Fran GJOKA: Në ditën e 1 Qershorit
- 3 days ago
- 5 min read

Kujdes dhe vëmendje për fëmijërinë e fëmijëve
Fëmijët janë vazhdimi ynë, e ardhmja e vendit. Si pa kuptuar, ata “marrin” pjesë në përpjekjet dhe zhvillimet tona, ata janë shtysa dhe nxitje të fuqishme që ne të ecim më përpara.
Të parët janë fëmijët
Synojmë që të bëjmë një biznes të mirë, që të ndihmojmë fëmijët të rriten sa më të ushqyer dhe me shëndet të plotë; përpiqemi t`u krijojmë kushte sa më të mira shkollimi dhe edukimi; i ftojmë ata në veprimtari të ndryshme, me qëllim që të njohin njerëzit dhe marrëdhëniet midis tyre, jo vetëm që t`u tërheqim veshin fëmijëve apo t`u bëjmë vërejtje gjithë ditën, por në radhë të parë t`u krijojmë atyre kushtet e nevojshme, q ë të rriten të qetë, pas shqetësime e strese, edhe vërejtjen t`ua bëjmë me kujdes, ka më shumë rëndësi edukimi sesa dënimi, të keqen ta parandalojmë duke i këshilluar dhe edukuar, duke dhënë ne të parët shembullin, prindi është modeli i parë i ecjes në jetë të fëmijëve.
Në praktikën e përditshme shohim se interesimi, pyetjet kureshtare të fëmijëve janë të pafundme. Ata duan të dinë për çdo gjë, pyesin pa u lodhur për gjithçka që shikojnë dhe dëgjojnë, pyesin për natyrën e mrekullueshme, për shkencën dhe teknikën, botën e kompjuterit dhe internetit... Ndërkohë që ata rriten me teknikën dhe teknologjinë moderne të kohës, që edhe ne prindërit e tyre duhet të bëjmë më shumë përpjekje që ta zotërojmë në mënyrë që të jemi të aftë t`u krijojmë fëmijëve kushte dhe një atmosferë sa më favorizuese dhe nxitëse.
Nga ana tjetër, si prindër nuk duhet të harrojmë se fëmijët, ashtu si dikur edhe vetë ne, edhe ata dëshirojnë të argëtohen, të luajnë, të plotësojnë disa teka dhe interesa, dëshira e kërkesa; ata dëshirojnë të ecin dhe të bëhen dikush në jetë.. Dhe ne, të gjithë, shoqëria dhe prindi, kemi për detyrë të respektojmë zgjedhjen, dëshirën dhe ëndrrën e fëmijës. Prandaj dhe është e nevojshme t`i krijojmë kushte fëmijëve me edukim të vazhdueshëm përmes veprës, përmes shembullit më të mirë, që ata të gjejnë vetveten, të orientohen drejt, të arrijnë të tregojnë aftësitë dhe talentin e tyre. Nga ana tjetër, fëmijët kërkojnë kujdes të veçantë dhe, ndaj tyre, edhe shkolla dhe shoqëria duhet të jenë më të ndjeshëm dhe më të vëmendshme. Në jetë kemi plot halle dhe telashe, por kryefjala e jetës sonë janë fëmijët
Kemi dhe fëmijë që kërkojnë kujdes të veçantë
Ndërkohë që nuk duhet të harrojmë se kemi edhe kategori të tjera fëmijësh, që jetojnë mes nesh, rrotull nesh dhe që kërkojnë që vëmendja dhe kujdesi ynë të jetë më i madh. Bëhet fjalë për fëmijë jetimë, biologjik e socialë, fëmijë të braktisur, fëmijë me aftësi të kufizuara, fëmijë të rrugës, fëmijë që braktisin shkollën, fëmijë të implikuar në veprimtari të paligjshme, fëmijë viktima të dhunës fizike, psikike, seksuale, fëmijë që mashtrohen e shfrytëzohen për prostitucion minoren, fëmijë që bëjnë punë të këqija, fëmijë të pashoqëruar në emigracion…Të gjithë këta janë fëmijë që kërkojnë kujdes më të madh, kërkojnë që të merremi dhe të angazhohemi më shumë me ta, që t`u krijojnë kushtet normale për jetesë, për edukim e shkollim, për t`i ruajtur nga e keqja dhe për t`i futur në udhën e jetës së drejtë dhe të ndershme, të përkujdesemi për jetën, edukimin dhe shkollimin e tyre. Ky kujdes duhet të jetë edhe më i madh për ata fëmijë që ndeshim në rrugë si lypës, apo që bredhin nëpër rrugë e rrugica me kutitë me paketa cigaresh, me çamçakëzë dhe fara luledielli; ata na ndalin nëpër rrugë e rrugica dhe na luten që t`u blejmë misra, kikirikë dhe qiqra të pjekura; ata na afrohen sapo ulemi në një lokal për të pirë një kafe dhe na reklamojnë përpara syve arturina dhe orë të lara “me flori”, çakmakë…Ndaj tyre, kemi detyra humane dhe njerëzore që të përkujdesemi më shumë dhe më profesionalisht për ta, jo me fjalë, jo vetëm me ndonjë dhuratë apo ndonjë aktivitet bamirësie me raste festash, por me përkujdesje konkrete dhe të vazhdueshme që edhe ata të përfshihen në jetën normale si dhe moshatarët e tyre. Këta dhjetëra e qindra fëmijë, kanë moshën që të shkojnë në shkollë, të mësojnë të shkruajnë dhe të lexojnë në gjuhën e bukur shqipe, të studiojnë të gjitha lëndët që ka programi shkollor. Këta fëmijë kanë nevojë që edhe të mësojnë, edhe të lexojnë, por edhe të qeshin dhe të argëtohen, të luajnë me shokët futboll, të koleksionojnë pulla poste, të vrapojnë dhe të munden me njëri-tjetrit; ata fëmijë dëshirojnë të shikojnë emisione për fëmijë, emisione shkencore dhe kulturore, ata duan të shkojnë me shokët dhe shoqet në një mbrëmje vallëzimi, në një disko…
T`i afrohemi shkollës,
jo vetëm kur na thërret drejtori apo mësuesi kujdestar
Ndaj shkollës jemi të ndjeshëm dhe detyrohemi të gjithë, prandaj, t`i afrohemi shkollës, jo vetëm kur na thërret drejtori apo mësuesi kujdestar për fëmijën që është mbetës dhe rrezikon të përjashtohet për shkak të mungesave të shumta, por të jemi atje sa herë që shkolla ka probleme dhe gjëra për të zgjidhur. Sikurse, drejtoria e shkollës dhe mësuesit i kanë të gjitha hapësirat e nevojshme që t`u drejtohen hapur dhe pa droje prindërve të nxënësve, specialistëve, njerëzve të artit dhe të kulturës, të shkencës dhe teknikës, të sportit, mjekësisë dhe mjedisit, biznesmenëve, deri edhe anëtarëve të akademisë së shkencave, deputetëve dhe qeveritarëve. Ata të ndihen të nderuar dhe të obliguar kur drejtoria e shkollës, mësuesit apo dhe vetë nxënësit i ftojnë për takime dhe bashkëbisedime dhe kërkojnë ndihmën e tyre për problemet që i preokupojnë. Duke ndihmuar shkollën, ndihmojmë fëmijët, të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Kanë qenë të suksesshëm ata mësues që me taktin, kulturën pedagogjike dhe horizontin e gjerë kanë arritur të zgjojnë ide, energji, mendime, pasione dhe dëshira tek nxënësit; ata mësues human dhe zemërgjerë, që u qëndrojnë pranë nxënësve, ashtu si fëmijëve të tyre, që zbulojnë prirje dhe ndihmojnë të motivojnë jetën e nxënësve, që ‘mjekojnë” gjendjet e tyre stresante dhe zgjojnë shpresa dhe besime të reja.
“Në vitet e para të shkollës, - thotë Platoni, - mësimi duhet të jetë një lloj loje për fëmijët, në mënyrë që të jetë më e lehtë të dallohen prirjet e tyre natyrore.” Të mos harrojmë se dikur njerëzit e mëdhenj, kanë qenë në bankat e shkollës, mjaft prej tyre si çdo fëmijë e adoleshent, mbase kanë qenë çapkën apo të druajtur, mbase shembullorë, që vinin çdo ditë me detyra apo problematikë, duke u hapur edhe ca telashe shkollës, mësuesve apo prindërve të tyre, por, që u bënë të mëdhenj, jo vetëm në saj të talentit, po edhe sepse patën kujdesin, vëmendjen e duhur nga prindërit dhe nga mësuesit e tyre, të cilët, u hapën horizonte të reja, i mësuan dhe i nxitën që ata të shfaqnin vetveten dhe talentin e tyre.
Kujdes, por jo paternalizëm!
Fëmijët kanë jetën e tyre. T’i mbështesim dhe t’i ndihmojmë, të mos i rrisim para kohe, t’i vlerësojmë dhe t’i orientojmë që ata të mendojnë drejt dhe pozitivisht. Të gjithë: familja, shkolla, shoqëria dhe institucionet e tjera kanë për mision edukimin e tyre, krijimin e të gjitha kushteve ku ata të argëtohen dhe të formohen dhe ku të shfaqet fuqishëm pasioni për shkollën e dijen, të jenë të pavarur në mendime dhe në zgjedhjet e tyre nesër në jetë. Model i edukimit të tyre është mësuesi, janë prindërit, sjelljet dhe veprimet e tyre dhe vetë shoqëria. Ata nuk kanë nevojë për këshilla e përkëdhelje të tepruara, pra t`i kemi nën kujdes por jo të tregojmë paternalizëm ndaj tyre, atyre t`u krijojmë kushte dhe mundësi sa më normale për mësim dhe vetë mësim, për të mësuar dhe për të dalluar vlerat më të mira të shoqërisë dhe të familjes. Shoqëria e së ardhmes është në dorën tonë. Ta shfrytëzojmë këtë mundësi duke u marrë përditë me fëmijët tanë dhe të mos harrojmë, se ata janë vërtetë e ardhmja, por në radhë të parë janë e sotmja, ata të edukohen, por edhe të jetojnë jetën e tyre fëmijërore.








Comments