top of page

Fjala poetike dhe tërësia e diskursit të ekzistencës.


Ndue (Tomë) Ukaj

Fjala poetike dhe tërësia e diskursit të ekzistencës.

Mbi poezinë e Ndue (Tomë) Ukaj

Dr Fatmir Terziu


Prej kohësh në fushën krijuese shqiptare është edhe një emër. Një emër që vjen me plot timbrin letrardhe krijues. Është emri i Ndue Ukajt që risiglon këtë persuamble krijues në tërë këtë ndjesi tingëlluese. Është poet, kritik dhe një analist me një ndjenjë të mirë njohëse. E kam ndjekur në heshtje krijimtarinë e tij si në letrat shqipe ashtu edhe në cyberspace. Dhe në të dy rastet ai vjen i shëndoshë dhe me një synim të qartë. Këtë radhë flet me poezinë e tij në mjedisin e “Fjalës së Lirë”. Ndue (Tomë) Ukaj lindi në vitin 1977 në Stubëll të Epërme të Komunës së Vitisë. Ka kryer studimet për letërsi dhe gjuhë shqipe në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku ka ndjekur edhe studimet e magjistraturës. Ka qenë editor i revistës për art, kulturë e shoqëri “Identiteti” (2001-2002) që është botuar në Prishtinë.  Tekstet e tij letrare, eseistike, publicistike janë botuar në gjithë periodikun në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, diasporë dhe me gjerë etj. Në vitin 2004 ka botuar librin ”Diskursi biblik në letërsinë shqipe” (AIKD, Prishtinë). Është bashkautor i monografisë “Stublla”, si dhe është i përfshirë në disa antologji të poezisë shqipe. Ndue Ukaj shkruan poezi, prozë, eseistikë, teori, kritikë dhe studime letrare, si publicist. Ka disa libra në dorëshkrim, të zhanreve të ndryshme letrare të cilat priten të dalin së shpejti në dritë.

Poezia e Ndue Ukaj

Dhe poezia e tij është një grusht molekulash tërheqëse që të mbijnë në hapësirën njerëzore dhe fokusohen në tërë evenimentin lexues-krijues. Duke e parë krijimtarinë e Ukajt, ndjenja të shtohet në një shtysë-kërkesë shpirtërore që të njohësh këtë penë që siglon vetveten. Në poezinë “Përleshem”, norma letrare ngjeshet me një dimension logjik dhe mbjell emocionalen që të shtyn të rrekesh në brendësi të saj. Tipike me simbolikën njerëzore, ana dimensionale që shtjellon njerëzoren gjendet si një arenë e pluguar mirë për të mbjellur bereqetin e premtuar, kur autori thekson dhe gjen këto vargje: “Nganjëherë i kafshoj dhëmbët,/I kafshoj sa fort gjuha më përleshet me dhëmbë,/Më mbetet gjuha në dhëmbë nganjëherë,/Me gjilpërë më duhet ta qep gjuhën,…” (Ukaj, “Përleshem”).

Duke udhëtuar në muzën origjinale shqiptare dhe duke rrëmuar në krijimtarinë më të ndjeshme shqiptare, kartëmonedha e vlefshme poetike e Ukajt është një sintezë metaforike dhe një hapësirë shpirtërore në pritje. Ukaj mbetet një model në poezinë e tij për vetë faktin e largimit të ndikimit moral, apo atij kontradiktor me sensin dhe diskursin e ndjenjës në brendësi të faktit. Kështu ai në një plan të tillë afrohet me dëshminë sublime të Aristotelit për poetikën e këtij lloji. Në poetikë Aristoteli, argumenton se: "Karakteri është ai që tregon qëllimin moral, duke treguar se çfarë shembujsh të gjëra një njeri zgjedh ose shmang". Për më tepër, Aristoteli thotë se një temë që është "moralisht lënduese," është mirë që të shmanget. Së fundi, ai argumenton se arti i mirë është ai që ankesat i vë në "më të mirën e publikut". Por kjo nuk do të thotë se ne nuk mund, të marrim për shembull, veprime poetike për të krijuar sensing tonë. Poeti, kurrë nuk duhet të jetë një interpretues i keq, qoftë edhe të asaj që ai mendon se duhet të ciklohet në poezinë e tij. Unë mendoj se kjo do të thotë se kundërshtimet thjesht morale nuk janë të mjaftueshme që të mund të realizohet një shfaqje e mirëfilltë poetike. Madje një punë e tillë mund të jetë nëmënyrë aestetike e shkëlqyer dhe në qoftë se ajo pasqyron një dimension disi të diskutueshëm. Vargjet e mëposhtme përbëjnë këtë lidhje aestetike të cilën Alfred Uçi e ka cilësuar si një “vërtetësi artistike” (Uçi, 1983:358). Autori gjen këtë vërtetësi shpirtërore dhe në formën më të lartë aestetike shprehet: “…Engjëlli im/Jo pse dua/Eh pra nganjëherë çuditem edhe me veten si i kafshoj/ëndrrat,/Hahem me to deri në përgjakje…”.

Në këto vargje jetësorja dhe ndodhia e saj katapultohen me një imagjinatë intelektuale dhe ngjeshen në fushën e përballjes emocionale. Në këtë përballje emocionale shfaqet pikërisht e bukura, ajo që J. Borjev e gjen tek ‘vlera më e lartë pannjerëzore’ (Borjev, cituar tek Uçi, 1983:358). Por në këtë lidhje pannjerëzore është edhe sensi. Kushedi sa ndjesi ka prodhuar vetë autori teksa ka pasqyruar këtë model, që duhet vlerësuar dhe simpatizuar: “I kafshoj dhe përleshëm me realitetin,/Nëpër net me ëndrra vjeshtore e pranvera me/buzëqeshje dashurore/Hamendja për fitore mbyt trishtimin/I kafshoj ditët, edhe netët i kafshoj,/Të zeza si futa, netët,/Krejt përgjakëm nganjëherë,/Me dhëmbët e mi të rëndë, oh sa të rëndë,/Sa shkëmbinjtë e Bjeshkëve të Nemuna,/Nganjëherë botën e zë gjumi 'mes të ditës, trulloset bota/krejt,/Harron përuljen e gjurit nganjëherë bota/E unë, nganjëherë i vetmuar përleshem me botën/Dhe përhumbem në lakuriqësinë e poezisë…”.

Prezenca dhe diskursi i fjalës

Prezenca në poezinë e Ndue Ukajt është një faktor tjetër prekës. Nuk është në fakt vetëm se duhet një prezencë e tillë metafizike në të, por një prezencë që bëhet e prekshme, e mjaftueshme dhe e pranishme në jetën dhe për jetën e kësaj bote në të gjitha dimensionet e saj, duke vënë në dispozicion e duke përfshirë dimensionin e metaforës së ngulitur mirë e bukur në poezi, tek fjala e saj poetike dhe tek tërësia e diskursit të ekzistencës.

Poezia e tij është e lezueshme me tërë prezenëcën e saj bindëse, jo vetëm me dëshirën për të interpretuar në heshtje vargun e lirë të saj, por për të marrë pjesë aktivisht në mendjehollësinë e fjalës së saj në rënie-ngritjet e saj metaforike me një akt të krijimit kuptimplotë. Në poezinë “Krijimi” autori është sa biblik aq edhe dimensional. Një prekje metafizike e gjërave vjen me qetësi dhe argument: “Zoti, gjashtë ditë krijoi pa ndalë, /Të shtatën ditë /poetët i futi në Kopshtin e Fshehtësisë ua mësoi zanatin e ua caktoi misionin;/Vetëm një gjë qysh ngaherë mbeti sekret, /Gjarpri! /Cilën ditë të krijimit u zvarrit së pari mbi Dhe?”. Me tërë këtë prezencë logjike metafizika poetike e Ukajt nuk është thjesht një shprehje, ajo është përgjegjësi. Dhe kjo përgjegjësi nuk është një barrë. Në të kundërt! Kënaqësi e ndjeshme e krijimit që sjell pasqyrën e kompleksit filozofik të ‘krijimit’, ku burrëron paqja e vetë-vetëdijes, prezenca dhe ridimensionimi për ta sjell qoftë edhe një varg, një poezi, për ta sjellë atë të voglën, molekulën poetike si një vepër të artit në jetë.

Kjo mund të argumentohet së fundi në mënyra të dryshme, se kuptimi i poezisë është shumëdimensional. Por ajo që bëhet më e prekshme për mua është prezenca dhe metafora si ushqim i domosdoshëm për diskursin e fjalës në poezi. Tek poezi të tilla të autorit si “Thirrje”; “Kompromis i dhimbshëm me metaforat”; “Pikëpyetje”; “Hija e Korbave”, “Poezia”etj. mund të shihen më mirë ashtu si prezencaashtu edhe diskursi i fjalës.


7 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page