top of page

Fiqri Shahinllari: KRAHU I THYER I PËLLUMBIT

  • 12 hours ago
  • 3 min read

 

Nga Fiqri Shahinllari


Arkiva "Fjala e Lirë" 2013

 

Sapo lexova shkrimin: “Urime profesor Hamitit. Të ndjekim gjurmët e një modeli perfekt…”. Ky shkrim është shkruar nga një zonjushë ose zonjë (duket vetëm fotografia e saj, por jo emri). Shkrimit i bën një koment edhe Petro Dhimitri.

Edhe unë, si mik i profesorit, desha të bëja një koment, por ndërrova mendje. Preferova të shkruaj radhët e mëposhtme, me bindjen se brenda tyre ka edhe psikologji, edhe pedagogji. Arsyen e kësaj përsiatjeje do ta kuptoni gjatë leximit, nëse keni durimin ta çoni deri në fund. Shkrimi, siç e shikoni, nuk është i gjatë sa t’ju sjellë bezdi.

Lexim të mbarë!

 

 

Studentët e gazetarisë të universitetit, që kryenin praktikën në një nga gazetat qendrore të ish-Bashkimit Sovjetik, dëgjonin me vëmendje shefin e redaksisë së brendshme, i cili hapte një nga një letrat e ardhura nga republika dhe krahina të ndryshme të vendit dhe lexonte përmbajtjen e tyre.

Mes tyre kishte studentë nga vende të ndryshme të kampit socialist, përfshirë edhe Shqipërinë, por edhe nga vende të tjera të botës. Natyrisht, kishte edhe rusë. Ishte fundi i viteve ’50 dhe fillimi i viteve ’60 të shekullit të kaluar.

Në një moment, shefi picërroi sytë dhe po vështronte me më shumë kujdes përmbajtjen e një letre. E lexoi me zë të lartë. Bëhej fjalë për një nxënës që kishte goditur me gurë pëllumbat e fqinjit dhe, si pasojë, njërit prej tyre i ishte thyer krahu.

Shefi ndërpreu leximin.

Disa nga studentët filluan të qeshnin, sikur të thoshin: “Për një krah pëllumbi qenka e nevojshme t’i drejtohesh shtypit qendror?”

Shefi i redaksisë po vëzhgonte reagimin e auditorit. Nuk u tha asgjë. Priste që reagimet të shteronin. Kur pa se pothuajse të gjithë kishin të njëjtin qëndrim – pse duhej bërë problem gazete një krah i thyer pëllumbi – ai tha:

— Gjërat duhen parë më thellë, jo vetëm në sipërfaqe. Prisni pak sa të shkoj t’ia parashtroj kryeredaktorit.

Dhe u largua.

Në mendjen e atij pedagogu, me siguri po lëviznin mendime serioze. Pëllumbi, përveçse një shpend si gjithë të tjerët, është edhe simbol i paqes në botë.

Pas pak u kthye.

— Nesër, unë bashkë me disa prej jush do të nisemi me avion drejt vendit ku ka ndodhur ngjarja. Nuk bëhet fjalë vetëm për krahun e thyer të pëllumbit. Rasti lidhet me edukimin e brezit të ri…

Ka kaluar shumë kohë që kur e kam dëgjuar këtë episod. Sot rri e mendoj se sa të drejtë ka pasur shefi i redaksisë së brendshme të asaj gazete.

Këtu nuk kemi pse të futemi në politikën e prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik. Të merresh me politikë në këtë rast do të thotë ta banalizosh problemin, sepse fjala është për edukimin e brezit të ri, për të cilin çdo vend dhe çdo shtet shpenzon energjitë më të mëdha, me qëllim që të sigurojë vazhdimësinë e vlerave humane dhe virtyteve më të çmuara të kombit.

Më shkon ndër mend sentenca e një filozofi të lashtësisë, i cili ka thënë afërsisht kështu:

“Më jepni edukimin e njerëzve dhe unë do të kem mundësi të lëviz botën.”

Dhe edukimi fillon që nga gjërat më të vogla: nga një krah pëllumbi, nga një xham i thyer i fqinjit, para se të arrijmë te vjedhja e xhepave të qytetarëve apo te krime më të rënda.

Fronti i parë i edukimit është familja; më pas vjen shkolla, shoqëria dhe, në fund, institucionet e specializuara. Por dihet se lufta për edukimin nuk është e lehtë. Në botën e brendshme të njeriut, qoftë fëmijë apo i rritur, ndodhin procese të ndërlikuara e të tensionuara deri sa të formohet karakteri.

Ja pse gjërat e vogla duhen marrë me seriozitet.

 

 

Le të kthehemi për një moment te paragrafi i dytë i këtyre radhëve.

Njëri nga ata djem të rinj, student i gazetarisë në atë kohë, ishte edhe ai që sot është Profesor Doktor i shkencave të gazetarisë, i mirënjohuri Hamit Boriçi.

Kështu është, i nderuar Hamit, për atë që shkrova më sipër?

Fiqri Shahinllari

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page