top of page

Fran VUKAJ: QAZIM SHEHU -TREGIMTARI I REALITETEVE...


QAZIM SHEHU -TREGIMTARI I REALITETEVE JETËSORE-ARTISTIKE


Për vëllimin me tregime”Qytet i ndaluar”

Nga Fran VUKAJ-regjisor,kritik arti-


Përmbledhja me tregime ”Qytet i ndaluar” me 25 tregime e 5 ese,është jo vetëm një arritje e autorit-tregimtar Qazim Shehu,por edhe e prozës së sotme moderne.Këto tregime janë të këndshme,lakonike e plot lëng jete.Lënda narrative është shkruar me gjuhë të rrjedhshme pa teprime e me kursim,me leksik të pasur,saqë këto tregime lexuesit i sjellin ndjesinë dhe perceptimin e një proze poetike dhe relaksuese.

Duke sjellë ndërmend arritjet e Qazim Shehut në lëmin e prozës,poezisë,kritikës dhe studimit, mendon se ke të bësh me një krijues që jo vetëm ndjek rrjedhat e artit,por edhe se kërkon natyrshëm të lërë gjurmën e personalitetit të vet në këto rrjedha, që ngarendin me shpejtësi dhe vrullshëm në detin e gjerë të krijimtarisë.

Ai është një vëzhgues serioz e i vëmendshëm i jetës njerëzore në zonat urbane e ato rurale, duke depërtuar në skutat e errëta të njeriut të thjeshtë e duke mësuar nga bota e tij e pasur,pastaj ai gdhend me detaje të kursyera portrete njerëzish,të cilët vinë e zënë vend natyrshëm larg çdo stisje.

Duke lexuar këto tregime ,më erdhi ndërmend një thënie e pedagogut tim të nderuar Kujtim Spahivogli-regjisor i madh-,që në një bisedë me studentët e dramës në Institutin e Lartë të Arteve,na tha:”Të jashtëzakonshmen e shikon çdo njeri që ka dy sy,por të zbulosh të zakonshmen ,për këtë duhet të jesh artist”.

Shehu skulpturon profile njerëzish të zakonshëm dhe u bën “skaner” personazheve artisitkë duke ngritur madhështinë e thjeshtësisë së tyre,larg makiazheve e trilleve të stisura.

Narrativa e tregimeve të tij rrjedh e qetë,natyrshëm,duke finalizuar në zgjidhje të papritura por që i pranon logjika e jetës.Këto tregime me fabula interesante pëlqehen dhe mbahen mend pikërisht për këtë veçanësi,për episodet e gjetura,të mbledhura e të ndërtuara me kujdes, ashtu siç mbledh bleta nektarin.

Në këto tregime jo rrallë lexuesi gjen edhe vetveten,me të mirat dhe të metat e tij,me veset e virtytet,sa ndonjëri mendon:Ta ketë shkruar për mua këtë tregim?Por ja që ne jemi qenie sociale dhe brenda nesh jetojnë edhe engjëlli edhe djalli,siç thotë Naimi.

Tregimet e Qazim Shehut rrjedhin qetë,lirshëm,pa sforcime,por ashtu papritur marrin vrull drejt finalizimit,me plot mesazhe e kumte filozofike duke na befasuar dhe emocionuar dhe na sheqerojnë me një buzëqeshje relaksuese të këndshme edhe prej një ironie të hollë e të shëndetshme.



Autori e vështron jetën si sociolog-analist duke evidentuar artistikish plagët e shoqërisë,të cilat mbarten përkitazi si keqkuptime,padrejtësi,hutime apo tipare egocentrike të njerëzve.

Skena me pamje drithëruese e tablo të gjalla migjeniane vijnë përmes tregimit “Solidaritet njerëzor”,ku nga një çast i thjesht në dyluftimin e romit me qenin te kazani i plehrave autori ndërton një simbolikë të hollë therëse dhe nderin e romit në këtë dyyluftim e shpëtojnë punëtorët e pastrim-gjelbërimit…

Me detaje të gjetura jepet tema e braktisjes së malësisë ndërthurur me atë të emigracionit në tregimin “Flamuri”.Autori rrëfen për kullën dyqindvjeçare të Daimit tani e kthyer në një vilë të bukur nga puna e fëmijëve në Evropë.Në këtë vilë trokasin dy të panjohur mbledhës të stemave të vjetra,mahniten nga pritja dhe bujaria, por u çuditën kur në mure vështrojnë flamurë anlezë,gjermanë e grekë,ndërsa ata nga jashtë u orientuan drejt kësaj vile prej flamurit kombëtar që valëvitej me shtizën e tij në soletën e vilës .Gjyshi i Daimit ishte vrarë për flamurin kombëtar po nipat të endur nëpër botë sa do ta mbajnë këtë amanet dhe a do kthehen më këtu?Një dramë me përmasa kontekstuale drithëruese, jetësimi i së cilës rri zhytur në mjegullën e pamundësisë së përfytyrimit.Dhe thënë aq bukur me pak faqe e me detaje të kujdeshme në zgjedhjen e tyre.

Një shkrimtar i vërtetë është një i shqetësuar i madh. Dhe një përjetues i madh.Nga këto dy premisa të formimit të tij jetësor-dhe intelektual,shto këtu edhe talentin, e nga këto premisa nuk ka sesi të mos formëzohen e të përçohen krijime të arrira dhe me vlerë.Shpirti i vërtetë i artistit trazohet kur shikon mashtrime,braktisje të vendit,njerëz të vetmuar,korrupsion,moral të ulët,prostitucion,përçmime ndaj njeriut të thjeshtë,imazhe falso dhe delire të panevojshme.Dhe nuk ka sesi këto të mos i hedhë në letër e t`u japë udhën e mishërimit artistik sipas zhanrit të zgjedhur.

Por ai nuk është thjesht një konstatues,as komentues dhe analist,ai është së pari artist.Dhe si artist,e ka për detyrë që tregimet t`i ngjyrosë emocionalisht,t`i organizojë e qepë në një strukturë solide,episodeve t`u japë aromë jete dhe energji transmetimi artistik,me shprehje të zgjedhura e figura,me leksik të rrallë e funksional.

Kështu,tregimet e Qazim Shehut janë si një bahçe me larushi lulesh,kur do të zgjedhësh një prej tyre dhe nuk e zgjedh dot jo se janë të ngjashëm, por ngjashmërisht të bukura këto tregime të befasojnë për finesën e të shprehurit dhe për aromën e jetës .

Një gjë e them me bindje duke u nisur edhe nga profesioni im i regjisorit, se disa nga tregimet mund të jenë objekt dhe e kanë premisën për skenarë filmi me metrazh të mesëm.Sipas preferencës sime tregime të tilla janë”Solidaritet njerëzor”,”Flutura””Frymëmarrje”,”Shkëlqimi i tehut të sëpatës”.”Mjeshtri i makinave të shkrimit”,”Roja e parkingut”,”Libri i mallkuar” e ndonjë tjetër.Gjuha filmike e rrëfimit është një tjetër tipar i stilit të autorit në këto tregime dhe bërthama e idesë dhe shtrati i problemit ku ai shtrohet, jep mundësinë për këtë.

Leximi i një proze të mirë gjithnjë është kënaqësi për lexuesin,veçanërisht leximi i tregimit ,i cili për shkurtësinë e tij kërkon më tepër mund, që të thuash shumë ide me pak faqe e fjalë.Prandaj edhe tregimi duhet të godasë e të të shkundë emocionalisht e për këtë kërkohet kujdes,vëzhgim të asaj që do të trajtosh,problematikë e zhvillim të saj pa u shkapardredhur.Pastaj, rrjedhmëri,shmangie nga ngjashmëritë ,pastrim prej teprive,qasje ndaj të vërtetave drithëruese me peshë kohore dhe universale,dhe të gjitha këto, Qazim Shehu i realizon në këtë vëllim dinjitoz me tregime.

Ne mund të ceknim edhe tregime të tjera nga ky vëllim,por u morëm vetëm me disa sipas shijes sime.Në një vështrim të shkurtër është domosdo të japësh vetëm tiparet kryesore të një libri,pa hyrë në komente e analiza të thelluara,por edhe një vështrim i tillë është patjetër një hapje porte për të hyrë me dëshirë në oborrin e tregimtarisë së një libri të bukur.

33 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page