FRAN GJOKA: Mësuesja Lulëzime Muça (Elezi) ishte dhe mbetët dritëdhënëse në dije, arsim dhe kulturë
- 2 hours ago
- 5 min read

Jeta është ndërtuar e tillë që ka një fillim dhe një mbarim. Gjatë këtij intervali, kushdoqoftë kërkon që me punën të memorizohet, sa të jetë e mundur, për mirë tek njerëzit, me të cilët ke punuar, bashkëpunuar e, natyrisht, dhe në shoqëri e kudo. Aq më tepër në sektorin e arsimit, në punën e bukur të mësuesisë, nga ku nxjerr prej duarve të tua breza të tërë nxënësish. Pas dekadave të shërbesës së tyre fisnike, fillojmë e meditojmë, kujtojmë vitet intensive në arsim, ëndërrojmë për shumë gjëra që u kanë ngelur peng në shërbesën e tyre fisnike, mendojmë për të ardhmen e fëmijëve, pa menduar ndoshta se… një ditë të gjithë do t’i lënë pas. E kështu jeta ndërpritet e prek keqardhjen, dhimbjen, lotët e së bashku me to edhe kujtimin e mirë në shërbesën e tyre ndaj profesionit të mësuesisë. E në kontekstin e të gjithave sa shkruajtëm më lart, bëjmë fjalë për mësuesen e nderuar e të respektuar, Lulëzime Muça (Elezi), e cila ndrroi jetë pas një sëmundje të gjatë në Ishull-Lezhë.
Fëmijëria dhe adoleshenca nuk ishin të lehta për Lulëzimen e ndoshta ky është shkaku i miredukimit dhe shkollimit me sakrificë, të cilët ajo ka ditur t’i mundë shumë mirë. Që në rininë e hershme të saj veçohej si një vajzë dibrane fjalëpak, me energji të pashterrshme, dashamirësi dhe kurrë nuk ju dëgjua zëri për keq, kurajoze, mbronte me dinjitet pikëpamjet e saj. E lindur nga një derë e fisme në Peshkopi, me një taban të hershëm patriotik e arsimdashës, ku spikati intelekti dhe tradita e virtyteve më të larta njerëzore nga dy prindër që ishin dhe mbetën, për nga aktiviteti i tyre, si: ndershmeria, burrëria dhe besnikëria ndaj atdheut, figura të spikatura në tërë Dibren. Pas mbarimit arsimit 8-vjeçar dhe të mesëm të përgjithshëm në Peshkopi, shkon për mësuesi në degën bio-kimi, në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër. Këtu u njoh me bashkëshortin e ardhshëm, Vasil Muça, pas një njohje të gjatë vitesh pune intensive në arsim, kurorëzuan me sukses martesën e tyre. Jeta e tyre bashkëshortore po konsolidohej, duke u bërë një çift dinjitoz, me plot vlera dhe virtyte të larta njerëzore. Pasi kalon disa vite pune në shkollën e mesme në Shënkoll të Lezhës, pushteti lokal i asaj kohe e transferon në shkollën e mesme të Ishull-Lezhës, ku dhe ndërton shtëpinë dhe jetën familjare. Në ato vite të vështira të sistemit totalitar dhe të tranzicionit, Lulëzimja bashkë me bashkëshortin investuan shumë mund nga vetja për të krijuar një familje solide, duke u bërë model për komunitetin lezhjan e më gjerë. Në këtë mision përkushtimi, lodhje dhe sakrifice, Lulëzimja kishte gjithmonë përkahjen dhe mbështetjen e bashkëshortit dhe kolegut të saj, mësues Vasilit, i cili përpiqej t’ia lehtësonte ndopak barrën e rëndë të angazhimeve familjare dhe atë të mësuesisë. Në tërë ndërtimin e saj jetësor, Luli ka manifestuar dy cilësi kryesore jetësore, që ishin dhe mbetën pjesë e karakterit të saj, korrektësinë e saj në punë e shoqëri, ndershmërinë në komunitetin prindëror. Në jetën shoqërore dhe publike ishte dhe mbetet një njeri për t’u admiruar, qytetare dhe atdhetare shqiptare me zemër të madhe. Toleranca dhe bashkëjtesa fetare ishin për Lulëzimen tipar tjetër dallues që e bënte si mësuese të rrezatonte mirësi te miqtë dhe shoqet e shumta të saj, me të cilat punonte e ndante me ta të mirën e fatkeqësinë njerëzore.

Mbeti deri në frymën e fundit e dashur me të vërtetën dhe e rreptë me padrejtësitë. Këtu me vjen ndërmend thënia e Getës së madh: “Jeta është një fushë që na jep ashtu si ta përdorim ne, një korrje gjëmbash ose lulesh!”. Lumturia e saj nuk kishte cak, këtë lumturi ja sillte ngrohtësia dhe respekti i dy djemve të saj, bashkëshortit dhe nuses së djalit të madh. Edhe pse larg atdheut, i kujtonte me mall nipat dhe mbesat e saj, të cilët i quante gjithnjë ëmbëlsirat e shpirtit. Ndërsa shkruaj këto radhë për këtë intelektuale dhe profesioniste në mësuesi, ku fatkeqësisht u dergj në shtrat vite me radhë nga një sëmundje e rëndë shëndetësore, ku qëndroi e rrethuar nga përkujdesja pa masë e bashkëshortit të saj, që sakrifikoi shumë nga vetja, duke mos e lënë asnjëherë mënjanë, por në një përkujdesje njerëzore deri në frymëmarrjen e fundit të saj. Kjo zonjë e nderuar do të mbetet përjetësisht në familje dhe në fisin e saj një grua model, promotore e cilësisë dhe dashurisë njerëzore, një grua që rrezatonte në punë e familje mirësi, kulturë e dashuri, si nënë e devotshme e dy djemve të saj. Gjithë ato që e kanë njohur, punuar dhe që kanë dëgjuar këto ditë në rrjetet sociale, me dhimbje të thellë e kanë përjetuar largimin nga jeta të mësuses së nderuar, Lulëzime Muça, ku për afro 40 vjet sakrifikoi shëndetin e saj për t’u dhënë dije e kulturë brezave si biologe e njohur, orët e mësimit demonstroheshin të një niveli bashkëkohor. Prindërit e Lulëzimes kishin si objektiv rritjen, edukimin dhe shkollimin sa të jetë e mundur të fëmijëve, të ndershëm dhe me tradita arsimdashëse, frymë të cilën e gjeti dhe fuqizoi në familjen e Vasil Muçes. Ajo për afro 40 vjet qëndroi në krye të mësuesve pasionant, erudit, që mësimdhënien e quante të shenjtë, mjeshtre e rrallë e fjalës, komunikuese efektive, elokuente, mbrojtëse e flaktë e fjalës së lirë, metodiste e shkëlqyer e shkencave natyrore. Ishte kënaqësi të punoje me të, por dhe të bisedoje, sepse çdo fjalë e saj të bindte, të impononte respekt, sidomos kur fliste me pasion për vështirësitë që hasnin në punë me adoleshentët, përpjekjet për të injektuar te ata dashurinë për lëndën. Kishte peshë fjala e saj, rrezatonte kulturë në familje, në punë me kolegët dhe nxënësit. Fjala e peshuar, e bëri që të dritësojë në komunitet.Për hir të vërtetës, duhet të theksojmë se njerëz të tillë, që shkrijnë jetën e tyre për mësimin dhe edukimin, janë sot të paktë në shkollat tona, por Lulëzimja, me punën e saj plot pasion e me rezultate të arritura ndër vite, është bërë shembulli më pozitiv në armatën e mësuesisë lezhjane. Tani ajo nuk jeton më…, e kujton me lotë mallëngjimi motra e saj, Xheladija, vëllai Remiu, bashkëshorti i saj, Vasili, dy djemtë: Gersi dhe Sokoli, të afërmit e mësuesit, kolegët e punës dhe ish nxënësit e saj. Për familjen dhe të afërmit sollën këto ditë një trazim të madh shpirti e keqardhje. Ndërsa Gersi, djali i madh i saj, aktualisht me banim në Amerikë, me lotë malli në sy, thotë: “Jemi shumë krenarë për nënën tonë të paharruar. Për ne dy vëllezërit, ajo ka qënë dhe mbetet burim drite, që na ka ndriçuar që në fëmijërinë tonë të hershme udhën tonë të jetës e të punës, ndaj për ne mbetet në jetë të jetëve burim frymëzimi e kujtimi edhe për nipat e mbesat që vijnë pas nesh.” Le të shërbejnë këto radhë shkrimi homazh për mësuesen e paharruar, Lulëzime Muça (Elezi), duke qënë i bindur se sollëm edhe mendimet dhe vlerësimet e komunitetit ku ajo jetoi e punoi. Emri dhe kontributi i saj do të mbetet përjetësisht në memorien e tyre, si një ndër emrat e nderuar e të respektuar të mësuesisë lezhjane e më gjërë. Përjetësisht, mirënjoheje Misionares së Arsimit!
I përjetshëm qoftë kujtimi i saj!








Comments