top of page

Fatmir Terziu: Kur historia ngul e shkul spica nga trupi i saj

12 minutes ago
3 min read

Kur historia ngul e shkul spica nga trupi i saj

 

Erdhi historia një mëngjes, pa trokitur në derë.

Nuk kishte fytyrë, por mbante shumë fytyra në xhepa,

nuk kishte duar, por dinte të hapte varre,

nuk kishte këmbë, por ecte mbi shpinat tona,

duke lënë pas një gjurmë që as shiu nuk mund ta lante.

 

Në fillim solli disa spica të vogla,

aq të vogla sa mund t'i ngatërroje me gjemba trëndafilash.

I nguli në trupin e kohës, në shpatullat e gjyshërve që kishin mbajtur barrë,

në pëllëmbët e nënave që kishin gatuar bukën me lot,

në gjunjët e fëmijëve që ende nuk dinin

pse toka dhemb kur e shkelin të huajt.

 

Pastaj erdhën të tjerë,

me fjalorë të trashë, me vula, me emra të rinj për plagët e vjetra.

Na thanë se spicat ishin shenja përparimi,

se trupi duhej të mësohej me to,

se dhimbja ishte një formë e domosdoshme e qytetërimit.

Na treguan edhe një hartë,

ku vendi ynë dukej si një copë pëlhure e prerë keq,

dhe kufijtë si qepje të bëra nga duar që nuk kishin njohur kurrë gjakun.

 

Historia ngulte e shkulte spica nga trupi,

herë me darë, herë me dhëmbë,

herë duke na kërkuar të falënderonim atë që na kishte plagosur.

Kur i hiqte, linte vrima, kur i ngulte, linte heshtje.

Dhe ne, që kishim mësuar të dallonim motin nga era,

nuk dinim më të dallonim kujtesën nga frika.

 

Nëpër shtëpi kishte ende sende që nuk bindeshin,

një filxhan i çarë që mbante erën e babait,

një palë këpucë të vogla pas derës, një fotografi ku të gjithë ishin gjallë,

një orë muri që kishte ndaluar në minutën kur dikush kishte thënë:

do të kthehem.

Asnjëra nuk pranoi të hynte në muze,

sepse ato nuk ishin sende të së shkuarës,

por dëshmitarë të një të tashmeje që nuk kishte përfunduar.

 

Në sheshe, njerëzit filluan të flisnin me zë të ulët.

Kishin frikë se mos u dëgjonin kockat.

Të moshuarit i numëronin plagët si vitet e jetës,

të rinjtë i kërkonin në trup vendet ku mund të vendosnin ëndrrat.

Por çdo ëndërr që mbinte, gjente një spicë të harruar nën lëkurë.

Dhe çdo këngë që ngrihej mbi çatitë, përfundonte diku në një zyrë,

e regjistruar si zhurmë e panevojshme.

 

Një ditë pyetëm historinë.

Pse nuk i merr me vete të gjitha spicat që ke ngulur?

Pse kthehesh gjithmonë te i njëjti trup, pse na i ndryshon emrat e plagëve,

pse na i lë kujtimet pa pronarë?

Ajo nuk u përgjigj. Nxori nga çanta një spicë të gjatë,

e vendosi mbi tryezë dhe na tha:

Këtë nuk ua kam ngulur unë në faqe.

Këtë e keni mbajtur vetë, duke e quajtur zakon, bindje, heshtje,

ndonjëherë edhe paqe.

 

Atëherë kuptuam se historia nuk jeton vetëm në libra,

as në monumentet që u ndërrojnë pllakat,

as në datat që festohen me flamuj të larë për rastin.

Ajo jeton në mishin që kujton, në gjakun që nuk pranon të bëhet bojë,

në gojën e një fëmije që pyet për gjyshin

dhe nuk gjen askënd që t'i tregojë të vërtetën.

 

Dhe kur mbrëmja ra mbi qytet, pamë se disa spica kishin ndryshkur,

disa të tjera kishin mbirë si degë të zeza,

ndërsa ato që historia i kishte shkulur me ngut

ishin lënë përtokë, pranë pragjeve,

ku fëmijët i merrnin në duar

duke menduar se ishin lodra të vjetra.

 

Nuk i ndaluam. Nuk mund t'u thoshim se çfarë ishin.

As edhe ne vetë kishim harruar

si quhej një botë pa to.

 

Vetëm një nënë, që kishte parë shumë dimra,

u afrua, ua mori nga duart dhe i hodhi në zjarr.

Flakët nuk i dogjën. Ato u skuqën edhe më shumë,

si të kishin brenda gjithë gjakun e shekujve.

 

Dhe atë natë, nuk e pyetëm historinë se çfarë do të shkruante për ne.

E pyetëm trupin tonë nëse kishte ende vend për një jetë

që nuk do të duhej të mësohej

me dhimbjen si me një gjuhë amtare.

 

Dhe kujtuam, historia mund të ngulë spica,

mund t'i shkulë, mund t'i ndërrojë me të tjera,

por nuk ka asnjë të drejtë të na bindë se trupi ynë

rrjedha e rrënja e të parëve, të vdekurve,

ka lindur për të qenë dërrasa

ku ajo provon mprehtësinë e shekujve.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page