Hekuran Halili: Në Burrelin budian, Burrelin mbretëror, Burrelin e poetëve.
- 5 hours ago
- 3 min read

Në datën 5 shtator 2026, për të dhjetën herë, Burreli u bë kryeqendra e krijuesve të mbarë trojeve shqiptare, që fatkeqësisht historia i ka coptuar dhe ndarë në gjashtë shtete: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Greqi, Mal i Zi, Serbi.
Për të dhjetën herë Klubi letrar “Pjetër Budi”, organizoi Festivalin Kombëtar të Poezisë “Muza poetike budiane”.
Pata fatin e nderin që për herë të parë të merrja pjesë në këtë aktivitet, i kualifikuar nga juria prestigjioze me poezinë që dërgova, por edhe i ftuar si kryetar i “Klubit të Krijuesve Jonianë” Sarandë. Ishin shumë herë të para të mia në këtë aktivitet. Për herë të parë kalova veriun e Tiranës, për herë të parë isha në Burrel, për herë të parë vura një tufë me lule në shtatoren e mbretit Zogu I në qëndër të Burrelit, si nderim dhe falënderim për atë që ka bërë për Çamërinë dhe çamët, për herë të parë mora në sy çdo risk e pasojë nga gjendja ime shëndetësore e udhëtova gjatë, për herë të parë pashë një krahinë mbretërore në natyrë, një qytet model në urbanistikë, arkitekturë, gjelbërim, pastërti, kujdes qeverisës nga pushteti vendor, një park madhështor që mba emrin “Parku Geraldinë”, një shtëpi kulture model, që në Sarandë na mungon shumë; për herë të parë pashë një organizim deri në përsosmëri të aktivitetit nga profesori i letërsisë, krijuesi, kritiku letrar, drejtuesi, miku i poetëve dhe krijuesve të të gjitha trojeve shqiptare, kryetar i Klubit letrar “Pjetër Budi”, modesti profesor Hamdi Hysuka dhe kryesia e klubit krijues, për herë të parë takova poetë nga mbarë trojet shqiptare, e plot e plotë herë të para. Ishte një aktivitet që do ta mbajë mend gjatë, një aktivitet ku kishe çfarë të mësoje, një aktivitet model.

Uroj, përgëzoj dhe falënderoj gjithë organizatorët, veçmas zonjat dhe poetet e nderuara Lindita Doda, zv. kryetare e klubit letrar; Vilma Nika, anëtare e kryesisë. Falënderoj jurinë e nderuar me tre personalietete të letrave shqipe, profesorin e nderuar Behar Gjoka, poetin e mrekullueshëm Basir Bushkashi, kryetarin Hamdi Hysuka, të cilët më nderuan me Çmimin letrar “Pjetër Budi“, për poezinë “Unë dhe Çamëria”.
Nuk është hera e parë që nderohem me çmime brënda dhe jashtë vendit, por ky çmim do të jetë më i çmuari për mua. Faleminderit Klubit letrar “Pjetër Budi”, faleminderit juri e nderuar, faleminderit Hamdi Hysuka, faleminderit Burreli poetik, Burreli budian, Burreli mbretëror!
Hekuran Halili,
kryetar i Klubit të Krijuesve Jonianë, Sarandë

Unë dhe Çamëria
I vogël,
E dija se Çamëria ishte diçka e shtrënjtë,
Që nëna e mbante mbështjellë me shaminë e nusërisë.
Çdo të diel ajo shaminë e hapte.
Shtëpia na mbushej ploot me lule.
Çuditërisht ,ne na pushtonte një ndjenjë malli.
Ndërsa babai ato ditë nuk fliste,
Por psherëtinte e psherëtinte...
Pastaj , merrte fyellin dhe i binte.
Përherë fillonte me të njëjtën melodi.
-Është vajtim për dy vëllezërit që ja vranë,
Na thoshte nëna.
Ne dëgjonim e lotonim...
Në rini , Çamërinë e ndjeva në ëndrrat e mia,
Dhe tek era e jugës që vinte nga Qafa e Botës.
Për ta patur pranë,
Një faqe mali mbolla me ullinj...
Tani jam burrë.
Çamërinë se nxë më shamia e nënës time.
Tani, Çamëria nuk është më ëndër .
Tani, ç’do natë ndjej frymën e thirrjen e saj .
Ç’do natë vjen e më vë kushte në gjumë,
Ja të shkoj unë tek ajo,
Ja, ajo do shkulet e do vijë tek unë...
Tani, Unë dhe Çamëria , Nuk rrojmë dot pa njëri tjetrin...








Comments