top of page

Fejzulla BERISHA: KOSOVA MIDIS LEGJITIMIT JURIDIK DHE REALITETIT POLITIK NDËRKOMBËTAR

  • 5 hours ago
  • 22 min read





(Vështrim kritik mbi standardet e dyfishta, subjektivitetin ndërkombëtar dhe perspektivën euroatlantike të Republikës së Kosovës).


Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA

Kosova si çështje e së drejtës ndërkombëtare dhe e rendit juridik evropian

Historia moderne e marrëdhënieve ndërkombëtare dëshmon se krijimi dhe konsolidimi i shteteve nuk janë vetëm procese politike, por mbi të gjitha procese juridike, historike dhe morale, të cilat lidhen drejtpërdrejt me parimet themelore mbi të cilat ndërtohet rendi ndërkombëtar. Në këtë kuadër, çështja e Republikës së Kosovës përbën një nga rastet më të veçanta dhe më të diskutuara të së drejtës ndërkombëtare të shekullit XXI, sepse në të ndërthuren në mënyrë të jashtëzakonshme çështjet e vetëvendosjes së popujve, mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut, përgjegjësisë së bashkësisë ndërkombëtare dhe rolit të institucioneve juridike ndërkombëtare në zgjidhjen e konflikteve.

Kosova nuk është vetëm një realitet politik i krijuar pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë; ajo është gjithashtu rezultat i një procesi kompleks juridik dhe ndërkombëtar, i cili u zhvillua nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Kombeve të Bashkuara, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare. Pas një periudhe të gjatë diskriminimi institucional, shkeljesh sistematike të të drejtave të njeriut dhe konfliktit të armatosur të viteve 1998–1999, Kosova hyri në një fazë të re historike nën administrimin ndërkombëtar të përcaktuar nga Rezoluta 1244 (1999) e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 shënoi një moment vendimtar në historinë politike dhe juridike të Kosovës. Megjithatë, përtej aktit politik të shpalljes së pavarësisë, çështja më thelbësore për bashkësinë ndërkombëtare ishte nëse ky akt ishte në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare. Pikërisht kjo pyetje u vendos për shqyrtim para organit më të lartë gjyqësor të Kombeve të Bashkuara – Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i dhënë më 22 korrik 2010 me kërkesë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, përbën një pikë kthese në trajtimin juridik ndërkombëtar të çështjes së Kosovës. Gjykata konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare, duke theksuar se e drejta ndërkombëtare e përgjithshme nuk përmban ndonjë ndalim të aplikueshëm ndaj deklaratave të pavarësisë.

Ky konstatim nuk ishte thjesht një vlerësim teknik juridik, por një sqarim me rëndësi të veçantë për interpretimin e rendit ndërkombëtar. Ai dëshmoi se çështja e Kosovës nuk mund të trajtohet vetëm përmes prizmit të interesave politike të shteteve të veçanta, por duhet të analizohet në dritën e parimeve juridike që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas nenit 92 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë është organi kryesor gjyqësor i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për këtë arsye, interpretimet e saj kanë një peshë të jashtëzakonshme juridike dhe intelektuale në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare. Edhe pse opinionet këshillimore nuk kanë të njëjtin karakter detyrues si vendimet në çështjet kontestimore ndërmjet shteteve, ato përfaqësojnë autoritetin më të lartë interpretues mbi çështjet juridike që i paraqiten Gjykatës.

Në këtë kuptim, Opinioni Këshillimor për Kosovën krijoi një realitet të ri juridik: ai hoqi bazën e pretendimit se pavarësia e Kosovës ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Pas këtij momenti, debati ndërkombëtar nuk mbeti më një çështje e ligjshmërisë së aktit të pavarësisë, por kaloi në fushën politike të njohjes, marrëdhënieve diplomatike dhe integrimit të Kosovës në strukturat ndërkombëtare.

Megjithatë, edhe pas këtij sqarimi juridik, pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – vazhdojnë të mos e njohin Republikën e Kosovës. Ky fakt paraqet një nga paradokset më të dukshme të politikës evropiane: një pjesë e konsiderueshme e komunitetit ndërkombëtar e ka pranuar Kosovën si subjekt shtetëror, ndërsa disa shtete evropiane vazhdojnë të mbajnë një qëndrim të rezervuar për arsye kryesisht politike dhe të brendshme.

Kjo situatë e vendos Bashkimin Evropian përballë një sfide të rëndësishme: si të ruajë koherencën ndërmjet vlerave që promovon – sundimin e ligjit, respektimin e së drejtës ndërkombëtare, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe stabilitetin rajonal – dhe praktikave politike të shteteve të tij anëtare.

Në thelb, çështja e Kosovës sot nuk është më vetëm çështje e krijimit të një shteti të ri, por çështje e konsolidimit të plotë të subjektivitetit të tij ndërkombëtar. Sfida kryesore qëndron në harmonizimin e realitetit juridik dhe politik të Kosovës me strukturat institucionale të Evropës së bashkuar.

Kosova përfaqëson një test të rëndësishëm për aftësinë e Evropës që të veprojë në përputhje me parimet mbi të cilat është ndërtuar. Një Evropë që synon të jetë fuqi normative në botë duhet të dëshmojë se drejtësia ndërkombëtare, koherenca politike dhe respektimi i institucioneve ndërkombëtare nuk janë vetëm parime deklarative, por udhërrëfyes të veprimit të saj.


Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010: një kthesë juridike në interpretimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës



Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010 përbën një nga momentet më të rëndësishme në historinë juridike të Kosovës dhe një pikë referimi të veçantë në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare bashkëkohore. Për herë të parë, çështja e pavarësisë së Kosovës u shqyrtua nga institucioni më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, duke e zhvendosur debatin nga fusha e përplasjeve politike në fushën e interpretimit juridik të normave ndërkombëtare.

Kërkesa për dhënien e këtij Opinioni Këshillimor iu paraqit Gjykatës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes Rezolutës 63/3 të vitit 2008. Pyetja e shtruar para Gjykatës ishte e kufizuar dhe e qartë: “A është deklarata e njëanshme e pavarësisë nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në përputhje me të drejtën ndërkombëtare?”

Kjo formulim i ngushtë i pyetjes kishte rëndësi të veçantë juridike, sepse Gjykata nuk u thirr të vendoste mbi njohjen e Kosovës si shtet, mbi çështjen e statusit përfundimtar apo mbi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo u përqendrua vetëm në një çështje themelore: nëse akti i shpalljes së pavarësisë, si akt juridik dhe politik, përbënte shkelje të ndonjë norme të së drejtës ndërkombëtare.

Pas një shqyrtimi të gjerë të argumenteve të paraqitura nga shtetet pjesëmarrëse, Gjykata arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. Sipas arsyetimit të Gjykatës, gjatë zhvillimit historik të së drejtës ndërkombëtare nuk ishte krijuar një rregull juridik që ndalonte shpalljet e pavarësisë në mënyrë të përgjithshme. Për rrjedhojë, akti i 17 shkurtit 2008 nuk mund të konsiderohej, në vetvete, si një akt në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Ky përfundim pati rëndësi të jashtëzakonshme, sepse ai rrëzoi një nga argumentet kryesore të përdorura kundër Kosovës: pretendimin se shpallja e pavarësisë ishte automatikisht e paligjshme sipas rendit juridik ndërkombëtar. Gjykata, si organi kryesor gjyqësor i OKB-së, dha një interpretim autoritativ se ekzistenca e një ndalimi të tillë nuk mbështetej në normat e së drejtës ndërkombëtare.

Një aspekt tjetër me rëndësi të veçantë i Opinionit është trajtimi i raportit ndërmjet shpalljes së pavarësisë dhe Rezolutës 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Gjykata analizoi nëse akti i pavarësisë binte në kundërshtim me këtë rezolutë dhe arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë nuk përbënte shkelje të saj.

Ky konstatim ka rëndësi juridike, sepse Rezoluta 1244 përbënte bazën ndërkombëtare të administrimit të Kosovës pas konfliktit të vitit 1999. Duke mos konstatuar papajtueshmëri ndërmjet shpalljes së pavarësisë dhe këtij instrumenti ndërkombëtar, Gjykata njohu faktin se procesi politik dhe juridik që çoi në krijimin e realitetit të ri institucional të Kosovës nuk mund të vlerësohej jashtë rrethanave të veçanta historike të krijuara pas konfliktit.

Megjithatë, duhet theksuar një dallim themelor juridik: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk vendosi që të gjitha shtetet duhet ta njohin Kosovën, sepse njohja e shteteve mbetet një akt sovran dhe politik i secilit shtet. Por ajo hoqi një pengesë të rëndësishme juridike duke konfirmuar se vetë akti i shpalljes së pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Pikërisht këtu qëndron rëndësia historike e këtij Opinioni: ai krijoi një ndarje të qartë ndërmjet dy çështjeve që shpesh janë trajtuar së bashku në debatet politike – ligjshmërisë së shpalljes së pavarësisë dhe vullnetit politik të shteteve për njohje diplomatike. E para u trajtua dhe u sqarua nga Gjykata; e dyta mbeti në fushën e vendimmarrjes politike të shteteve.

Në perspektivën e së drejtës ndërkombëtare, Opinioni i vitit 2010 forcoi parimin se krijimi i shteteve të reja nuk mund të analizohet përmes një formule të vetme universale. Historia ndërkombëtare tregon se çdo rast shtetformimi është rezultat i ndërthurjes së faktorëve juridikë, historikë dhe politikë. Në këtë kuptim, Kosova u trajtua nga Gjykata si një rast konkret, i lidhur me rrethanat e veçanta të saj historike dhe juridike.

Kjo është arsyeja pse koncepti sui generis zë një vend të rëndësishëm në analizën e rastit të Kosovës. Ky koncept nuk nënkupton krijimin e një përjashtimi jashtë së drejtës ndërkombëtare, por thekson faktin se Kosova përfaqëson një kombinim të veçantë rrethanash: shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, konfliktin e armatosur, shkeljet masive të të drejtave të njeriut, ndërhyrjen ndërkombëtare, administrimin e OKB-së dhe procesin e gjatë politik të zgjidhjes së statusit.

Prandaj, Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk duhet parë vetëm si një dokument juridik për Kosovën, por si një kontribut më i gjerë në zhvillimin e së drejtës ndërkombëtare. Ai dëshmon rolin e institucioneve juridike ndërkombëtare në krijimin e sigurisë juridike dhe në parandalimin e interpretimit të normave ndërkombëtare vetëm përmes interesave politike të momentit.

Në fund, rëndësia më e madhe e këtij Opinioni qëndron në faktin se ai vendosi një bazë të fuqishme juridike për fazën e re të Kosovës: kalimin nga debati mbi ligjshmërinë e ekzistencës së saj drejt procesit të konsolidimit të pozitës së saj si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare.


Pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian: ndërmjet interesave kombëtare dhe kërkesës për koherencë juridike evropiane


Një nga veçoritë më të ndërlikuara të pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës është fakti se, përkundër konsolidimit të saj si realitet politik dhe institucional, pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja – ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Ky qëndrim përbën një nga kontradiktat më të dukshme brenda arkitekturës politike evropiane, sepse në njërën anë qëndron realiteti i krijuar pas vitit 2008 dhe Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ndërsa në anën tjetër vazhdon një rezervë politike e disa shteteve të veçanta.

Nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare, duhet të bëhet një dallim i qartë ndërmjet ligjshmërisë së krijimit të një shteti dhe aktit politik të njohjes së tij nga shtetet e tjera. E drejta ndërkombëtare nuk përcakton një detyrim të përgjithshëm që çdo shtet duhet të njohë automatikisht një entitet të ri shtetëror. Njohja mbetet një akt sovran i politikës së jashtme të secilit shtet.

Megjithatë, në rastin e Kosovës, çështja kryesore nuk është më nëse shpallja e pavarësisë ishte në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kjo pyetje është shqyrtuar nga institucioni më i lartë gjyqësor i Kombeve të Bashkuara dhe është dhënë një përgjigje juridike autoritative. Për këtë arsye, vazhdimi i mosnjohjes nga disa shtete evropiane nuk mbështetet më në një argument të natyrës juridike mbi paligjshmërinë e aktit të pavarësisë, por lidhet kryesisht me konsiderata politike, kushtetuese dhe gjeopolitike.

Në këtë kuadër, secili prej pesë shteteve mosnjohëse ka arsyet e veta specifike.

Spanja, për shembull, e ka lidhur qëndrimin e saj kryesisht me shqetësimet e brendshme kushtetuese që lidhen me çështjet separatiste, veçanërisht me zhvillimet në Katalonjë. Për Madridin, njohja e Kosovës është parë tradicionalisht përmes prizmit të ruajtjes së integritetit territorial dhe të rendit kushtetues spanjoll. Megjithatë, nga perspektiva juridike ndërkombëtare, rasti i Kosovës dhe çështjet e brendshme të shteteve të tjera nuk janë domosdoshmërisht të krahasueshme, sepse çdo proces duhet të vlerësohet mbi bazën e rrethanave të tij konkrete historike dhe juridike.

Rumania dhe Sllovakia kanë shprehur shqetësime që lidhen kryesisht me çështjet e pakicave kombëtare dhe me mënyrën se si mund të interpretohen zhvillime të ngjashme në hapësirat e tyre të brendshme. Megjithatë, ky argument shpesh është trajtuar më shumë si çështje e politikës së brendshme sesa si një kundërshtim i bazuar në normat ndërkombëtare. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk krijoi një rregull të përgjithshëm për shkëputje territoriale, por shqyrtoi një situatë konkrete të formuar nga rrethana të jashtëzakonshme.

Qiproja e ka lidhur qëndrimin e saj me çështjen e ndarjes së ishullit dhe me shqetësimin se njohja e Kosovës mund të krijojë paralele politike me situatën e Qipros Veriore. Megjithatë, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, rrethanat historike dhe juridike të Kosovës janë të ndryshme nga ato të rasteve të tjera. Pikërisht për këtë arsye, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë theksoi karakterin specifik të çështjes së Kosovës.

Greqia, ndonëse nuk e ka njohur Kosovën, ka zhvilluar ndër vite marrëdhënie të rëndësishme ekonomike, tregtare dhe njerëzore me të. Qëndrimi grek ka qenë i ndikuar nga faktorë rajonalë, marrëdhëniet historike dhe konsideratat e politikës së jashtme në Ballkan. Megjithatë, zhvillimi i marrëdhënieve praktike me Kosovën dëshmon se realitetet politike dhe ekonomike shpesh krijojnë ura bashkëpunimi edhe aty ku mungon njohja formale.

Në analizën juridike të këtij qëndrimi kolektiv të pesë shteteve, është e rëndësishme të nënvizohet se mosnjohja nuk e ka penguar Kosovën të funksionojë si subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo ka krijuar institucione shtetërore, ka zhvilluar marrëdhënie diplomatike me një numër të madh shtetesh, ka ndërtuar sistemin e saj kushtetues dhe ka marrë pjesë në organizata dhe mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

Megjithatë, mosnjohja nga disa shtete të Bashkimit Evropian ka pasoja praktike dhe politike. Ajo e vështirëson procesin e integrimit të Kosovës në disa organizata ndërkombëtare, ndikon në unitetin e politikës së jashtme evropiane dhe krijon një situatë ku një pjesë e Evropës politike nuk është plotësisht e harmonizuar me realitetin e krijuar në kontinent.

Këtu lind një çështje më e gjerë: a mund të jetë Bashkimi Evropian një fuqi normative globale nëse brenda tij ekzistojnë qasje të ndryshme për çështje që lidhen me interpretimin e rendit ndërkombëtar?

Bashkimi Evropian është ndërtuar jo vetëm si një projekt ekonomik, por si një bashkësi vlerash juridike dhe politike. Neni 21 i Traktatit të Bashkimit Evropian përcakton se veprimi i jashtëm i Unionit udhëhiqet nga parimet e demokracisë, sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare. Për këtë arsye, çështja e Kosovës prek drejtpërdrejt edhe kredibilitetin e vetë projektit evropian.

Kjo nuk do të thotë se shtetet anëtare humbin të drejtën e tyre sovrane për të vendosur mbi njohjen diplomatike. Por do të thotë se ekziston një përgjegjësi politike për të shqyrtuar nëse një qëndrim i caktuar është në harmoni me realitetet e reja ndërkombëtare dhe me interesin strategjik të Evropës për stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kuptim, çështja e Kosovës nuk duhet parë vetëm si marrëdhënie ndërmjet Kosovës dhe pesë shteteve mosnjohëse. Ajo është një çështje që prek vetë koherencën e Bashkimit Evropian si aktor ndërkombëtar. Një Evropë e fuqishme nuk ndërtohet vetëm mbi aftësinë për të menaxhuar dallimet e brendshme, por edhe mbi aftësinë për të krijuar politika të qëndrueshme dhe të bazuara në parime të përbashkëta.

Në fund, historia evropiane ka treguar se shumë çështje të vështira politike janë zgjidhur jo përmes ruajtjes së ndarjeve të përhershme, por përmes guximit politik për të pranuar realitetet e reja dhe për t’i integruar ato në një rend më të qëndrueshëm. Në këtë drejtim, Kosova mbetet një provë e rëndësishme për aftësinë e Evropës që të bashkojë parimet juridike me vizionin politik për të ardhmen.

Jurisprudenca ndërkombëtare dhe rastet krahasuese: Namibia, Sahara Perëndimore, Timori Lindor dhe Sudani i Jugut – mësimet për Kosovën.

E drejta ndërkombëtare nuk është një sistem statik normash, por një rend juridik në zhvillim të vazhdueshëm, i cili formësohet përmes praktikës së shteteve, vendimeve të institucioneve ndërkombëtare, traktateve dhe jurisprudencës së gjykatave ndërkombëtare. Për këtë arsye, analiza e pozitës juridike të Kosovës nuk mund të kuptohet plotësisht pa u vendosur në kontekstin më të gjerë të rasteve historike që kanë ndikuar në evoluimin e parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare.

Rasti i Kosovës, ndonëse ka veçoritë e veta specifike, nuk është i izoluar nga zhvillimet e mëparshme ndërkombëtare. Historia e shekujve të fundit dëshmon se krijimi i shteteve të reja shpesh ka qenë rezultat i një ndërthurjeje ndërmjet faktorëve juridikë, politikë dhe historikë. Në shumë raste, bashkësia ndërkombëtare është përballur me pyetjen themelore: si të harmonizohet parimi i integritetit territorial të shteteve me të drejtën e popujve për vetëvendosje dhe me nevojën për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut?

Në këtë drejtim, jurisprudenca e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka luajtur një rol të rëndësishëm në sqarimin e këtyre dilemave.

1. Opinioni Këshillimor për Namibinë (1971): autoriteti juridik i Gjykatës dhe ndikimi në proceset ndërkombëtare

Një nga shembujt më të rëndësishëm të ndikimit të opinioneve këshillimore të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë është çështja e Namibisë. Në vitin 1971, Gjykata dha një Opinion Këshillimor lidhur me ligjshmërinë e vazhdimit të administrimit të territorit të Namibisë nga Afrika e Jugut, pavarësisht përfundimit të mandatit ndërkombëtar.

Gjykata konstatoi se prania e Afrikës së Jugut në Namibi ishte e paligjshme dhe se shtetet kishin detyrimin të mos e njihnin këtë situatë si të ligjshme. Edhe pse opinioni nuk ishte një vendim detyrues në kuptimin klasik të një mosmarrëveshjeje ndërmjet shteteve, ai pati ndikim të jashtëzakonshëm në politikën ndërkombëtare dhe në qëndrimin e Kombeve të Bashkuara.

Ky rast dëshmon se interpretimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë kanë një autoritet të veçantë moral dhe juridik, i cili mund të ndikojë në sjelljen e shteteve dhe në zhvillimin e proceseve politike ndërkombëtare. Në të njëjtën mënyrë, Opinioni Këshillimor për Kosovën i vitit 2010 duhet kuptuar si një element i rëndësishëm në interpretimin e normave ndërkombëtare.

2. Sahara Perëndimore (1975): vetëvendosja dhe rëndësia e rrethanave konkrete

Në Opinionin Këshillimor për Saharanë Perëndimore të vitit 1975, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shqyrtoi çështjen e lidhjeve historike ndërmjet territorit dhe pretendimeve për sovranitet nga shtete të tjera. Gjykata theksoi rëndësinë e parimit të vetëvendosjes së popujve dhe të nevojës që vullneti i popullsisë të merret parasysh në përcaktimin e statusit politik të një territori.

Edhe pse rrethanat e Saharasë Perëndimore ndryshojnë dukshëm nga ato të Kosovës, ky rast ka rëndësi sepse tregon se e drejta ndërkombëtare nuk mund të zbatohet në mënyrë mekanike. Çdo situatë duhet të vlerësohet mbi bazën e historisë së saj, strukturës juridike dhe rrethanave konkrete.

Ky parim është veçanërisht i rëndësishëm për Kosovën, sepse një nga keqinterpretimet më të shpeshta ka qenë përpjekja për ta krahasuar automatikisht rastin e saj me raste të tjera të shkëputjes territoriale. Jurisprudenca ndërkombëtare tregon se nuk ekziston një formulë universale; ekzistojnë vetëm analiza të bazuara në faktet dhe rrethanat specifike të çdo rasti.

3. Timori Lindor: administrimi ndërkombëtar si rrugë drejt shtetësisë

Procesi i Timorit Lindor përfaqëson një shembull tjetër të rëndësishëm të rolit të bashkësisë ndërkombëtare në krijimin dhe konsolidimin e një shteti të ri. Pas një periudhe të gjatë konflikti dhe administrimi ndërkombëtar, Timori Lindor arriti pavarësinë në vitin 2002 dhe u bë anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Rëndësia e këtij rasti qëndron në faktin se administrimi ndërkombëtar nuk u konsiderua si një pengesë për krijimin e shtetit, por si një mekanizëm kalimtar për ndërtimin e institucioneve dhe përgatitjen e një rendi të ri politik.

Në këtë aspekt, ekziston një paralele e rëndësishme me Kosovën. Edhe Kosova kaloi një periudhë administrimi ndërkombëtar nën mandatin e Rezolutës 1244 (1999), gjatë së cilës u ndërtuan institucionet vendore dhe u krijuan kushtet për përcaktimin e statusit të saj përfundimtar.

4. Sudani i Jugut: krijimi i një shteti të ri përmes një procesi ndërkombëtar

Sudani i Jugut përbën një shembull tjetër të rëndësishëm të zhvillimeve bashkëkohore të shtetformimit. Pas një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje dhe një procesi referendar të mbështetur ndërkombëtarisht, Sudani i Jugut shpalli pavarësinë në vitin 2011 dhe u pranua në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Edhe pse rruga juridike e Sudanit të Jugut është e ndryshme nga ajo e Kosovës, ky rast dëshmon një parim të rëndësishëm: e drejta ndërkombëtare nuk njeh vetëm një mënyrë për krijimin e shteteve të reja. Proceset shtetformuese janë të lidhura me rrethana historike, politike dhe juridike që duhet të analizohen individualisht.

5. Kosova dhe karakteri sui generis i procesit të saj juridik

Duke u mbështetur në këtë praktikë ndërkombëtare, kuptohet më qartë edhe karakteri i veçantë i rastit të Kosovës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në Opinionin e saj të vitit 2010, nuk krijoi një rregull të përgjithshëm për të gjitha rastet e pavarësisë, por shqyrtoi një situatë konkrete të krijuar nga një kombinim i faktorëve të jashtëzakonshëm.

Kosova ishte rezultat i një procesi historik të veçantë: shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë, shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut, konflikti i armatosur, ndërhyrja ndërkombëtare, administrimi i OKB-së dhe përpjekjet shumëvjeçare për një zgjidhje politike.

Prandaj, përdorimi i argumentit se njohja e Kosovës krijon një “precedent automatik” për çdo rast tjetër nuk gjen mbështetje të plotë në analizën juridike ndërkombëtare. Vetë Gjykata e kufizoi interpretimin e saj në rrethanat konkrete të Kosovës.

Në këtë kuptim, jurisprudenca ndërkombëtare nuk e dobëson, por e forcon pozitën juridike të Kosovës, sepse ajo tregon se shtetësia dhe subjektiviteti ndërkombëtar janë procese që zhvillohen përmes kombinimit të ligjit, historisë dhe realitetit politik.

Konsolidimi i Kosovës në rendin ndërkombëtar nuk është një përjashtim nga e drejta ndërkombëtare, por pjesë e evolucionit të saj në drejtim të mbrojtjes së paqes, stabilitetit dhe dinjitetit njerëzor.

Kosova ndërmjet realitetit shtetëror de facto dhe integrimit de jure në Evropën e bashkuar: përgjegjësia historike e Bashkimit Evropian

Pozita ndërkombëtare e Republikës së Kosovës paraqet një nga zhvillimet më domethënëse të rendit politik dhe juridik evropian pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Ajo është rezultat i një procesi të gjatë historik, në të cilin janë ndërthurur faktorë të brendshëm dhe ndërkombëtarë: shpërbërja e ish-Jugosllavisë, luftërat në hapësirën e saj, shkeljet masive të të drejtave të njeriut, ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare, administrimi i Kombeve të Bashkuara dhe përpjekjet diplomatike për krijimin e një zgjidhjeje të qëndrueshme politike.

Sot, më shumë se një dekadë e gjysmë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova përbën një realitet të konsoliduar institucional dhe politik. Ajo funksionon përmes institucioneve të saj kushtetuese, ushtron autoritet publik në territorin e saj, zhvillon marrëdhënie diplomatike me një numër të konsiderueshëm shtetesh dhe merr pjesë në struktura të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar. Në këtë kuptim, ekzistenca e saj si realitet shtetëror nuk është më çështje e një debati hipotetik, por pjesë e realitetit politik dhe juridik të Evropës bashkëkohore.

Megjithatë, në marrëdhëniet ndërkombëtare ekziston një dallim i rëndësishëm ndërmjet funksionimit të një shteti në praktikë dhe përfaqësimit të tij të plotë në rendin institucional ndërkombëtar. Pikërisht në këtë hapësirë ndërmjet realitetit de facto dhe konsolidimit të plotë de jure shfaqen sfidat kryesore me të cilat përballet Kosova.

Mungesa e njohjes nga disa shtete dhe pengesat në anëtarësimin e plotë në disa organizata ndërkombëtare nuk lidhen me mungesën e kapaciteteve shtetërore të Kosovës, por me faktorë politikë dhe diplomatikë që vazhdojnë të ndikojnë në arkitekturën ndërkombëtare. Kjo situatë dëshmon se në praktikën ndërkombëtare ekziston një ndërveprim i vazhdueshëm ndërmjet normës juridike dhe vullnetit politik të shteteve.

Në këtë kuadër, Bashkimi Evropian mban një përgjegjësi të veçantë. Si projekti më i suksesshëm i integrimit politik dhe ekonomik në historinë moderne, Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi tejkalimin e konflikteve historike përmes dialogut, ligjit dhe institucioneve të përbashkëta. Për këtë arsye, çështja e Kosovës nuk mund të shihet vetëm si një çështje e një shteti të ri në Ballkan, por si një sfidë për vetë aftësinë e Evropës për të menaxhuar trashëgiminë e konflikteve të së kaluarës.

Bashkimi Evropian ka luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e ndërtimit të institucioneve të Kosovës dhe në përpjekjet për stabilizimin e Ballkanit Perëndimor. Përmes misioneve të tij, instrumenteve financiare dhe procesit të dialogut, BE-ja ka qenë një aktor kryesor në transformimin e hapësirës politike të rajonit. Pikërisht për këtë arsye, pozita e Kosovës ka një rëndësi të drejtpërdrejtë për kredibilitetin e politikës evropiane në këtë pjesë të kontinentit.

Një Evropë që synon të jetë faktor i paqes dhe stabilitetit duhet të ketë aftësinë për t’i trajtuar realitetet e reja politike me një qasje të bazuar në parime të qarta. Kjo nuk nënkupton shmangien e shqetësimeve legjitime të shteteve anëtare, por kërkon një vlerësim më të gjerë të pasojave që sjell vazhdimi i situatave të papërfunduara.

Çështja e Kosovës lidhet drejtpërdrejt edhe me sigurinë evropiane. Një Ballkan Perëndimor i integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike përbën një faktor stabiliteti, ndërsa ruajtja e çështjeve të pazgjidhura politike krijon hapësirë për tensione, ndikime të jashtme dhe pasiguri strategjike.

Në këtë drejtim, integrimi i plotë i Kosovës nuk duhet të perceptohet si një akt favorizimi ndaj një pale të caktuar, por si një investim në stabilitetin afatgjatë të Evropës. Historia evropiane ka dëshmuar se paqja e qëndrueshme arrihet jo përmes ngrirjes së problemeve, por përmes përfshirjes së tyre në një rend të ri institucional.

Nga perspektiva e së drejtës ndërkombëtare, subjektiviteti i një shteti përcaktohet nga një kombinim faktorësh: ekzistenca e një territori, popullsia e përhershme, autoriteti efektiv shtetëror dhe aftësia për të zhvilluar marrëdhënie ndërkombëtare. Këto elemente, të njohura edhe në doktrinën klasike të së drejtës ndërkombëtare, janë zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme nga Republika e Kosovës.

Prandaj, sfida aktuale nuk është më krijimi i institucioneve shtetërore të Kosovës, por përmbyllja e procesit të integrimit të saj të plotë në strukturat ndërkombëtare. Në këtë kuptim, Kosova gjendet në një fazë ku realiteti politik ka avancuar më shpejt sesa formalizimi i plotë institucional.

Për Evropën, kjo paraqet një pyetje themelore: a do të mbetet kontinenti i ndarë ndërmjet realiteteve politike dhe mekanizmave formalë të njohjes, apo do të arrijë të ndërtojë një qasje më koherente ndaj proceseve që tashmë janë bërë pjesë e historisë së saj?

Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian, por edhe besueshmërinë e vetë Evropës si një bashkësi e ndërtuar mbi sundimin e ligjit, demokracinë dhe respektimin e rendit ndërkombëtar.

Në fund, Kosova nuk kërkon një trajtim të jashtëzakonshëm dhe as një përjashtim nga rregullat e sistemit ndërkombëtar. Ajo kërkon që realiteti i saj shtetëror, i zhvilluar përmes një procesi historik dhe i sqaruar përmes interpretimit juridik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, të harmonizohet me strukturat politike dhe institucionale të Evropës së bashkuar.

Përgjegjësia e Bashkimit Evropian dhe e ardhmja e Kosovës në rendin evropian: nga njohja politike drejt integrimit strategjik

Bashkimi Evropian është krijuar mbi një ide themelore historike: transformimin e një kontinenti të përshkuar nga konflikte të thella në një hapësirë të përbashkët paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi. Thelbi i projektit evropian nuk qëndron vetëm në integrimin ekonomik, por mbi të gjitha në ndërtimin e një rendi politik dhe juridik ku konfliktet zgjidhen përmes dialogut, institucioneve dhe respektimit të normave të përbashkëta.

Në këtë kuptim, çështja e Kosovës përbën një nga provat më të rëndësishme për aftësinë e Bashkimit Evropian për të harmonizuar idealet e tij themelore me realitetet komplekse të politikës ndërkombëtare. Kosova është një rast ku ndërthuren drejtësia ndërkombëtare, siguria evropiane, proceset e shtetformimit dhe vizioni i zgjerimit të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor.

Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kosova ka ndërtuar një marrëdhënie të veçantë me institucionet evropiane. Ajo ka shprehur vazhdimisht orientimin e saj strategjik drejt integrimit euroatlantik dhe e ka konsideruar Bashkimin Evropian si destinacionin e saj natyror politik, ekonomik dhe institucional. Ky orientim nuk buron vetëm nga interesat aktuale politike, por nga një përkatësi më e gjerë historike, gjeografike dhe kulturore me hapësirën evropiane.

Megjithatë, rruga e Kosovës drejt integrimit evropian është shoqëruar me sfida të veçanta. Përveç reformave të brendshme që lidhen me sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe forcimin institucional, Kosova përballet edhe me një dimension të jashtëm: mungesën e një qëndrimi tërësisht të unifikuar brenda Bashkimit Evropian për statusin e saj.

Kjo situatë krijon një paradoks politik. Nga njëra anë, Bashkimi Evropian udhëheq dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, investon në zhvillimin institucional të Kosovës dhe e konsideron stabilitetin e saj si interes evropian. Nga ana tjetër, disa prej shteteve të tij anëtare ende nuk e kanë njohur formalisht Republikën e Kosovës.

Ky realitet ngre çështjen e koherencës së politikës së jashtme evropiane. Një Union që synon të jetë aktor global dhe mbrojtës i rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla duhet të përballet me pyetjen se si mund të ruhet autoriteti i tij normativ kur ekzistojnë dallime të theksuara ndërmjet shteteve anëtare për çështje me rëndësi strategjike.

Megjithatë, përgjegjësia evropiane ndaj Kosovës nuk duhet kuptuar vetëm si çështje e njohjes diplomatike. Ajo është shumë më e gjerë: lidhet me krijimin e një hapësire të qëndrueshme sigurie, me forcimin e demokracisë dhe me përmbylljen e procesit historik të transformimit të Ballkanit Perëndimor nga një rajon konflikti në një rajon bashkëpunimi.

Në këtë aspekt, integrimi i Kosovës në strukturat evropiane nuk është vetëm një aspiratë kombëtare, por një çështje me rëndësi strategjike për vetë Bashkimin Evropian. Një Kosovë e integruar do të kontribuonte në forcimin e stabilitetit rajonal, në zvogëlimin e hapësirave për ndikime destabilizuese dhe në konsolidimin e kufijve politikë të Evropës së pasluftës.

Përvoja historike e Bashkimit Evropian dëshmon se zgjerimi ka qenë një instrument i fuqishëm i transformimit politik. Vendet që dikur ishin pjesë e konflikteve të mëdha evropiane janë bërë pjesë e një rendi të përbashkët juridik dhe ekonomik. Në këtë frymë, integrimi i Ballkanit Perëndimor duhet parë jo si një barrë politike, por si një investim në sigurinë dhe të ardhmen e Evropës.

Në rastin e Kosovës, njohja e plotë dhe integrimi i saj do të përfaqësonin edhe një mesazh të rëndësishëm për botën: se institucionet ndërkombëtare kanë aftësinë të prodhojnë zgjidhje të qëndrueshme dhe se respektimi i së drejtës ndërkombëtare mund të shërbejë si themel për paqen.

Një Evropë që pranon realitetet e reja dhe i përfshin ato në një rend të përbashkët nuk dobësohet; përkundrazi, ajo forcohet. Historia e Bashkimit Evropian është histori e kapërcimit të ndarjeve, jo e ruajtjes së tyre. Prandaj, trajtimi i çështjes së Kosovës duhet të jetë në përputhje me këtë filozofi themelore të integrimit evropian.

Në këtë drejtim, pesë shtetet anëtare që ende nuk e njohin Kosovën përballen me një përgjegjësi historike. Çështja nuk është vetëm nëse ato do të ndryshojnë një qëndrim politik, por nëse do të kontribuojnë në një Evropë më të bashkuar, më të qëndrueshme dhe më të besueshme në skenën ndërkombëtare.

Në fund të fundit, integrimi i Kosovës në Evropën e bashkuar nuk është vetëm çështje e së ardhmes së një shteti të ri evropian. Ai është pjesë e një procesi më të gjerë historik: përfundimi i transformimit të një kontinenti që për dekada u karakterizua nga ndarje dhe konflikte, drejt një hapësire të bazuar në ligj, bashkëpunim dhe paqe të qëndrueshme.

Kosova është tashmë pjesë e realitetit politik evropian. Sfida e mbetur është që ky realitet të shndërrohet në një integrim të plotë juridik dhe institucional. Në këtë proces, Bashkimi Evropian ka jo vetëm një rol politik, por edhe një përgjegjësi historike.

Evropa e së drejtës dhe e ardhmja e Kosovës: nga realiteti historik drejt një vizioni të përbashkët evropian

Çështja e Republikës së Kosovës përfaqëson një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së re të së drejtës ndërkombëtare dhe të transformimit politik të Evropës pas përfundimit të shekullit XX. Ajo nuk është vetëm historia e krijimit të një shteti të ri, por një proces kompleks ku ndërthuren drejtësia ndërkombëtare, mbrojtja e të drejtave të njeriut, përgjegjësia e bashkësisë ndërkombëtare dhe përpjekja për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.

Nga analiza e zhvillimeve juridike dhe politike del qartë se Kosova nuk mund të trajtohet më si një çështje e papërfunduar e historisë evropiane, por si një realitet i konsoliduar politik dhe institucional. Shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008, procesi i njohjeve ndërkombëtare dhe veçanërisht Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i 22 korrikut 2010 krijuan një bazë të rëndësishme juridike për kuptimin e pozitës së saj në rendin ndërkombëtar.

Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ishte një akt politik i njohjes së Kosovës, por një interpretim juridik autoritativ që konfirmoi një parim themelor: shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ky konstatim ndryshoi natyrën e debatit ndërkombëtar, duke e zhvendosur atë nga pyetja e ligjshmërisë së aktit të pavarësisë drejt çështjeve të njohjes, integrimit dhe konsolidimit të subjektivitetit ndërkombëtar.

Në këtë kuptim, sfida e sotme nuk është më ekzistenca e Kosovës si realitet politik, por përmbyllja e procesit të integrimit të saj të plotë në strukturat ndërkombëtare dhe evropiane. Diferenca ndërmjet realitetit de facto dhe konsolidimit të plotë de jure mbetet një nga çështjet kryesore që kërkon një qasje më koherente nga aktorët ndërkombëtarë.

Bashkimi Evropian, si projekti më i suksesshëm i integrimit politik në historinë moderne, ka një rol të veçantë në këtë proces. Vlerat mbi të cilat është ndërtuar Evropa e bashkuar – demokracia, sundimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe zgjidhja paqësore e konflikteve – kërkojnë që çështjet e rëndësishme politike të trajtohen me koherencë dhe vizion afatgjatë.

Në këtë drejtim, Kosova përbën një provë të rëndësishme për kredibilitetin e vetë Bashkimit Evropian. Një Evropë që kërkon të ketë rol udhëheqës në mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla duhet të dëshmojë se është në gjendje të harmonizojë interesat politike me parimet juridike mbi të cilat është ndërtuar.

Natyrisht, njohja e një shteti mbetet një kompetencë sovrane e secilit shtet dhe e drejta ndërkombëtare nuk imponon një detyrim automatik për njohje. Megjithatë, zhvillimet historike, konsolidimi institucional i Kosovës dhe interpretimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë krijojnë një realitet të ri politik, i cili kërkon reflektim të vazhdueshëm dhe një vlerësim më të gjerë të interesave strategjike të Evropës.

Kosova sot nuk kërkon një privilegj të veçantë dhe as një trajtim jashtë rregullave të sistemit ndërkombëtar. Ajo kërkon që realiteti i saj shtetëror të vlerësohet mbi bazën e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, të zhvillimeve historike dhe të rolit që ajo mund të luajë në një Evropë më të sigurt dhe më të bashkuar.

Nga ana tjetër, vetë Kosova mbart përgjegjësinë për të forcuar vazhdimisht institucionet e saj, sundimin e ligjit, demokracinë funksionale, zhvillimin ekonomik dhe kulturën politike evropiane. Legjitimiteti ndërkombëtar nuk ndërtohet vetëm përmes njohjeve, por edhe përmes cilësisë së shtetit dhe aftësisë së tij për të kontribuar pozitivisht në komunitetin ndërkombëtar.

Historia e Evropës dëshmon se proceset më të rëndësishme të paqes dhe integrimit janë realizuar atëherë kur kombet kanë pasur guximin të kapërcejnë ndarjet e së kaluarës dhe të ndërtojnë një të ardhme të përbashkët. Në këtë frymë, integrimi i Kosovës nuk duhet parë si përfundim i një konflikti të vjetër, por si pjesë e ndërtimit të një Evrope më të plotë dhe më të qëndrueshme.

Në fund, çështja e Kosovës është edhe një pyetje që Evropa ia bën vetes: a do të udhëhiqet rendi evropian nga realitetet e reja dhe parimet e së drejtës, apo nga ndarjet e mbetura të së kaluarës?

Përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje do të ndikojë jo vetëm në të ardhmen e Kosovës, por edhe në vetë besueshmërinë e projektit evropian.

Sepse një Evropë e vërtetë e së drejtës nuk forcohet duke lënë jashtë realitete të konsoliduara, por duke i përfshirë ato në një rend të përbashkët të bazuar në ligj, drejtësi dhe vizion për të ardhmen.

Kosova është pjesë e Evropës gjeografikisht, historikisht dhe politikisht. Sfida e mbetur është që ky realitet të marrë formën e tij të plotë juridike dhe institucionale në Evropën e bashkuar.

1 Comment


Fejzulla Berisha
2 hours ago

I nderuari Kryeredaktor i gazetës “Fjala e Lirë”, Prof. Dr. Fatmir Terziu,

Nga zemra Ju përshëndes me respektin më të lartë dhe me mirënjohje të sinqertë për misionin fisnik që keni marrë përsipër prej vitesh në Londër, duke e shndërruar “Fjalën e Lirë” në një institucion të mendimit të lirë shqiptar dhe në një urë të fuqishme që bashkon shqiptarët kudo që jetojnë.

Nën drejtimin Tuaj vizionar, kjo gazetë nuk është vetëm një faqe e shkruar, por një vatër e fjalës së lirë, e kulturës kombëtare dhe e ndërgjegjes intelektuale shqiptare. Ajo u ka dhënë zë autorëve nga të gjitha trojet shqiptare, duke ruajtur autenticitetin e mendimit, dinjitetin e fjalës dhe lirinë e shprehjes, si vlera themelore të një shoqërie…

Like

Shkrimet e fundit

bottom of page