Fran Gjoka: Nderojmë prof. Mentor Quku.

Mentor Qukun, studiuesin e përkushtuar të poetit të madh të Rilindjes sonë Kombëtare Ndre Mjeda.
Ndre Mjeda, xhevahiri i rrallë e me shkëlqim i letërsisë shqipe
Prof. Mentor Quku (1939 – 2014) ishte një intelektual, albanolog, studiues dhe mësues i shquar shqiptar, i njohur veçanërisht për studimin e jetës dhe veprës së poetit Dom Ndre Mjeda. Ai ka dhënë një kontribut të madh në ndriçimin e historisë, kulturës dhe letërsisë shqipe dhe është nderuar me tituj të lartë: "Mësues i Merituar" dhe "Qytetar Nderi" i Shkodrës.
Mentor Quku studiues dhe atdhetar
Prof. Mentor Quku lindi në Bilisht të Korçës, më 20 janar 1939. U arsimua në Shkollën Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, në Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë dhe kreu Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Punoi mësues për vite me radhë në zona të ndryshme si Kukës, Lezhë, (në shkollën “Hydajet Lezha”) si dhe në fshatrat Barbullush e Bohçallëk të Shkodrës. Gjatë viteve 1992–2000, prof. Quku drejtoi Muzeun Historik të Shkodrës, ku midis të tjerave organizoi dhe udhëhoqi disa seminare ndërkombëtare të titulluara "Shkodra në shekuj". Duke i bërë të njohura vlerat historike të qytetit të Shkodrës, ai e shndërroi muzeun në një qendër të rëndësishme atdhetare e kulturore.
Kontributi i tij kryesor është studimi i veprës së Mjedës
Kontributi më i madh dhe i veçantë i prof. Qukut mbetet puna kërkimore rreth figurës së Ndre Mjedës për të cilën arriti të botonte 11 vëllime shkencore e eseistike të dedikuara figurës së poetit të madh shqiptar. Prof. Mentor Quku, kishte gjithnjë energji, ëndrra, shpresë dhe guxim për të studiuar poetin e madh Mjeda, duke iu prezantuar lexuesve me disa botime me rëndësi mbarë letrare si, vëllimi “Proza e Mjedës”, një përmbledhje e disa veprave klasike të Mjedës, të shoqëruar me një studim të tijin, vepra “Poezia e Mjedës”, e shoqëruar me studimin e tij, përmbledhja “Studime të Mjedës”, etj. Dihet se Mjeda, si shumëçka tjetër, pati shkëlqim dhe një famë në fushën e gjuhësisë, që përveç një gramatikë dhe të një fjalori etimologjik, me dijet e tij në gjuhësinë krahsimtare, i kushtoi mjaft vend e kohë prejardhjes së shumë fjalëve, përmirësimit të shqipes në të folur e sidomos në të shkruar.
Prof.Mento Quku i prezantoi lexuesit shqiptar disa kontribute të veçanta të poetit Ndre Mjeda
Prof. Quku nënvizonte: Ndonëse në literaturën e huaj, Mjeda njihet kryesisht si poet, ai ishte edhe shumë më tepër. Përveçse lirik e prozator, ai shndriti edhe si piktor, ikonograf e muzikolog, projektues, arkitekt si më klasiku, në të njëjtën kohë dhe si më modern ndër poetët bashkëkohës. Meshtar i devotshëm, teolog e filozof dhe po aq atdhetar i shquar. Prodhimi letrar i Mjedës, spikati për teknika të larta. Për shembull “Lissus e Scodra” evokojnë ringjalljen lirike të së shkuarës, që në kohët ilirike. Ai i këndoi atdheut, njerëzve të vet, guximit, besës e miqësisë. Mjeda i rritur në mjediset më të qytetëruara të Evropës, u dha bashkatdhetarëve të tij mesazhet e demokracisë amerikane. Ai ishte krijues i emocioneve të fuqishme, kolorist i shijeve të holla, mjeshtër i figurës, poet i frymëzuar nga trazime të mëdha, duke hapur faqe të reja lirizmi në letërsinë shqipe. Njohës gati i 13 gjuhëve të huaja, ndër to, edhe latinishtes e greqishtes së vjetër, Mjeda iu vu me zell studimit të gjuhës shqipe, të cilën e besonte si pasurinë më të vyer. Ai përfaqësoi vendin e vet në konferenca shkencore evropiane, duke bashkëpunuar dhe pati letërkëmbime me albanologët e mëdhenj të shekullit XIX Gustav Majer, Pedersen, Norbert Jokl, Lambert etj. Por edhe transkriptoi pjesërisht veprat e Bogdanit dhe Budit, duke synuar që nëpërmjet tyre të gjejë shtigje për njehsimin e gjuhës shqipe. Për Mjedën pasuria leksikore e frazeologjike e shkrimtarëve tanë të vjetër është me mjaft interes. Prej gjuhëtarëve, ajo duhej shfrytëzuar për zhvillimin e pasurimin e gjuhës shqipe. Mjeda studioi gjithashtu mitologjinë dhe krijimtarinë gojore të popujve me më tradita, pa u shkëputur asnjëherë nga studimi i folklorit.
Në veprën e studiuesit Quku,
Ndre Mjeda ndriçohet si njeri i madh e përparimtar
Prof. Quku e studioi Mjedën me themel
Prof. Mentor Quku, duke vlerësuar dhe ndriçuar në studimet e tij Mjedën, thekson se, duke qenë i pajisur me kulturë të gjerë në shkenca humane, Ndre Mjeda mbetet i ndritur në gjirin e kulturës e letërsisë shqiptare, erudicioni i tij është derdhur edhe në përmbajtjen e krijimeve poetike, kryesisht të poemave e studimeve të tij. Në vitet e fundit, Mjedën e gjejmë si pedagog i shqipes dhe i letërsisë klasike në seminarin e Jezuitëve, detyrë që do ta ushtronte për 8 vjet. Aty ai do të shpalosej edhe një herë si njeri i madh e përparimtar, vizionar, misionar e gjuhëtar i ditur. Vetëm një muaj mbasi Mjeda do të ishte ndarë nga jeta, Ernest Koliqi do shpallte atë si albanologun zëmadhin, ku ndër të tjera thotë: “Para 15 vjetësh, në një mbrëmje maji pata rast të shëtis me të. Nuk njiheshim ende mirë. S`e harroj kurrë çudinë e madhe që shkaktoi mua, t’ue më fol mbi Ilirët. Mbeta pa mend prej citimeve të panumërta nga aktorët klasikë, që përmendshin Shqipërinë e lashtë Homeri te “Iliada”, Eskili, “Promoetheu”, Sofokliu etj. Me dashuri kishte mbledhur të gjitha lajmet mbi ilirët që përmbajnë shkrimet e vjetra..!”
Me veprën e Mjedës janë marrë edhe Mark Gurakuqi, Dhimitër Shuteriqi, Injac Zamputi e Vebi Bala, Rexhep Qosja e Kol Ashta, të cilët e kanë bërë objekt studimi poetin e madh të Rilindjes.
I veçantë është fakti se prof. Mentor Quku, e vlerësoi Ndre Mjedën me themel. Studiuesi Quku i kushtoi mbi 30 vjet të jetës së tij zbulimit, mbledhjes dhe studimit të veprës së poetit Ndre Mjeda. Ai kreu kërkime të gjera në Shqipëri, Kosovë dhe arkiva të ndryshme jashtë vendit për të nxjerrë në dritë të vërtetat historike dhe letrare rreth klerikut dhe poetit. Mentor Quku realizoi disa vëllime, rreth 5500 faqe dhe me qindra/mijëra fotografi e dokumente kushtuar jetës dhe krijimtarisë së Ndre Mjedës. Prof.Quku rikrijoi portretin e plotë të poetit, gjuhëtarit dhe atdhetarit Dom Ndre Mjeda (1866–1937).
Ai me një vullnet e durim të pashembullt, bëri kërkime në Shqipëri, Kosovë, në arkiva, muze e biblioteka prestigjioze, si në atë të Vatikanit, Vjenës e Gracit, Gjermani e Francë, Kopenhagën e Poloni. Bashkëpunoi me personalitete e miq të letrave. Ndaj, dhe vepra e albanologut të nderuar prof. Mentor Quku na la pas një vepër shumëdimensionalë për Mjedën, duke e ri sjellë atë në kulturën shqiptare me detaje të thella jetësore, reale dhe tërheqëse, vlera shkrimore këto që na e sjellin Mjedën dhe krijimtarinë e tij të freskët dhe origjinale.
Lexuesi i Mjedës sa herë që e lexon veprën e tij krijon mbresa dhe emocione të reja. Në punën e tij të madhe studimore bien në sy edhe mbi 750 referenca autorësh, vepra e dokumentesh, ndërkohë që ai hedh dritë në mbi 100 letra prej letërkëmbimit të habitshëm që Mjeda ynë pati me figura të njohura të kohës, qofshin këta shqiptarë, albanolog apo dashamirës të huaj për vendin tonë.
Prof. Mentor Quku, me një vullnet të hekurt ka rendur pas çdo copëze shënimi a fletëz letre që të çon në njohjen e poetit, gjuhëtarit, këtij shqiptari të madh. Gjithçka ai e ka bërë në mënyrë të natyrshme, pa kurrfarë motivi e shtytje të dyfishtë, lidhjesh familjare a rrethanash subjektive që ngjasin shpesh. Gjithçka për qëllime fisnike, të sinqerta e për qëllime studimi, si dhe me një përkushtim të rrallë, e, mbi të gjitha, me një kënd shikim të ri, bazuar mbi të vërteta reale e jetësore, çka e bën madhështore veprën e tij kushtuar poetit Ndre Mjeda.
12 letra, që Mjeda do t’i dërgonte
albanologut të shquar austriak, Gustav Mayer, në vitet 1892-1893
Prof.Mentor Çuku shkruante se Mjeda punoi gjithë jetën për studimin, pasurimin e përmirësimin e gjuhës shqipe në të folur e sidomos në të shkruar. Për këtë ai punoi për alfabetin e gjuhës shqipe që në vitin 1887, kur hyri në debat me eprorët Jezuitë, duke kundërshtuar alfabetin e jezuitëve apo atë, siç quhej, Alfabeti i Shkrimtarëve të Vjetër. Lufta për një alfabet që ishte sa më pranë natyrës së tingujve të gjuhës shqipe, Mjeda e ka shprehur me albanologun austriak Gustav Meyer, me albanologun danez Holger Pedersen, me albanologun Italian Tagliavini, me albanologun amerikan Bloomfield.

Prof.Quku vinte në dukje se vepra e Mjedës në fushë të letrave shqipe është ende e paeksploruar. Po aq e pa zbuluar dhe e pa ndriçuar mbetet jeta e tij bujqësore, politike, juridike, etj. Një ndër fushta më të pandriçuara mbetet ajo e dorëshkrimeve të Mjedës. Histori më vete është ajo e zbulimit të një gramatike shqipe, që ka përfunduar në Alaskë të Amerikës së Veriut. Para disa kohësh, një shofer taksie, që kishte emigruar në SHBA dhe që jetonte e punonte në Alaskë, e njoftoi prof. Qukun me anë të postës elektronike se zotëronte një dorëshkrim të një gramatike shqipe të Ndre Mjedës. Ai ia dërgoi disa fletë për t’i ekzaminuar në se ishin nga dora e Ndre Mjedës. Vërtet ishte një dorëshkrim i tij. Një fushë tjetër me interes e mbetur e pa eksploruar ishte se, Mjeda dinte shumë gjuhë të huaja, si dhe zotëronte artin e përkthimit. Ai i shqipëroi kryeveprat e letersisë botërore me një art të vërtetë, duke i bërë nder vetes edhe aftësive shprehëse të gjuhës shqipe.
Mjeda pasqyrohet qartë dhe bidshëm në veprën e prof.Mentor Çokut,10 vëllime me 6300 faqe, e prej të cilavave ai nënvizon shumë gjëra, mes të cilave edhe faktin se Mjeda është njeriu që punoi tërë jetën e tij me një këmbëngulje të jashtëzakonshme dhe vepra e tij është shumë voluminoze dhe e shumëllojshme. Popullin e Kuklit ai e quajti “familjarët e mij”. Për Mjedën ata kishin një shprehje “ Ku vuni kamen Mjeda, qiti toka flakë”.
Mjeda ka lënë prapa punë të mëdha: rreth 20 vëllime të botuara me qindra studime gjuhësore, historike, folklorike, paleografike, gjeografike, etj. Ai ka lënë me qindra letra autografe drejtuar linguistëve më të mëdhenj të botës. Ai krijoi shumë probleme me eprorët e tij Jezuitë, 5 herë e kanë arrestuar (turqit dy herë, serbët, austriakët dhe Ahmet Zogu) disa herë e kanë larguar nga detyra. Prandaj studimi i prof.Qukut prej shumë vëllimesh në të vërtetë është një përmbledhje e jetës së tij. Në të ardhmen shumë studiues kanë shumë punë për të kërkuar dorëshkrimet e Mjedës dhe sidomos dokumentet që kanë lidhje me jetën dhe veprat e tij.
Disa kontribute gjuhësore e atdhetare të Poetit Ndre Mjeda
Poeti i madh shqiptar Ndre Mjeda(1866–1937) kujtohet nga gjithkush si njëri nga poetët, gjuhëtarët dhe klerikët më të shquar të Rilindjes kombëtare Shqiptare. Ai me të drejtë është cilësuar ndër mjeshtërit e rrallë të fjalës së ëmbël dhe vargut poetik, i dalluar sidomos për stilin elegant plotë figuracion dhe bukuri artistike që e gjen rrallë te poetët të tjerë. Mjeda lindi në Shkodër dhe kreu studime të larta për teologji, retorikë e gjuhësi në qendra të rëndësishme evropiane në Itali, Spanjë, Poloni dhe Kroaci. Shërbeu si prift katolik (jezuit) dhe më vonë u përfshi aktivisht në jetën politike si deputet i krahut demokratik.
Së bashku me të vëllanë Lazër Mjedën në vitin 1901 ai themeloi shoqërinë kulturore Agimi, duke krijuar një alfabet të veçantë, i cili ndihmoi në unifikimin e shkrimit shqip dhe u mor parasysh në Kongresin e Manastirit. më 1908.
Mjedën e njohim veçanërisht për krijimtarinë e tij poetike, për lirikën e tij të hollë dhe të ndjerë që na tërheq dhe na emocionon së tepërmi sa herë që i lexojmë dhe rilexojmë vargjet e tij. Shqiptarët që e duan letërsinë e dinë se kryeveprat e tij janë përmbledhur në vëllimin "Juvenilia" (botuar më 1917). Gjithashtu gjithkujt nga ne i vijnë ndërmend veprat dhe poemat e tij më të njohura si: "Andrra e jetës”, e cila është njëra nga poemat më të bukura të letërsisë shqipe, që pasqyron jetën e vështirë të fshatit shqiptar nëpërmjet figurave të dy grave, Lokes dhe Zogës. Ndërkaq nuk na hiqet nga mendja poezia "Vaji i Dallëndyshes", një poezi që shpreh emocion të veçantë, melankoli dhe patriotizëm dhe që u kthye në një tekst popullor, madje edhe të kënduar, ku shprehet ndjenja e mallit dhe e mërgimit.
Ndërkohë na vjen ndërmend "Gjuha Shqipe", e cila është himni i tij i famshëm kushtuar bukurisë dhe vlerës së gjuhës sonë, por edhe poemat "Liria" dhe "Scodra", të cilat janë vepra me karakter historik, patriotik dhe shoqëror.
Është fakt se Ndre Mjeda përdori me mjeshtëri të madhe sonetin (tingëllimën), tetërrokëshin dhe njëmbëdhjetërrokëshin klasik.
Disa të vecanta të veprës
së gjithanshme dhe asaj poetike të Ndre Mjedës
Mjeda e nisi krijimtarinë poetike që herët. Poema e njohur Vaji i bylbylit u shkrua më1887. Është një vepër që karakterizohet nga fryma e thellë patriotike. Ajo përmbyllet me thirrjen drejtuar shqiptarit që të ngrihej për të fituar lirinë. Deri në vitin 1917 kur pa dritën e botimit vëllimi me vjersha Juvenilia. Mallin për atdheun Ndre Mjeda e shprehu te poema romantike I tretuni, te vjersha Shtegtari, Malli për atdhe, Gjuha shqype, Bashkoniu! etj. Por ai trajtoi edhe vepra me poetike me frymën e poezisë luftarake të Rilindjes, si Liria (1910-1911). Aty u pasqyruan kryengritjet e malësorëve të Shqipërisë së Veriut më 1911. Kurse vjersha “Mustafa Pasha në Babunë” fshikullon pavendosmërinë dhe qëndrimin e lëkundshëm të parisë feudale në luftë kundër zgjedhës së huaj. Në poemën e njohur Andrra e jetës, autori zbuloi tragjedinë e malësorëve të varfër, mjerimin dhe padijen e tyre të madhe.
Pas Luftës I Botërore, Mjeda nisi një fazë krijimtarie së cilës i përkasin poemat në tingëllima (sonete) “Scodra” dhe “Lissus”.
Në krijimtarinë e Ndre Mjedës, zënë vend edhe vjershat për fëmijë. Por ai dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë, sidomos në gramatikë, leksikologji, filologji. Ndërkohë ai krijoi alfabetin që u zbatua nga shoqëria Agimi. Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Ai transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).
Ndre Mjeda është njëri nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe. Me një frymëzim të madh ai krijoi poemën e mallit e të dhembjes personale (Vaji i bylbylit), krijoi poemën e botës shqiptare (Andrra e jetës), krijoi tingëllimat: (Lissus, Scodra). Krijoi poemën himn të lirisë (Lirija). Vepra e Ndre Mjedës u botua e plotë në tri vëllime në Prishtinë në vitin 1982 nën përkujdesjen e Sabri Hamitit.








Comments