Nga Ndue Lazri
Rreth krijimtarisë poetike të autores Rudina Muharremi Beja
Çdo artist, për të shprehur botën e tij shpirtërore dhe për të treguar talentin e tij përpara artdashësve ka në dispozicion një instrument apo mjet të caktuar. Kështu, muzikanti ka instrumentet muzikore si violina, piano, kitarra etj, piktori ka penelin e ngjyrën, skulptori ka daltën, këngëtari ka zërin, balerini ka lëvizjen. Kurse poeti ka fjalën. Poetit i takon të ketë në dorë diçka abstrakte, siç është fjala dhe ta përdorë atë me mjeshtëri, duke e kthyer gati në diçka konkrete për të prekur ndjenjat e njerëzve. Por nga ana tjetër ai ka në dorë diçka të shenjtë, sepse e para ishte fjala. E bëra këtë hyrje për të theksuar se sa e rëndësishme është mjeshtëria me të cilën shkrimtari apo poeti di të operojë me fjalën. Nga kjo mjeshtëri varet edhe shkalla e talentit të tij dhe forca me të cilën ai do të transmetojë tek të tjerët kumtet apo mesazhet e veta. Sot hedhim një vështrim mbi librin, “Volevo scrivere”, të poetes dhe shkrimtares Rudina Muharremi Beja, që është i parafundit në serinë e botimeve të saj (Sepse i fundit sapo ka dalë nga shtypi dhe nuk e kemi në dorë akoma), ose më saktë do të promovojmë me ravijëzime të shpejta krijimtarinë e saj, që përmbledh jo pak, por 11 libra në poezi e në prozë. E në qendër të tërë kësaj krijimtarie është gjithnjë fjala. Rudina, nuk është nga ata krijues që e shpërdorojnë fjalën, që krijojnë inflacion të saj, përkundrazi është një autore që e përdor fjalën me nikoqirllëk, madje herë - herë me kopraci do të thoja. Dhe këtu është sekreti, për ta bërë lexuesin që të mos e marrë gjithçka të gatshme, por ta vrasë mendjen, të futet në shtegëtimin poetik të autores dhe të dalë në atë shteg apo në atë qafë mali ku autorja do që ta nxjerrë. Ja si e vlerëson fjalën autorja në poezinë e saj me titull “Fjalët”, përfshirë pikërisht në librin “Volevo scrivere”, që është në shqip dhe italisht:
Fjalët, Si melodi e shpirtit, Udhëtojnë brenda vetes, Depërtojnë ngurtësisë së zemrave Dhe si lumenj vraparakë Trazojnë mendimet Në ndjesi drithërimash.
Vini re. Autorja e përkëdhel fjalën, siç përkëdhel skulptori daltën përpara se të cekë me majën e saj mermerin e zgjedhur. Madje poetja, krijon edhe një neologjizëm, kur flet për lumenjtë. Nuk i quan ata vrapues, çka do ishte një epitet i rëndomtë, por krijon fjalën vraparakë, që të kujton trokun e shpejtë të kalit, që në rastin konkret u vishet lumenjve. Fundja ky është një nga misionet e poetit, që ta pasurojë gjuhën, siç kanë bërë Dante apo Petrarka, Mitrush Kuteli apo Lasgush Poradeci, Kostandin Kristoforidhi apo Ismail Kadare, Fishta apo Migjeni etj. Thashë më sipër që autorja e përdor fjalën me kursim, siç përdor luftëtari i mirë fishekët kur gjendet në llogore. Populli me gjeninë e tij thotë: Qëllon shtatë e vret tetë. Kurse poeti me pak fjalë duhet të shprehë sa më shumë. Po sjell vetëm dy vargje të poezisë së titulluar “Mall”:
Ku strukesh ti, malli im, Që zemrën ma mbush me mungesë?
Shikoni se çfarë metafore të shkëlqyeshme përdor autorja. Të gjithë e dimë që malli na merr për diçka që na mungon prej kohësh. Mund të jetë mall për prindërit e humbur, për një mik apo mike, për të dashurin me të cilin rrugët u ndanë, për qenin e shtëpisë apo për derën e oborrit etj.etj. Të gjitha këto malle, që do të duheshin faqe për t’i rënditur, autorja i përmbledh në vargun “Zemrën ma mbush me mungesë”. Ku ka boshllëk më të madh se ky? Ose le të marrim poezinë tjetër me titull “Përqafimet”. Ja se çfarë definicioni poetik e filozofik u jep ajo përqafimeve, për të cilat kemi nevojë të gjithë t’i japim apo t’i marrim:
Përqafimet, Poezi ku janë shkruar kaherë Krejt fjalët e pathëna.
Madje, le të shkojmë më tej. Tek poezia “Ti, vargu im i lirë”, autorja shkruan:
Iu luta sonte vargut: Mos fol, veç hesht, Mos thuaj çfarë thamë rrugës...
Pra, autorja edhe vargun e saj kërkon ta bëjë të heshtë, sepse e di shumë mirë që ndonjëherë heshtja flet më shumë se qindra fjalë. Por nga ana tjetër ajo është e vetëdijshme për forcën e fjalës, e cila kur do që të marrë rrugën të dalë nga pena e poetit, as vetë poeti nuk e ndal dot:
Po ti je tradhëtare, pena ime e mirë, Vërshon si Vezuvi Si llavë e Laxarotes, Që zjarrin, tokën e ujin I bën bashkë të rrinë.
Do të thosha që një forcë të tillë të fjalës e gjenin vetëm burrat e mençur në kuvendet e dikurshme, se të sotshmet kanë shumë llafollogji e pak fjalë. Duke përdorur antitezën apo peshën e të kundërtave, autorja arrin të ndërtojë një poezi të bukur ku fjala rëndon si guri. Tek poezia “Habi”, ajo shkruan:
Nderojmë me fjalë, Me fjalë vrasim, Me një vështrim ngjallim, Mbysim me një vështrim, Me heshtje falim, Heshtjen kemi dënim, Na zgjon një e vërtetë, Një e vërtetë na ngrin, Plagos një gënjeshtër, Gënjeshtra-shpëtim.
Forca e fjalës së poetit depërton thellë tek lexuesi. Autorja, në poezinë e titulluar “Odisenë pret?” e trajton temën e Atdheut në një mënyrë shumë origjinale, me të cilën godet në mënyrë indirekte atë patriotizëm falls që e shohim të shpaloset shpesh herë manifestimeve të ndryshme e ekraneve të përditshme:
Gjithë ditën qëndis pëlhurën si Penelopë, I shqep netëve të tëra, Rrëzë lisit me thinja të bardha, Vitet i kthen në rrënoja pa frikë e pa dert. Mos vallë si një Itakë Dheu im Odisenë pret?
Ku ka përshkrim më të saktë e njëkohësisht më dramatik të imazhit të atdheut tonë të sotëm, që është në kërkim të një Odiseja për ta shpëtuar nga ata që po e vjedhin dhe po i marrin frymën? U ndala në këto vjersha të librit të parafundit të autores, ku ajo tregon një shkallë të lartë të pjekurisë së mjeshtërisë së saj artistike, të lëmimit të penës dhe të fjalës. Por talentin e saj prej qëndistareje të fjalës ajo e shfaq që në librin e saj të parë me titull “Hojet e zemrës” e në librat që pasojnë. Tek ky libër, në poezinë me titull “Zhvillim”, gjejmë vargjet e mëposhtme:
Jetojmë në epokën kur vdes harmonia, Kur funerali më i rëndësishëm u bë se i vdekuri, Martesa-më e rëndësishme se vetë dashuria, Fiziku-më tepër se intelekti
Kjo është ekografia e saktë e kësaj kohe kur çdo gjë e ka marrë në dorë aparenca, mania për t’u dukur, për të bërë efekte me gjëra artificiale duke harruar thelbin e shëndoshë, me bizhuteri që pretendojnë se i marrin shkëlqimin arit. Po tek ky libër, tek poezia “Besa”, ajo ndalet në një fjalë me peshë malesh, siç është besa e shqiptarit, për të nxjerrë pastaj në pah një dukuri tjetër negative të kohës sonë, pabesinë:
Dikur fjala ishte fjalë Edhe besa ishte besë, Burri i motit therte djalë, Ty në besë mos të të presë.
I pabesë u bë mileti, Për të rremin interes, Dëgjon atë që i duhet, Më pas...gati për në thes
Sa i madh ky thes i tyre, Brenda cilin nuk takon, Ka të ngjarë të gjesh dhe motrën A vëllanë që rënkon.
Por përballë kësaj kohe të turbullt, ku interesi duket se ka marrë revansh për të shkatërruar njerëzimin, poetja ngelet deri diku romantike, sepse shpreson e beson tek e mira. Ndaj në poezinë “S’duhen gurë”, ajo shpreh kredon e saj:
Kush lind i butë, i ngurtë s’bëhet, Dhe i ngurti s’bëhet i butë, Asgjë s’më bën më të lumtur Se mirësia dhe fjala e urtë...
Rudina Muharremi Beja, përgjatë rrugës së saj krijuese, e përkorë në përdorimin e fjalëve, kërkon edhe formën artistike në evolucion, për të mos qenë e njëtrajtshme dhe për të mos i ngjarë vetvetes nga libri në libër. Librin “Hënë mbi kodër” ajo e ndërton si një poemë në formë mozaiku. Në fakt është një mozaik poezish të shkurtra, ku çdo poezi është një tasel me ngjyrë e peshë të veçantë. Atë që poetët e sotëm modernë mundohen ta shprehin nëpërmjet haikut japonez, Rudina e shpreh nëpërmjet këtij mozaiku poezish, me një larushi temash e me mesazhe të bukura poetike e filozofike. Këtu jo vetëm fjalët, por edhe poezitë janë rreshtuar e përzgjedhur me kujdes si perlat në gjerdanin që zbukuron qafën e një nueseje. Po sjell këtu vargjet e njërës nga poezitë.
Dita po vdiste ëmbëlsisht përtej xhamave, Nën mantelin e artë të diellit, Fundprillit shurdhmemec, E trëndafilat me gjethe të purpurta Lartësonin parfumin dehës të shpresës.
Më shumë se një poezi kjo është një pejsazh mbrëmjeje prilli, ku çdo varg dhe çdo fjalë është një penelatë e ngjyer në purpurin e perëndimit të diellit. Thashë që pjekuria artistike dhe mjeshtria e autores rriten nga libri në libër. Do ndalem vetëm tek një poezi e librit “Kur ndërronte fustanet”, ku do të shikoni se autorja edhe heshtjen duket se e qëndis në filigranë, ku si vesë shkëlqejnë metaforat. PËRULJE, titullohet vjersha:
Shurdhuese kjo heshtje, Aq sa hapat ua ndjej milingonave në ikje, Zhurmën myshkut e likeneve, Trishtimin pikës së shiut, Flladin që përkëdhel një narciz të brishtë, E përuljen e Zotit Që më ulet në shpirt.
Libri “Kur ndërronte fustanet” është një vëllim ku udhëtojnë bashkë poezia dhe proza. Jo vetëm në aspektin fizik, sepse gjysma e vëllimit është me poezi e gjysma në prozë të shkurtër. Por edhe në faktin që poezia shtrihet natyrshëm në krahët e prozës, ose më saktë, autorja eshtë poete edhe në prozë. Mjafton të lexosh proza të tilla si “Po, jam ajo që them”, “Ka njerëz që s’mund të gjykohen”, “Këpuca e xhamtë”, “Lulet e dhjetorit” etj.dhe e përjeton më së miri këtë. Konçiziteti në stil dhe dinamika e të shprehurit të kujtojnë prozën e shkurtër të Migjenit. Kam lexuar edhe librin monografik që Rudina i kushton të atit. Aty ka pasazhe prekëse e të shkruaraq aq bukur, siç janë martesa e saj dhe ndarja nga jeta e të atit që flasin sa një roman i tërë. U ndala shkurtimisht në disa aspekte të krijimtarisë së Rudinës. Është e vështirë të përmbledhësh në kaq fjalë vlerat e 11 librave. I uroj me zemër Rudinës krijimtari të begatë, penë të mprehtë e suksese për çdo libër të saj.
Comments