Fituesit e panairit ”Kamza Lexon” 2025, edicioni i IV-të
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 2 hours ago
- 2 min read

Teksa juria e kishte bërë punën e vet e pritej momenti i ndarjes së çmimeve moderatorja Anila Kolgjini teksa falënderoi shtëpitë botuese dhe autorët për pjesëmarrjen si dhe stafin e Qendrës së Kulturës me drejtoreshe znj. Rigelsa Gupe për punën e shkëlqyer që kanë bërë në këtë panair do të niste të thërriste në mënyrë nominale dhënien e çmimeve.
Çmimet e Panairit IV të librit “KAMZA
LEXON” 2025 dhe motivacionet përkatëse
Çmimi “PANTEON” për karrierën i jepet Fatos Kongolit “Për kontributin e jashtëzakonshëm, me gjurmë të pashlyeshme, në shkrimin e një pjese të rëndësishme të historisë së letërsisë shqipe.
Çmimi “LITTERA” për prozën e gjatë i jepet Ben Blushit: “Për mjeshtërinë e rrëfimit, stilin e ndërtuar mes dialogësh që udhëtojnë në të ardhmen, që e bëjnë romanin “Parajsa artificiale” një vepër ku letërsia bashkëkohore shqipe shënjon arritjen e saj më të lartë“.
Çmimi “KOLEKSION” për prozën e shkurtër i jepet Diana Çulit: – Për lëvrimin mjeshtëror të prozës së shkurtër, ndërtimin autentik të subjekteve dhe karaktereve, për stilistikën e përkorë që ekuilibron raportin mes formës dhe strukturës së rrëfimit në vëllimin “I panjohuri”.
Çmimi “KACAMISRI” për letërsinë për fëmijë i jepet Xhevahir Spahiut: -“Për muzikalitetin e fjalës, për natyrshmërinë në komunikim me lexuesit e vegjël, për filozofinë e perceptueshme prej tyre, për edukimin e ndjenjave atdhetare… përmes vjershave të librit “Një mijë dashuri”.
Çmimi ”BABEL” për përkthimin i jepet Zija Vukajt: -“Për sfidën e përmbushur për të risjellë në shqip një kryevepër botërore të letërsisë për fëmijë, sikurse “Pinoku” i Carlo Collodi-t, duke i qëndruar me dinjitet ballafaqimit me përkthimet më të mira paralele“.
Çmimi “MEHR LICHT” për librin studimor i jepet Ardian Vehbiut: “Për këmbënguljen profesionale dhe intelektuale në funksion të vendosjes së ekuilibrave mbi të vërtetat shkencore lidhur me gjuhën shqipe, të shpalosura në vëllimin “Përrallëtarët e gjuhës shqipe”.
Shkrimtarit dhe publicistit të talentuar Shefqet Meko i cili jeton dhe punon në Minneapolis, SHBA i është dhënë “Çmim Nderi” “Në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në letërsinë shqiptare me romanin” Rënia”, një vepër që shndërron kujtesën historike në art të vërtetë, duke ndriçuar me guxim përmbysjen e regjimit komunist.
Çmimi “Shkrimtari ne komunitet” i jepet Caush Kullafi per vlerat e krijuara ne përshkrimin mjeshtëror te botëkuptimit njerëzor, nëpërmjet artit te fjalës”.
Çmimi Letrar “Horizont” i jepet shkrimtarit te ri Hamdi Skeja si protagonist i spikatur ne letërsinë e brezit te ri, për veçanti te stilit dhe këndvështrimin origjinal ne trajtimin e realitetit.
Duhet theksuar fakti që si ceremonia e shpalljes së çmimeve, por edhe panairi “Kamza lexon” mundësohet fal kujdesit të veçantë dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të kryebashkiakut Rakip Suli duke qenë i pakursyer. “Kamza lexon”, tashmë në qytet konsiderohet si festa ose dasma e librit dhe është kthyer në traditë. Për nga interesi i shtëpive botuese dhe personaliteteve të letrave është certifikuar tashmë si i një përmasë kombëtare.