Flamur Gashi: Prof. Isa ZYMBERI – Njeriu që Kosovës i dha shumë dhe nuk i kërkoi asgjë!
- 6 minutes ago
- 6 min read

Ka njerëz që flasin shumë për atë që kanë bërë.
Ka të tjerë që kanë bërë aq shumë, sa nuk kanë nevojë të flasin.
Prof.Isa ZYMBERI është nga të dytët.
Profesor universitar. Intelektual. Diplomat i lindur. I qetë, i matur, fjalëpakë.
Patriot që dashurinë për Kosovën nuk e dëshmoi me zhurmë, por me dije, punë dhe vepra.
Në vitet kur Kosova nuk kishte ambasada, Isa ishte një nga ambasadorët e saj pa titull dhe pa gradë.
Profesor i anglishtes në Universitetin e Prishtinës, në vitet ’80 shkoi në Londër si lektor i gjuhës shqipe. Në fillim të viteve ’90 hapi dhe drejtoi në Londër "Qendra për Informim e Kosovës – Kosova Information Centre (KIC)". Krijoi miq, kontakte e besim dhe informoi politikën, diplomacinë, mediat dhe opinionin britanik për Kosovën.
Në Washington dëshmoi për të. Në Bruksel, në kulmin e luftës, takoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Javier SOLANA, dhe foli në selinë e Aleancës.
Aeroplanët e NATO-s që fluturonin drejt caqeve serbe i quajti:
“Dallëndyshet e Paqes”.
Dy fjalë. Pak fjalë, shumë kuptim.
Si vetë Isa.
Në rininë e tij ishte mik i ngushtë edhe me Jusuf GËRVALLËN. Më pas, në vitet më të vështira për Kosovën, qëndroi pranë Ibrahim RUGOVËS shokut të rinisë, mikut të familjes dhe bashkudhëtarit të idealit.
Përkthyesi. Këshillëdhënësi. Bashkëpunëtori.
Mbi të gjitha, miku besnik i tij.
Kur RUGOVA i qetë e i butë në komunikim, por i fortë si graniti në qëndrime dhe kryeministri Bujar BUKOSHI patriot temperament, që jo rrallë merrte zjarr, përplaseshin në mendime për rrugën që duhej ndjekur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, Isa dinte të ishte ekuilibri mes tyre...

Dinte të fliste.
Dinte të qetësonte.
Dinte edhe të heshtte.
Për një pjesë të kësaj historie nuk kam nevojë për dokumente.
E kam jetuar me Isën.
Që nga fillimi i viteve ’90 e deri sot, mes nesh ka një temë që nuk është mbyllur kurrë:
Kosova.
Në Tiranë, Washington, New York, Paris, Romë, Berlin, Sarajevë, Stamboll, La Valeta, kudo që ishim në ato vite, me Isën ishim vetëm një telefonatë larg.
Për një informacion, një këshillë, një mendim. Për atë që po ndodhte dhe, shpesh, për atë që mund të vinte.
Distancat ndryshonin.
Kosova jo.
Pastaj erdhi Rambujeja.
Net pa gjumë. Telefonata pa fund. Teksti i parë i marrëveshjes. Vërejtjet dhe sugjerimet e Prof. Mark WELLER. Informacionet nga procesi dhe bisedat prapa kuintave.
Isa kërkonte që materiali autentik t’u bëhej i njohur sa më shpejt edhe drejtuesve kryesorë të opozitës në Shqipëri, veçanërisht ish-Presidentit Dr.Sali BERISHA, ndërkohë që Qeveria e Shqipërisë kishte njerëzit e saj pranë procesit dhe rreth kështjellës...
Sepse Rambujeja nuk ishte çështje partie, qeverie apo opozite.
Ishte Kosova...
Pyetja ishte:
Çfarë fati e priste Kosovën dhe çfarë duhej bërë për të?
Ka shumë më tepër.
Biseda, veprime, porosi, mesazhe për të tjerët dhe nga të tjerët që unë dhe Isa i përcillnim të njëri tjetri dhe aty ku duhej...
Disa ndoshta do të ikin bashkë me ne.
Dhe disa është mirë të mos merren vesh kurrë.
Sepse çështjet e shtetit nuk nxirren të gjitha në pazar.
Institucionalisti i vërtetë duhet të dijë të flasë, por duhet të dijë edhe të heshtë.
Ka gjëra që nuk i tregoj jo sepse i kam harruar.
Por pikërisht sepse i mbaj mend.
Një gjë mund ta them:
Çfarë bëmë, e bëmë për Kosovën.
Për lirinë dhe të ardhmen e saj, me ëndrrën tonë të përhershme për bashkimin kombëtar.
Pa kërkuar faturë.
Pa mbajtur regjistër meritash.
Pastaj erdhi Marrëveshja e Kumanovës.
Dhe një datë që nuk mund ta harroj:
14 qershor 1999.
Bashkë me Isën u nisëm nga Tirana për në Kosovë. Për në Pejë. Për në Ruhot.
Atje na prisnin babai im, Xhemaili, vëllai im Arbeni dhe djemtë e axhës, Bekimi dhe Bashkimi, të kthyer dy ditë më parë në shtëpi...
Drekën e parë e hëngrëm në oborrin e shtëpisë sonë.
Edhe sot e kam para syve atë sofër.
Babai. Isa. Familja. Ruhoti. 14 qershor 1999.
Çfarë kohe...
Sa dhimbje, mall, mungesë dhe shpresë kishte rreth asaj sofre.
Me Isën kishim kaluar vite duke pyetur se çfarë fati e priste Kosovën.
Atë ditë nuk kishim më nevojë të pyesnim për asgje.
Ishim kthyer në të.
Dhe aty ishin përsëri bashkë Isa dhe Xhemaili.
Dy miqtë e vjetër.
Në Kosovën e lirë.
Historia e tyre kishte filluar shumë përpara meje.
Dy djem nga Ruhoti.
Dhe këtu ka një hollësi që e bën miqësinë e tyre edhe më domethënëse: familjet tona të gjera, fiset, në atë kohë nuk ishin në raporte aq të mira me njëra-tjetrën...
Pra, miqësinë nuk ua la trashëgim fisi.
Ata zgjodhën njëri-tjetrin.
Bashkëstudentë në Prishtinë, më pas bashkëmësues në Obiliq, ku në të njëjtën kohë punonin edhe Ibrahim RUGOVA, Isa DEMAJ, Ramadan BLAKAJ, Muhamet SHATRI e të tjerë, e të tjerë, shumë prej tyre nga Rrafshi i Dukagjinit.
Në heshtje, patrioti Ismail DUMOSHI, me shokët e tij, i ndihmonte të punonin atje, shpesh pa e ditur as vetë ata se kush po ua hapte derën...
Ishte një brez që bënte shumë dhe fliste pak.
Jeta më pas i shpërndau. Disa u burgosën e u persekutuan, të tjerë vazhduan të luftonin me dallgët e jetës.
Por miqësinë nuk e harruan.
Isa dhe Xhemaili e ruajtën të tyren nga rinia deri në pleqëri.
Familjet nuk ua krijuan miqësinë atyre.
Miqësia e Isës dhe Xhemailit i afroi familjet tona.
Dhe pas luftës, kjo miqësi mori edhe një pamje krejt të zakonshme, por për mua ndër më të bukurat.
Isa ndërtoi në Ruhot shtëpinë e madhe, me dy hyrje, për dy djemtë e tij, Tonin dhe Titin.
Ndërsa unë, në arën tonë që ndodhet mes shtëpisë sonë dhe asaj të Isës, mbolla rreth 200 rrënjë arra.
Isa i thoshte gjithmonë babait:
“Xhemail, kam hise edhe unë në arra”.
Dhe babai, atje në fund të arrave, kishte lënë një deriçkë.
Që të mos silleshin gjatë për të shku të njëri-tjetri.
Që Isa të vinte të Xhemaili.
Që Xhemaili të shkonte të Isa.
Vetëm një deriçkë e vogël mes dy pronave.
Por ndonjëherë gjërat më të vogla tregojnë historitë më të mëdha.
Dikur, familjet e gjera nuk kishin qenë aq afër.
Më vonë, dy miq lanë një deriçkë hapur mes shtëpive të tyre.
Sot babai nuk është më.
Dhe Isa më thotë se sa herë shkon në Ruhot, sytë i shkojnë andej...
Sikur pret që Xhemaili të dalë përsëri nga deriçka e arrave dhe të vijë ta takojë.
Këtu më mbarojnë fjalët.
Sepse, çfarë mund t’i shtosh kësaj?
Babai iku.
Deriçka mbeti.
Miqësia gjithashtu.
Ajo kaloi te unë, vëllezërit dhe motrat e mia, te gruaja, vajzat dhe djali im; dhe, në anën tjetër, te gruaja e Isës, te vajza dhe dy djemtë e tij, te nipat dhe brezi që vjen pas nesh.
Brezi ndërroi. Miqësia jo.
Jemi komshinj të parë në Ruhot, në të njëjtin pallat në Tiranë, pranë njëri-tjetrit edhe në Golem.
Por kjo është vetëm gjeografi.
Ka njerëz që t’i jep gjaku.
Ka njerëz që t’i fal jeta.
Isa, për ne, është nga ata që na e fali jeta.
Prandaj po shkruaj për të sot.
Sepse njerëzit tanë të mirë shpesh fillojmë t’i zbulojmë kur nuk mund të na dëgjojnë më.
Me Isën nuk duhet të ndodhë kështu.
Isa duhet njohur sot.
Duhet dëgjuar sot.
Duhet vlerësuar sot.
Historinë e Kosovës nuk e kanë bërë vetëm ata që shiheshin para kamerave.
E kanë bërë edhe ata që punonin kur kamerat fikeshin. Ata që hapnin dyer pa treguar se i kishin hapur. Ata që krijonin miq për Kosovën pa pritur që Kosova t’ua kthente borxhin.
Isa ZYMBERI është njëri prej tyre.
Isa nuk ka nevojë për Kosovën për të marrë diçka prej saj.
Kosova ka ende nevojë për Isën.
Për dijen, përvojën, urtësinë, diplomacinë dhe besimin që ka krijuar në botën anglosaksone dhe më gjerë.
Mbi të gjitha, për një patriotizëm që nuk matet me zhurmën që bën, por me gjurmën që lë.
Shumë pak njerëz e dinë sa ka bërë Isa ZYMBERI për Kosovën.
Një ditë, kur historia të jetë më e qetë dhe dokumentet të flasin më fort se protagonizmat, shumëkush mund të pyesë:
“Si ka mundësi që kemi ditur kaq pak për të?”
Ne kemi pasur një fat tjetër.
Isa ishte miku i babait tonë. U bë miku ynë. Familjet tona u afruan. Fëmijët tanë e vazhdojnë këtë lidhje...
I dashur Isë,
faleminderit për gjithçka që ke bërë për Kosovën.
Dhe faleminderit për diçka që nuk shkruhet në asnjë CV apo histori politike:
Miqësinë me babanë tonë nuk e varrose bashkë me të. E vazhdove me ne.
Ke ndërtuar ura për Kosovën drejt botës.
Por ke ndërtuar edhe ura mes njerëzve dhe brezave.
Dhe, për familjen tonë ti e Xhemaili, keni lënë hapur diçka edhe më të thjeshtë:
një deriçkë mes arrave...
Një ditë shumë njerëz mund të krenohen duke thënë:
“E kam njohur Isa ZYMBERIN"!
Ne kemi privilegjin të themi:
“Isa është familja jonë”!
Shekullofsh, i dashur Isë!
Për vete, për familjen tënde, për miqtë që të duan dhe për Kosovën.
Sepse Kosovës i duhen ende njerëzit që flasin pak, bëjnë shumë dhe nuk ia dërgojnë kurrë faturën atdheut për atë që kanë bërë për të.
I tillë është Isa Zymberi .
Dhe jam i lumtur që mund t’ia them këto fjalë sot, sa e kemi mes nesh.








Sa borxh i kemi edhe ne Profesorit të nderuar Isa Zymberi! Eh, sa borxh i ka media, komuniteti shqiptar, realiteti ynë i emigracionit, por edhe kujtesa jonë kolektive një njeriu që ka dhënë kaq shumë dhe ka kërkuar kaq pak. Nga Londra, nga hapja dhe mbështetja e shkollës shqipe, nga puna e tij intelektuale e diplomatike, deri te kontributi për Kosovën në momentet më të vështira, gjurma e tij është shumë më e madhe se ajo që kemi ditur t'i japim hapësirë.
Prandaj përkushtimi i diplomatit Flamur Gashi nuk duhet të mbetet vetëm një urim i bukur për dy miq e bashkëudhëtarë. Ai na shtyn të shkojmë më tej: të mbledhim dëshmitë, të ruajmë kujtesën dhe të bëjmë të njohur…