top of page

Fatmir Terziu: Vajza që sfidoi tollonat e mishit në Elbasan

  • 1 day ago
  • 3 min read

Vajza që sfidoi tollonat e mishit në Elbasan

 

Ishin vitet kur jeta matej me tollona. Vitet kur njerëzit prisnin në radhë të gjata për një copë mish, për pak qumësht, për një kilogram sheqer. Ishin vite kur durimi ishte kthyer në virtyt të detyruar dhe mungesa ishte bërë pjesë e përditshmërisë. Në ato vite, në ambientet e Komitetit të Rinisë në Gurabardh, pata rastin të dëgjoja një bisedë që më mbeti gjatë në kujtesë. Ish-sekretarja Angjelina Plushku dhe instruktori Arjan Tabaku po diskutonin për një vajzë të re. Emri i saj ishte Naxhi Alla.

- Ajo ka sfiduar tollonat! - tha dikush.

Fjala më bëri të hap menjëherë veshët. Në një kohë kur tolloni ishte ligj, si mund ta sfidonte dikush?

Por Naxhi Alla nuk kishte sfiduar ligjin. Ajo kishte sfiduar paaftësinë, rutinën dhe mungesën e mendimit krijues. Ishte vajza e parë e familjes Alla në Elbasan. Mes disa motrave dhe një vëllai të vogël, ajo mbante mbi supe barrën e një familjeje që luftonte me vështirësi e sëmundje. Dy prindër që kishin nevojë për përkujdesje, një shtëpi që kërkonte mbështetje dhe një jetë që nuk falte askënd. Megjithatë, mbi të gjitha këto, Naxhi mbeti e qeshur. Ishte e bukur, e zgjuar dhe e përkushtuar. Kishte mbaruar shkollën me rezultate të shkëlqyera dhe zotëronte atë cilësi të rrallë që nuk mësohet në asnjë tekst: aftësinë për të kuptuar njerëzit.

Kur u caktua shitëse mishi, shumëkush mendoi se ishte thjesht një vend pune. Por ajo e pa si një përgjegjësi ndaj qytetarëve. Çdo mëngjes studionte me kujdes situatën. Dinte cilat familje kërkonin mish viçi, cilat nuk preferonin mish derri dhe cilat parapëlqenin mish pule. Dinte të krijonte ekuilibra aty ku të tjerët shihnin vetëm mungesa. Me zgjuarsi, me llogari të sakta dhe me bashkëpunim me kolegët, ajo arrinte të kënaqte më shumë njerëz sesa e lejonte teoria e ftohtë e shpërndarjes. Nuk kishte magji. Kishte vetëm përkushtim. Prandaj edhe shumë zyrtarë mbetën të habitur. Ata që e shihnin realitetin nga zyrat e tyre e kritikuan. Raporte, vërejtje, dyshime. Por ndërkohë, nga Tirana mbërriti një letër krejt ndryshe. Një letër vlerësimi. Një dokument ku thuhej se puna e saj duhej marrë si model.

Ishte një fitore e heshtur. Një fitore e një vajze të re kundër burokracisë së verbër. Një fitore e arsyes kundër skemave të ngrira. Një fitore e njeriut që mendon kundër mekanizmit që thjesht urdhëron.

Sot, kur raftet janë plot dhe tollonat kanë mbetur vetëm kujtim, historia e Naxhi Allës mund të duket e vogël. Por nuk është e tillë. Sepse ajo na kujton se në çdo kohë, sado e vështirë të jetë, ekzistojnë njerëz që nuk dorëzohen para pengesave. Njerëz që nuk presin mrekulli nga të tjerët, por përpiqen t’i krijojnë vetë ato me punë, ndershmëri dhe mendje të kthjellët. Prandaj nuk duhet harruar.

Nuk duhet harruar ajo vajzë e re elbasanase që mes radhëve të gjata, ankthit të qytetarëve dhe rregullave të ngurta, arriti të tregojë se njerëzimi është më i fortë se formulari, se zgjuarsia është më e madhe se burokracia dhe se shërbimi ndaj njerëzve mbetet gjithmonë vlera më e lartë. Ndoshta sot emri i saj nuk gjendet në tekstet e historisë. Ndoshta nuk ka monumente dhe as pllaka përkujtimore. Por ai jeton në kujtesën e atyre që e njohën, në respektin e qytetarëve që ajo ndihmoi dhe në shembullin që la pas. Sepse historia nuk ndërtohet vetëm nga figurat e mëdha që shfaqen në tribunat e kohës. Historia ndërtohet edhe nga vajza të zakonshme, si Naxhi Alla, të cilat në heshtje e me dinjitet i japin kuptim jetës së përditshme të një qyteti. Dhe Elbasani ka arsye ta kujtojë me krenari.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page