top of page

Hasan M. Shahinaj: Poezia e bukur metaforiko-alegorike e Merita Kuçit (Thartori)

  • Apr 1
  • 9 min read

Hasan M. Shahinaj: Poezia e bukur metaforiko-alegorike e Merita Kuçit (Thartori)

Duke rilexuar vëmendshëm vëllimin e 6-të poetik të autores së mirënjohur Merita Kuçi (Thartori), mrekullohesh plotësisht jo vetëm për larminë tematike që lëvron ajo suksesshëm me në thelb lirizmin erotiko-social të logjikshëm; jo vetëm për frymëzimin e paqtë, të lindur dhe harmonik, por mbi të gjitha për përveçmërinë e poezisë së saj mirëfilli origjinale. Thënë kjo hapur, pa asnjë sens elozhist apo superlativ, ngaqë unë kam pasur fatin të njoh krijimtarinë e pasur të poetes Meritë-meritore, qysh në 5-vjeçarin e parë të botimeve të saja seriale, si kolegë pune në një shkollë të mesme periferike të Durrësit; po edhe si dashamirës të pandarë të buronjave poetike reciproke në tërësi, të cilat na pulsojnë pambarimisht e pa limit në tërë qenien tonë ekzistenciale.

Kryesorja: të mos harrojmë, të mire-besojmë se trinomi diell-dritë-paqe i Meritës na ka befasuar e frymëzuar tërësisht. Ja disa risi kyçe në vëllimin e 6-të poetik të autores Merita, të metaforizuar simbolikisht "Unë jam ti":

Së pari, veçantia cilësore e vëllimit në fjalë është se: autorja e aftë, gati në çdo poezi, gjen e motivon mjeshtërisht detajin e duhur për të na dhënë sheshit thelbin substancial  të poezive në fjalë në të 5-së ciklet, po aq metaforiko-alegorike të librit të ri prej 155 faqesh. Kësisoj, poezia e poetes Meritë, ka brumë të ardhur me majà; të gatuar kujdesshëm, bukurmirë, pa hime, pa kripë të tepërt, pjekur me merak nën saçin Diellor poetik të laboratorit të saj të kudondodhur. Kjo  risi e dielltë  e poezisë origjinale të Meritës e dallon atë nga kolegët e gjeneratës së vet; bile dhe më gjerë në rrafshin mbarëkombëtar. Fort këndshëm hapet vëllimi me poezinë e parë "LuleBorë", që në fakt epiteton e paralelizon të bijën e vetme sqimatare, Borën, saqë të duket sikur ngrihet sipari i një shfaqjeje solide: "Bota jote tashmë" çati e paqur të merr me vete, të bën të ndezur!

Së dyti , këndvështrimit optik të detajuar të poetes Merita, i shkon kaq përshtatshëm larmia tematike  e poezisë qoftë ajo  tradicionalja , më e vyera, më e parapëlqyera nga çdo krijues/e; po edhe përditshmëria surprizuese tranzitive ngjyrashumë e bardhezi e realitetit tonë, sa të mirë aq edhe fshikullues, marramendës, dyshues, lodhës, mashtrues, korruptiv, vrasës; që gjithsesi ka me patjetër një dritëz daljeje të sigurtë në fund të tunelit. Pikërisht e tekstualisht, krejt libri i ri poetik "Unë jam ti", përligj atë devizën, kredon qartësisht të gjetur të poetes së talentuar dhe origjinale Merita Kuçi (Thartori) për të njohur vetveten, gjithnjë e gjithnjë të inkuadruar jo thjesht në makrobotën si më lart, madje veçanërisht në mikrobotën e saj ndjesore sa romantiko-fluore aq edhe substancialo-reale, detajuese, prekëse, vigjilente e perspektive njëherësh;  shpërfaqur katërcipërisht në dritë të diellit. Kështu, pra, gjithë vëllimi i ri poetik mjaft tërheqës, zbërthen sentencën gjithëkohore të thënë prej korifeut të Antikitetit udhërrëfyes, Sokratit të papërsëritshëm në jetën njerëzore, i cili prej shekujsh është shprehur: "O njeri, njih vetveten!..." Gjithashtu, në këtë këndvështrim optikal, trilli i kredos poetike i poetes sonë përforcon si vazhdimësi lineare, të  thënat e të pathënat  nëntekstuale të të dy vëllimeve poetike të kaluara të saja me titujt sinjifikativë "Diell i vonë" dhe "Voles, të bëhem dritë". Shkurt: kudo e ngado , poetja jonë kërkon e fut me mjaft delikatesë e finesë Diellin , punëtorin njesh e shembullorin jetëdhënës të universit tonë; pa dritën dhe ngrohtësinë e të cilit asgjë nuk gjallon, nuk ka vlerë e s'ka se si të të ndriçojë sadopak, mbase edhe mekur , kandilin tënd real, sureal e spiritual të Diogjenit antik apo qiririn e pafjetur të Naimjanit tonë liriko-tipik!

Kjo  risi letrare  që përshkon si kordon ombilikal krejt krijimtarinë poetike të poetes Meritë në të 6-të vëllimet e veta (sipas meje H. SH), e dallon atë specifikisht në progresion rritës nga poezia në poezi. Së treti , ky vëllim i ri poetik në fjalë, me atë titullin metaforiko-alegorik "Unë jam ti", na apelon gjithë ditën për të zbërthyer më mirë në kohë e hapësirë sentencën Migjeniane: "pak dritë, pak dritë, o shok, o vëlla!..." sepse poetja e përkushtuar vrapon e vrapon duke ritheksuar domosdoshmërinë e Dritës në çdo aspekt e dukuri, thuajse qelizore të jetës reale, toksore, shpirtërore e parajsore-qiellore.

Dhe... dhe, kjo dritë, buruar gjithnjë veçse nga jetëdhënësi Diell, mirëfilli gjendet posaçërisht në çdo poezi gjatë e pas rileximit tonë, totalisht të përqendruar duke na nxitur, entuziazmuar e frymëzuar me rrezet e praruara të saja edhe në skutat e labirintet më të errëta të vetëdijes e të psikikës njerëzore në tërësi. Përpos tjerash mua më ndërmendet enkas këtu, krijimtaria prekëse e poetes fatkeqe Drita Çomo, gjithashtu erudicioni i shkrimtares qendrestare, i së talentuarës së papërsëritshme Musine Kokalarit (simpatikes porsi një Mona Lizë); atje thellë nëpër vuajtjet tragjiko-persekutive në Rrëshenin e Mirditës gjeneze Fishtiane. Poetja Meritë, me shpirtçiltërsinë që e karakterizon, fjalën kyçe Paqe, "paqtë", paqtuar, qetuar e ka gjenerator dritë në çdo hap vargëzues, madje cikli "Petalet", më liriko-erotiku dhe metaforiku njëherësh, mendoj se: detajon dukshëm, si më lart, duke na përfshirë e mesazhuar në vorbujt e dallgëzuar të petaleve stinore fort këndshëm. Psh, rilexoni me kujdesin e duhur poezitë: "Imi shpirt" fq. 110; "Për ty, njeri" fq. 120; "Dënuar" fq. 122; "A ka?" fq. 123; "Dhimbje" fq. 144 etj, dhe besoj do të më jepni veçse të drejtë! Së katërti , përveç tjerash, poetja Meritë është një zotëruese e vërtetë e përdorimit të figuracionit stilistik sa më të situr deri në imtësi, duke e vënë atje ku e kur duhet. Siç pohuam më lart, ajo është e zonja (madje e lakmuar nga çdo krijues/e) për përdorimin efikas të metaforës trillojshe (foljore, emërore, mbiemërore). Dhe kjo e vërtetë bie në sy dukshëm qysh në poezinë hyrëse, postulat do të thoshja, kushtuar së bijës fisnike Borës (shih fq. 5, 131) dhe ende më shkoqur, metafora na çel porsi një sy kristalor në ciklin e parë të vëllimit të titulluar "Të qeshë dielli" ; të cilin togfjalësh, nëse e detajon, del metaforë mbiemërore (siç quhet rëndom epitet). Psh: dielli i qeshur, hëna e gëzuar, det i përlotur, qiell i merakosur etj. Ose më kuptueshëm për çdo lexues/e: "diellin që gjithkund ndan dashuri!" fq. 9, 11. Ose më tej: "frymë e tokës, afsh i jetës" fq. 10. Ose: "i miri, flokëarti, i tëri për të gjithë" fq. 122 (pra dielli). Po ashtu, metafora e kudogjendur me takt mjeshtëror, bashkëshoqërohet me anaforat e mirëfillta në kryevargëzimet e poetes sonë: "e cila ringjallet porsi ai Feniksi urtak"; ngase "fle si lulkuqe e zgjohet trendelinë... ashtu si zogjtë", gjithnjë dashuruar me qiejt me shpirtin e tyre drejt lirisë... "se jeta dhe zogjtë, një fluturim kohësh; se jeta dhe zogjtë, një këngë e pambarimtë!" (shih fq. 13, 14, 15, 18). Ndodh kësisoj, se poezia për Meritën në të 6-të librat e saj është porsi porta e dashur e shtëpisë, ku hyn e del pa trokitur; ku hyn me hapat e zemrës guximtare. Ashtu siç hyn në zemër të diellit, duke shijuar magjinë e tij prushërore; duke verbuar errësirën. Sepse për poeten tonë, thuajse në çdo vargëzim anaforik, jeta do jetuar me dinjitet atëherë dhe tani kur ti, ujëvarat e shpresës, i kthen në lumë që ecën ditë e natë, duke mos fjetur gjumë! Gjithashtu, vargut të saj të lirë e të rimuar, i japin nur e sharm figurat letraro-stilistike të simbolit, paralelizmit figurativ, krahasimi, epiteti i mirëfilltë, anafora, metonimia, personifikimi, hiperbola, përsëritja dhe enumeracioni, pyetja retorike, ironia e sarkazma, antiteza. Psh: medito e shijo poezitë sikurse "Gjuha" fq. 22; "Oqeani im" fq. 23; "Flamur" fq. 26; "Të bekoj" fq. 34; "Verbim" fq. 37; "Si Naimi" fq. 38; "Për jetën" fq. 39; "Mani" fq. 46; "Grua-nëna" fq. 53; "Jam" fq. 61; "Propozimi" fq. 66; "E huaj" fq. 75; "Pyetje" fq. 77; "Mall" fq. 89; "Frikërat" fq. 93; "Të dy" fq. 96 (tipike); "Lutje" fq. 126 (tipike); "Çdo zgjim" fq. 128 (tipike); "Luftëtari" poet fq. 139.

Së pesti, paralel me këtë figuracion të përzgjedhur stilistik, si më lart, poetja Meritë na ka lumturuar me shumësi sentencash vetiake, origjinale të cilat porsi lulëkuqet feksin e aromojnë arën e madhe të grurit vargëzues prej 127 poezish të vëllimit të 6-të. Natyrshëm e logjikisht vërejmë, se poezia ylberiane, erëkëndshmja si mimozë e Marsit e Meritës, është tejet e sinqertë, e brishtë, mesazhuese; pothuajse vetvetja ,  tamam porsi dielli-disk i zjarrtë, kur perëndon i stërmadh mbi Adriatik duke e përflakur rezuar Durrësin antik. Bie fjala, ja disa shembuj konkretë nëse mediton shpirtlirizuar për faqet: 24, 29, 31, 38, 42, 55, 59, 78, 89, 95, 98, 110, 125, 129, 130, 139, 143. Është interesant fakti se leksiku letrarizues kosovar ka tek-tuk një ndikim për mirë tek autorja Meritë. Ndodh kjo dukuri, nëse kujtojmë fjalët: përqaf-em, sikur ana, dhimbë, sqimë, grah, të grinj, andaj, kah, rrejshëm (rena, gënjeshtra), përunjur, shenjuar etj. Apo veçmas, 3 format e pashtjelluara foljore (pjesore, paskajore, përcjellorja) në dialektin geg kanë një zhdërvjelltësi më të madhe; gjë që e përveçojnë, dallojnë, cilësojnë poezinë ndryshe të Meritës sonë nga të kolegeve simotra; prandaj sipas meje, ka ndikim të ndërsjellë nga poezia mjaft e thukët kosovare; qoftë e traditës, qoftë e sotmja, e cila gjithsesi do pohuar e pranuar, përherë ka qëndruar një shkallë më lart se jona (e Shqipnisë – e dheut amë, nëse shprehem kosovarçe). Shkurt e prerë: Dhe... dhe, akoma më detajshëm unë gjykoj: që peri (fjalori i ri neologjik) t'i përshtatet sa më bukur e komod gëzofit vargëzues të librit "Unë jam ti", e ka nxitur e frymëzuar Meritën për të qëmtuar fjalën e duhur. Ja një tablo të fjalorit vetiak sipas radhës së faqeve: luleflakë, shpirtlirë, zemërmira, flokëlëshuar, mirësisht, erëmirë, qiellgërvrishtë, fatndjellës, i paudhi, urtaku, zemërçiltër, zemërplot, petalgjembur, zemërputhur, krahëlëshuar, keqardhur, erëmjaltë, përshpirtje, majagishtash, fatlume, gjethepjekur, shpirtdiell, lëkurëverdhet, duartrokitësit, duarboshësit, i paguximshmi, fatlumi, përndjellës, lulendjellës, fluturshkruarat, lulelajlat, vetmburrje, vetflijuar. Edhe kjo risi apo veçanti dalluese e poezisë meritore – Meritiane e bën atë më diellore, më solide, më burrërore! Së gjashti, jo vetëm kaq, e përsëris madje me kënaqësi leximoro-meditative duke vërejtur se: tërë vëllimi poetik "Unë jam ti" (fokusuar simbolikisht qysh në kopertinë); përshkohet nga linja e paepur e qëndresës, e atdhedashurisë sublime; ngjizur me ustallëk në thelbin e membranës qelizore të vargëzimit, qartazi, enkas, me guxim poetik, larg deklamacionit, skematizmit dhe shterpësisë së vargut. Spikat shkoqur, cilësisht në këtë rubrikë cikli i pestë metaforiko-alegorik dhe epik i librit "Thirra përqafimin", duke nënkuptuar njëherësh edhe alteregon e talentit të autores sonë. Në këtë cikël vargëzues poetja guximtare fshikullon me ironi therrëse deri në sarkazëm të hapur ata/ato, mosmirënjohësit, puthadorët, të pabesët, tradhtarët, vrasatarët, duartrokitësit e shitur, të përdorurit, kameleonët e sojsorollopin e tyre. Psh: rilexo me ëndje faqet 119, 121, 122, 132 (tipike), 133 (tipike, simboliko-alegorike) etj. Unë sërish ngulmoj se: poezia e Meritës është bio, e larmishme jo vetëm nga tematika, metrika e vargëzimit, detajet, sfondi, mesazhet që përcjell, idetë e qarta etj, po edhe si model i parapëlqyer dhe sidomos lëvruar cilësisht nga poetja jonë; gjë që përngjason me patjetër me timbrin e jehonës Martin Camajeske. Psh: rilexo besnikërisht poezitë "Vjeshtë" fq. 48; "Pa mëshirë" fq. 49; "Përbetim" fq. 50; "Si të tjerë" fq. 55 etj nga cikli i parë i vëllimit "Të qeshë dielli" dhe rikujto ciklin e Camajt "Një fyell në male".

Edhe vetë titujt e 5 cikleve frymojnë në trajtën Martincamajeske dhe Ernestkoliqiane. Nga ana tjetër, në shumësinë e 127 poezive, ndeshim devizat e kredos vetiake të autores Meritë, të cilat së toku na fusin në meditime të thella, na surprizojnë bindshëm me logjikën e poetes, erudicionin dhe, pa mëdyshje, na mbushin shpirtërisht. Dhe s’ka se si ndryshe, nëse mediton e ndjen me çiltërsi të plotë llojshmërinë e sentencave, njëra më ideore e më e bukur se tjetra. Bie fjala, ja vetëm disa kumte nga dhjetërat e kontekstit libror:

"shpirtit të lirë, zë t'i qasem se aty përkundet djepi i oqeanit tim" fq. 24;

 "i tillë është mal-shpirti im, një Sizif i paepur, mes forcës dhe shpresës"fq. 29;

"në ëndërrat Naimjane të dashurisë fjeta, veç aty të vërtetën gjeta" fq. 38;

"zgjohem grua me diellin e jetës për t'u ndjerë e denjë dhe e besës" fq. 55;

"po, diçka mbetet gjithmonë e vlerë: thjeshtësia, që disa çmenden ta kenë!"  fq. 59;

"pesha më e rëndë: emri dashuri!"  fq. 95;

  "prandaj, shpirti i vjeshtës ka mijëra ngjyra, festival gjethesh balerinë" fq. 98;

  "dallëndyshja është një fëmijë i vogël, por i përsosur për dëlirësi" fq. 125;

   "dy njerëz kinse se të mirë, që arën e shkelën me fjalën!" fq. 129;

 "fale paqen pa çmim, o njeri, mos më shih me përçmim!" fq. 130;

 "jo të gjitha fjalët fillojnë me të lutur; jo të gjitha dashuritë mbarojnë lumtur!" fq. 143.

Si përfundim: Sinqerisht, përjetova kënaqësi të përveçme duke analizuar këtë vëllim poetik të përveçëm të 6-të, të poetes së talentuar Merita Kuçi (Thartori); vëllim që ka (veç tjerash si më lart përshkruar) edhe një emërtim sinjifikativ: "Unë jam ti" duke nëntekstuar alegorikisht dygjinësinë e dy përemrave vetorë. Nga ana tjetër, u frymëzova shumë me përpjekjen Sizifiane të poetes sonë, e cila e sedërtuar deri në detajet më të prekshme të subkoshiencës së saj, na ka dhënë idetë dhe mesazhet e duhura cilësore për të 127 poezitë e librit. Qartësisht, optika e alteregos së kësaj autoreje tejet të zellshme njëherësh na flet për vizione horizontesh të tjera, gjithmonë të kaltra në kohë e hapësirë. Ndaj e uroj përzemërsisht për lartësi të reja e sfidante, falë talentit të spikatur që zotëron!...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page