Timo Mërkuri: NGA FJALA E DHIMBJES TE SHUMËZËRRËSHI

Pjesa II
Prurja e dytë e veçantë që të bie në sy te libri i Vaso Toles “Pse qanë kuajt e Akilit” na çon përsëri në ritualin mortor, por kësaj here vështrimi ndalet te një tjetër anë e tij: te vajtimi me ligje.
Në pamje të parë, vajtimi duket se ka vetëm një detyrë: të shprehë dhimbjen për të vdekurin. Të kujtojë jetën e tij, të flasë për mungesën që ka lënë, të përcjellë atë që familja dhe njerëzit e afërt ndiejnë në çastin e ndarjes. Por, duke e ndjekur më nga afër këtë mënyrë të vajtuari, Tole sheh diçka tjetër. Sheh zërat.
Sepse vajtimi nuk është vetëm zëri i një njeriu që i flet të vdekurit. Pranë tij janë edhe zërat e të tjerëve; herë i shkojnë pas, herë i përgjigjen, herë afrohen e treten në zërin e vajtores. Dhe pikërisht në këtë lëvizje, në marrëdhënien që krijojnë me njëri-tjetrin, Tole kërkon disa nga gjurmët e hershme të shumëzërëshit.
Kjo është ajo që e bën këtë prurje të veçantë. Vajtimi nuk shihet vetëm si shprehje e dhimbjes, por edhe si një hapësirë ku dhimbja nis të marrë zëra të ndryshëm. Ende nuk kemi këngën iso-polifonike, por kemi diçka që të çon drejt saj.
Për të arritur deri këtu, duhet të ndalemi më parë te dallimi dhe lidhja midis dy formave që bashkëjetojnë në ritualin mortor: të qarës me bote dhe vajtimit me ligje. Njëra shpërthen drejtpërdrejt nga dhimbja; tjetra e merr atë dhimbje dhe e kalon përmes fjalës. Dhe pikërisht aty ku këto dy mënyra afrohen, nis të duket më qartë rruga që duam të ndjekim.
1. E qara me bote dhe vajtimi me ligje – dy rrjedha të së njëjtës dhimbje
Në ritualin mortor, e qara me bote dhe vajtimi me ligje nuk janë dy brigje të ndara nga një lumë. Por, para se të shohim se si takohen në praktikën rituale, duhet të përcaktojmë çfarë i dallon.
Siç treguam te shkrimi i kaluar, e qara me bote shpërthen me ulërima, britma, klithma, ngashërime; është zëri i dhimbjes kur ajo del drejtpërdrejt nga trupi dhe nuk ka nevojë të shpjegohet. Vajtimi me ligje është tjetër gjë: aty dhimbja ka gjetur fjalën, vargun, kujtimin e të vdekurit dhe një mënyrë për t’ua thënë të tjerëve atë që humbja ka lënë pas.
Por duhet të kuptojmë se ligjërimi nuk është këngë. Është tekst vajtimi, fjalë që thuhet dhe vajtohet me zë. Kënga do të vijë më tej, kur kjo mënyrë e vajtimit të fillojë të krijojë gjurmë melodike dhe marrëdhënie zërash.
Duke shfrytëzuar figurën e lumit, mund të themi se e qara me bote është përroi që del pranë burimit me vrull e forcë, duke rendur teposhtë shpatit, ndërsa e qara me ligje është po ai ujë, tashmë i mbledhur në një rrjedhë më të gjerë, i ushqyer edhe nga ujërat e përrenjve të tjerë dhe i shndërruar në lumë. E para shpërthen me forcën e burimit; e dyta e merr dhimbjen dhe e çon në një rrjedhë ku fjala mund të rrëfejë, të kujtojë, të vajtojë. Por burimi mbetet po ai.
Thamë se e qara me bote nuk është një dhimbje “pa formë”; ajo ka formën e vet rituale dhe kjo formë është shpërthimi. Ulërima nuk rrëfen. Klithma nuk ndërton varg. Ajo shpreh. Vajtimi me ligje nis nga një tjetër nevojë: dhimbja kërkon të flasë për të ndjerin. Ajo merr trajtën e një teksti, në të cilin kujtohet jeta e tij, cilësitë, bëmat, vuajtjet dhe mungesa që ka lënë pas.
Këtu qëndron edhe dallimi i hollë mes tyre. Në të qarën me bote dhimbja del në shpërthim të drejtpërdrejtë; në vajtimin me ligje ajo gjen fjalën. Por kalimi në fjalë nuk do të thotë se dhimbja është qetësuar. Ajo vetëm ka gjetur një mënyrë tjetër për të dalë.
Në këtë pikë merr kuptim edhe përcaktimi i Toles për “të qarën me bote” si djepi i këngës. Djepi nuk është vetë kënga. Ai është vendi ku ajo ushqehet, ku rritet pa u shkëputur ende nga burimi i parë. Ndërsa “e qara me ligje” është kënga-foshnjë që përkundet brenda këtij djepi: jo ende këngë e përfunduar, por një trajtë ku teksti i vajtimit, zëri dhe gjurmët e melodicitetit kanë nisur të afrohen me njëri-tjetrin.
Por këto dy forma nuk qëndrojnë gjithmonë të veçuara brenda ritualit. Në jetën e mortit ato mund të takohen, të ndërthuren dhe, në çaste të caktuara, njëra të dalë brenda tjetrës. Pikërisht këtu vajtimi nis të shfaqet edhe si një terren ku zërat krijojnë marrëdhënie me njëri-tjetrin.

2. Vajtimi me ligje: nga fjala e dhimbjes te shumëzërëshi
Nëse në të qarën me bote dhimbja shpërthen drejtpërdrejt në britmë, klithmë e ngashërim, në vajtimin me ligje ajo kalon nëpër fjalë. Por fjala nuk e mban gjithmonë brenda vetes shpërthimin e dhimbjes. Në çastin e vajtimit, e qara me bote mund të dalë nga brenda ligjërimit, si një zë i vjetër që befas kërkon përsëri të dëgjohet.
Rasti i parë. Në mes të një vajtimi me ligje, ndërsa vajtorja është duke ligjëruar tekstin e saj, mund të shpërthejë papritur e qara me bote nga një vajtore e moshuar e grupit mortor. Një britmë, një klithmë, ndonjëherë vetëm një fragment i dhimbjes, dhe më pas zëri ulet përsëri në rënkim. Vajtimi nuk prishet. Ligjërimi vazhdon. Kjo është një nga hollësitë më të bukura të këtij rituali. E qara me bote nuk është pjesë e tekstit vajtimor dhe as vazhdim i tij; është shpërthimi që del prej dhimbjes dhe, për një çast, e tejkalon fjalën. Pastaj tërhiqet. Vajtorja e rimerr fillin. Rituali vazhdon, sikur ajo klithmë të ketë qenë gjithmonë aty.
Rasti i dytë. Mund të ndodhë që brenda së njëjtës hapësirë mortore të bashkëjetojnë të dyja format, por jo domosdoshmërisht në të njëjtin zë. Një pjesëtar i familjes mund ta shprehë dhimbjen me bote, ndërsa vajtoret të vazhdojnë me ligje. Në këtë rast, ndryshimi midis tyre nuk e ndan ritualin; përkundrazi, bashkëjetojnë dy mënyrat e vajtimit në të njëjtin çast dhe i japin mortit zëra të ndryshëm. Kjo mund të ndodhë, për shembull, në të njëjtën shtëpi ku bëhet ksodhi i një plaku: burri i shtëpisë vajton me bote, sepse vajton atin e tij, ndërsa vajtoret e tjera vajtojnë me ligje plakun e moshuar.
Këtu ndryshimi nuk lidhet vetëm me mënyrën e shprehjes, por edhe me marrëdhënien e secilit me të ndjerin. Për të birin është ati. Për vajtoret është një jetë që e ka mbyllur ciklin e saj. Ato e rrëfejnë dhe e përcjellin përmes ligjeve.
Edhe dhimbja, pa pushuar së qeni dhimbje, do të ndryshonte mënyrën e të shfaqurit të saj. E qara me bote është pakësuar, sidomos në gjestet vetëndëshkuese, të cilat u lanë mënjanë në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Kjo nuk do të thotë se dhimbja u pakësua; ndryshoi mënyra e shfaqjes së saj. Ritualit iu hoqën disa nga shenjat e forta vetëndëshkuese trupore, ndërsa fjala e vajtimit dhe forma të tjera të shprehjes vazhduan të jetojnë, madje në mënyrë më të theksuar. Është pikërisht kjo periudhë që, siç ka vërejtur Kadare, lidhet edhe me shtimin e pjesëmarrjes së njerëzve në morte.
Pra, nuk kemi dy rrugë që ecin paralelisht dhe nuk preken. Kemi dy rrjedha të së njëjtës dhimbje, që herë ndahen, herë bashkohen dhe herë njëra del në sipërfaqe brenda tjetrës. Historia e tyre mund të jetë e ndryshme. Përvoja rituale është e përbashkët.
Kjo na çon edhe më thellë në natyrën e vajtimit. Brenda një forme të organizuar mund të jetojë ende ajo që ishte përpara saj. Brenda fjalës së vajtimit mund të shpërthejë klithma. Brenda zërit të vajtores mund të rikthehet befas e qara me bote. Forma nuk e zhduk burimin. Ligjërimi nuk e mbyll dhimbjen; vetëm i jep një tjetër mënyrë për të dalë.
Edhe mënyra se si vajtohet lidhet me jetën që ka lënë pas i ndjeri dhe me mënyrën se si ka ardhur vdekja. Nuk vajtohet njësoj një djalë i ri dhe një plak i rënduar nga vitet. Nuk ka të njëjtën peshë vdekja e një burri të ri, me fëmijë ende në rritje, me ikjen e një njeriu të moshuar, të sëmurë, që e kishte afruar tashmë fundin me jetën e vet.
Kështu, rituali ruan formën, por dhimbja ia ndryshon ngjyrën. Pas çdo vajtimi është një jetë konkrete dhe, bashkë me të, një mënyrë konkrete e të përjetuarit të humbjes. Edhe këtu duket se rituali nuk është një formë e ngrirë. Ai ndryshon me kohën, humbet disa gjeste, zbut disa të tjera, por ruan në thellësi mënyrën e vet për ta përballuar humbjen. Dhe pikërisht në këtë bashkëjetesë mund të kërkojmë edhe një nga çelësat e lindjes së këngës. “E qara me bote” është djepi i këngës; “e qara me ligje” është kënga-foshnjë që përkundet në të. Por kjo foshnjë nuk lind e kënduar. Ajo nis me tekstin e vajtimit, me fjalën që thuhet e vajtohet, me zërin që ngrihet e ulet mbi të, me ato gjurmë melodike që dalin dalëngadalë nga vetë mënyra e të vajtuarit. Pastaj hapet një tjetër rrugë: rruga drejt shumëzërëshit.
3.Zërat e vajtimit, gjurmë të zërave të këngës…
Te libri “Pse qanë kuajt e Akilit” për “të qarën me bote” ka edhe një hollësi që meriton të veçohet. Nuk është vetëm prania e shumë njerëzve në vajtim, as vetëm ndërthurja e zërave të tyre. Ajo që bie në sy është mënyra se si këta zëra dallohen dhe, mbi të gjitha, mënyra se si Vaso Tole i emërton.
Duke folur për “të qarën me bote”, Tole vëren “zërat e ndryshëm solistikë të vajtoreve” dhe ndërthurjen e tyre me “zërat masivë të korit të njerëzve” që marrin pjesë në vajtim. Pastaj vjen ajo pjesë që përbën thelbin e kësaj prurjeje: këta zëra, sipas tij, kanë ushqyer e përtërirë veçoritë e zërave iso-polifonikë, të emërtuar si “marrësi”, “prerësi”, “kthyesi”, “hedhësi” dhe “iso”. Për ison, Tole veçon edhe grupin mbështetës të njerëzve , që artikulojnë një notë të gjatë, të mbajtur në formë rënkimi. (Pse qanë kuajt e Akilit?, f. 47-48).
Këtu qëndron ajo që unë do ta quaja një nga vëzhgimet më të veçanta të Toles. Ai nuk e lë shumëzërëshin e “të qarës me bote” në një përshkrim të përgjithshëm. Ai u vendos zërave emra. Dhe emrat që zgjedh nuk janë të zakonshëm për një përshkrim të thjeshtë të vajtimit; janë pikërisht emërtimet me të cilat dallohen zërat e këngës iso-polifonike.
Kjo e bën vëzhgimin e tij të rëndësishëm. Sepse midis një grupi njerëzish që qajnë së bashku dhe një grupi ku zërat kanë funksione të dallueshme ka një ndryshim të madh. Në rastin e parë kemi bashkësi të dhimbjes. Në të dytin fillon të duket edhe organizimi i zërit. Nuk është e nevojshme të shkojmë menjëherë te përfundimi se kemi përpara këngën iso-polifonike. Tole vetë na jep një material më të ndërmjetëm: një hapësirë ku zërat e vajtimit marrin funksione të ndryshme dhe ku, në gjirin e tyre, dallon “marrjen”, “prerjen”, “kthimin”, “hedhjen” dhe ison.
Pikërisht këtu vlen të ndalemi, sepse emërtimi i tyre është gjithashtu prurje e veçantë e Toles. Nëse do të ishte thënë vetëm se në “të qarën me bote” ka një zë që del përpara dhe një grup që e shoqëron, do të kishim një vëzhgim interesant. Por Tole shkon deri te terminologjia e zërave. Ai e sheh këtë organizim të hershëm përmes përvojës së këngës iso-polifonike dhe e emërton me fjalorin e saj.
Këtë mendim ai e thellon më tej në faqen 52, kur shkruan për “makrostrukturën artistike njerëzore” të shndërruar në strukturë muzikore shumëzërëshe dhe e lidh atë me mënyrën se si ndërtohet uniteti i zërave në iso-polifoninë popullore shqiptare si dukuri “pas-vajtimore”. (f. 52). Në faqen 53 kjo bëhet edhe më konkrete. Tole flet për një proces “thurje-shthurje” brenda korit të vajtuesve. Në fund, pas shumë marrëdhëniesh zërash e formash, mbeten “2-3 zërat kryesorë”, me marrëdhëniet “marrje”, “prerje” dhe “hedhje”, ndërsa masa tjetër e njerëzve “shkrihet në një zë të vetëm unikal”, i cili shërben si themel mbështetës për “ndërtesën” e vajtimit dhe të zërave të korifejve. (f. 53).
Kjo pjesë e Toles e bën emërtimin edhe më domethënës. Ai nuk po vendos emra mbi zërat në mënyrë rastësore. Përshkrimi i tij tregon një hierarki dhe marrëdhënie mes tyre: disa zëra dalin në plan të parë, të tjerë i mbajnë, i mbështesin dhe krijojnë bazën ku mund të qëndrojnë zërat kryesorë. Në “të qarën me bote” Tole nuk dëgjon vetëm dhimbjen. Ai dëgjon edhe si ndahet dhimbja në zëra.
Kjo është ajo që, sipas meje, duhet veçuar si prurje e tij: emërtimi i zërave të “të qarës me bote” me emërtimet e zërave të këngës iso-polifonike. Jo si një provë e vetme dhe përfundimtare e prejardhjes, por si një vëzhgim i hershëm dhe i veçantë mbi mënyrën se si zëri kolektiv i vajtimit mund të ketë mbartur brenda vetes marrëdhënie që më vonë i njohim në këngë. Këtu fjala “gjurmë” merr kuptimin e vet. Nuk është rruga e përfunduar, por shenja që ka mbetur. Dhe Tole, në këtë pjesë të librit, na bën pikërisht këtë të shohim.
Në librin tim Madhëria e saj: Kënga iso-polifonike, Tiranë: Neraida, 2007, kur kam folur për vajtimin me ligjërime në zonën e Himarës, kam bërë një qasje midis zërave të vajtimit dhe zërave të këngës iso-polifonike, duke vënë në dukje ngjashmëritë e tyre strukturore dhe funksionale. Por këtu ka një dallim që më duket i rëndësishëm. Unë jam marrë me vajtimin me ligjërime; Tole ndalet te “të qarët me bote”, pra te një formë më e hershme e ritit mortor, prej së cilës, sipas kësaj qasjeje, do të vijë më pas edhe vajtimi me ligjërime.
Kështu, ajo që në librin tim shihet në një formë të dukshme të ritualit mortor, te Tole shfaqet më thellë në kohë, në një shtresë më të hershme të tij. Dhe pikërisht këtu vëzhgimi i Toles bëhet edhe më interesant: ai nuk na çon drejtpërdrejt te kënga, por na afron te konturet e saj, aty ku zërat e vajtimit ende janë pjesë e ritit, por kanë filluar të shfaqin marrëdhënie që më vonë do t’i njohim në këngën iso-polifonike.
Nëse nuk do të kishim të bënim me një dukuri të gjallë të etnokulturës, ndoshta do të na duhej ta kërkonim këtë shtresë me mjetet e arkeologjisë. Por ajo ka mbetur në kujtesën e njerëzve, në zërin e vajtimit dhe në mënyrën se si ai zë ndahet e bashkohet. Pikërisht këtu qëndron vlera e kësaj prurjeje të Toles.
Megjithatë, kjo qasje e zërave të të qarit me bote me zërat e vajtimit nuk do të thotë se ata janë identikë me zërat e këngës. Emërtimi i tyre me gjuhën e këngës nuk do të thotë se ritit mortor i ishte shndërruar tashmë në këngë. Midis të qarit dhe këngës ka një rrugë disa shekuj e gjatë, dhe për atë do të flasim më pas.
vijon
Sarandë, shtator 2026








Comments