top of page

...fuqia e idesë...


...fuqia e idesë... Astrit Lulushi

Natyra është shfaqje e shpirtit. Ligjet që rregullojnë krijimin dhe lëvizjen e gjithçkaje në univers janë natyrore, jofizike. Zanafilla e jetës është jofizike. Mendja dhe vetëdija janë jofizike. Historia, gjithashtu, është shprehje e forcave jofizike; ajo përbëhet nga idetë, aspiratat dhe energjitë e njerëzve në veprim. Shumë njerëz kanë rrezikuar e rrezikojnë gjithçka - jetën, lënë vendin, shtëpitë e tyre, paguajnë, japin pasuritë e tyre - për të kaluar male, çajnë dete e oqeane për t’u vendosur larg, diku tjetër. Qëllimi i tyre është kryesisht mirëqenia; dëshira për të besuar e ‘u lutur ashtu siç dëshirojnë, për të punuar, begatuar dhe shkolluar fëmijët e tyre. Të gjitha këto, vendi i origjinës nuk i ofron ose nuk do t’ua përmbushë; 50 përqind e shqiptarëve jetojnë sot larg trojeve të tyre, ndërsa qeveritarët duket se janë të kënaqur me dy shtete të vogla, (përça e sundo) sesa me një shtet të vetëm më të madh. Të dihej që në fillim se do të përfundonin kështu, asnjë përpjekje për shtet të pavarur në vitet 1900 nuk do t’ia vlente. Por pavarësia kishte qenë ide e një pakice shqiptarësh të zhgënjyer nga karriera në Stamboll dhe e një kompromisi ndërkombëtar për të kënaqur a shuar ambicjet e vendeve fqinje pas shpërbërjes së perandorisë osmane, ndërsa për të tjerët vendas, pavarësia ishte fjalë boshe. Por ndërsa motivimet për mirëqenie janë të pranishëm në individë të ndryshëm, ato duket se kalojnë në plan të dytë. Mbi të gjitha, të ikurit marrin me vete frymën e përpjekjes së vazhdueshme për zgjerim, eksplorim dhe liri. Gjithashtu, si faktor kryesor i ikjes nuk përjashtohet menaxhimi shumë i keq dhe qeveritë diktatoriale e autokrate që njerëzit vazhdojnë të provojnë. Çfarë e nxiti Revolucionin Amerikan për pavarësi nga Britania? A ishte thjesht çështje e taksimit pa përfaqësim? Apo ishte ndjenja e natyrëshme në rritje e të drejtave dhe lirive në mendjet e njerëzve, e cila arriti deri në pikën sa kupa u mbush më shumë se sa mund të mbante. Këto pyetje vazhdojnë të jenë tema debati mes historianëve. Në histori, vihet re se si motivet dhe veprimet individuale përfshihen a shndërrohen në valë të mëdha kolektive. Në vendet ku respektohen liritë dhe të drejtat, kur arrihet ndonjë gjë e rëndësishme e qëndrueshme, ajo nuk realizohet nga një person, por nga të gjithë njerëzit; ngjarjet e shkëlqyera në histori janë triumfe të idealeve njerëzore. Çdo sukses varet së pari nga fuqia e idesë, dhe pastaj nga numëri i njerëzve.

4 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page