sa gjatë  jetoi ai që e ndezi;mjafton që ende ndriçon.

 

 

 

 

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page