Fatmir Terziu: Trebishti i vitit 1940...
- 36 minutes ago
- 8 min read

Trebishti i vitit 1940: kur një tabelë popullsie bëhet dëshmi e një shekulli ikjesh
Nga Fatmir Terziu
Shumë kohë më parë, historiani Sakip Cami më dërgoi një tabelë të gjetur në Arkivin Qendror të Shtetit, të përcjellë nga hulimtimet e z. Kujtim Nuro. Në krye të saj shkruhej: „Popullsia e komunës Trebisht, nënprefektura Zerqan, në vitin 1940.“ Në pamje të parë është një tabelë statistikore. Ka numra, emra fshatrash, numrin e shtëpive, meshkujt, femrat dhe totalin e popullsisë. Por kur e lexon me syrin e historisë dhe jo vetëm me syrin e statistikës, ajo tabelë fillon të flasë. Dhe ajo që thotë është tronditëse. Ajo nuk flet vetëm për 4606 banorë. Flet për një Trebisht që dikur kishte 871 shtëpi dhe 4606 njerëz. Flet për një hapësirë malore që, pavarësisht vështirësive të jetës, kishte një dendësi njerëzore të konsiderueshme. Flet për familje të mëdha, për fshatra me jetë të organizuar, për një ekonomi lokale që mbështetej mbi tokën, blegtorinë, punën dhe marrëdhëniet ndërkufitare. Dhe, mbi të gjitha, ajo na jep një pikënisje për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me këtë trevë gjatë më shumë se tetë dekadave.
Në vitin 1940, 4606 banorë jetonin në tetë vendbanime të kësaj komune. Meshkujt ishin 2291, ndërsa femrat 2315. Pra, raporti gjinor ishte pothuajse i barabartë, me një epërsi shumë të lehtë të femrave. Çdo shtëpi kishte mesatarisht rreth 5.3 banorë. Ky është një tregues i rëndësishëm. Kemi përpara një shoqëri me familje relativisht të mëdha dhe me një strukturë demografike ende të qëndrueshme.
Por tabela bëhet edhe më interesante kur shohim se ku përqendrohej kjo popullsi. Trebisht-Bala kishte 1050 banorë në 216 shtëpi. Trebisht-Çelebi kishte 833 banorë në 169 shtëpi. Stebleva kishte 770 banorë në 139 shtëpi. Pas tyre vinin Klenja me 526 banorë, Gjinoveci me 453, Borova me 386, Trebisht-Muçina me 367 dhe Vërnica me 221. Vetëm Trebisht-Bala dhe Trebisht-Çelebi përfaqësonin së bashku 1883 banorë, më shumë se 40 për qind të gjithë popullsisë së komunës së atëhershme. Kjo nuk ishte një hapësirë e zbrazët malore. Ishte një trevë e banuar, e organizuar dhe me një jetë të fortë komunitare.
Dhe këtu fillon pyetja e madhe: Si mund të kalojë një hapësirë me 4606 banorë në një realitet ku sot numrat janë shumë më të vegjël? Përgjigjja nuk gjendet në një shkak të vetëm. Kufiri që ndryshoi jetën përpara se të ndryshonte numrat Për të kuptuar dramën demografike të Trebishtit duhet të kthehemi më shumë se njëqind vjet pas. Viti 1913 është një nga çelësat kryesorë. Pas Luftërave Ballkanike dhe vendimeve të Fuqive të Mëdha për kufijtë e shtetit të ri shqiptar, hapësira e Gollobordës u gjend në një realitet të ri politik. Konferenca e Ambasadorëve në Londër vendosi kufijtë e Shqipërisë, ndërsa procesi i demarkimit dhe përcaktimit në terren vazhdoi për vite dhe u formalizua përfundimisht vetëm pas një vargu vendimesh e komisionesh ndërkombëtare. Kjo është shumë e rëndësishme për Trebishtin, sepse kufiri politik nuk përputhej domosdoshmërisht me kufijtë e jetës së njerëzve.
Golloborda kishte qenë një hapësirë ekonomike, familjare dhe kulturore e lidhur me Dibrën. Vendosja e kufirit e ndau këtë hapësirë në dy anë shtetërore. Studimet mbi Gollobordën dëshmojnë se edhe pas vendosjes së kufirit vazhduan lëvizjet e njerëzve përtej tij dhe se, gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, banorë të të dyja anëve kalonin kufirin edhe për të punuar tokat e tyre. Pra, kufiri ishte aty, por jeta ende përpiqej ta kapërcente. Kjo është një nga tragjeditë më pak të dukshme të historisë së kufijve: një vijë e vizatuar në hartë mund të mos i ndajë menjëherë njerëzit, por me kalimin e kohës mund t'ua ndryshojë mënyrën e jetesës.
Për Trebishtin dhe Gollobordën, ky proces ishte gradual. 1940, mbetet një fotografi e fundit e një bote ende të gjallë. Kur lexojmë tabelën e vitit 1940, duhet ta vendosim atë pikërisht në këtë kontekst. Trebishti i vitit 1940 ishte i djegur madje tre herë, ishte ende një trevë me lidhje të forta tradicionale, por ndodhej në një zonë kufitare ku historia evropiane kishte lëvizur kufijtë dhe kishte ndryshuar marrëdhëniet e vjetra. Vetëm pak vite më vonë do të vinte Lufta e Dytë Botërore. Pastaj do të vinte komunizmi. Dhe në vitin 1948, do të ndodhte një nga goditjet më të mëdha për strukturën tradicionale të jetës së kësaj zone, prishja e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave dhe mbyllja e kufirit.
Studimet historike tregojnë se menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kufiri shqiptaro-jugosllav ishte relativisht i hapur. Në vitet 1945–1948 pati bashkëpunim ekonomik, marrëveshje për trafikun kufitar dhe madje u trajtuan edhe problemet e pronave që shtriheshin në të dyja anët e kufirit. Pas përplasjes së vitit 1948, ky proces u ndërpre dhe kufiri u mbyll. Për një zonë si Golloborda, kjo nuk ishte thjesht një çështje politike. Ishte një ndryshim i mënyrës së jetesës. Në kufi u vendosën tela me gjemba dhe posta vrojtimi, ndërsa familjet humbën lidhjet e zakonshme me njerëzit e tyre në anën tjetër. Kështu, një krahinë që për shekuj e kishte perceptuar hapësirën si një tërësi, u detyrua ta perceptonte atë përmes kufirit. Pastaj erdhi shteti i mbyllur. Këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm. Rënia e popullsisë së Trebishtit nuk mund t'i atribuohet vetëm regjimit komunist. Por as komunizmi nuk mund të lihet jashtë kësaj historie.
Gjatë periudhës socialiste, zonat kufitare shqiptare u trajtuan si hapësira strategjike dhe të kontrolluara. Kufiri nuk ishte vetëm një vijë shtetërore. Ai u kthye në një mekanizëm që përcaktonte lëvizjen, marrëdhëniet familjare, mundësitë ekonomike dhe orientimin e jetës së banorëve. Në një studim mbi jetën e përditshme në zonat kufitare të Shqipërisë socialiste, kufiri përshkruhet pikërisht si një mekanizëm i ndërtuar nga lart, ku frika, kontrolli dhe kufizimi i lëvizjes u bënë pjesë e jetës së përditshme. Por paradoksi është i madh. Regjimi komunist mund të frenonte largimin nga fshati për një periudhë, por nuk mund të krijonte kushtet që një zonë e thellë malore të bëhej ekonomikisht më e fuqishme se qendrat urbane. Në periudha të ndryshme pati lëvizje të brendshme të popullsisë, sidomos drejt qyteteve dhe qendrave të punës.
Prandaj, nëse viti 1940 na tregon një Trebisht me popullsi të konsiderueshme, dekadat e mëvonshme duhet të lexohen si një proces i gjatë transformimi demografik. Një detaj i tabelës që ndryshon gjithë krahasimin. Këtu duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk është plotësisht e saktë të krahasojmë drejtpërdrejt 4606 banorët e vitit 1940 me popullsinë e sotme të njësisë administrative Trebisht, sepse kufijtë administrativë nuk janë të njëjtë. Tabela e vitit 1940 përfshin Trebisht-Muçinë, Trebisht-Çelebi, Trebisht-Bala, Gjinovec, Klenjë, Vërnicë, por edhe Steblevë dhe Borovë. Më pas, sipas ndarjes administrative, Stebleva ishte njësi më vete, ndërsa Njësia Administrative Trebisht përfshinte gjashtë fshatra, Klenjë, Gjinovec, Vërnicë, Trebisht-Bala, Trebisht-Muçinë dhe Trebisht-Çelebi. Prandaj, për një krahasim më të drejtë, nga tabela e vitit 1940 duhet të marrim vetëm këto gjashtë vendbanime.
Dhe këtu shfaqet një shifër që të trondit. Në vitin 1940, këto gjashtë vendbanime kishin së bashku 3450 banorë. Sipas Censusit të vitit 2011, Njësia Administrative Trebisht kishte 993 banorë. Ndërsa në Censusin 2023, popullsia e njësisë Trebisht rezulton rreth 1085 banorë. Kjo do të thotë se, edhe duke bërë një krahasim të kujdesshëm për shkak të ndryshimeve administrative, kemi një rënie nga 3450 banorë në gjashtë vendbanimet përkatëse të vitit 1940 në rreth 1085 banorë në njësinë e sotme: një tkurrje prej afërsisht 68.6 për qind. Këtu numri pushon së qeni thjesht numër. Ai bëhet histori. Çfarë ndodhi me njerëzit?
Përgjigjja më e thjeshtë do të ishte, se ata ikën. Por kjo është vetëm gjysma e së vërtetës. Njerëzit nuk ikën të gjithë për të njëjtën arsye dhe nuk ikën të gjithë në të njëjtën kohë. Disa u larguan për arsye ekonomike. Disa për shkak të pamundësisë për të ndërtuar një të ardhme në një zonë të thellë malore. Disa u zhvendosën drejt qyteteve. Disa u larguan pas viteve 1990, kur kufijtë u hapën dhe migrimi ndërkombëtar u bë i mundur. Studimet mbi Gollobordën e përshkruajnë pikërisht këtë prirje, migrimi drejt Tiranës dhe qendrave të tjera urbane, si edhe emigrimi jashtë vendit, u bënë pjesë e rëndësishme e jetës së zonës. Dhe kjo është arsyeja pse një krahinë mund të humbasë popullsi edhe kur nuk ka ndodhur ndonjë katastrofë e vetme.
Mjafton që për disa breza të rinjtë të largohen. Një djalë largohet. Pastaj edhe vëllai. Më pas vajza martohet në një qytet tjetër. Fëmijët e tyre lindin jashtë fshatit. Prindërit plaken. Shtëpia mbetet. Pastaj ajo mbyllet. Dhe pas disa dekadash, një fshat që dikur kishte dhjetëra e qindra familje, mbetet me pak familje të përhershme. Kjo është mënyra më e heshtur e shpopullimit. Tabela na tregon edhe një tjetër histori, familjen Një tjetër element i jashtëzakonshëm i dokumentit të vitit 1940 është numri i banorëve për shtëpi. 871 shtëpi për 4606 banorë japin një mesatare prej rreth 5.3 persona për familje.
Në Borovë, mesatarja ishte mbi gjashtë banorë për shtëpi. Në Klenjë afro gjashtë. Në Vërnicë po ashtu afro gjashtë. Këto shifra na tregojnë një shoqëri ku familja e madhe nuk ishte përjashtim, por pjesë normale e strukturës sociale. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme për historinë e demografisë, sepse shpopullimi nuk është vetëm humbje njerëzish. Është edhe ndryshim i madhësisë së familjes, i lindshmërisë, i strukturës së moshave dhe i mënyrës së trashëgimisë së pronës. Një familje me pesë, gjashtë apo shtatë anëtarë mund të mbajë gjallë një shtëpi, një tokë, një stan, një arë dhe një rrjet marrëdhëniesh. Kur ajo familje bëhet me dy anëtarë të moshuar, territori nuk humbet vetëm njerëz: humbet edhe përdoruesit e tij. Prandaj shpopullimi është një proces ekonomik po aq sa demografik. Nga 4606 njerëz te heshtja e shtëpive, mbetet faktor. Të shohësh sot këto shifra do të thotë të imagjinosh një Trebisht që nuk ekziston më në të njëjtën formë. Jo domosdoshmërisht sepse u zhduk. Por sepse u shpërnda.
Një pjesë e njerëzve të Trebishtit mund të jetojnë sot në Bulqizë, Peshkopi, Tiranë, Elbasan, Durrës, në qytete të tjera shqiptare apo jashtë Shqipërisë. Një pjesë tjetër kthehet në fshat vetëm gjatë verës. Studimet antropologjike mbi Gollobordën kanë vërejtur pikërisht këtë dukuri, se disa fshatra nuk kanë më popullsi të qëndrueshme gjatë gjithë vitit dhe një pjesë e banorëve kthehen sezonalisht. Kjo krijon një realitet të ri. Fshati mund të ketë ende shtëpi, por jo të njëjtën popullsi. Mund të ketë ende rrugë, por jo të njëjtën lëvizje. Mund të ketë ende oborre, por jo të njëjtin zë fëmijësh. Dhe pikërisht këtu një tabelë arkivore bëhet më e fuqishme se një fotografi.
Fotografia tregon një çast. Tabela tregon një strukturë shoqërore. Historia nuk është vetëm ajo që shkruhet në libra. Ndoshta ky është mësimi më i rëndësishëm i dokumentit të vitit 1940. Historia e Trebishtit nuk duhet lexuar vetëm përmes luftërave, kufijve, regjimeve dhe reformave administrative. Duhet lexuar edhe përmes numrit të shtëpive, sepse 871 shtëpi janë 871 histori familjare. 4606 banorë janë 4606 jetë njerëzore. 2291 meshkuj dhe 2315 femra janë breza që kanë lindur, punuar, dashuruar, martuar, ndërtuar shtëpi dhe varrosur të parët e tyre në atë tokë. Pastaj erdhën kufijtë. Erdhën luftërat. Erdhi mbyllja e kufirit. Erdhi regjimi. Erdhi urbanizimi. Erdhi viti 1990. Erdhi emigracioni. Dhe një ditë, numrat filluan të bien.
Prandaj, kur themi sot se Trebishti ka rreth një mijë banorë, nuk duhet ta shohim këtë vetëm si statistikë. Duhet ta shohim si fundin e një procesi të gjatë historik. Dhe këtu qëndron edhe paradoksi më i madh. Trebishti nuk u zbraz në një ditë. Ai u zbraz pak nga pak, brez pas brezi. Në vitin 1940, tabela e arkivit regjistroi një popullsi prej 4606 njerëzish në komunën e atëhershme. Sot, kur lexojmë atë dokument, numrat na duken pothuajse të pabesueshëm. Por ata nuk janë një fantazi statistikore. Ata janë dëshmi e një realiteti të kaluar.
Nëse duam të kuptojmë pse një trevë e tërë ka humbur një pjesë kaq të madhe të popullsisë së saj, nuk duhet të kërkojmë vetëm një fajtor. Duhet të ndjekim gjurmën e kufirit nga 1913, pasojat e luftërave, mbylljen e vitit 1948, izolimin e gjatë, transformimet e periudhës socialiste, lëvizjet e brendshme dhe shpërthimin e emigracionit pas vitit 1990. Vetëm atëherë kuptojmë se demografia nuk është thjesht matematikë. Është histori e gjallë.
Dhe ndonjëherë, një tabelë e harruar në Arkivin Qendror të Shtetit mund të tregojë më shumë për fatin e një krahine sesa dhjetëra faqe kronikash. Ajo tabelë e vitit 1940 nuk na thotë vetëm sa njerëz kishte Trebishti. Na pyet: Ku shkuan ata njerëz? Dhe kjo është pyetja që historia e Trebishtit, e Gollobordës dhe e shumë krahinave të tjera shqiptare ende nuk e ka marrë përgjigjen e plotë.








Comments