top of page

Fatmir Terziu: Vetvetja

1 hour ago
8 min read

Vetvetja

 

Im Atë kishte një mënyrë të veçantë për të më thënë gjërat e mëdha pa i bërë ato të dukeshin të mëdha. Nuk përdorte shumë fjalë. Ndoshta sepse kishte kuptuar herët se fjala, kur është e vërtetë, nuk ka nevojë të zgjatet për të lënë gjurmë. Njëra prej atyre fjalive që më ka ndjekur gjatë gjithë jetës ishte kjo: “Askush nuk mund të konkurrojë me ty në të qenit vetvetja.” Atëherë më dukej si një fjali e bukur, një nga ato fjalitë që baballarët ua lënë bijve si një lloj amaneti të heshtur. Sot, sa më shumë kohë kalon, aq më tepër e kuptoj se brenda saj fshihej një filozofi e tërë jete.

Jeta ime nuk ka qenë një vijë e drejtë. Ka pasur kthesa, largime, rikthime, njerëz që kanë hyrë e kanë dalë, dyer që janë hapur kur nuk i prisja dhe të tjera që janë mbyllur pikërisht atëherë kur mendoja se duhej të qëndronin hapur. Kam njohur zhurmën e botës dhe heshtjen e saj. Kam qenë pranë njerëzve dhe kam qenë larg tyre. Kam shkruar, kam punuar, kam kërkuar, kam pritur. Dhe, si shumë njerëz, kam kaluar vite duke menduar se jeta është ajo që arrin. Pastaj vjen një moshë kur fillon ta kuptosh se jeta është edhe ajo që nuk arrin dot ta marrësh me vete. Nuk merr me vete titujt. Nuk merr duartrokitjet. Nuk merr numrin e njerëzve që të kanë njohur. Nuk merr as fjalët e mira që janë thënë për ty, nëse ato kanë qenë vetëm zhurmë. Në fund, mbetet diçka shumë më e thjeshtë dhe shumë më e pamëshirshme: mënyra se si ke qenë me të tjerët dhe mënyra se si ke qenë me veten. Kjo është arsyeja pse, sa më shumë kalon koha, aq më shumë e kuptoj edhe një mendim tjetër, pjesa më e madhe e jetës është një kërkim për atë se kush dhe çfarë ka më shumë nevojë për ty.

Ndoshta kjo është një nga arsyet pse kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të veçantë me shkrimin. Nuk kam shkruar vetëm për të thënë atë që mendoj. Shpesh kam shkruar për të mos lejuar që diçka të humbasë. Një njeri. Një vend. Një histori. Një fjalë. Një kujtim. Një dhimbje. Një zë që, nëse nuk shkruhet, mund të tretet në harresë. Shkrimi më ka mësuar se njeriu nuk jeton vetëm në kohën e tij. Një fjali e shkruar sot mund të takojë një njeri pas shumë vitesh. Një libër mund të udhëtojë më larg se autori. Një mendim mund të hyjë në jetën e dikujt që ende nuk ka lindur kur ai mendim është shkruar. Atëherë kuptova se një pjesë e jetës sonë mund të bëhet e ardhme për dikë tjetër. Dhe kjo është një formë e çuditshme e pavdekësisë. Jo ajo madhështorja që kërkon emrin në monumente, por ajo e vogla dhe e vërteta, të mbetesh diku në kujtesën e një njeriu.

Njeriu mund të konkurrojë për një vend, për një emër, për një sukses, për një pasuri, për një titull, madje edhe për një dashuri. Por nuk mund të ketë garë të vërtetë në atë hapësirë të brendshme ku njeriu është vetëm ai që është. Aty nuk ka rival. Aty ose je, ose mungon. Ndoshta pjesa më e madhe e jetës nuk është kërkimi për të gjetur se kush është më i mirë se ne, por kërkimi për të kuptuar kush dhe çfarë ka më shumë nevojë për ne. Është një kërkim që nuk bëhet gjithmonë me vetëdije. Në fillim të jetës kërkojmë njerëz që kemi nevojë për ta. Më pas kërkojmë vende ku mund të bëhemi dikush. Pastaj kërkojmë punë, miqësi, dashuri, libra, rrugë, ide.

Dhe, pa e kuptuar, një ditë fillojmë të bëjmë pyetjen e kundërt: Kush ka nevojë për mua? Çfarë do të ishte ndryshe nëse unë nuk do të isha aty? Është një pyetje më e vështirë se sa duket. Sepse nuk ka të bëjë vetëm me të qenit i dobishëm. Të qenit i nevojshëm nuk do të thotë të jesh gjithmonë ai që zgjidh problemet e të tjerëve, ai që mban barrët e tyre, ai që përgjigjet kur të gjithë heshtin. Ndonjëherë dikush ka nevojë për ty vetëm sepse prania jote i jep një kuptim të veçantë një çasti. Një fjalë e jotja mund të mbetet gjatë në kujtesën e dikujt. Një libër që ke shkruar mund të gjendet pas shumë vitesh nga një njeri që nuk e ke njohur kurrë. Një dorë e vendosur mbi supin e dikujt mund të bëhet më e madhe se një fjalim i tërë. Kështu, jeta fillon të marrë një kuptim tjetër. Nuk është më vetëm ajo që arrijmë, por edhe ajo që lëmë pas në jetën e të tjerëve. Njeriu nuk matet vetëm me gjurmën që lë në tokë, por edhe me gjurmën që lë në ndërgjegje. Ka njerëz që kanë kaluar nëpër jetën tonë si një erë e shpejtë dhe nuk kanë lënë asgjë. Ka të tjerë që kanë folur pak, por fjala e tyre ka mbetur si një gur themeli. Ndoshta ky është një nga misteret më të mëdha të qenies njerëzore: nuk e dimë gjithmonë se ku fillon ndikimi ynë dhe ku përfundon.

Im Atë e dinte këtë pa pasur nevojë ta shpjegonte. Kur më thoshte se askush nuk mund të konkurronte me mua në të qenit vetvetja, ai nuk po më mësonte të isha më i fortë se të tjerët. Përkundrazi, po më mësonte të mos e shpenzoja jetën duke u përpjekur të bëhesha dikush tjetër. Sepse bota ka një mënyrë të çuditshme për të na bindur se duhet të jemi gjithmonë një version tjetër i vetes: më të suksesshëm, më të pasur, më të bukur, më të dukshëm, më të duartrokitur. Dhe në këtë garë të pafundme për t'u dukur, rrezikojmë të humbasim atë që nuk mund të zëvendësohet: vetveten. Njeriu mund të mësojë nga të tjerët, por nuk duhet të zhduket brenda tyre. Mund të admirojë një shkrimtar, por nuk duhet të shkruajë me zërin e tij. Mund të ndjekë një mendimtar, por nuk duhet t'ia japë atij mendjen e vet. Mund të dashurojë dikë, por nuk duhet të humbasë fytyrën e vet në pasqyrën e tjetrit. Sepse imitimi mund të të japë një formë, por vetëm autenticiteti të jep një zë. Dhe ndoshta pikërisht këtu bashkohen dy mendimet që duken në pamje të parë të largëta: të jesh vetvetja dhe të gjesh atë që ka nevojë për ty. Kur e di kush je, mund të kuptosh më qartë ku je i nevojshëm. Përndryshe, do të përpiqesh të jesh i nevojshëm kudo, për këdo, dhe në fund mund të mbetesh i huaj për veten. Një njeri që nuk e njeh zërin e tij e ka të vështirë të kuptojë se ku duhet të flasë.

Pjesa më e madhe e jetës, pra, mund të jetë një udhëtim nga “Kush kam nevojë unë?” drejt “Kush ka nevojë për mua?”. Në rini kërkojmë atë që na mungon. Në pjekuri fillojmë të kuptojmë atë që mund të japim. Dhe në një moshë tjetër të jetës kuptojmë se këto dy pyetje nuk janë kundërshtare. Ndoshta ajo që na ka munguar më shumë ka qenë pikërisht vendi ku mund të ishim më të nevojshëm. Kjo është arsyeja pse disa njerëz e gjejnë veten në një profesion, disa në një familje, disa në një miqësi, disa në një fjalë të shkruar, disa në një vend ku dikush pret prej tyre një dritë. Nuk është gjithmonë madhështore. Shpesh është fare e vogël. Të kujtosh një emër. Të hapësh një derë. Të dëgjosh dikë deri në fund. Të mos e lësh një njeri vetëm në çastin kur të gjithë të tjerët janë larguar. Edhe kjo mund të jetë një mënyrë për t'i thënë jetës, unë isha këtu dhe dikush kishte nevojë për praninë time. Por ka edhe një rrezik të madh, të ngatërrosh nevojën e të tjerëve për ty me detyrimin për t'u përkitur atyre. Nuk jemi pronë e askujt. Të jesh i nevojshëm nuk do të thotë të jesh i robëruar. Dashuria nuk është fshirje e vetes. Miqësia nuk është dorëzim i identitetit. Puna nuk duhet të të bëjë një makinë. Familja nuk duhet të të zhdukë si individ. Edhe kur japim, duhet të mbetemi ata që jemi. Sepse vetëm ai që ka një vetvete mund të japë diçka që nuk është kopje. Kjo është edhe arsyeja pse fjalët e prindërve na kuptohen më mirë vonë. Kur jemi të rinj, i dëgjojmë si këshilla. Kur rritemi, i kuptojmë si dëshmi. Dhe kur koha na mëson të shohim pas, kuptojmë se disa fjali nuk kanë qenë thjesht fjali. Kanë qenë dyer. Vetëm se ne nuk e dinim atëherë se ku të çonin.

Fjalia e babait tim më është kthyer shumë herë në mendje, “Askush nuk mund të konkurrojë me ty në të qenit vetvetja.” Sot do t'i shtoja një pyetje tjetër: Dhe pasi ta gjesh veten, a do të gjesh edhe vendin ku vetvetja jote bëhet e nevojshme? Sepse ndoshta suksesi më i thellë nuk është të bëhesh i pazëvendësueshëm për të gjithë, por të jesh i vërtetë për ata pak njerëz, për atë punë, për atë fjalë, për atë vepër, për atë vend ku prania jote ka një peshë që nuk mund ta mbajë askush tjetër. Në fund, ndoshta nuk kemi ardhur në këtë botë për të fituar garën me të tjerët. Kemi ardhur për të mos humbur garën me veten. Për të mos e zëvendësuar zërin tonë me jehonën e turmës. Për të mos e shitur fytyrën tonë për një duartrokitje. Për të mos u bërë aq të zënë duke kërkuar vendin tonë te të tjerët, sa të harrojmë të ndërtojmë vendin tonë brenda vetes. Dhe kur një ditë të mbetet më pak përpara sesa ke lënë pas, pyetja ndoshta nuk do të jetë: Sa njerëz më njohën? As: Sa njerëz më duartrokitën? Por: Për kë isha vërtet unë? Çfarë ndryshoi sepse kalova këtu? Cila zemër u bë pak më e lehtë nga një fjalë imja? Cili mendim mori jetë nga një faqe e imja? Cili njeri e kuptoi se nuk ishte vetëm sepse unë isha aty? Atëherë fjalia e Atit nuk do të duket më si këshillë. Do të duket si një testament. Sepse në një botë ku të gjithë përpiqen të jenë dikush tjetër, vetvetja është i vetmi territor ku askush nuk mund të të mundë. Dhe në një jetë ku kërkojmë pafundësisht atë që na nevojitet, pjekuria fillon atëherë kur kthehemi nga ana tjetër e pyetjes dhe pyesim me qetësi: ku jam unë i nevojshëm? Ndoshta aty fillon jo vetëm kuptimi i jetës, por edhe arsyeja për të cilën ia vlen të jetosh.

Ama e them hapur, se bota na mëson të krahasohemi. Që herët na vendos përballë dikujt tjetër, më i mirë, më i bukur, më i suksesshëm, më i pasur, më i dukshëm. Dhe, nëse nuk jemi të kujdesshëm, fillojmë të jetojmë një jetë që nuk është e jona vetëm sepse duket më mirë nga jashtë. Kam mësuar se nuk mund ta shkruash jetën me dorën e dikujt tjetër. Mund të mësosh prej të tjerëve. Mund të admirosh. Mund të ndryshosh. Por nëse përpiqesh të bëhesh dikush tjetër, çmimi është i lartë, e ai është humbja e zërit tënd. Edhe dështimet, në këtë kuptim, kanë pasur një dobi. Më kanë kthyer te vetja. Një derë e mbyllur më ka kujtuar se nuk mund të presësh gjithmonë lejen e dikujt tjetër për të vazhduar. Një largim më ka mësuar se dashuria nuk është zotërim. Një humbje më ka kujtuar se koha për të thënë gjërat nuk është e pafund. Dhe ndoshta kjo është përgjegjësia e shkrimit, të mos lejosh që pluhuri të bëhet histori. Me kalimin e viteve kam kuptuar edhe diçka tjetër, të jesh vetvetja nuk do të thotë të mbetesh i pandryshuar. Njeriu duhet të ndryshojë. Duhet të mësojë, të humbasë, të korrigjohet, të rritet. Por mund të ndryshojë pa e humbur boshtin. Edhe unë nuk jam ai që kam qenë. Kam humbur disa bindje dhe kam fituar të tjera. Kam njohur njerëz që më kanë ndryshuar. Kam lënë pas rrugë dhe kam marrë të reja. Por në gjithë këtë lëvizje kam kuptuar se njeriu ka nevojë për një vend të brendshëm ku zhurma e botës nuk vendos dot për të. E ajo ka qenë, është dhe mbetet vetvetja!

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page