Joy Kodra: Djaloshi qé humbi shikimin…

Djaloshi qé humbi shikimin, por e pa botén me shqisat e tjera
(Tregim pér fémijé)
Në qytetin e vogël bregdetar të Kingsand, qé zhurmonte nga valét dhe sillte aromën e detit në çdo cep, jetonte një djalë i vogël me emrin Leo. Ai kishte sy të mëdhenj plot kureshtje dhe një zemër që rrihte fort sa herë që zbulonte diçka të re.
Leo e adhuronte botën rreth tij. Çdo mëngjes, ai vraponte drejt bregut për të parë si ndryshonte qielli , ndonjëherë blu si deti i qetë,ndonjëherë rozë si lulet që rriteshin pranë shtëpisë së tij.
Leo pëlqente shumë të vizatonte varka që lundronin mbi ujë, pulëbardha që hapnin krahët mbi qytet, dhe shtëpi të vogla që ndriçonin si yje. Cdo ditë ai dilte me bicikletë në qëndër të qytetit, nuhaste aromën e bukës së freskët sa here që kalonte nga furra daneze dhe më pas kalonte buzë detit të dëgjonte tingujt e bregut, dhe vërente gjërat e vogla që të tjerët shpesh i kalonin pa i parë. Bota I dukej plot ngjyra, plot zëra, plot sekrete të vogla që prisnin të zbuloheshin.
Por një ditë, diçka u duk ndryshe. Leo mbylli sytë një herë. I mbylli dy herë. I mbylli tre herë. Mjegulla nuk u largua. Ditët që pasuan, ngjyrat filluan të zbeheshin. Format dukeshin të buta dhe të turbullta. Dritat ishin shumë të forta, hijet shumë të errëta. Leo fërkonte sytë por bota vazhdonte të dukej e mjegullt.
Me kalimin e kohës, Leo ndaloi së vrapuari pa prindërit e tij afër, ndaloi së vizatuari, ndaloi së eksploruari bregun vetëm siç bënte çdo pasdite. Gjithçka dukej shumë e madhe dhe ai ndihej shumë i vogël.
Prindërit e tij e çuan Leon në klinikën e syve në qytet. Klinika ishte plot me drita. Postera me shkronja të mëdha dhe forma shumëngjyrëshe vareshin nëpër mure.
Leo u ul në një karrige të lartë që ngrihej dhe ulej. Doktori zbehu dritat dhe i kërkoi Leos të shikonte figura në ekran , rrethe, yje dhe kafshë. Pastaj Leo shikoi përmes një makinerie të madhe që bënte klik‑klik të butë ndërsa doktori ndryshonte lentet. Leo mbuloi njërin sy, pastaj tjetrin.
Kur testi i syve mbaroi, doktori afroi karrigen pranë prindërve te tij. Ai u tregoi një foto të një syri në ekran.
Ja si funksionojnë sytë e Leos – tha doktorri. Disa pjesë nuk janë më aq të forta. Prandaj gjërat duken të turbullta ose shumë të ndritshme për të.
Ai vazhdoi: “Shikimi i Leos do të vazhdojë të ndryshojë. Mund të humbasë edhe më shumë shikim me kalimin e kohës.
Por ai mund të mësojë shumë mënyra të tjera për të parë botën. Mund të përdorë duart, veshët, imagjinatën. Dhe ne do ta ndihmojmë.”
Doktori u tregoi mamit dhe babit për syze të veçanta, libra me kontrast të lartë dhe mjete që mund ta ndihmonin Leon në shkollë. Ai shpjegoi se Leo mund të ketë nevojë të kthehet sërish në klinikë, që ata të kontrollonin si po ndryshonin sytë e tij.
X X X
Ditët pas testit të syve, shtëpia dukej më e qetë se më parë. Leo rrinte afër mamit dhe babit, i pasigurt se çfarë të bënte me botën e turbullt përreth. Babi filloi ta çonte Leon në breg çdo pasdite. Ata uleshin bashkë mbi gurët e ftohtë, duke dëgjuar valët që vinin e iknin si frymëmarrje e ngadaltë. Era sillte aromën e kripur të detit.
“Dëgjo, Leo,” I tha një pasdite I ati. “Dëgjo si pëshpëritin valët kur vijnë, dhe si kërcasin lehtë kur tërhiqen.” Leo u përkul më afër. I pëlqeu tingulli. Babi mori një gur të gjatë dhe ia vendosi në dorë. “Lësho gishtat mbi të. Ndjeji si ndryshon forma ndërsa e prek,” tha ai.
Leo preku skajet e gurit , i lëmuar nga njëra anë, me gunga nga tjetra. Babi trokiti një guaskë mbi një gur. Tik… tik… Leo buzëqeshi pak. Zëri i babit u zbut.
“Shikimi është një mënyrë për të parë,” tha ai. “Por jo e vetmja.
Leo mbështeti kokën në krahun e babit. Nuk ishte i sigurt nëse e besonte ende. Por fjalët e babit ndiheshin të ngrohta, si një batanije që i mbështillte zemrën.
Babi vazhdoi: “Mund të shohësh me veshë, Leo, me duar, me hundë, me imagjinatë. Mund të vëresh gjëra që të tjerët i kalojnë pa i parë.”
Leo mori një gur dhe e fërkoi mes gishtave. “Është i lëmuar,” pëshpëriti. “Po,” tha Babi duke buzëqeshur. “Dhe ti e gjete vetë.” Leo dëgjoi sërish valët. Ndjeu erën. Ndjeu aromën e detit. Dhe për herë të parë pas disa ditësh, diçka brenda tij u ndje pak më e lehtë.
Të nesërmen në mëngjes, Mami u bashkua me Leon dhe babin në breg. Ajo mbante një batanije të vogël blu dhe u ul pranë tyre, duke e vëzhguar Leon me qetësi. Leo u përkul sërish pranë gurëve. Ai dëgjoi tingullin e butë plip‑plip ,plluq-plluq, të ujit që pikonte nga një shkëmb. Preku rërën dhe e ndjeu teksa rrëshqiste me kokrra të vogla. Mori frymë thellë, duke nuhatur erën e mprehtë dhe të freskët të algave detare që thaheshin në diell.
Mami buzëqeshi duke e pyetur “Çfarë po vëren sot, zemra ime?” Leo mendoi për një çast. “Ka shumë tinguj të vegjël,” tha. “Nuk i kisha dëgjuar më parë.” Mami u afrua. “Çfarë lloj tingujsh?” Leo tregoi nga gurët. Mendoj se një gaforre po troket. Dhe gurët bëjnë klik kur valët i lëvizin. Edhe rëra… pëshpërit kur bie.
Mami dëgjoi. Ajo nuk i kishte vënë re ato tinguj më parë. Leo mori një gur dhe e la të binte mes gishtave. Sot ndjeva edhe diçka tjetër - shtoi Leo. Era më preku kyçin e këmbës si një pendë e vogël. Nuk e kisha ndjerë më parë, por tani e ndjej sa e butë dhe e shpejtë është.
Mami qeshi lehtë dhe tha - Nuk e kam dëgjuar kurrë. Po më mëson diçka të re. Leo ndjeu një ngrohtësi të vogël në gjoks. Ai nuk po përpiqej më vetëm të kuptonte botën , po i tregonte dikujt tjetër si e kuptonte ai. Leo dëgjoi sërish bregun trokitjet, klikimet, pëshpëritjet. Bota e turbullt nuk dukej më aq e frikshme. Dukej plot sekrete të vogla që ai mund t’i zbulonte dhe t’i ndante.
Ecjet buzë detit përditë ishin rutina e tij. Të nesërmen babi I tha se pranë tyre vetëm disa hapa më tej ishte shoqja e tij Mila duke luajtur pranë bregut. Ajo vrapoi drejt tij, këpucët duke kërcitur mbi gurë. “Çfarë po bën sot Leo?” pyeti, duke u ulur pranë tij. Leo buzëqeshi. “Po dëgjojmë,” tha. “Ka gjëra të vogla që mund t’i dëgjosh dhe t’i ndjesh nëse rri i qetë.”
“Si mundet ?” pyeti Mila. Leo tregoi nga gurët. “Rri këtu. Mos u lëviz. Vetëm dëgjo.” Mila qëndroi pranë tij. Për një moment, dëgjohej vetëm zëri i valëve. Pastaj klluk‑klluk‑klluk , gurët u lëvizën nën ujë. Sytë e Milës u hapën. “E dëgjova! Nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë.”
Leo pohoi. “Ka edhe më shumë. Prit erën.” Ata qëndruan qetë. Një fllad i butë u kaloi pranë këmbëve. Mila qeshi. Leo qeshi. “Ndjehet si një pendë e vogël. E ndjeva dje. Qëkur nisa të kem vështirësi me shikimin po vërej çdo ditë gjëra që nuk i kisha parë më parë. Edhe ti mundesh Mila, çdo njeri mundet. Mila u ul dhe preku rërën. “Është e ngrohtë sipër dhe e ftohtë poshtë,” tha me krenari. Leo buzëqeshi - Zbulim i miré – tha ai. Të dy nisën të luajnë me gurickat e vogla të bregut.
X X X
Të nesërmen ishte e shtunë. Leo u zgjua me një aromë që përhapej nëpër kuzhinën e ngrohtë, e ëmbël dhe e butë. Mami po gatuante kekun e tij të preferuar me shurup panje. Aroma e tyre e mbështolli Leon si një përqafim. “Pasi të mbarosh mëngjesin,” tha mami, duke I afruar qumështin e ngrohtë “do të shkojmë diku.” Leo u ndal me pirunin në ajër. “Ku?” pyeti ai. Do ta zbulojmë të dy – ja ktheu ajo.
Pasi mbaroi mëngjesin, mami e ndihmoi Leon te hipte ne sediljen mbrapa të makinës. Ai mundohej të shikonte nga dritarja mbrapa për të kuptuar se ku po iknin por ishte e vështirë. Kaluan pranë portit ku varkat ishin të parkuara dhe mami e ndaloi makinën. Do zbresim nga makina tani – tha mami. Ajo ia shtrëngoi dorën dhe nisi ta udhëzonte rrugës. - “Jemi pothuajse aty” tha ajo.
U ndalën para një ndërtese të qetë me një tabelë që shkruante anglisht : GUIDE DOGS FOR GROWING HEARTS (Qentë udhëzues për zemra në rritje).
Ata hynë brënda dhe ajri ndjehej i ngrohtë. Leo dëgjoi hapa të butë në dhomën përpara. Pastaj pad pad pad , putra të buta që afroheshin. Para se të pyeste, një hundë e ngrohtë preku dorën e Leos. Një bisht i butë i fshiu lehtë këmbën. Një frymëmarrje e qetë dhe e ngrohtë i preku gishtat. Mami u ul pranë tij. “Leo,” tha, “ky është Sol.”
Sol ishte një qenush i qetë, i duruar dhe i butë, me gëzof ngjyrë bezhë. Sytë e tij ishin kafe të butë. Gëzofi i tij kishte ngjyrën e rrezeve të diellit, Ai mbante një parzmore blu për qentë udhëzues, me një diell të vogël të qëndisur anash. Trajnuesja e tij e cila punonte në dyqan u ul para tyre dhe buzëqeshi. “Sol është këtu për të të ndihmuar të lëvizësh me siguri,” tha. “Ai është një qen udhëzues
Çfarë bën një qen udhëzues? – pyeti Leo
Qentë udhëzues janë miq të veçantë që ndihmojnë njerëzit me vështirësi të shikimit të ecin, të gjejnë rrugën dhe të ndihen të sigurtë. Ata mësojnë shumë komanda dhe janë gjithmonë të qetë, të kujdesshëm dhe të duruar. Qentë udhëzues ndihmojnë njerëzit që shohin ndryshe, duke u treguar ku ka shkallë, bordura apo pengesa dhe duke i udhëhequr në rrugë të sigurta, duke u ndalur kur ka rrezik. Ata i ndihmojnë të gjejnë dyer, shtigje dhe kthesa, i qetësojnë kur ndihen të frikësuar ose të pasigurt dhe janë shokë besnikë që u japin guxim dhe pavarësi.
“Sol nuk të tërheq,” shpjegoi trajnuesja. “Ai të udhëheq me butësi. Nuk sheh botën për ty por të ndihmon ta gjesh ti vetë.”
Leo zgjati dorën ngadalë duke prekur Sol. Gishtat e tij u zhytën në gëzofin e butë të Solit. Një huff i lehtë si një premtim sigurie doli nga kraharori i qenit. Leo buzëqeshi pak. Leo nuk mund ta shihte Solin qartë më, por nuk kishte nevojë. Sol u ul pranë tij, krejt i qetë, sikur e kuptonte tashmë çdo shqetësim të Leos, çdo dridhje në bark, çdo mendim të heshtur që ai nuk e kishte thënë. Diçka e ndritshme u ndez brenda tij një diell i vogël që i ngrohte gjoksin nga brenda.
Leo pëshpëriti: “Përshëndetje, Sol. Unë jam Leo”. Dhe Sol qëndroi aty i qetë, i duruar, i ngrohtë sikur e kishte pritur Leon prej shumë kohësh.
Trajnuesja u ul para tyre. “Sol është këtu për të të ndihmuar të eksplorosh me siguri,” tha. “Do të doje të provonim diçka bashkë?” Barku i Leos u dridh sërish, por këtë herë nuk ishte frikë. Ishte ajo dridhja që ndjen para se të hapësh një dhuratë.
Sol lëvizi pak peshën e trupit, duke i treguar Leos se ishte gati. Leo kapi dorezën e vogël të parzmores blu. “Le të bëjmë disa hapa,” tha trajnuesja butë. Sol u nis ngadalë, një hap i kujdesshëm në çdo moment. Leo e ndjeu lëvizjen përmes parzmores të qëndrueshme, të qetë, si një ritëm i butë që duhej ndjekur. Ata kaluan mbi një tapet të butë. Leo dëgjoi trokitjen e lehtë të putrave të Solit. Pastaj kaluan mbi dysheme druri, ku tingulli ndryshoi në tap‑tap‑tap. Leo buzëqeshi. “Po dëgjoj ku jemi,” tha.
Sol u ndal para një shkalle të vogël. Ai ngriti pak kokën, një sinjal i vogël. Leo e ndjeu përmes parzmores. “Ka një shkallë,” - pëshpëri trajnuesja - Sol po të tregon.
Leo hodhi hapin me kujdes, Sol duke e ndjekur në mënyrë të përsosur. Pa nxitim. Pa tërheqje. Vetëm udhëzim. Kur arritën në fund të dhomës, Sol u ndal dhe nxori një uff të butë. Leo qeshi. “Sikur po thotë ‘ja dolëm.’” Trajnuese pohoi. “Ai është krenar për ty. Dhe do të të ndihmojë të gjesh rrugën, hap pas hapi.”
Leo vendosi dorën mbi shpinën e Solit. Bota e turbullt nuk dukej më aq e madhe me Solin pranë, një qenush i qetë dhe plot dritë të qetë.
“Le të provojmë një shëtitje të vogël,” tha trajnuesja. “Sol do të të tregojë rrugën.” Sol bëri një hap të ngadaltë. Leo e ndjeu lëvizjen të kujdesshme si një ftesë e qetë. Ai e ndoqi. Toka ndryshoi nën këpucët e tij. Fillimisht bar i butë… pastaj gurë të vegjël… pastaj shtegu i fortë. Leo dëgjoi tingujt: shhh për barin, krap krap për gurët, tap‑tap‑tap për shtegun.
Sol u ndal te bordura. Ai ngriti pak kokën, një sinjal i vogël. Leo e ndjeu. “Ka një zbritje,” tha Leo. “Saktë,” tha trajnuesja pas tij. “Sol po të tregon. Pa nxitim dhe tërheqje. Pasi ndejtën disa orë në dyqan me Sol dhe trajnuesen, Leo u kthye në shtëpi. Ai menjëherë telefonoi shokët e tij për tu treguar se tashmë kishte një qenush të vecantë.
Me kalimin e ditëve, Leo filloi të vërente botën në mënyra që nuk i kishte vënë re kurrë më parë. Ai dëgjoi kërcitjen e vogël të shkumës së detit që shpërthente në breg. Ndjeu dallimin mes gurëve të lëmuar dhe atyre me gunga. Nuhaste ëmbëlsinë e ngrohtë të furrës përpara se të arrinin te dera.
Leo mësoi të dëgjonte gjurmët. Zhurma e një makine që kalonte do të thoshte rrugë. Rrahja e krahëve të pulëbardhave do të thoshte qiell i hapur. Tingulli i lehtë i zileve të jakës së Solit do të thoshte siguri. Çdo ditë, Leo ndihej pak më i guximshëm, pak më i fortë, pak më shumë vetvetja.
Një mëngjes të diele ai pëshpëriti: “Sol… mendoj se po mësoj të shoh sërish. Vetëm se në një mënyrë tjetër.”
Çdo mbrëmje, kuzhina mbushej me aroma të ngrohta , keku me karrota i mamasë së tij që ftohej mbi banak dhe buka e freskët pushonte pranë dritares. Leo nuk i shihte më ngjyrat qartë, por mund t’i nuhaste të gjitha. Ata u mblodhën të katërt rreth tavolinës . Mami me bllokun e saj të shënimeve, Babi me miell ende në këmishën e tij dhe Sol i mbledhur pranë këmbëve të Leos si një batanije ngushëlluese. Babi vendosi një tabelë braille para Leos.
“Këto gunga janë shkronja,” tha babi I Leos. “Gishtat e tu do t’i mësojnë, ashtu siç i mësonin sytë.”
Mami udhëhoqi dorën e Leos me delikatesë. “Fillo nga lart majtas,” pëshpëriti. “Ndjeji modelet. Çdo shkronjë ka formën e vet.” Leo preku ngadalë pikat. Në fillim, ato dukeshin si kodra të vogla pa kuptim. Por Mami e inkurajoi: “Një pikë në një kohë, zemër.”
Cfarë është kjo ? – pyeti Leo.
Kjo quhet Braile – tha mami. Braille është një mënyrë e veçantë për të lexuar me gishta. Në vend të shkronjave të shkruara, përdoren pika të vogla të ngritura që formojnë modele të ndryshme. Gishtat i prekin këto pika nga e majta në të djathtë dhe nga lart poshtë, duke ndjerë formën e secilës shkronjë. Me praktikë, gishtat mbajnë mend modelet dhe leximi bëhet më i shpejtë. Ky sistem i ndihmon fëmijët dhe të rriturit me probleme të shikimit të lexojnë libra, tabela, etiketa dhe histori duke i bërë më të pavarur dhe më të sigurt.
Babi i tregoi si të lëvizte dorën nga e majta në të djathtë. “Mendo sikur leximi është ritëm,” tha. “Gishtat e tu kërcejnë mbi faqe.”
Sol ngriti kokën dhe e mbështeti mbi gjurin e Leos i qetë, i ngrohtë. Leo buzëqeshi dhe i ledhatoi gëzofin, pastaj u kthye te tabela braille. Kur mbaruan ushtrimet, Mami shtypi butonin e altoparlantit të vogël. Një zë i butë mbushi dhomën. Ishte fillimi i një audiolibri.
Çdo natë, ata dëgjonin bashkë histori për fëmijë të guximshëm, kafshë të mira, vende të largëta. Leo ndiqte fjalët me veshë, ndërsa gishtat mësonin gungat. Dhe ngadalë, pikat filluan të marrin kuptim. Nuk ishin më thjesht gunga. Ishin shkronja. Fjalë. Një mënyrë e re për të parë.
Natën tjetër, Leo u ul te tavolina me tabelën braille para vetes. Ai preku modelin e parë një gungë lart. Babi buzëqeshi. “Kjo është shkronja A.”
Leo kaloi te modeli tjetër dy gunga krah për krah. “Kjo është B,” tha Babi. Leo i preku sërish gungat. A. B. A. B. Gishtat e tij po mbanin mend. Ata ushtronin çdo mbrëmje: C ishte tre gunga. D ishte një gungë lart dhe një poshtë. E ishte dy gunga në një vijë. Gishtat e Leos lëviznin më shpejt. Më të sigurt. Më të qëndrueshëm. Mami vendosi një kartë të vogël braille para tij. “Provoje këtë,” tha butë. Leo preku gungat. “S… o… l…” pëshpëriti.
Të nesërmen, Leo doli jashtë me Solin. Ata ecën përgjatë bregut të qetë, Sol duke e udhëhequr Leon me hapa të ngadaltë dhe të qëndrueshëm. Valët vinin e iknin si një ninullë e butë.
“Sol…” pëshpëriti ai, “kam frikë nga pjesët e errëta. Pjesët e turbullta. Pjesët që nuk mund t’i rregulloj.” “Më mungojnë ngjyrat,” tha Leo. “Më mungon të shikoj buzëqeshjen e mamit. Më mungon të vrapoj pa menduar.”
Leo mori frymë thellë, me pak dridhje. “Shpresoj që ende mund të bëj gjëra të guximshme,” pëshpëriti. “Shpresoj që ende mund të gjej rrugën time.”Bishti i Solit preku lehtë këmbën e tij sikur I dha një përgjigje. Ndërsa rrinin ulur bashkë, Leo u përkul dhe mori një gur të vogël. Ai e rrotulloi mes gishtave, duke ndjerë formën e tij të lëmuar dhe të rrumbullakët.
“Është si një planet i vogël,” tha butë. Pastaj mori një tjetër ky ishte me gunga dhe i pabarabartë. “Dhe ky duket si një mal i vogël.” Sol e vëzhgonte qetë, bishti duke fshirë lehtë gurët pas tyre .Leo zgjati dorën dhe vizatoi ajrin. “Kështu mendoj se ndihet një far,” tha, duke vizat me gisht një formë të gjatë. “Dhe kjo…” Ai vizatoi një hark të gjerë. “…është forma e detit kur është i qetë.”
Leo kuptoi diçka të rëndësishme edhe pa parë qartë, ai mund ta imagjinonte botën. Mund ta ndjente. Mund ta krijonte në mendjen e tij. Leo vendosi dorën mbi shpinën e Solit dhe mori frymë thellë. Bota nuk ishte më aq e turbullt sa dukej.
“Sol,” pëshpëriti, “mendoj se po mësoj të shoh sërish… vetëm në një mënyrë tjetër.” Sol e preku lehtë me hundë, si një premtim i qetë.
Dhe Leo kuptoi se shikimi nuk ishte vetëm në sy ishte në duar, në veshë, me zemër. Me Solin pranë, ai mund të gjente rrugën e tij kudo.
Me kalimin e ditëve, Leo filloi të vërente botën në mënyra që nuk i kishte vënë re kurrë më parë.
Ai kishte ndaluar së humburi shikimin por nuk kishte humbur kurrë shpresën. Sepse shpresa ka shumë mënyra për të parë me duar, me veshë, me zemër, dhe me dashurinë e atyre që ecin pranë teje.
Dhe Leo i kishte gjetur të gjitha.








Comments