top of page

Gjuha Shqipe po rënkon…


Vangjush Saro




Përndryshe: Lexues, botues, institucione, largoni nga vetja grafomanët dhe gjuhëçalët!


(Në vijim të një bisede)


Po ndalem sërish në disa gazeta e portale, ku vlojnë ‘shkrimtaria’ e ‘gazetaria’ dhe etja për të fituar sadopak terren, ndërkohë që Shqipja rënkon. (Jam i një mendjeje me mikun tim E. Tupe për punë të fjalëve të huaja, por ndërkohë problemi më i madh është ngërçi gjuhësor në sintaksë, morfologji, drejtshkrim e pikësim.) Ja një nga gazetat ‘më të lexuara’ në vend: “Të paraburgosurit kanë tentuar që të kryjenë arratisjen gjatë orarit të ajrimit, të cilët janë pikasur nga punonjësit e policisë së burgut 313, të cilët kanë marrë masat e duhura të menjëhershme për kapjen dhe neutralizimin e tyre.” (Përveç të tjerave, dy herë shkruhet ‘të cilët’, ndërkohë që në rastin e parë fjala duhej ta kishte lidhjen me ‘të paraburgosurit’, por zëdhënësi e shpie atë të ‘përcaktojë’… orarin e ajrimit(!))

Gjithnjë me… ‘gazetat më të lexuara’: “Kete pyetje prokurori i pa ditur , u pergjigj se behej fjale, per femije te jashtligjshem .” (Nga pikëpamja sintaksore duhej ‘kësaj pyetjeje’. Drejtshkrim: i paditur (dhe jo i pa ditur). Më së fundi, ka edhe pasaktësi grafike e pikësimi.) Vazhdojmë me këso të shkruarash: “Teatri “Migjeni” këtë vit mbushi 70 vjet nga themelimi i tij, i cili i ka rrënjët edhe më herët në historinë e kulturës shqiptare.” (Cili i ka rrënjët dhe më herët: themelimi? Kështu kuptohet nga ç’është shkruar.) Ja si shprehet (gjithaq në këtë ‘dritësi’) një nga deputetët e Kuvendit: “Më erdhi jashtëzakonisht shumë keq.” (Edhe “jashtëzakonisht” edhe “shumë keq”?!)

Nga Kosova, ku një shumicë shkrimtarë, gazetarë e qytetarë të tjerë flasin dhe shkruajnë një shqipe të përparuar e të kohës, vijnë edhe shkrues këso: “…pra nga ‘ushtria digjitalé kinsé é patriotëvé matanë kufirit’, duké aluduar té shqiptarët jashtë Shqipërié dhé duké mohuar réalitétin sé édhé gjysma é zgjédhësvé të tij janë kundër véprimévé tij méskiné qé i bënë në akordim mé ar mikun tanë, që tani ai është vëllai i Ramës, pra Vuçiqi, é né këtéj kufirit ar miqtë é tij.” (Nga ta zësh këtë farë publicistike: nga përmbajtja gjithë mllef, nga sintaksa, nga shenjat grafike?)

Ja edhe disa bukurira nga fusha e ‘Kritikës Letrare’: “Autori na jep një roman nga një realitet krejt të njohur.” Etj. (Disa pasaktësi në një copëz fjalie: Na jep (?!) Dhe ‘krejt të njohur’ për ‘krejt i njohur’.) Ja se si shprehet një tjetër ‘kritik’: “Lajmi për librin më të ri për gjuhën shqipe nga autori që jeton në Austri më erdhi vrulltas.” (Përveç kakofonisë sintaksore, le të vërejmë që shkruesit… i ka “ardhur vrulltaz lajmi”.)

Sërish një tjetër fragment nga kuturisjet që sot quhen ‘Kritikë Letrare’; po e përcjell siç është publikuar: “Eshtè ky libèr ku mpleksen shumè objektiva qè ka poeti, sic janè pamjet qytetare ku orèt e qytetit n+ mènyrè metaforike projektohet nga poeti né tè gjashtè pamjet e mundèshme, para, mbrap, lart, poshtè, anash majtas dhe anash djathtas, pamje qè tè lejojnè pèr tè kuptuar turbullirat e kohès.” (Dini gjë të më thoni, çfarë është kjo?)

Po i kthehem edhe një ‘cope letrare’, përzgjedhur (vitin që shkoi) për testet e provimit të lëndës së Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Provimet e Maturës: “Barka filloi të rrëshqiste me shpejtësi përgjatë lumit të rrëmbyer, ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të bërtisnin nga euforia. Zemrat e tyre rrihnin fort, ndërsa manovronin me shkathtësi lopatat përmes ujërave të trazuara. Madje edhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar në lidhje me udhëtimin me barkën, e harroi frikën kur valët e akullta përplaseshin mbi të. Papritur ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar që iu shfaq përpara…” Etj.

Me gjasë, ky tekst duhej të ishte letërsi. Është përzgjedhur, përkthyer mbase, për të matur dijet e nxënësve maturantë në këtë lëndë, për të provuar gatishmërinë e tyre në vlerësimin e stilit, vijueshmërinë logjike, etj. Ju lutem, më ndiqni: “ndërsa katër njerëzit që ndodheshin në të bërtisnin nga euforia”. (Mos ndoshta duhej ‘klithnin’ e, më tej: ‘me eufori’?) Vazhdojmë: “i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar…” Etj. (Duhej shkruar ‘ishte ndjerë’.) Po aty: “Papritur ai vështroi skajet e mprehta të një shkëmbi të dhëmbëzuar…” Etj. (Pra, ky shkëmbi kishte… ‘skaje të mprehta’ dhe na ishte ‘i dhëmbëzuar’.)

Nuk e kam fjalën për pyetjet idiote që pasonin tekstin e pas të cilave qëndron ‘zgjidhja’, çka me të drejtë u bë batudë në rrjete; e kam fjalën për vetë pjesën. E shikoni me ç’letrarizma i qasen programit shkollor dhe si e kthejnë në farsë njërën prej ngjarjeve më të rëndësishme të jetës shkollore? Nuk paska letërsi më të mirë, shqiptare a të huaj; nuk e gjejnë dot, është ‘mbaruar’ dhe prandaj detyrohen të ndërtojnë edhe pyetjet e provimit me këso bastardimesh, duke duartrokitur pa pikë turpi grafomaninë, e cilado qoftë ajo, e vendit apo e ‘importuar’. Sa poshtë ka rënë katundi!

Në këto e sipër, shumë nga shkruesit kokëbosh përpiqen të përqeshin ‘ato kohë’ kur kishte kërkesa për respektimin e gjuhës amtare: në shkolla, në medie, në botime, nga zëdhënësit, etj. Miqtë e mi, t’i ndajmë gjërat: tjetër rendi dhe teprimet e tij, edhe krimet e tij, dhe tjetër disa arritje në ekonomi, arsim, gjuhësi, kulturë e sporte. Nuk e di se gjer ku mund të shkojmë me këtë revan që shkërmoq kaq trishtueshëm përpjekjet reale të intelektualëve dhe institucioneve për Gjuhën Shqipe?

Në pamundësi për të marrë përgjigje inspiruese, së paku po përsërisim pyetje dhe po vëmë në dukje marrëzitë e tashme, duke lutur lexuesin të ikë nga grafomanët dhe shkatërruesit e Gjuhës Shqipe; grishja qëndron edhe për institucionet, mediat dhe shtëpitë botuese.

168 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page