top of page

FIGURE IMPONUESE


Dr. VASFI SAMIMI

Nga Fiqri Shahinllari Dr. VASFI SAMIMI -FIGURE IMPONUESE

Miku im edhe i letrave Shyqyri Fejzo më propozon të shkruaj diçka për Dr. Vasfi Samimin . Unë po ia plotësoj dëshiren duke marrë shkrimin , Portret nga libri im “Kushtrimi i gjakut” ... Kontakti im i parë me Dr. Vasfi Samimin ka qënë në vitet 1963-1968. Isha student në institut dhe doktori ishte profesori im i nderuar. Më bëri pershtypje sa e pashë. Figurë imponuese. Kishim dëgjuar edhe nga studentët që ishin para nesh për personalitetin e tij të spikatur, por kush e njeh vetë njeriun, të ngulitet më thellë pamja e jashtëme dhe bota e brëndëshme shpirtërore e tij. Si tani më kujtohet ajo ditë: Hapet dera e auditorit dhe hyn brënda me buzën në gaz Dr. Samimi. Me trup mbi mesataren e gjatësisë së njeriut, veshur me bluzën e bardhë, si ato të mjekëve humanë, me leshra paksa të gjatë të “spërkatur” me argjendin e moshës, me fytyrë rrumbullake e me sy bojëqielli, të mëdhenj, stolisur me rrudha anash tyre. Sytë e tij reflektonin dituri, ata të jepnin përshtypjen se “fshihnin” brënda tyre një botë të tërë të njeriut që ka parë shumë, që ka vuajtur shumë, që beson e shpreson shumë, sy që reflektonin kureshtje për t’u futur më thellë në të fshehtat e Universit… Unë, ndërkohë,vazhdoja edhe një kurs dy-vjeçar në fakultetin juridik, dega gazetari në Universitetin e Tiranës. Praktikën e bënja te gazeta “ Bashkimi” ku më ishte dhënë rasti të shfletoja koleksionet e kësaj gazete nga viti 1944 deri më 1948 e me radhë. Kisha lexuar edhe kronika për gjyqet që zhvilloheshin në ato kohë. Një prej të akuzuarve ishte edhe Vasfi Samimi, djali nga Visoka e Mallakastrës, (dikur fshati ishte nën juridiksionin e Beratit), një specialist i arsimuar në fillim në Turqi e, pastaj, në vitet ’30 të shekullit të kaluar u specializua për zootekni në universitetin e Berlinit. Dhe ja, pikërisht Dr. Samimin e kisha përpara, si mal me erudicionin dhe dinjitetin e tij që të impononte respekt. Shpesh, pas leksioneve, ai nuk do të shkonte në shtëpi. Si një psikolog klasi ai vinte re se studentët e dashuronin sportin, sidomos futbollin. Ai vetë kishte qënë në të rit’ e tij portier i skuadres “Fenerbahçe” të Stambollit. Auditori mbushej plot pas dite me studentë të të gjithë fakulteteve të Institutit. Fliste Dr. Samimi!! Ai merte shkumbësin dhe vizatonte portën, fushën e futbollit, shënonte pozicionet e lojtarëve në fushë. Mbaj mënd që një herë tha: “Portieri duhet të jetë i gjatë në trup. Mikel Janku, për mua është hero, bën perjashtim. Me trup të vogël e me një elasticitet fantastik ai i hidhet topit si një ketër”. E ndiej veten shumë ngushtë kur rasti kërkon të shkruaj shkurt ndonjë detaj për personalitetin e Dr. Samimit, këtij pedagogu,specialisti, gazetari, letrari, sportisti, filozofi, pasi figura e tij do volume të tëra dhe “jallah” të plotësohet. Prandaj po përpiqem të nxjerr nga kujtesa ndonjë fakt a ndodhi. Fati e solli që doktori i nderuar të vinte shpesh, në moshën pensionit, te gazeta “Bashkimi” e të sillte ndonjë shkrim për rubrikën që mbulonte ish studenti iij, i cili e priste në krye të shkalleve të godinës katër katëshe. Pasi merte frymë një hop në koridor ku ndodheshin dy kolltukë, ai tërë xhentilencë vinte në zyrë dhe fliste me pasion për blegtorinë shqiptare që aq shumë e ka dashur. Një herë unë i kujtova një veprim të tij që më kishte bërë përshtypje kur isha student. Doktor Samimi, “rebelimit” të qeve të stallës në Fermën e Kamzës i përgjigjej duke i përkëdhelur e u fliste kafshëve sikur të ishin njerëz.Specialisti i shquar i blegtorisë nuk e mbante mënd këtë hollësi pasi veprimet e kësaj natyre ishin të përherëshme për doktorin… Në një moment, gjatë bisedës, m’u drejtua: -E di ti, zotni gazetar, se çdo të thotë në turqisht emri Fiqiri? Vazhdimisht ai në vënd të fjalës shok dhe shoqe bashkëbiseduesve u drejtohej me fjalët zotni, zonjë, gjë e pazakontë në kohën e diktaturës. - E di-iu përgjigja dhe vura buzën në gaz. -Po mbiemri Shahinllari e di ç’do të thotë?-vazhdoi pyetjen. -Jo, nuk e di- iu përgjigja si i zënë në faj. -Me këtë emër thërrasin në Turqi shpendin që bën pjesë në familjen e shqiponjave por që nuk është grabitqar- përfundoi ai bisdën e nisur. Në një vizitë pune në Adana të Turqisë në vitin 1995, mikpritësit turq ma theksuan domethënien në turqisht të mbiemrit dhe mua m’u kujtua Dr. Vasfi Samimi. Vizitat e tij në gazetën “Bashkimi” nuk ishin të rralla. Në një prej këtyre vizitave në zyrën time u ndodh edhe kolegu im Murat Gecaj. Në bisedë edhe me tropojanin Murat, Dr. Samimi shpalosi erudicionin e tij. Kur u largua nga zyra më porositi: “Ftesën që ta bëra pak më parë për të më vizituar bibliotekën e shtëpise, po ia bëj edhe zotni Muratit. Nëse pranon kolegu jot, hajdeni të dy. Ne nuk e bëmë të gjatë. Ditën që do të vizitonim shtëpinë e Dr. Samimit, e lajmëruam në telefon. Shtëpia nuk ishte larg redaksisë. Ai na priti me bujari me gjithë bashkëshorten e vet, Saxhidenë. Biblioteka ishte në shtëpi. E jashtëzakonëshme për nga përmasat. Mund të shprehem pa frikë se shtëpia ishte në bibliotekë. Një sallon i madh ku raftet plot me libra teknike,shkencore e artistike, revista të llojeve të ndryshme e të kohëve të ndryshme nuk ishin vetëm në katër muret por rafte ishin edhe në brendësi të sallonit. Kishte vetëm rrugë kalimi për të ecur sa nga një raft në tjetrin. Nuk di pse,ai, një e dy dhe merrte revista të ilustruara për të na treguar fotografi fine të lopës dhe sidomos të kalit. Përqëndrohej si i dalldisur te portreti i kësaj kafshe fisnike sikur të ishte qënia më e dashur e tij. Na tregonte me durim admirues flegrat e hundës së kalit, jelet e tij, venat në fytyrë e në bark, këmbët, tendinet dhe sidomos thundrat e kalit. Tek fliste ai për kalin e rracës arabe të dukej sikur mbështilleshe me jehonën e poemës së famshme “Eneida” të Virgjilit të cilën një miku im e reciton aq mire në latinisht sa ti ndjen ritmin e trokut të thundave të kalit që vrapon kupthi : Cuatro puntate..(kua- tro, punta-te…) Dr. Samimi nuk ngopej së pari foton e kalit dhe na thoshte: “Shikoni flegrat e hundës.Duken sikur hapen e mbyllen pas një vrapimi të gjatë. Ky kalë këtu po flet! Pastaj kaloi në një temë tjetër. Ai e pëlqente monumentin e Skënderbeut në qëndër të Tiranës. Pëlqente në përgjithësi edhe kalin e tij në monument, por kishte një vrejtje të vogël pasi, sipas tij, testikulat e kalit nuk përqasen në mënyrë të natyrëshme me organet gjenitale të kalit… Bisedës po i vinte fundi. Mua nuk m’u durua dhe i kërkova të më tregonte librin e tij: “ Nëna Kosovë”, një vepër e rrallë kjo për kohën dhe e dallueshme për nervin patriotik, politik dhe ekonomik. Dhe ai na i tregoi. Shikoja here librin, herë autorin e tij. Të njëjten gjë bënte edhe Murati. Shënim Në shtator 2010 pata dy takime të veçanta. Së pari: Rasti më takoi me Prof. Dr. Ergjin Samimin në Tiranë.Është djali i Dr. Vasfi amimit, tashmë edhe ky pensionist. Duke pirë kafen e mëngjesit në “Qëndrën Stefan”, fare pranë shtëpisë së tij, ai më tregoi, me gëzim të veçantë,botimin e kolanës “Jeta e Vepra” për Dr. Samimin, në 28 vëllime. Përmes tyre lexuesi njihet me veprimtarinë e Doktor Vasfi Samimitnë fushën e Publiçistikës-Artit-Sportit, në shkencat Blegtorale: Zootekni e Veterinari, në shkencat Shoqërore e të tjera. Kur Ergjini flet për t’anë, shpesh nuk e përmënd me emër por me titullin: Doktor. Vdekjae Doktorit në moshën 76 vjeçare(1905-1981) pezmatoi gjithë familjen dhe miqtë e vërtetë, por sidomos bashkëshorten e tij Saxhidenë. Kjo ishte mësuese e arsimuar në shkollën amerikane të Kavajës. Origjina e saj ishte nga Melçani i Korçës por fëmijëria dhe rinia e saj e hershme kishte kaluar në Stamboll, te prindërit e saj.Vdiq në vitin 2004 në moshën 89-vjeçare. Së dyti: Për mua ishte me vlerë edhe takimi që pata me agronomin e lashtë, shekullorin,Dhori Laci. Ky, siç thotë vetë, ka lindur në kohën e perandorisë osmane në vitin 1911. “Po të jesh në Shqipëri-më thotë-do të të ftoj në 100 vjetorin e lindjes sime, në prill 2011”. E falenderova. Fillimisht, me nxitjen time, DhoriLaci, flet për shëndetin. Ai ishte duke ngrënë mëngjezin në një nga lokalet rreth Shtëpisë Qëndrore të Ushtrisë. Me dy salçiçe, me bukë të thekur, djathë e një gotë verë përpara ai nuk u mërzit me mua: Ha e bisedo, pi verë e përgjigju pyetjeve të mija të kujdesëshme. U habita me oreksin e tij. Pas ndonjë ore ai do të hante tok me mua dhe një mikun tonë, të përbashkët, Idriz Xhomarën edhe racionin e picës. U kënaqa kur më tregoi se tensionin e kishte 7 me 12 deri 13, me oreks të mirë dhe me tre kafe ditën. Është diplomuar shumë vite më parë për agronomi në Universitetin e Selanikut dhe ka jetuar e punuar për 13 vjet rrjesht në Thrakën Perëndimore të Greqisë ku ka patur jo vetëm greke, po e po por edhe turq. Për këtë shkak ai e di mirë edhe gjuhën turke. Për të më bindur mua më përkthen fjalët: Allah bin bereqar versen. Që do të thotë, përafërsisht, se i falënderohen zotit për 1000 të mirat materiale që u dha.Gjatë bisedës erdhi llafi edhe te Dr. Vasfi Samimi. - E njihja, si nuk e njihja doktorin!?-i përgjigjet ai pyetjes sime. Më 1939, Dr. Samimi ka qënë shef i veterinarisë dhe zooteknisë në Ministrinë e Bujqësisë. Merrej me punë shkencore, kryesisht me lopën e Kuqe(grekët i thonë lopa ilirike), me kalin Sardo-Arab që shërben për ushtrinë. (Këtë rracë e solli në Shqipëri Dr. Bilal Golemi), me delen Rude dhe me pulat Leghorn dhe Plismuth. Në këtë fushë Dr. Samimi ka dhënë kontribut të madh. - Ju punonit në minisrti në atë kohë?-e pyeta përsëri. -Jo, unë isha agronom në Institutin Kombëtar Zooteknik në Xhafzotaj, në atë kohë ku drejtor ishte Dr. Medar Shtylla. Samimi e Medari ishin promotorët e zbatimit të metodës së ndërzimit artificial të deles dhe lopës, për herë të parë në Shqipëri po edhe në Ballkan. Me Dr. Samimin kam qënë edhe në Kosovë për të blerë qe’ pune.Ishim shokë, shkonim mirë me njëri tjetrin. Kam edhe një fotografi me Samimin ku kemi dalë me rroba banje në Deçan. Ai ishte vazhdues i punës së Bilal Golemit.Kishte dëshirë të bënte debate shkencore frytdhënëse për të mirën e punës. Më kujtohet një debat i tillë, në një mbledhje, midis tij dhe Isuf Allamanit, zooteknik i dipolomuar në Firence të Italisë”. Dhe Dhori vazhdon: “Të vjen keq për specialistë të tillë, të zotë, të talentuar, siç ishte Dr. Samimi që veç zanatit të tyre bazë për të cilin ishin diplomuar, ata dashuronin edhe artin, kulturën, sportin, publicistikën e shkencat shoqërore por që edhe e pësuan më pas nga diktatura. Unë mendoj se shkak për dënimin e Dr. Samimit kanë qënë disa artikuj në gazetën e atëherëshme: “Tomorri”.... Pas çlirimit të vendit unë isha kryeagronom i ministrisë së Bujqësisë me ministër Hysni Kapon. Ky më thërret një ditë e më thotë:”More Dhori, kemi disa specialistë të zotë nëpër burgje.Dy prej tyre besoj se i njeh. Njëri është Jakov Milaj dhe tjetri Vasfi Samimi. A nuk do të jetë më mirë që ata të kontribuojnë në punën për zhvillimin e blegtorisë e të bujqësisë sonë?” Unë dhashë mendimin që duhej, pozitiv. Mbaj mënd që Dr. Samimi, pas daljes nga burgu u mor me mbarështimin e rracës së lopës “Xhersej” që na kishin ardhur si ndihmë nga UNRA dhe Jakov Milaj, punoi me devocion në Fier.

28 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page