top of page

Arjana Fetahu Gaba: TË GJITHË TË MARRË

11 minutes ago
5 min read

Arjana Fetahu Gaba


TË GJITHË TË MARRË

 

Janë të marrë dhe nuk e dinë,

Sa keq,

Gjysëm xhindosur të hardallosur,

Si për dreq.

 

Janë si grerëza por jo si bleta,

Kurrësesi

Veç të helmojnë pa pikë mëshire,

Në thellësi.

 

Gjer në kockë të gjëmon dhimbja,

S'kanë qeder,

Janë hardhuca dhe hushunjëza,

Por jo skifter.

 

Sa t'ngrenë pak fare kokën,

Atë pa tru,

Marrin kamzhikun që fshikullon

Të japin dru.

 

S'di kur do shuhet kjo farë e keqe,

Asnjë se di,

Ne të thjeshtët shushatur presim,

Gjithësesi.

 

Pastaj ,ç'ka gatuajmë mirë e trazojmë,

E hamë pastaj,

E vjellim dhe sërisht e hamë,

Me sytë plot vaj.

 

S'di ç'udhë po shkojmë o popull,

Do zoti e bën mbarë,

Në të kundërtën për fat të keq do jemi,

Të gjithë të marrë.

 

Koha s'i fshin, thjesht i ndërron vendet,

Në tryezë të madhe,

Lëpijnë gjakun që vetë e derdhën,

Po pune e madhe.

 

Pa pikë turpi, pa asnjë e ndërgjegje,

As Zoti s'do ti falte

Këtë hije pa shpirt e të paskrupullt,

qenie prej balte.

 

Po ngrihet nata mbi gërmadha harrese,

Ku s'mbeti zë,

Vetëm një gur na pret mbi kokë,

Dhe varr që s'na nxë.

 

Koha s'ka kohë për lotët e ngrirë,

Në këtë jetë,

Ku kemi humbur e harruarr

Zënë e vërtetë.

 

Se nese jo , s'behemi bashkë ,

Për një të drejtë,

Shqiperia ime e mjera unë,

Do t'mbetet shkretë.

 

Arjana Fetahu Gaba

 

 

 

Lulë të vocërr të Migjenit

 

Dita ngriu mëngjesin e zbardhur në gri,

Litarë të shiut ngrirë në skulptura,

Ketë pamje mund ta quash dhe një magji,

Si përrallë e bukur që të shfaq natyra.

 

Përallë që s'dua t'i zgjohem, ta shoh e ta dëgjoj,

Kur di fare mirë që ka një të vërtetë ,

Ky shkëlqim kristalesh nuk I bën përshtypje,

Një të pangopuri që jeton pa jetë.

 

Botën le ta ndanin,, s'do të bëja zë,

Vetëm të uritur, mos të 'kish askund,

Kur shoh ngjyra festash dhe lypsa nëpër rrugë,

Është një kontrast bastard, që si tërmet më shkund.

 

Në të nënës e të njerkës, jemi të ndarë,

Disa wc-ve kanë shtruar mermer,

Disa me barkun bosh bien të flenë,

Disa I gjen poshtë urave mbetur të mjerë.

 

Lulë të vocërr jetojnë ende mes mesh,

I sheh përballë rrugës kur ecen duar plot,

Unë përpara tyre s'kam të drejtë të qesh,

Nëse s'kam fuqi të ndreq këtë botë.

 

 

Me qindra " përleshje"

 

Më kishte marrë malli për fytyrën tënde,

Për atë buzëqeshje që të ishte fshirë,

Ne kemi kaluar me qindra "përleshje",

Kjo e fundit sikur të kish brirë.

 

Përherë t'i kam zbutur sytë e flakëruar,

Ti ishe mësuar me timen urtësi,

Kam dashur gjithmonë të jem luanesha,

Dhe jo macja nëpër shtëpi.

 

Ndonjëherë duhet gruaja të bërtasë,

Dhe, duhet ta bëjë nëse se ka bërë,

Po mos të shpërtheja, inatit do t'plasja,

Sa do të çuditej një botë e tërë!

 

Por, netët ngadalë ma zbusnin mërinë,

E heshtur kam pritur të më flisje,

Mendoja çastin kur do t'më thoje më fal,

Dhe gushës do t'më gudulisje.

 

Kështu besoj ndodh me gjithë dashuritë,

Ato "marrosen" nga që duan kaq shumë,

Thuren me fije të shpirtit siç unë dhe ti,

Që mbetëm fare, po fare pa gjumë.

 

 

Eja...

 

Ti erdhe me krahë ere,

dhe unë si femijë I lumtur,

të pushtoja rreth gjoksit që m'gufonte kraharorit papushim.

Të merrja erë lëkurës tënde ngjyrë mjaltë lëmuar diellit,

dhe flokëve të tu të zi mëndafsh përrallash ,

e s'të lëshoja.

 

Unë humbisja nën vehte ,

nga lumturia sigurisht,

sepse Ti kur erdhe,

qeshte fytyra jote si pranvera në të arrirë,

si pas një shiu të ngrohtë ledhatuar lëndinës e zaptuar mjegullave,

me një deshirë që e ke tënden,

e që unë ta njihja buzëve.

 

Dhe unë ,

nga mallëngjimi,

isha në gjendje të dehur si një pirat

kur i gëzohet thesarit të tij të gjetur zemrës së detit kur dëshpëroht stuhive.

Pëshpërisja flladit tënd si melodia e erës ndanë gjethesh,

duke të thënë lehtë në vesh me ankesë:

"Do të vdisja dhe për pak",

sepse ti je lëndina që bleron shpirtit tim dhe kur digjet moti dhe kur digjet bota.

 

Kështu të kam parë në ëndërr...

Sa më trishtoi malli..

Po vdes vërtetë nga pak!

Eja...

 

         

Jeta luftë pa krisma

 

Një muzg i frikshëm dhe një erë ,

Sot dielli s'di pse ka vonuar,

Rrugë buzëplasura nga kjo verë,

Dhe shpirtra njerëzish të pazgjuar.

 

E vetme ec në këtë qytezë,

Me hap të lodhur dhe të mpirë,

Ngado shikoj plehra dhe njerëz,

Vështrim këputur, fytyrë ngrirë.

 

Një nënë kërrusur që shet banane,

Po pret fatin me sy të shuar,

Nëse dikush do ndalë të blejë,

Ndryshe nga dita e kaluar.

 

Përballë kafeneja jonë e vjetër,

Ku pija kafen çdo mëngjes,

Në të ka veç klientë të varfër,

Dhe një banak thyer në mes.

 

Më vjen nga shpirti një ulërimë,

Por klithma ime shuhet shpejt,

Kjo është një qytezë mjerane,

Me shpresa të vdekura kaq vjet.

 

Ca lypesa shtrijnë duart e mjera,

Ju jap ç'monedha kam në xhep,

Nga qiejt vijnë këngë korbash,

Me nga një klithmë vdekje në sqep.

 

Qyteza ime me të panjohur,

Dhe kjo tablo është po kaq gri,

Kam shpresë se kur të vijë vera,

Ky qiell s'do t'sjellë vetëm stuhi.

 

 

 

Të Lamë Atdhe I Dashur

 

Ne ikëm si korbat I dashur Atdhe,

E ndiem veten plaçkitur,

Me leshra të gjata dhe barkut "korse",

Dhe kishim një gojë t'babëzitur.

 

U zvarritëm në ujrat që na ishin ndaluar,

Fluturuam qiejve të botës pa fre,

Ne s'kishim atëherë as kokë e as duar,

E s'dinim të ngrinim "koshere" të re.

 

Të prishëm, të dogjëm deri sa mundëm,

Çelikun ta shitëm për skrap,

Trenat I thyem se "janë të Enverit",

Pa ditur që duheshin prap.

 

Braktisëm fshatra i lamë pa shpirt,

Sikur ujqërit në mal çajnë kopetë,

I lamë dhe qytetet se s'patën më dritë,

Na trëmbën "rrufetë".

 

Si ciganë të lamë Atdhe, e shkuam,

Dikur me trasta e thase përmbi shpinë,

Sot trurin tënd botës ja shtuam,

Po humbim rininë.

 

Na fal për mëkatet që bëjmë ndaj teje,

Në emrin tënd Atdhe I dashur,

Nuk di a na ka mbetur fare pak shpirt,

Të jemi kaq cipëplasur?!

 

 

Rrugëve të botës

 

Mërgimi më plaku,

S'u bëra dot zot,

Më mungon atdheu,

Mallin qaj me lot.

 

Nënës së shtrenjtë,

Që e kishte zënë malli,

Një grusht dhè s'i hodha,

Vdiqa për së gjalli.

 

Vëllai martoi djalë,

S'isha të gëzoj,

Aq qava me shpirt,

Sa s'di ta tregoj.

 

Shtëpia mbet qyqe,

Zogjtë bëjnë fole,

Rrugëve të botës,

Mbeta pa atdhe.

 

Nuk jam vetëm unë,

Shpërndarë nëpër botë,

Fati i shqiptarit,

Histori me lot.

 

Vitet rrodhën dallgë,

Kush do më besojë?

Nuk kthehet dot prapa,

Gjithë jeta që shkoi.

 

Shqipërinë kam frymë,

Plagën më të thellë,

Përtej çdo kufiri,

Më duket kështjellë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page