Frank Shkreli: Shënim me rastin e ditës së kalimit në amshim të Krye-Heroit Kombëtar
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 6 min read

DR ATHANAS GEGAJ: GJERGJ KASTRIOTI-SKENDERBE
-- Shënim me rastin e ditës së kalimit në amshim të Krye-Heroit
Kombetar (6 maj 1405-17 janar 1468) -- në kuadër Akademisë
Përkujtimore, kushtuar Dr Athanas Gegajt
Nga Frank Shkreli
Si çdo vit, më datën 17 janar, populli shqiptar, kudo, e përkujton Heroin Kombëtar, Gjergj Kastriotin, Skënderbeun (6 maj 1405 - 17 janar 1468), në ditën e kalimit të tij në amshim. Gjergj Kastrioti ndërroi jetë në Lezhë, më 17 janar 1468, në moshën 63-vjeçare. Eshtë figura më e shquar në historinë e shqiptarëve, Heroi i Përgjithmonshëm kombëtar i popullit shqiptar. Frank Shkreli: Gjergj Kastriot Skënderbeu, i përgjithmonshmi i fisit shqiptar | Gazeta Telegraf
Me këtë shënim modest dëshiroj të lidhë, nëse mund t’ia dal pa bezdisur dhe pa konnfuzuar lexuesin: kujtimin e 17-Janarit, 1468 – ditës së ndarjes nga kjo jetë e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe, njëkohësisht, njërin prej autorëve të parë biograf shqiptar të Skenderbeut -- Dr. Athanas Gegaj (1908–1989) dhe një nga historianët shqiptarë më seriozë të diasporës, por jo vetëm -- i formuar në shkollën perëndimore të historiografisë, larg presioneve ideologjike të historiografisë komuniste. Emri i tij lidhet ngushtë me studimin monumental, mbi Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405–1468) “Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin e XV-të”, një vepër kjo themelore për albanologjinë dhe historiografinë mesjetare shqiptare. Peshkop Fan Noli, vet autor i një libri të rëndësishëm mbi Skenderbeun, botuar më 1949, e ka vlerësuar librin e Dr Athanas Gegajt, të shkruar frëngjisht, mbi Skenderbeun, si “më e mbaruara që kishte parë dritën gjer në vitin 1949, si nga forma, nga lënda dhe nga baza dokumentare”. Fjala është për veprën, “L Albanie et l’invasion turque au XV-e siècle’, ose “Shqipëria dhe pushtimi turk në shekullin e XV-të”, të Dr Athanas Gegajt.

Ndërkaq, jeta dhe veprimtaria e Dr Athanas Gegaj, ish-Editor i gazetës Dielli për më shumë se një dekadë, do të jetë në qëndër të diskutimeve nga disa ekspertë, njohës të mirë të Dr Gegajt, Search Results for “dr athanas gegaj” – Dielli | The Sun -- më 25 Janar 2026 në Akademinë Përkujtimore, titulluar: “Athanas Gegaj - shembull i patriotizmit, shkencës dhe publicistikës”. Njoftohet se Fondi Humanitar “Trieshi” në Nju Jork, organizon këtë aktivitet të veçantë për të nderuar veprimtarinë dhe kontributin e Athanas Gegajt – malësorit nga Trieshi i Malësisë Madhe -- në fushën e shkencës, gazetarisë, fesë e kulturës shqiptare. Kjo akademi përkujtimore do t’i kushtohet, pra, pikërisht Athanas Gegajt, birit të Trieshit, një prej personaliteteve më të rëndësishme jo vetëm të Malësisë së Madhe, por edhe të mbarë botës shqiptare. Sipas njoftimit të Fondit Humanitar, “Trieshi”, ai tubim do të trajtojë, në mënyrë të plotë, veprimtarinë e Dr Athanas Gegajt, duke vlerësuar -- përveç dy veprave të tij të rëndësishme shkencore -- edhe rolin e tij të rëndësishëm si editor i gazetës Dielli në Boston të Shteteve të Bashkuara dhe bashkëpunëtor i ngushtë më heret i revistës françeskane, Hylli i Dritës, në Shqipëri. Duke pasqyruar, gjithashtu edhe angazhimin e tij politik në mërgim dhe bashkëpunimin me figura të njohura shqiptare, si dhe kontributin e tij fetar si klerik françeskan dhe krijimtarinë e tij të gjërë publicistike.
Bravo i qoftë Fondit Humanitar “Trieshi”, që kujton dhe nuk harron këtë burrë të madh të Malësisë së Madhe e të Kombit shqiptar -- Dr. Athanas Gegaj (1908–1989), njërin prej historianëve shqiptarë më seriozë të diasporës dhe më gjërë, por si shumë intelektualë të tjerë të kalibrit të tij të mërgatës shqiptare, gjithnjë i përjashtuar dhe i harruar për dekada të tëra nga historiografia zyrtare komuniste e deri në ditët e sotëme. Nga gjithë veprimtaria dhe kontributetet në fusha të ndryshme të dijes, gazetarisë dhe kulturës, Athanas Gegajt, vlen të ritheksohet, si më lartë, se emri i tij lidhet, veçanërisht, ngushtë me studimin monumental, “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405–1468)”, një vepër, që nga shumë ekspertë shqiptarë dhe të huaj, konsiderohet, gjithnjë edhe sot, si themelore për albanologjinë dhe historiografinë mesjetare shqiptare.
Patjetër që në këtë rast lind pyetja se si është e mundur që autori i një vepre të tillë të vlerësuar, ndërkombtarisht, mbi Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriotin Skenderbe, për dekada të tëra u mbulua në heshtje, u la në hije, jo vetëm gjatë regjimit komunist, por edhe këto 35-vjet tranzicion faqezi. Shumë mirë që Fondi “Trieshi”, kujton javën që vjen birin e tij të famshëm Dr Athanas Gegajn, pasi për arsye ideologjike, edhe ai si shumë të tjerë -- viktima të përjashtimit komunist -- mbetet i përjashtuar dhe i harruar, zyrtarisht, nga entet e larta akademike të Shqipërisë dhe Kosovës. Janë këto ente shtetërore të shqiptarëve të cilat do duhej që figura të Kombit si Athans Gegaj të kthehen, njëherë e mirë dhe për hir të së Vërtetës historike, në qëndër të debatit shkencor dhe akademik, jo vetëm si një përgjegjësi morale -- por edhe si një detyrim akademik dhe kombëtar.
Atëherë, pse përjashtimi, pse heshtja, ke kanë frikë entet zyrtare akademike shqiptare dhe përfaqsuesit e tyre, që vazhdojnë të lënë në harresë, qëllimisht, figura si Dr Athanas Gegajn dhe veprat e tyre të vlerësuara, ndërkombtarisht, por të ndaluara dhe të përjashtuara në atdheun e tyre, nga ideologët e djeshëm komunistë. Por sot gjithnjë apologjetë të politizuar të atij regjimi barbar – gjithnjë benikërisht flasin dhe veprojnë në rolin e “historianëve” të oborrit ideologjik komunist? Pse vazhdon kjo sjellje e enteve shqiptare akademike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, edhe 35 vjet pas shembjes së komunizmit zyrtar, ndaj këtyre figurave më të njohura të mërgatës shqiptare të pas Luftës së II Botërore? Personalitete të nivelit dhe kapaciteteve por edhe kontributeve historike të Dr Athans Gegajt, Ernest Koliqit, Martin Camajt e shumë të tjerëve, Frank Shkreli: Fletërrufeja kundër Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Me këtë rast të kujtimit të jetës dhe veprimtarisë së Dr Athanas Gegajt në Nju Jork, iç kam pyetur shpeshherë edhe publikisht në të kaluarën: pse kjo vazhdimsi e turpshme përjashtimi të disa prej figurave më të dalluara të Kombit dhe kontributeve të tyre historike – nga të dy shtetet shqiptare, të cilat sot pretendojnë se janë “demokratike” dhe në rrugën euro-atlantizmit?
Margjinalizimi zyrtar i figurave kombëtare anti-komuniste si Dr. Athanas Gegajt, një nga historianët më seriozë shqiptarë të shekullit XX, ishte një padrejtësi e madhe historike e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Heshtja zyrtare sot ndaj këtyre figurave pas shembjes së Murit të Berlinit dhe ndryshimeve madhore politike në Evropë pas vitit 1990, është një turp madhor kombëtar. Ju lutemi enteve zyrtare në Tiranë dhe Prishtinë: për derisa vazhdoni me këto qëndrime të politizuara zyrtare ndaj këtyre figurave të mëdha të Kombit, mos na flisni për shkencë, për histori e drejtësi. Se historia nuk mund të përdoret si instrument politik, në shërbim të një dogme ose një tjetre! Heshtja e vazhdueshme nuk u bën nder!
Urime e Fondit Humanitar, “Trieshi” për organizimin e kujtimit të Dr Athanas Gegajt! Uroj që Akademia Përkujtimore me 25 janar në Nju Jork, kushtuar jetës, veprimtarisë dhe kontributit të Dr Gegajt të jetë një konferencë e denjë dhe të jetë, njëkohsisht, edhe fillimi i një interesimi më të gjërë në trojet shqiptare për këtë figurë dhe të tjera personalitete të mërgatës antikomuniste shqiptare të pas Luftës së II Botërore, tani në amshim, të harruar dhe të përjashtuar. Me qëllimin e doemosdoshëm për të rivendosur, më në fund, Dr Athanas Gegajn dhe të tjerë si ai, në vendin që u takon në historiografinë zyrtare shqiptare, për fat të keq, gjithnjë të kontrolluar dhe të cunguar nga mbeturinat e një sistemi që vazhdojnë të përdorin historinë në interes të një narrative të caktuar të pushtetit.
Frank Shkreli
---------------------------------
Cili do ishte sot mesazhi i Gjergj Kastriotit-Skenderbe për shqiptarët, sipas Dr Athanas Gegajt – marrë nga një intervistë e tij dhënë Zërit të Amerikës, me rastin e 500-vjetorit te vdekjes se Skenderbeu – Kjo intervistë është transmetua nga Zëri i Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968) Intervista e plotë në -- ORA E SHQYPNISË: Athanas Gegaj Intervistë ne 1968 mbi Gjergj Kastrioti-Skenderbeun -
VOA: Sipas mendimit t’uaj, Zoti Gegaj, ç’kuptim ka, ose ç’kuptim duhet të ketë jeta e Skëndërbeut për Shqiptarët në kohë të sotme?
GEGAJ: Jeta e veprat e Skenderbeut janë një shëmbëll i pavdekshëm në gjiun e popullit shqiptar. Kujtimi i tij i drejtoi të gjitha luftat e orvatjet për liri, që bëri populli shqiptar gjatë shekujve të robërisë deri në ditën e indipendencës së tij.
Jeta dhe vepra e Skenderbeut janë të bazuara në bashkim të gjithë shqiptarëve. Si në kohëra të kaluara, ashtu edhe sot, jeta dhe veprat e Skenderbeut janë te bazuara mbi vëllazerim të gjithë shqiptarëve, mbi lirinë e vendit nga i huaji, mbi të drejtat e barabarta të çdo qytetari, mbi respektin e çdo shqiptari të ndershëm, dhe mbi ruajtjen e traditave tona, atë të besës, të burrërisë, të mikpritjes dhe të krenarisë kombëtare.
Për më tepër, Skenderbeu na mëson se shqiptari nuk do të kursejë gjësend për t’i ardhur në ndihmë një shqiptari tjetër dhe për të krijuar një atdhe të përbashktë shqiptar, ku secili të jetojë i lirë dhe të punojë për atë vend që na e lanë trashigim të parët tonë. Ky vend është Shqipëria e Shqiptarëve, ku secili është zot në shtëpi të tij dhe kërkon të jetojë me dignitet e në bashkim, ashtu siç na mësoi Skenderbeu. E ku na mësoi edhe një gjë tjetër: Shqipëria është e gjithë shqiptarëve. Këta do ta mbrojnë me çdo mjet e me çdo sakrificë për Atdheun e Shqiptarëve, dhe si vdiset për liri, pa u bë skllav i huaj, pa përulur karakterin burrëror të popullit shqiptar.”
Marrë nga intervista e Dr Gegajt me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti - Skenderbeu – transmetuar nga Zëri i Amerikës më 18 e 19 Janar të vitit 1968)









Comments