top of page

GËZUAR 8 MARSIN!


E DASHURA NËNË, EDHE NË SHTRATIN E DHIMBJES: GËZUAR 8 MARSIN!

Fatmir Terziu


E di dhimbjen tënde. E di ..., E ndjej njëqindfish. Është kohë me Covid, Pandemi. E loti është bërë Glob në sy. E di që ty nuk të zë gjumi. E di. E di e shtrenjta nëna ime. E ndjej teksa dritarja më kafshon në sytë e mi lotin tënd të malluar. E di. Është punë gjumi? Gjumi nuk vjen lehtë tek një burrë si unë, ende përkëdhelet nga ninullat e tua. Nga tundjet e djepit të vogël të zbukuruar nga duart e ustait më të mirë të asaj kohe me kapakë shishesh, bojërash të ndryshme, me djegje delikate tradicionale në drurin e shkulur nga korijat tona. Gjumi si gjumë tashmë nuk është në stigmën e një fëmije. E di këtë edhe vetë gjumi. E ndjen vetë trupi, e shtrenjta nëna ime. E di trupi dhe e ndjen truri ... Kockat e mia vuajnë nga lëvizje, ikje dhe ardhje, që ende nuk mund të prekin ëndërrën e madhe, mendja ime është e shqetësuar me mendime të vazhdueshme për atë që mund dhe nuk mund të jetë. Edhe pse, unë jam i sigurt se trupi dhe truri juaj është i kapërcyer me lodhje e mendime në gjumë dhe për të nuk ka pushim… Nuk ka pushim, për ty nëna ime e dashur… Nuk ka pushim…, e gjitha rrjedh sidoqoftë e kristaltë, në paqe. E gjitha është mori ndjesish. Të gjitha ndjesitë t’i ndjej, …i dëgjoj, e shtrenjta nëna ime. Ndjesitë më flasin, më zgjojnë, më mbajnë në jetë… ato flasin …Kanë gjuhën e tyre. Ato thonë, ju jeni duke fjetur dhe duke biseduar me engjëjt. Dhe, ju jeni nëna ime e shtrenjtë ende jeni zgjuar, duke bërë gjumin mbledhje, kuvendime, parashikime, ëndërrime, lutje në qiej të pastër .... për ne shtatë fëmijët e tu, për të gjithë nipërit e mbesat e tua, për nuset që i doje si vetja. Dhe i mbledh tërë lutjet e i bënë pëllumba të qetë, të paqtë që dinë vetëm të sjellin uratat e tua të arta. Je duke na zgjedhur fjalët më të ëmbla, më të bukura të gjuhës së ëmbël të cilën vetëm nënat e kanë, të gjuhës së bukur shqipe, je duke na zbukuruar një vend më të mirë. Nëna ime e shtrenjtë, cili është ky vend më i mirë? A është bari i gjelbër, qielli blu dhe dielli që rri poshtë? A i ka në hartën e tij lumenjtë, liqenet, dy detet tona të kristalta, tërë pastërtitë e kësaj bote të ndarë nga ndotja, soji ynë Njeri që ka kohë që i ka mallkuar për të jetuar? A janë aty njerëzit që të vrasin me buzëqeshje në vend të …? E mira nëna ime, pasi ke menduar dhe zgjedhur shumë, a të duket se ai vend vërtet ka ndryshuar? Nuk jam më i vogël, (përveçse në ëndërrat e tua, në përkëdheljet e tua) dikur i lëvizshëm, fluturak në rrugë e në krye të punëve, i lumtur dhe shpresëdhënës, tashmë një ballë i mbushur me rrudha ... e ai është lënë zgjuar pa Ju. Jam me ty nëna ime. Jam me ty. Por Ti je larg dhe buzët e tua më mbetën në ballë! Sytë e kaltër, sytë tuaj, janë më të ndritshëm dhe janë më të plotë në dashuri. Tani sytë e tu janë një magazinë e madhe, aty hyn një glob, një Glob i madh ku shëtisin molekulat e trupit tënd, geni yt i vëllait tim Bashkimit në Prato, i vëllait tjetër Arifit në Amidia, i motrës sime Emrijes në Athinë, e ai syri tjetër i ndarë në shumë cifla shpërthyese në Atdhe, Elbasan e në Londër e ... aty ku na mban gjallë me përkëdheljet dhe puthjet e tua të pazëvendësueshme... deri në dritë të ditës... ... deri në dritë të ditës... të jetës! E vetmja dritë që sheh natën është kur sheh hënën në kërkim të ëndërrave dhe dëshirave të tua për ne. Ju, e shtrenjta nënë. Ju. Ju. Ju. Ne jemi vetëm disa përzgjedhje nga kopshti yt i mbushur me lule e trëndafila, të seleksionuar nga zemra e shpirti yt në sytë e tu. Jemi kohëdashuria jote, e shtrenjta Nënë! Jemi vite dhe ritme të ushqyera në thinjat e tua, shtatë këshilltarë të shpaguar e të bekuar dhe miliarda urime në 8 Mars. Buzëqeshje. Krenari. Një uragan brenda kokës së një djaloshi, që ti ende e përkëdhel si të vogël, sepse Nëna është e tillë. Është gjithnjë me mua këtu ... Se ti e shtrenjta ime, Nëna ime, e di se ku është më mirë, dhe çdo natë qëndron zgjuar dhe sheh hënën dhe shpreson se sytë e saj janë në drejtimin e duhur ..., … sepse Hëna flet me nënën e zgjuar dhe nëna e zgjuar nuk po flet nga udha që la prapa, Nga udha që ndihet … Nga udha që s’pushon me një lidhje. Një lidhje e pandashme dashurie. Lidhje nënash Hyjnore. E dashur nëna ime... është udha nga stërgjyshja, gjyshja, … është Udha e jetës tek e përditshmja, tek e sotmja… E dashura nënë: Gëzuar 8 Marsin! Të dashura nëna Gëzuar 8 Marsin!

215 views2 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page