top of page

Agim Lika: Fatos Myftari, inxhinjeri i parë shqiptar në "Apple!

  • 28 minutes ago
  • 4 min read

 

Sot  menaxher i lartë në "Apple".Historia e një shqiptari që gjithçka e arriti me punë.

Në qytezën e Ulzës, në rrethin e Matit, aty ku tradita, arsimi dhe ndjenja e përkatësisë ndërthuren natyrshëm, lindin figura që nuk janë thjesht individë, por institucione më vete. Një prej tyre është edhe Fatos Myftari , skënderbegas, inxhinier elektronik, qytetar model dhe njeri i përkushtuar ndaj dijes dhe shoqërisë.

Jeta e tij nuk është vetëm një histori personale suksesi, por një rrëfim frymëzues i sakrificës, disiplinës dhe punës së palodhur. Sot, ai është senior manager në kompaninë prestigjioze "Apple",  në Kaliforni, duke drejtuar një ekip prej dhjetëra inxhinierësh dhe duke kontribuar në zhvillimin e produkteve më të njohura teknologjike në botë.

Themeli i karakterit

 

Fatos Myftari lindi më 15 gusht 1969 në Ulëz të Matit, një zonë me tradita të forta pune dhe qytetarie. Prindërit e tij, me origjinë nga Skrapari, kishin shkuar në Ulëz si punëtorë në hidrocentralin e Ulëzës.

Ai u rrit në një familje të madhe, me vështirësi ekonomike, si shumica e familjeve shqiptare të asaj kohe. Megjithatë, fëmijëria e tij ishte e mbushur me dashuri familjare dhe edukatë të fortë për punën dhe dijen.

Shkollën 8-vjeçare e përfundoi në Ulëz, në vitin 1983, me rezultate të shkëlqyera, me mesatare 10. Që në moshë të vogël spikati në lëndët ekzakte, si : matematika, fizika dhe kimi. Ai ishte nxënës që kërkonte gjithmonë më shumë dhe nuk kënaqej kurrë me minimumin.

Liqeni i Ulzës mbetet një nga kujtimet më të bukura të fëmijërisë së tij. Notin e mësoi që në moshën katërvjeçare, ndërsa, pikërisht në atë mjedis, u formuan themelet e karakterit të tij të fortë.

 

Nga Ulëza në Tiranë – rruga e dijes

 

Pas rezultateve të shkëlqyera në shkollën 8-vjeçare, Fatosi fitoi të drejtën për të vazhduar studimet në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë.

Në këtë institucion elitar ai u dallua jo vetëm për rezultatet maksimale në mësime, por edhe për disiplinën, qytetarinë dhe sjelljen shembullore. Në vitin 1987 përfundoi studimet me të gjitha notat 10-ta, një arritje që kërkonte përkushtim të jashtëzakonshëm.

Shokët e klasës e kujtojnë si promotor të procesit mësimor dhe një shtyllë të fortë të kolektivit. Ai jo vetëm shkëlqente në lëndët ekzakte, por kishte rezultate të larta edhe në lëndët shoqërore.

 

Universiteti Politeknik i Tiranës

 

Pas përfundimit të shkollës “Skënderbej”, me rezultate shumë të larta , nota mesatare 10, Fatos Myftari vazhdoi studimet në Universitetin Politeknik të Tiranës, në degën inxhinieri elektronike, ku u diplomua me rezultate shumë të larta.

Gjatë viteve universitare mori pjesë aktive në demonstratat studentore të dhjetorit 1990, megjithëse qëndroi larg angazhimit politik aktiv.

Pas diplomimit, nga gushti 1992 deri në nëntor 1994, punoi si onxhinier elektronik në hidrocentralin e Ulzës, pranë KESH-it. Paralelisht jepte mësim në lëndën fizikë me kohë të pjesëshme në shkollën e mesme të Ulzës.

 

Emigrimi dhe rruga drejt suksesit ndërkombëtar

 

Në vitin 1994 iu dha mundësia për specializim në Itali, nga kompania "Alcatel". Pas kursit trejavor në Romë, vendosi të vazhdonte rrugën e emigrimit në Gjermani, më pas në Londër dhe, në gusht të vitit 1995, emigroi në Toronto të Kanadasë.

Në Kanada vazhdoi studimet në Ryerson University, ku përfundoi Bachelor of Science në vitin 2000 dhe më pas Master of Science në vitin 2005.

 

Karrierën profesionale e nisi si Audio Engineer në kompaninë kanadeze "Unitron Hearing", e specializuar në pajisje dëgjimi për persona me probleme dëgjimi. Falë profesionalizmit dhe aftësive të tij, ai u promovua disa herë.

Në prill të vitit 2006 u rekrutua nga kompania "Blackberry "(RIM), një nga kompanitë më të fuqishme të kohës në industrinë e telefonisë inteligjente. Aty u bë menaxher dhe drejtonte sektorin e audios në telefonat "Blackberry".

 

Nga "Blackberry" tek "Apple"

 

Në janar të vitit 2011, pas disa ftesash për intervista, Fatosi pranoi ofertën e "Apple"dhe, më 6 prill 2011, u transferua në Cupertino, Kaliforni.

Karriera e tij në "Apple" u zhvillua me ritme të shpejta. Në vitin 2015 ai u emërua Manager of Acoustics dhe ishte përgjegjës për audio dhe telephony në të gjitha pajisjet "Apple": "iPhone", " iPad", "Mac", "Apple Watch" dhe "AirPods".

 

Aktualisht ai mban pozicionin senior manager në "Apple" dhe drejton një ekip prej rreth 36 inxhinierësh.

 

Fatos Myftari ka kontribuar në disa patenta teknologjike për produktet "Apple" dhe konsiderohet një nga specialistët më të njohur në fushën e audios.

 

Jeta personale

 

Në Toronto, Fatosi krijoi familje me Julian nga Saranda, me profesion dentiste. Ata jetonin një jetë të lumtur deri në vitin 2012, kur Julia humbi jetën tragjikisht në një aksident. Ishte një humbje shumë e madhe për të.

Në vitin 2014 ai u njoh me Elonën nga Lushnja, me të cilën jeton prej asaj kohe. Çifti kanë një vajzë, Adora, e lindur më 5 maj 2017.

 

Një shqiptar që nuk harroi rrënjët

 

Megjithëse jeton prej shumë vitesh jasht Shqipërisë, Fatosi vazhdon ta ndjekë me interes jetën shqiptare dhe ruan lidhje të forta me vendlindjen.

Ai mban tri shtetësi: shqiptare, kanadeze dhe amerikane.

Përveç teknologjisë dhe matematikës, një tjetër pasion i madh i tij janë udhëtimet. Puna në "Apple" i ka dhënë mundësinë të vizitojë shumë vende të botës, përfshirë Kinën, Japoninë, Indinë, Australinë dhe vende të shumta të Europës.

Historia e Fatos Myftarit është historia e një shqiptari që me talent, disiplinë dhe punë, arriti të ngjitet në nivelet më të larta të teknologjisë botërore. Ai mbetet një shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe një emër që i bën krenarë shqiptarët kudo në botë.

 

28 Maj 2026

Megjithëse jeton prej shumë vitesh jasht Shqipërisë, Fatosi vazhdon ta ndjekë me interes jetën shqiptare dhe ruan lidhje të forta me vendlindjen.

Ai mban tri shtetësi: shqiptare, kanadeze dhe amerikane.

Përveç teknologjisë dhe matematikës, një tjetër pasion i madh i tij janë udhëtimet. Puna në "Apple" i ka dhënë mundësinë të vizitojë shumë vende të botës, përfshirë Kinën, Japoninë, Indinë, Australinë dhe vende të shumta të Europës.

Historia e Fatos Myftarit është historia e një shqiptari që me talent, disiplinë dhe punë, arriti të ngjitet në nivelet më të larta të teknologjisë botërore. Ai mbetet një shembull frymëzimi për brezat e rinj dhe një emër që i bën krenarë shqiptarët kudo në botë.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page