top of page

Fatmir Terziu: Talenti që nuk pranon të quhet talent

  • 2 hours ago
  • 4 min read

Talenti që nuk pranon të quhet talent

 

Sapo mbylla fletën e fundit të The Way of Kings (Rruga e Mbretërve). Autor Brandon Sanderson.  Rruga e Mbretërve është libri i parë i serisë The Stormlight Archive (Arkivi i Dritës së Stuhisë) dhe konsiderohet nga shumë lexues si një nga veprat kulmore të Sandersonit. Është një roman shumë i madh, me botë të ndërtuar në mënyrë jashtëzakonisht të detajuar, personazhe komplekse dhe tema filozofike mbi nderin, përgjegjësinë, dështimin, sakrificën dhe kuptimin e jetës. Por aty është shënuar dhe preambulë. Tek kjo preambulë ka një paradoks të bukur. Preambula është në atë që thotë Brandon Sanderson, i cili është një nga shkrimtarët më të lexuar dhe më të paguar të letërsisë fantastike.  Ai pohon se nuk ka talent si shkrimtar dhe se gjithçka që ka arritur është rezultat i punës së palodhur. Në pamje të parë, kjo mund të tingëllojë si një mohim i talentit. Në të vërtetë, është një pyetje shumë më e thellë: çfarë quajmë talent dhe çfarë quajmë punë?

Njeriu ka pasur gjithmonë nevojë t'i shpjegojë sukseset me një dhunti të lindur. Talenti është një shpjegim i rehatshëm. Ai na lejon të themi: “Ai mundet sepse ka lindur i tillë, ndërsa unë nuk mundem sepse nuk e kam atë dhunti.” Kështu, talenti shpesh bëhet një alibi për ata që nuk duan të përballen me vështirësinë e rrugës. Nëse tjetri është “i talentuar”, atëherë dështimi ynë duket më pak i dhimbshëm. Por Sanderson na kujton një të vërtetë të vjetër, ajo që duket si talent nga larg, shumë herë është disiplinë e përsëritur nga afër. Askush nuk e sheh numrin e faqeve të shkruara që nuk u botuan. Nuk sheh orët kur shkrimtari u ul para një faqeje të bardhë dhe nuk dinte çfarë të shkruante. Nuk sheh dorëshkrimet e dështuara, kapitujt e hequr, fjalitë e rishkruara dhjetëra herë, dyshimin dhe lodhjen. Publiku sheh librin. Shkrimtari njeh rrugën deri te libri. Prandaj, suksesi shpesh na mashtron. Ai na tregon vetëm majën e malit dhe fsheh shkëmbinjtë mbi të cilët është ngjitur njeriu.

Në art, talenti mund të jetë një shkëndijë, por shkëndija nuk bëhet zjarr pa dru. Një ide e bukur nuk bëhet vepër pa durim. Një zë i veçantë nuk bëhet letërsi pa ushtrim. Dhe një shkrimtar nuk bëhet shkrimtar vetëm sepse di të shkruajë; ai bëhet i tillë sepse nuk pushon së kërkuari mënyrën më të mirë për të thënë atë që ende nuk është thënë. Këtu qëndron edhe një prej paradokseve më të mëdha të krijimtarisë: puna e gjatë fillon të duket si talent. Një pianist që ushtron çdo ditë, një piktor që korrigjon vazhdimisht dorën, një matematikan që rikthehet te i njëjti problem, një shkrimtar që shkruan çdo mëngjes, pas shumë vitesh mund të duken sikur gjithçka u vjen natyrshëm. Por ajo “natyrshmëri” është shpesh kujtesa e trupit dhe e mendjes për mijëra përsëritje. Ndoshta prandaj deklarata e Sandersonit është më shumë se modestia e një autori të suksesshëm. Ajo është një kundërshtim ndaj mitit të njeriut të jashtëzakonshëm që lind i përfunduar, sepse njeriu nuk është një produkt i mbyllur. Ai është një proces.

Dhe letërsia, në këtë kuptim, është një nga vendet ku ky proces shihet më qartë. Një shkrimtar nuk lind me romanin e tij të ardhshëm në duar. Ai lind me një mundësi. Pjesa tjetër ndërtohet. Fjalë pas fjale. Faqe pas faqeje. Dështim pas dështimi. Dhe ndonjëherë, shumë vite më vonë, bota e quan “talent” atë që autori e di se ka qenë këmbëngulje. Por a do të thotë kjo se talenti nuk ekziston? Jo. Talenti ekziston, por ndoshta nuk është aq i rëndësishëm sa mënyra se si e përdorim atë. Një talent i paushtruar mund të mbetet një mundësi e humbur. Ndërsa një aftësi e kultivuar me durim mund të arrijë një nivel që nga jashtë duket si dhunti e lindur.


Në fund të fundit, pyetja nuk është nëse Sanderson ka talent apo jo. Fakti që ai ka krijuar një botë letrare që ka prekur miliona lexues dëshmon se ekziston një aftësi e jashtëzakonshme krijuese. Por ndoshta Sanderson refuzon ta vendosë suksesin e tij te “talenti”, sepse talenti është diçka që nuk e kontrollon plotësisht, ndërsa puna është zgjedhje. Dhe pikërisht këtu qëndron filozofia e kësaj historie. Ne nuk kemi gjithmonë në dorë atë me të cilën lindim, por kemi shumë më tepër në dorë atë që bëjmë me të.

Jeta është plot njerëz që presin të zbulojnë nëse janë të talentuar. Presin një shenjë, një mundësi, një moment frymëzimi. Ndërkohë, dikush tjetër punon. Dhe ndërsa i pari pret të zbulojë talentin e vet, i dyti ndërton aftësinë e vet. Ndoshta suksesi nuk i përket gjithmonë atij që ka më shumë talent. Ndoshta i përket atij që nuk largohet nga tryeza kur talenti nuk mjafton, pasi talenti mund të hapë derën, por puna të mëson të ecësh nëpër dhomat e saj. Dhe në fund, ajo që quajmë “talent” mund të jetë vetëm emri që u japim viteve të padukshme të punës së dikujt tjetër.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page