Fatmir Terziu: ...Është ujësi. - vazhdon leximi në reklamën përkatëse.
- Jun 30, 2025
- 2 min read

1. LADY ANNE’S DRIVE
(Holkham Village)
Nga Fatmir Terziu
...Është ujësi. - vazhdon leximi në reklamën përkatëse.
Rrjedha sikurse batica, shkruan poezi për çështje fjalori të kufizuar
(siç shihet, sytë si re kalimtare
lexojnë mentalisht prurjet dinamike,
zbardhje të mishta me vena mjalti pa hojë
skuqje dantelle të një fasade harmonike
në detin e ftohtë).
...Është urtësi. - vazhdon trukimi në pikturën murale.
Gota një shenjë e përbashkët unike
në një hapësirë tjetër shumëdimensionale
etja pi, pi me një ndjesi intrige
në Lady Anne’s Drive.
Norwich, e diel 30 Qershor 2025
2. SHENJA SPARTANE
Me një guackë të zbehur
në arkivën e madhe të detit
Unë zbres të gjitha fortesat,
dhe shpërthimet e dritës së detit të dehur
në shishen ku mbyten të gjithë ngatërresat
ata e ngadalësojnë shkrimin e mbetur
uji gëlltit letra dhe dallgët shenja spartane sikurse fshesat.
Artefakte të pazbuluara, me shënimin tim në vargje
lëvizin me enigmën e dallgëve të bardha midis trarëve,
dhe përhumbja e momentit lë të kuptohet
në pasurinë e valëve,
e dashur Luçiana, sikurse lexohet edhe kësaj ane
ne mirëkuptohemi vetëm me shenja spartane...
Wells -Next-the Sea; Norfolk, e diel 30 Qershor 2025
3. KUR KUJTOHET LINDJA
Në kishën lokale të Sheringham
në Altarin e qirinjve të ndezur
pashë një bllok skicash të lidhur me gjalm.
Një udhëtar i panjohur e kishte lënë si një mister të heshtur
historinë mitike të një të riu
dhe vargjet e tij intime të një dashurie të tretur.
Asnjë qiri mbi të
çfarë lutjesh të errëta bllokuan papritmas
atë zë.
Asnjë informacion mbi ndjenjat e tij brenda shportës,
të cilat i nxitën të gjithë vizitorët të ndiznin qirinj pas murit,
me zjarrin e brendshëm të aortës
brenda gurit.
Sheringham, e diel 30 Qershor 2025









Comments